Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Radhët

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 15 vite më parë

Edmond Tupja
Radhët

Ky term, "radhët", ka për ne, shqiptarët, një ngjyrim tejet negativ: bëhet fjalë për një dukuri shoqërore tipike të disa dekadave të diktaturës komuniste, por edhe të shumë prej viteve të tranzicionit demokratik në vendin tonë. Radhët ekzistojnë edhe sot e kësaj dite në vendet e zhvilluara, por jo me ngjyrimin negativ që kanë pasur atje para më se gjysmë shekulli; mbaj mend që në Francë, kur isha student...

...vetëm ata që kishin  njohur pushtimin nazist të vendit mbanin ende mend radhët para dyqaneve ushqimore, por tashmë atje francezët moshatarë me mua - dhe unë bashkë me ta -, mbanim radhë vetëm për të marrë një biletë teatri apo kinemaje, për të vizituar muzeun e Luvrit, atë të Pikasos apo atë të Orsesë, si edhe ndonjë radhë tjetër, të rastit.

Sidoqoftë, në Shqipërinë e sotme, radhët më duken të jenë bërë më të rralla për qytetarin e zakonshëm, si puna ime, si puna jote, lexues i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës. Nuk ka më radhë para furrave të bukës, bulmetoreve (dikur, ngriheshim rreth orës 2 apo 3 të mëngjesit për të marrë dy litra qumësht e një litër kos), ushqimoreve, librarive kur dilte ndonjë libër i Ismail Kadaresë, madje edhe te kafe "Flora" apo kafe "Tirana", pasditeve, në pritje që të lirohej ndonjë tryezë. Më kujtohet një skeç në Estradën e Tiranës kur isha gjimnazist: aktorët Mihal Popi dhe Skënder Sallaku, të vetëm para një sporteli, shtyheshin deri në rraskapitje se kush e kush të merrte i pari dhe kjo për të stigmatizuar ata që e kishin zakon një gjë të tillë, por në thelb radhët asokohe ishin tipike të socializmit shqiptar; të gjitha llojet e radhëve i ka provuar shqiptari krejt i bindur në atë periudhë, me përjashtim të njërës dhe ndoshta ky fakt provon që, edhe në këtë pikë, ai i bëri heshtazi një farë qëndrese diktaturës: ai kurrë nuk ka mbajtur radhë para nevojtoreve publike, sepse e gjente mundësinë të shurronte e të dhiste kudo që mundej, pavarësisht se ndonjë kalimtar edhe mund ta shihte e ta qortonte.

Në ditët tona, vazhdojmë të mbajmë radhë për të paguar faturat e energjisë elektrike, të ujit dhe të telefonit, por edhe këto nuk janë më aq të gjata sa dikur. Edhe në zyrat e regjistrimit të pasurisë së patundshme, edhe në ato të gjendjes civile, falë kompjuterizimit të tyre, radhët nuk janë më aq të ngadalta sa para disa kohësh. Sigurisht, ende para pak vitesh qëndronim në radhë për orë të tëra, pavarësisht motit të ftohtë apo piskut të vapës, para ambasadave të vendeve perëndimore, madje qëndrojmë akoma, por, gjithsesi, këto lloj radhësh duken sikur janë shkurtuar disi. Së shpejti do të vijë fundi i vitit e, me shumë gjasë, do të liberalizohen edhe vizat, kështu që radhët para ambasadave të shteteve të hapësirës Shengen nuk do të kenë më arsye të ekzistojnë.

Gjithsesi, një radhë do ta mbajmë ende gjatë si vend, si shtet, si komb, atë për të hyrë më në fund në Bashkimin Europian. Ndërsa gjithë radhët e përmenduara më sipër kanë qenë e janë radhë konkrete, kujtimi i të cilave mund të mjegullohet, por jo të fshihet fare te njerëzit që i kanë jetuar e përjetuar ato si pjesëmarrës aktivë dhe jo thjesht si spektatorë pasivë, radha që sapo emërova do të jetë abstrakte, ku të gjithë do të jemi pjesëmarrës, duam sduam, të rinj e të vjetër. Do të na duhen jo pak vite për të përmbushur gjithë detyrimet që na takojnë si shtet dhe si popull para se ta realizojmë këtë ëndërr europiane që Naim Frashëri, në mos gabofsha, e ka përmbledhur me një varg të vetëm "...Se për shqipëtarin dielli lind atje ku perëndon...".

Së fundi, brezave të ardhshëm, fëmijëve të fëmijëve tanë, fenomeni "radhë" i kohës së monizmit, por edhe i viteve të para të tranzicionit demokratik, do tu duket si një gjë e largët, e pabesueshme, gati-gati zbavitëse (Si mund të shkosh e të zësh radhë për qumësht e kos që në orën 2 apo 3 të mëngjesit? - do të pyesin ata me habi) sidomos kur të lexojnë romane të tilla si "Lëkura e qenit" e Fatos Kongolit, ku radha që mbajnë personazhet kryesore është një përzierje tragjizmi, erotizmi dhe absurditeti.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama