Dje, Kuvendi i Shqipërisë, në një seancë ku qeveria mungonte tërësisht, debatoi formalisht mbi buxhetin faktik 2009. Formalizmi dhe mosinteresimi i qeverisë në këtë debat e tregon fakti që ai u zhvillua me një vonesë 10-mujore, pasi ka përfunduar viti dhe si rrjedhojë vështirë të nxjerrë ndonjë mësim për buxhetin 2010, i cili do përsërisë të njëjtin model korrigjimesh dhe mosrealizimesh si ai i vitit të kaluar.
Analiza e treguesve të buxhetit të 2009-s përgënjeshtron demagogjinë, servirur deri tani opinionit publik, për realizime spektakolare në ekonomi. Përkundrazi, ajo zbulon mos realizim në të gjithë treguesit e planifikuar në buxhetin e shtetit për 2009-n, me gjithë korrigjimin e tij dy herë brenda vitit. Ndërkaq, treguesit ekonomiko-fiskalë të 2009-s kundrejt një viti më parë kanë një përkeqësim të tendencave të vërejtura më parë, duke vërtetuar tashmë të gjitha shqetësimet e shprehura nga opozita.
Sipas buxhetit faktik 2009, vërehet një mungesë të hyrash në ekonominë tonë nga 206 deri në 358 milionë $, në varësi të krahasimit me buxhetin fillestar apo me atë të korrigjuar në fund të vitit.
Paaftësia për të parashikuar një vit më parë realizimin e buxhetit, megjithëse është shumë e madhe (350 milionë dollarë), edhe mund të justifikonte ndryshimet buxhetore, por të mos jesh i aftë të parashikosh të hyrat e buxhetit në fund të janarit 2010, kur në Parlament u aprovua akti normativ, dhe të mos realizosh përsëri të ardhurat edhe pas këtij korrigjimi me 206 milionë dollarë, është e pafalshme për Ministrinë e Financave dhe titullarin e saj. Prandaj, pyesim se kujt i shërbejnë korrigjimet e herëpashershme të buxhetit që nuk respektohen?
Në një vend europian, kjo situatë do të provokonte dorëheqjen e qeverisë, ose të paktën ministrit të Financave. Ndërsa në Shqipëri ndodh çudia, ku autorët e këtij parashikimi të gabuar dhe me pasoja për ekonominë, flasin sikur asgjë nuk ka ndodhur, madje ta shesin këtë degradim të buxhetit për arritje. Duke na servirur shifra të pabesueshme dhe të manipuluara të rritjes ekonomike, se ne jemi vendi me ekonomi më të fortë. Me këtë logjikë kujtoj se Kosova me 4% dhe Afganistani me rritje 9%, na e kalon.
Duke u ndalur në mosrealizimin e të ardhurave buxhetore, rezulton se të ardhurat tatimore nuk janë realizuar me 18,8 miliardë lekë. Ky mosrealizim i dedikohet kryesisht mosrealizimit të të ardhurave nga tatimet dhe doganat prej 10,6 miliardë, të cilat u rritën nominalisht 1,7% kundrejt vitit 2008, kur rritja e çmimeve ishte 2,2%. Kjo tërheq vëmendjen se rritja ekonomike nuk mund të jetë ajo e propaganduar prej qeverisë. Sepse të ardhurat nga tatimet e doganat janë ato që shprehin nëpërmjet TVSH-së, akcizave, tatimit mbi fitimin dhe të ardhurave personale, nëse ekonomia ka qenë e shëndetshme në rritje apo e kundërta.
Rritja ekonomike për vitin 2009 nuk rezultoi sa u parashikua nga qeveria 5-6%, por as sa raporton Ministria e Financave në relacionin e buxhetit faktik, pra 3-3,5%. Nëse rritja do të ishte sipas parashikimeve të qeverise me 3-3,5%, duke qenë se rritja e çmimeve qe 2,2%, atëherë të ardhurat tatimore nominale nuk do të rriteshin 1,7%. Ato, sikur të mos kishim fare luftë kundër evazionit, duhej të ishin rritur me 5,2-5,7%. Ky nivel i ulët i rritjes së të ardhurave tatimore flet për rënie të ekonomisë në 2009-n dhe se rritja ekonomike gjatë vitit të kaluar është në nivele minimale më pak se 1%, në të kundërt, qeveria duhet të japë shpjegime lidhur me nivelin e informalitetit dhe korrupsionin fiskal, i cili duhet të jetë shumë i lartë dhe flet për mungesë reale reformash ose efekt negativ të masave të marra.
Rënia ekonomike, përveç të tjerave, është reflektuar nga rënia e aktivitetit tregtar gjatë 2009-s, që është shfaqur në uljen e importeve 2% dhe eksporteve 9%. Me gjithë një tendencë rritje të eksportit në tremujorin e fundit të vitit në nivelin 13%, nuk u reflektua rritje të të ardhurave, rënia e të cilave, sipas analizave, thellohet në tremujorin e fundit kundrejt 2008-s. Qeveria duhej të shpjegonte arsyet që sjellin këtë realitet fiktiv, në vend të mburrjeve se politikat e saj (cilat janë?) sollën rritje eksportesh. Mburrja për rritje eksportesh nuk ka asnjë vlerë nëse të ardhurat nuk rriten dhe deficiti i llogarisë korrente (nga hyrja e valutës) që duhet të rezultojë nga ky fenomen nuk përmirësohet, por përkundrazi përkeqësohet, duke sjellë zhvlerësimin e lekut që shqiptarët po e paguajnë si një taksë nëpërmjet rritjes së çmimeve që vijnë nga ky zhvlerësim.
Për sa u përket shpenzimeve buxhetore, rezultati faktik i shpenzimeve shfaqi dukuri negative, konkretisht: shpenzimet korrente 283,9 miliardë lekë nuk mbulohen nga të ardhurat tatimore prej 270,8 miliardë lekë. Kjo diferencë prej 13 miliardë lekësh quhet keqqeverisje dhe tregon se qeveria nuk mban dot veten, me gjithë retorikat “qeveri në dietë”. Ajo ka marr borxhe dhe për të mbajtur veten, duke ngushtuar në 2009-n hapësirat për rritjen e ekonomisë.
Me gjithë paralajmërimet e opozitës, qeveria për arsye elektorale rriti shpenzimet, ndërkohë që uleshin të ardhurat, duke shkaktuar thellimin e borxhit dhe rritur në mënyrë galopante deficitin buxhetor. Nga rreth 50 miliardë lekë në buxhetin fillestar, arriti në fund të vitit në rreth 80 miliardë lekë, ose 7,1% të PPB. Ky tregues në Shqipëri, sipas një botimi të KE-së për vendet potenciale dhe kandidate të Ballkanit Perëndimor, është më i larti dhe flet për performancë negative të borxhit në Shqipëri.
Deficiti buxhetor nuk është fatalitet, por nëse madhësia absolute e tij rritet mbi 60% ndaj nivelit të planifikuar në fillim të vitit siç ndodhi në vitin 2009, kjo flet për mungesë përgjegjësie në respektimin e ekuilibrave dhe disiplinës financiare nga qeveria. Kështu ajo e konsideron ligjin e buxhetit një fletushkë, kurse relacionin që u sjell deputetëve si të pavlerë dhe që mund të përmbajë çdo lloj gabimi. E them këtë, sepse ata që kanë përgatitur relacionin që shoqëron buxhetin faktik 2009, konkretisht tabela nr. 1 e faqes 73, ku jepet borxhi publik në vite nga 2005-2009, të bëjnë të mbetesh pa fjalë kur sheh si kanë ndryshuar apo manipuluar të dhënat e borxhit dhe PPB në 2005-n, kundrejt të njëjtës tabelë në 2008-n. Kështu, Ministri i Financave fyen intelektualisht deputetët me këto dokumente jo serioze që paraqet, por në këtë rast ministri ka injoruar vetë qeverinë që përfaqëson, pasi druaj nëse ndonjë anëtar qeverie ka vënë re këtë ndryshim drastik. Janë përgjysmuar pa asnjë shpjegim shifrat e 2005-s në tabelën e këtij viti. Konkretisht borxhi nga 468 miliardë lekë që u dha vjet, jepet 214 miliardë lekë në tabelën e këtij viti, ndërsa PPB nga 814 miliardë lekë, në 409 miliardë lekë. Kjo ka sjellë rezultat tjetër për nivelin e borxhit ndaj PPB, nga 57,4% në 52%.
Ky është një manipulim skandaloz, që tregon edhe njëherë se shifrat e kësaj qeverie janë të pabesueshme. Qeveria duhet të japë shpjegime, sikurse duhet të japë shpjegime mbi aftësinë paguese të borxhit publik, i cili është rritur në mënyrë galopante gjatë qeverisjes 2005-2010 sipas relacionit të MF, respektivisht 52%, 56%, 53%, 54,8%, 59,7%; ndërsa në madhësi absolute stoku i borxhit u rrit nga 214 miliardë lekë në 2005-n, në 682 miliardë lekë në 2009-n.
Megjithatë përfitoj nga këto të dhëna që:
Së pari, t’i kujtoj Kryeministrit që në vitin 2005 kur ai erdhi në pushtet, nuk e gjeti borxhin publik 72% ndaj PPB-së, siç është shprehur shumë herë pa asnjë përgjegjësi, por 52% sipas tabelës së sipërpërmendur, të dhënë në relacionin shoqërues të buxhetit faktik 2009, apo 57% sipas asaj të 2008-s, pavarësisht se janë të ndryshme për arsye që qeveria duhet t’i shpjegojë.
Së dyti, ju kujtoj se ka dy alternativa dalluese në qëndrimin ndaj borxhit dhe kostos së tij. Qeveritë socialiste, duke trashëguar një ekonomi të shkatërruar pas rënies së piramidave financiare, ndoqën politikën e uljes së kostos së borxhit, e cila nga 30,6 miliardë lekë në vitin 2000 ra në 29,4 miliardë në 2005, duke mos abuzuar me vitin elektoral ndryshe nga ajo sa qeveria aktuale në 2009-n, duke e shpënë koston e borxhit në 42 miliardë lekë dhe rritur kështu koston e shërbimit të tij në 2010-n me një shtesë rreth 22 miliardë lekë. Këto janë shifra kokëforta të vetë MF, që nuk mund të përgënjeshtrohen.
Së treti, theksoj shqetësimin e opozitës për më shumë kujdes për borxhin publik, ku pjesa më e madhe e tij tashmë është borxh i brendshëm afatshkurtër nën ndikimin e normave të larta të interesit ose borxh i jashtëm i ndikuar nga kursi i këmbimit. Në 2009-n, financimi i brendshëm shfaqi probleme likuiditeti, që shpuri në rritjen e interesit të huas së brendshme, për rrjedhojë të kostos së shërbimit të borxhit. Ndërkaq, edhe kredia sindikale solli rritje të kostos së shërbimit, për shkak të normës së lartë të interesit 9,6%.
Së katërti, i kërkoj shpjegime qeverisë se kush është përgjegjës për kredinë sindikale prej 250 milionë eurosh gjatë vitit zgjedhor 2009 për interesat piramidale të saj (marzhi 9.65, plus euribor plus kostot jo të pakta për disbursimin ose përballimin e të drejtave të agjentëve që mund të arrijë deri në 15%) kredi që shkoi për të mbuluar mungesën në të ardhurat e parashikuara, pa folur për koston e korrupsionit në rrugën Durrës–Kukës. Vetëm kostoja e 1 km të kësaj rruge do të mjaftonte të përmirësonte gjithë infrastrukturën e Mallakastrës. Interesat e kësaj kredie për një vit mund të shkojnë më shumë se 30 milionë euro. Kjo kredi, super e shtrenjtë, që ministri ynë një vit me parë e quante sukses, është shoqëruar me një mungesë të theksuar transparence mbi shkallën e hapjes së konkurrencës midis bankave për këtë huamarrje. Ankandi i fundit për 25 milionë euro në tregun vendas, që rezultoi në rreth 6% interes, nxori në pah se sa shtrenjtë u mor kjo kredi e dyshimtë, për të cilën në mungesë të transparencës duhen shpjegime nga qeveria për mënyrën dhe afatin e shlyerjes së saj. Për këtë kredi garantuese është Banka e Shqipërisë, e cila në rast mospagese nga qeveria do të vërë dorë mbi rezervat valutore, me po aq lehtësi sa dhe për pagesën e hotel “Dajtit”. Prandaj, ministri i Financave duhet të sqarojë, në kushtet e mungesës së informacionit, se çfarë letrash janë emetuar nga qeveria dhe çfarë miratimi/nënshkrimi ka pasur nga Banka e Shqipërisë për këtë kredi që rrezikon të cenojë ekuilibra të tjerë delikatë.
Pas kësaj panorame që sjell buxheti faktik 2009, nuk më mbetet veçse të ngushëllohem duke lexuar “Forbes”, i cili nuk dyshon në thëniet e një Kryeministri, por nga mosnjohja e realitetit shqiptar, pa dashje ngjan me ata që në përrallën e Andersenit lëvdonin rrobat e bukura të Mbretit.