Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gezuar 10-Vjetorin, kryetari im

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Gezuar 10-Vjetorin, kryetari im

Kur ka qenë radha, i kam uruar Kryetarit tim 85-vjetorin dhe më pas edhe 90-vjetorin e Tiranës Kryeqytet. Kësaj radhe po i uroj një datë që nis e mbaron me atë vetë. Plot 10 vjet më parë, në zgjedhjet vendore të tetorit 2000, Tirana bëri një përmbysje të madhe. Nëpër kronika do të shkruhet thjesht se qeverisja e qytetit kaloi nga e djathta në të majtë. Në fakt ishte diçka tërësisht ndryshe: u kalua nga një pushtet i matufepsur që prodhonte shterpësi, tek një qeverisje energjike që mbartte ëndrrën e ndryshimit. Vështirë se mund ta mohojë njeri këtë gjë, ëndrrën e madhe që mbartte qyteti një dekadë më parë.

Politikanët modernë, ngaqë s’i mban vëndi sa të tregojnë veten, kanë shpikur 100-ditëshin e parë, brënda të cilit pretendojnë të japin sinjalin se ç’janë në gjendje të bëjnë. Mirëpo 100-ditëshi ka vetëm vlerë propagande, pasi pas kësaj vijnë ditët e gjata të punës reale, të cilat dalëngadalë u lënë vëndin muajve, stinëve, viteve dhe ngandonjëherë edhe dekadave. Kur pushtetet pastaj, kanë fatin që të mbushin dekada, janë të prirur të bëjnë një hesap të asaj ç’kanë bërë e arritur në tërë ato vite.

Në këta dhjetë vjet, në pallatin prej mermeri të bardhë në mes të Bulevardit Dëshmorët e Kombit janë ndërruar nja 5 kryeministra e nja 10 qeveri, ndërsa në pallatin me tulla të kuqe në fillim të këtij bulevardi, qëndron ende i njëjti Kryetar Bashkie. Duket sikur është një fat i madh ky, për një njeri që ka plane të mëdha në kokë, se kështu ka kohë sa të dojë t’i vërë në jetë tullë pas tulle, por në fakt më tepër sesa fat është kurth. Është një kurth që të zë për këmbe e s’të le asnjë shteg për të thënë se do bëja këtë e atë por s’pata kohë.

Historianët thonë se Umberto II, i biri i Viktor-Emanuelit III, do të kishte qenë një mbret i madh, se i kishte të gjitha cilësitë e duhura. Por vetëm dy muaj pasi hipi në fron, në qershor 1946, në Itali u zhvillua referendumi ku fitoi republika dhe, Umberto u detyrua të hapte udhë. Në historinë e Italisë, ai do mbetet thjesht një hipotezë. Enver Hoxha pati katër dekada kohë për t’i dhënë jetë projektit të tij dhe në fund la pas vetes një strukturë të kalbur që u kthye në gërmadhë me goditjen e parë. S’ka justifikim që mund ta shpëtojë atë nga gjyqi i historisë. Kryetari im qëndron midis këtyre ekstremeve të tekave të kohës.

S’ka historian shqiptar (e madje edhe ata të huaj që janë marrë me historinë tonë) që nuk është në gjendje të të flasë me orë të tëra për festimet e organizuara më 1938-n me rastin e 10-vjetorit të Monarkisë. Rregjimi nuk e kish hallin të numëronte vitet e mbretit, por se çfarë i kish ngjarë e ndryshuar Shqipërisë në ato 10 vjet. Dhe që kishin ngjarë e ndryshuar boll gjëra, është e dukshme akoma sot e kësaj dite, kur ne ende kujtojmë e kemi midis nesh shumë gjëra që u realizuan apo iu hodh themeli në atë dekadë tashmë të largët. Në atë dekadë të katërt të shekullit që shkoi, kur qyteti im shpërtheu nga qytet province me 15 mijë banorë, në një kryeqytet me 40 mijë banorë, që në raporte qëndron njësoj me Tiranën e sotme, kur popullsia gjithashtu u dyfishua brenda një dekade. Që qyteti i vjetër osman i atëhershëm shpërtheu, i do njohur merita jo thjesht njerëzve dhe dëshirës së tyre për zhvillim, pasi në shumë raste, falë vizionit të qartë, qeverisja ishte shumë më përpara se vetë njerëzit që i duhej të qeveriste, të cilët shpesh në mentalitet mbeteshin prapa zhvillimit të vrullshëm. Sa për të dhënë një shembull, diku në fillim të viteve ‘30, në rregulloren urbanistike të Tiranës u shtua një nen që ndalonte ndërtimet e reja njëkatëshe.

Pikërisht në atë dekadë të largët, qyteti im u bë qytet modern, aq modern sa ende sot gati të vetmet gjëra publike që trashëgon dhe janë funksionale, mbajnë vulën e atëhershme. Ende sot qyteti ka sistemin rrugor të ndërtuar apo projektuar atëherë; ende sot administrata kryesore e shtetit qëndron në godinat e ndërtuara asokohe; ende sot vetë Kryetari im e ka zyrën në një ndërtesë elegante të ndërtuar atëherë; ende sot aksi kryesor i qytetit dhe më i bukuri, mban vulën e asaj kohe; ende sot tregu i vetëm brenda qytetit është i asaj kohe; ende sot sheshi qendror i qytetit, me gjithë shkatërrimet e njëpasnjëshme, është i asaj kohe; ende sot sheshi i vetëm qytetës, megjithëse i lënë pas dore, është i asaj kohe (sheshi “Avni Rustemi”); ende sot parku i vetëm i qytetit, u konceptua asokohe; ende sot nëpër trotuarët e shtruar me gurë kuadratikë të bulevardit, qëndrojnë të puthitura mirë pusetat prej gize të viteve ‘30, ndërsa nuk mbyllen apo lëkunden pusetat e vëna me tender të viteve të fundit; ende sot teatri i vetëm i qytetit është konceptuar në ato vite, megjithëse ndërtuar më pas në kohën e pushtimit italian; ende sot sistemimi i Lanës është po ai i atëhershmi; ende sot ... mund të vazhdoj pa fund.

Nuk po llogaris këtu gjërat publike që u ndërtuan atëherë dhe që nuk qemë në gjendje t’i mbajmë, bie llafi nuk qemë në gjendje të shpëtojmë asnjë nga kinematë që qyteti i atëhershëm i kishte; nuk shpëtuam dot asnjë nga shatërvanët që u ndërtuan asokohe; apo ndërsa qyteti i atëhershëm ndërtoi një thertore publike, sot në kryeqytet bagëtitë theren rrugëve; ndërsa asokohe kishte, në mos gaboj 6 banja publike, sot nuk ka asnjë; ndërsa në statistikat e Bashkisë asokohe figuronin 25 çezma publike me trup të derdhur në gizë, sot nuk ka mbetur asnjë. Edhe këtu mund të vazhdoj vargan por po e le me kaq.

Kjo puna e dekadës është realisht e rëndësishme dhe jo më kot politikanët që i zë dekada, janë të prirur të bëjnë publikisht llogaritë e asaj ç’kanë bërë. Shembujt që na vijnë nga historia janë të shumtë, veçanërisht në epokën moderne, kur politikanët duhet të votohen dhe përmes kësaj shpalosjeje justifikojnë qeverisjen e deriatëhershme apo edhe kërkesën për të vazhduar të qeverisin.

Mirëpo në rastin tonë, të gjitha këto arsye ndërpriten me thikë nga një fjali. Kryetari im, Bashkia e qytetit tim dhe forca ime politike, që duhej të mburreshin me këtë 10-vjetor, e kaluan heshturazi fare heshtur, po fare fare ama, këtë datë. Për më tepër kur, përballë një qeverisjeje të turpshme si ajo e Sali Berishës, do të duhej të nxirrnim në pah, ja se si qeverisim ne.

Punëra janë bërë shumë në këtë qytet edhe në këto 10 vjet, janë ngritur shtëpi e pallate, janë vënë tulla mbi tulla e derdhur beton mbi beton. Po i kthehem edhe një herë atij jubileut të largët të 10-vjetorit të monarkisë më 1938-n. Po të shohësh statistikat e veprave të asaj kohe, në vargun e gjatë, shumë të gjatë të bëmave, bie në sy një gjë. Të gjitha janë punë publike. Godina, ministrira, bashki, tregje, thertore, lulishte, monumente, ujësjellës, shpronësime, shatërvanë, çesma e banja publike, kanalizime, tubacione, e plot të tjera. Nëse i kthehemi 10-vjetorit të tanishmë, llogaria mund të na dalë prapë shumë e madhe, por është punë dhe djersë e privatëve, ndërsa mungon gati tërësisht ndërtimi i veprave publike. Ky është ndryshimi. Një bashki nuk mund të mburret me mbledhjet e KRRT-së, me lejet e ndërtimit që ka firmosur, me pallatet që po na zënë fytin dhe me kullat që po na nxijnë ditët.

Në këtë qytet që as adresa s’ka, njerëzia e kanë zgjidhur hallin thjesht duke u dhënë pallateve emrat e ndërtuesve: Pallati i Kokëdhimës, i TID-it, i Beharit, i Leskajt, i Fratarit, i Pingulit, i Trebickës, pallatet e Rid Halilit, të Rrapushit, e plot të tjerë. Është normale kjo, siç është normale që veprat publike të Zogut t’i quajmë ende sot me emrin e tij. Po, është bash kështu, sepse pallatet private hyjnë në histori me emrat e pronarëve, por janë ndërtimet publike ato që edhe në histori mbajnë emrat e kryetarëve.

E pra kjo pjesë i mungoi qytetit tim në këtë 10-vjetor, duke bërë që historia të mbushet me emra pallatesh të pronarëve, por me shumë pak vepra të kryetarëve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama