Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mos është Pat?!

Shkruar nga: Ben Andoni  
Botuar më: 15 vite më parë

Ben Andoni
Mos është Pat?!

“Zoti President shoh këtu përfaqësues të Prishtinës, a mund të na sqaroni pse janë ata këtu?”, -ka pyetur ministri i Jashtëm i Serbisë Jeremiç. “Pasi janë të shoqëruar nga Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca”, -ka qenë përgjigjja e shkurtër e presidentit të Asamblesë, Ali Abdussalam Treki. Për dy orë me radhë, delegacioni kosovar, që ka pasur pranë vetes përfaqësuesen amerikane në OKB, Rosemary Di Carlo, nuk ka lëvizur nga vendi, madje edhe kur drejt tyre është drejtuar një shpurë e tërë delegacionesh, që ka kërkuar largimin e delegacionit kosovar.

Përfundimisht, rezoluta serbe, e sponsorizuar nga të 27 vendet e Bashkimit Evropian, ka marrë në konsideratë mendimin e GJND-së se “shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”, dhe ka bërë thirrje për bisedime mes Kosovës dhe Serbisë për çështjet e hapura. De jure ajo thotë se Bashkimi Evropian do udhëheqë të dyja vendeve drejt perspektivës së integrimit në këtë organizim. Në fund, i llastuari Jeremiç, thjesht ka lexuar rezolutën e modifikuar krejtësisht që është miratuar.

Në fakt, ndërrimi i rezolutës është brohoritur në kampin kosovar dhe është lavdëruar nën-zë në kampin serb. Këta të fundit përmes zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ivica Daciç, kanë pohuar se vërtetë rezoluta për Kosovën “nuk është ideale”, por “në këtë moment ka qenë realisht e vetmja gjë e mundshme për shumicën e anëtarëve të OKB´-së”. Për hir të së vërtetës është një kokëulje për serbët, kur thuhet se “është kompromis dhe pranim i realitetit momental”, paçka se të dyja vendet tashmë po investojnë për të ardhmen e tyre. Anipse, Kosova dhe Serbia, të dyja vendet janë me shpresa krejt të kundërta. Serbët diskutojnë për statusin, duke mos e pranuar Kosovën dhe kjo e fundit mbahet me argumentin se tashmë do të diskutohet thjesht për çështje teknike. Është disi e dyshimtë sesi mund të diskutohet për çështje teknike me një shtet që nuk të njeh, siç ndodh në këtë rast me Serbinë. Mesa duket, tashmë do të tregojë se kush i ka miqtë më të fortë dhe diplomacinë më të avancuar.

 Ndërkohë, në Kosovë dhe në Serbi gjendja është trajtuar jo aq pozitivisht, sa e kanë dashur politikanët respektivë. E ndërsa nuk mbarojnë tonet euforike të zyrtarëve në Kosovë, rrethet analitike dyshojnë se Serbia ka fituar kohën e mjaftueshme për një farë mjegulle. Rezoluta legalizon bisedimet e ardhshme mes palëve kosovare-serbe për rregullimin e brendshëm të Kosovës: Drejtësinë, Doganën, Policinë, Trashëgiminë fetare serbe. Një fakt tjetër që të bën të mendosh për prapamendimin e serbëve, paçka se janë mbështetur në rezolutën e tyre nga 27 vende të Europës, është se pesë prej këtyre vendeve ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe do jetë e vështirë ta njohin dhe në të ardhmen. Në tërësi, rezoluta duket se mban qëndrim neutral lidhur me statusin dhe, për më tepër, serbët me gjithë dukjen, duket se kanë lëshuar mirë.

Analistët gjykojnë se shprehja “KA NE DIJENI” do të thotë që OKB-ja nuk ka konfirmuar ende plotësisht statusin final të Kosovës. Dhe, fjala RESPEKTON nuk është një fjalë që do të thotë se gjërat kanë mbaruar mes tyre. Pra, që Serbia do të forcojë shumë luftën për Veriun e Kosovës, që duket se edhe më tej do të jetë po kaq i ndarë dhe nga ana tjetër ka lehtësuar rrugën e saj në BE. Vetë përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, baronesha Catherine Ashton, nga zyra e së cilës doli drafti i rezolutës së miratuar, ka lavdëruar “konstruktivitetin e Serbisë” dhe, në të njëjtën gjatësi vale, diplomatët evropianë e konsiderojnë se i vetmi përfitim për Serbinë, edhe pas kësaj “disfate diplomatike”, është afrimi i Beogradit me BE-në, një premtim i vazhdueshëm për Tadiç-in, që ka qenë shumë pas të gjithë situatës, nga vetë baronesha. Paçka se akoma s’ka bërë asgjë për një nga më të kërkuarit në botë, Ratko Mlladiç, një nga kushtet primare të BE-së për ta.

Në një shikim më të thellë, kjo rezolutë duket se përfundimisht e shndërroi çështjen e Kosovës në një konflikt të vazhdueshëm ose në një gjendje që në shah njihet si Pat, ku kundërshtari që ka mundësi të lëvizë nuk lëviz dot dhe ndeshja mbyllet në barazim.. Mbase do të jetë e ardhmja dhe produktet e diplomacive të të dy vendeve që do të tregojnë se çfarë u arrit realisht me këtë rezolutë. Në një farë mënyre, prania e dy delegacioneve në një sallë, do të thotë që problemet e tyre edhe në të ardhmen do të vazhdojnë njësoj.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama