Ndërkohë, që pothuajse asgjë nuk bëhet nga shteti shqiptar për këta sportistë. Është bërë patetike që në shumë gjëra t’i kërkojmë shtetit të ndikojë më shumë, por në rastin e sportistëve ne kërkojmë rezultate pa u dhënë asgjë. Me ligj qeverie është vendosur një shpërblim për ata që do të kenë fatin e madh të marrin një medalje olimpike, botërore apo europiane, por asnjë nuk mendon se si duhet të shkohet deri tek kjo medalje.
Një rrogë e papërfillshme që ata pothuajse nuk e marrin fare, sepse ajo u llogaritet në shpenzimet e turneve jashtë vendit dhe asnjë kujdes tjetër. Të gjithë këta sportistë që ne i shohim të japin intervista e të fitojnë medalje përgatiten individualisht me shpenzimet e tyre e kush është më me fat e bën këtë në shtet tjetër. As më minimalja që është ushqimi për sportistët nuk u sigurohet, le pastaj për doktore, terapistë, dietologë e të tjera me rradhë.
Zyrtarët e lartë i presin me flamuj e me shtërngime duarsh nëse fitojnë një medalje. Por nuk kuptojnë se ta fitosh atë apo ta pretendosh nga sportistët do të thotë vite të tëra sakrificash e mundimesh, pa asnjë lloj përkujdesje, e vetëm një vullnet i fortë i atyre djemve dhe vajzave bën që shpesh na bëjnë ne shqiptarëve të ndihemi krenarë e të dëgjojmë të përmendet emri Albania. Sporti i sotëm nuk është si në Greqinë e lashtë kur çdokush mund të hynte në garë e të fitonte. Sporti sot do shumë përkushtim dhe kujdesje nga vetë shteti që ata do përfaqësojnë. Çështja nuk është sesa do të paguhet një kampion olimpik, por çfarë duhet bërë për të nxjerrë kampiona olimpikë.
Pastaj të gjithëve na vjen keq pse shumë sportistë shkojnë të garojnë nën flamurin e shteteve të tjera, e arrijmë t’i quajmë ata edhe tradhëtarë. Egoizmi ynë shkon deri aty sa të mos pranojmë të mirën e tyre edhe pse ne nuk i ofrojmë asgjë.
Kur Pirro Dhima fitoi medaljen e artë olimpike për Greqinë, mediat shqiptare shkruan që e bënë gjeneral të ushtrisë dhe kjo u pa akoma më keq nga shqiptarët. Dikujt mund t’i dukej se do vihej në krye të ndonjë ushtrie për të pushtuar Vorio-Epirin. Por grekët i dhanë atij atë gradë të lartë ushtarake në mënyrë që sportisti të kishte të siguruar një rrogë të lartë e gjithë privilegjet e tjera që i vinin nga ky pozicion.
Edhe sportistët olimpikë italianë janë të gjithë në forcat e ushtrisë, të financës apo të karabinierëve me grada, politikë kjo që ndiqet për t’i siguruar atyre një mirëqënie e të ardhura. Do të ishte një zgjidhje shumë e mirë edhe për shtetin shqiptar që nuk ka pse të paguajë sportistët vetëm nëpërmjet organizatave sportive, por nëpërmjet insitucione të tij, duke mos nxjerrë në këtë mënyrë fonde të tjera buxheti. Kjo do të ishte minimalja që qeveria shqiptare mund të bëjë për këta sportistë.
Ashtu si kemi dëshirë të përkëdhelim sedrën tonë kombëtare duke parë flamurin shqiptar të ngjitet në podiumet sportive të botës, ashtu duhet edhe të mendojmë për t’u siguruar sportistëve kushte e të ardhura për të përballuar jetën e vështirë dhe të kushtueshme stërvitore e aq më të tepër të një sportisti olimpik.
Kështu në të ardhmen nuk do t’i nisim sportistët tanë, që duam të jenë krenaria jonë kombëtare me bukë me vete, si peshëngritësit së fundmi në Turqi.