Raporti mes demokracive europiane dhe botës islamike në globalizëm, qëndron në thelb të shqetësimeve tona dhe është shumë i pranishëm në veprimtarinë e qeverisë. Një problem, zgjidhja e të cilit për Europën - dhe këtu jam dakord me mendimin e Angelo Panebianco - do të duhet që sot të konsiderohet si përgjegjësi primare. Nga mënyra se si do të rregullojmë raportin mes demokracive tona dhe universit islamik, përfshi komunitetet myslimane që gjithnjë e më shumë janë të pranishme në shoqëritë tona, do të varet jo vetëm siguria jonë, por edhe mënyra komplekse e të jetuarit. Çështja themelore që shtrohet është: si të ruhet dhe të mbrohet identiteti ynë perëndimor dhe rrënjët tona kristiane, duke krijuar dhe përmirësuar në të njëjtën kohë bashkëjetesën me islamin? Me fjalë të tjera: si të pranojmë identitetin e të tjerëve pa tradhtuar tonin?
Është një sfidë komplekse, e cila për t’u përballuar në planin e veprimit politik duhet të marrë udhë nga një premisë që përcakton nevojën për një riafirmim më të vendosur të identitetit të Europës. Është e vështirë të bashkëjetosh me të tjerët nëse nuk e dimë paraprakisht mirë se kush jemi. Duhet ta pranojmë se mbi këtë pikë Europa ka dhënë vitet e fundit shenja pasigurie. E kam fjalën sidomos, për zgjedhjen e disa liderëve europianë për të mos njohur rrënjët judaiko-kristiane të kulturës sonë, duke refuzuar përmendjen dhe referimin e tyre edhe në Traktatin Kushtetues. Por e kam fjalën edhe për ato sinjale të përhapura të një multikulturalizmi relativ, të një laiciteti negativ, i cili me mbrojtjen e të drejtës së gjithkujt për të ndjekur dhe shpallur të vërtetën e vet, rrezikon shpesh mohimin e së drejtës së ekzistencës së besimit: kristianizmit në veçanti, sikurse e dëshmojnë edhe fushatat kundër simboleve tona fetare, kundër kryqëzimit apo edhe përpjekjet për të diskretituar kishën. Sa më mirë që të (ri)njohim rrënjët tona që bartin vlera të tilla si toleranca dhe reciprociteti, aq më mirë do të përkufizojmë identitetin tonë dhe do të jemi në gjendje të menaxhojmë natyrshëm dukuritë e reja, përfshi bashkëjetesën me botën islamike. Ideja, sipas së cilës bota e besimit duhet t’i përkasë sferës private, na rikthen imazhin paradoksal të lënë pas të një Europe, ku ndërtimi i xhamisë ndan opinionin publik, mosbesues ndaj një bote plotësisht të ndarë dhe ku qendrat tregtare refuzojnë (nga frika) të ekspozojnë statujëza të Krishtlindjes për të mos fyer “besimin” e tjetrit. Duhet, duke mbrojtur me forcë laicitetin e shtetit, të mësojmë të bashkëjetojmë me këto botë, të nxisim reciprocitetin për të ndihmuar në lindjen e një islami europian.
Një strategji europiane për të zgjidhur pozitivisht marrëdhënien mes demokracive tona dhe botës islamike duhet të vijë në zbatim mbi katër elemente: përparësia absolute dhe universalizimi i të drejtave, një politikë emigracioni e përbashkët, vijimi i luftës kundër terrorizimit dhe hapja e Turqisë.
Mbrojtja e të drejtave të njeriut, dinjitetit e lirive të tij, përfshi atë të besimit, duhet të jetë në qendër të angazhimit europian. Europa dhe Perëndimi kanë detyrën historike dhe morale për të mbrojtur integritetin e këtyre vlerave universale sa herë që ato vihen në diskutim. Italia është aktivizuar në Bashkimin Europian për të përforcuar kapacitetet e veprimit në mbrojtje të lirisë së besimit në botë. Jemi në linjën e parë në mbrojtjen e të drejtave të grave, pavarësisht besimit kujt ato i përkasin, siç edhe e dëshmon rasti Shakineh.
Por është e nevojshme, përtej rasteve të veçanta, që Europa si e tërë të adaptojë në mënyrë sistematike një profil të lartë politik në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të dialogut ndërfetar e ndërkulturor. Me respektimin e thellë të të drejtave të njeriut, vjen edhe respektimi i pakicave, që mund të jenë islamike në Europë apo kristiane në botë. I vetmi kufi i ushtrimit të të drejtave të këtilla është respektimi nga ana e individëve i ligjit të vendit që i pret.
Elementi i dytë i strategjisë europiane ka të bëjë me politikën e emigracionit; një politikë që duhet të harmonizojë vendosmërinë mbi parimet dhe solidaritetin, për të favorizuar lëvizjet e rregullta dhe frenuar ato të parregullta, të cilat, përveç pasojave negative që sjellin ndaj sigurisë sonë, ndikojnë në rritjen e paragjykimeve etnike dhe fetare. Ato ndihmojnë kështu në ngritjen e mureve artificiale mes opinionit publik europian dhe atij islamik. Menaxhimi i kësaj politike kërkon një marrje dhe ndarje përgjegjësish mes vendeve të origjinës, atyre transit dhe destinacionit. Është i domosdoshëm një pakt mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe atyre të origjinës së lëvizjes, i bazuar nga njëra anë në ndihmën europiane për zhvillimin dhe, në anën tjetër, mbi nënvizimin e përgjegjësive të tyre në raport me kontrollin e lëvizjes. Por këtu ka nevojë edhe për një solidarizim mes vendeve europiane, që deri më tani, për fat të keq, ka munguar, pavarësisht nxitjes së Italisë më shumë përkundrejt emigrantëve të parregullt sesa në politikat e integrimit, me histori dhe dështime, të cilat nuk duhet absolutisht t’i anashkalojmë. Nuk ka emigrim pa integrim.
Elementi i tretë është ai i gatishmërisë së lartë në luftën kundër terrorizmit që vetëshërbehet qëllimisht me argumentin fetar për të imponuar ligjet e veta antinjerëzore, ligjet e një pakice ekstremistësh që kundër edhe fjalëve të Kuranit, do të dëshironin të impononin dhunën dhe intolerancën e vet mbi pjesën më të madhe të njerëzimit, përfshirë shumicën e vetë myslimanëve. Misionet tona në Afganistan, angazhimi në Lindjen e Mesme dhe Somali, përtej karakterit të tyre specifik, kanë të përbashkët dhe duhet të vijojnë të kenë si qëllim parësor ballafaqimin dhe izolimin e kërcënimit global që vjen nga radikalizmi islamik.
Elementi i katërt i strategjisë europiane nuk mundet që të mos i përkasë Turqisë. Turqia është një shembull, unik, i islamizmit të moderuar dhe i vokacionit europian sikurse e konfirmon tanimë edhe referendumi i fundit për Kushtetutën. Nëse do të mbajmë të hapura portat e integrimit të saj në Europë, siç edhe Italia përherë ka deklaruar, mund të nxisim në një kuptim më të gjerë, komunikimin mes islamit dhe demokracisë, mes islamit dhe Perëndimit, me pasoja pozitive mbi shoqëritë tona dhe mbi mënyrën tonë të jetesës. Këto katër aspekte do të mund të harmonizoheshin në kuadër të një strategjie komplekse, të qëndrueshme dhe të vetëdijshme, një strategjie që u përgjigjet sfidave të këtij shekulli për Europën dhe Perëndimin, një shekull që po shfaqet shqetësues dhe që ne duhet të dimë ta qeverisim.
Marrë nga faqja zyrtare e Ministrisë së Jashtme të Italisë
Përktheu: Skerdilajd Zaimi