Mes shumë paradokseve që hasen në Shqipëri, spikat fakti që në epokën e globalizimit, ne padyshim jemi një ndër vendet më të izoluara në Europë. Kjo gjë është e vlefshme, jo vetëm për masën e madhe të popullit, por edhe për elitat tona që padyshim janë mbase më pak të integruarat me ekuivalentet në kontinent. Vështirë se ka përfaqësues të botës universitare, mediave, artit, biznesit, kulturës apo shoqërisë civile e të tjera kategorive që përbëjnë shtresën elitare të Shqipërisë që të jenë pjesë thelbësore përbërëse e forumeve përkatëse ndërkombëtare. Pra, edhe pse shumë syresh krekosen me të madhe në Shqipëri me titujt, spaletat apo statusin që kanë në Tiranë, jashtë kufijve të Shqipërisë (me përjashtim të trojeve ku jetojnë bashkëkombasit tanë) nuk para i përfill kush. Me pak fjalë nuk ka njerëz të mediave që të shkruajnë jashtë vendit (përjashtim bëjnë korrespondentët zyrtarë të agjencive ndërkombëtare), nuk para ka akademikë që të botojnë artikuj apo studime në shtëpi botuese apo revista dinjitoze ndërkombëtare (të gjithë janë vërsulur në Maqedoni e Kosovë për të përmbushur kriterin e titujve për botime jashtë vendit), hiq ndonjë tek-tuk, nuk gjen artistë që të kenë ekspozita apo shfaqje në Perëndim, me ndonjë përjashtim të rrallë nuk ka sportistë shqiptarë të spikatur në gara ndërkombëtare e kështu me radhë.
Nga ana tjetër, pavarësisht se pas Salvadorit kemi emigracionin më masiv në proporcion me qeverinë, niveli integrimit me Europën Perëndimore dhe përvetësimi i vlerave europiane te ne ngelet i kufizuar. Kjo vjen së pari nga fakti që emigrantët tanë kanë ngelur goxha të margjinalizuar në shoqëritë e vendeve pritëse, duke u izoluar kryesisht në ambiente familjarësh dhe miqsh shqiptarësh pa u integruar në shoqërinë vendase. Madje hera-herës vihet re se ata ngelen më prapa në mentalitet edhe se vetë bashkëmoshatarët e tyre që kanë ngelur në Shqipëri. Një tjetër element është fakti që emigracioni ende vazhdon dhe janë të paktë të kthyerit përkundrejt atyre që ende ikin. Një tjetër pengesë për përthithjen dhe transferimit në Shqipëri të mentalitetit dhe vlerave të Europës bashkëkohore lidhet edhe me fatkeqësinë natyrore tonën që të kemi për fqinj Italinë dhe Greqinë. Në këto dy vende kemi të përqendruar pjesën dërrmuese të emigracionit, mirëpo ato nuk përbëjnë shembullin më dinjitoz të BE-së për të ndjekur. Nuk kemi fatin e Europës Qendrore që patën Gjermaninë si tutor në procesin e integrimit apo Republika Baltike që përfituan ndjeshëm nga afërsia me anëtaret skandinave të BE-së.
Faktorët kryesorë vendas që do të mund të kontribuonin në europianizimin e shoqërisë shqiptare, arsimi dhe media, lënë shumë për të dëshiruar. Arsimimi i shqiptarëve, ndërkaq, në këto dy dekada, nuk ka pasur ndonjë hov cilësor për të kompensuar dhe riparuar sadopak izolimin. Në fakt e kundërta ka ndodhur, ka rënë rigoroziteti ndaj shkollimit parauniversitar dhe masivizimi epidemik i arsimit universitar publik dhe privat i ka shndërruar universitetet thjesht në shkolla të mesme të profilizuara. Edhe sistemi i Bolonjës, që kishte si një ndër qëllimet kryesore rritjen e mobilitetit të studentëve, ka dështuar tërësisht në këtë aspekt dhe e ka lënë komunitetin universitar njësoj si më parë të izoluar e të përjashtuar nga shkëmbimet akademike. Pra në një mënyrë të çuditshme, edhe pse ndodhemi në zemër të Europës, ne fatkeqësisht kemi formuar një sistem tonin vetëreferencial të vlerave që ka përmbysur sistemin universal të vlerave. Te ne, pandershmëria është bërë normë dhe ndershmëria është bërë përjashtimi dhe duket se e gjithë shoqëria është dorëzuar dhe i është përshtatur tanimë këtij realiteti. Mjafton të analizohen debatet politike, për të parë se dallimi mes aktorëve nuk bëhet më në aspekte ideologjike, identiteti politik, çështjesh të trajtuara apo programi i propozuar i qeverisjes apo vizioni. Në fakt, gjithçka, bëhet fjalë për nivele apo përmasat e shkeljes, kush ka abuzuar më shumë e kush e ka tepruar fare me abuzim, pra gara bëhet mes aktorësh që synojnë të bindin publikun se kush është më pak keq se tjetri. Kjo situatë të lë përshtypjen se shoqëria shqiptare ka hequr dorë nga kërkimi i daljes nga tuneli, por i janë mësuar sytë me errësirën dhe ka nisur të mobilojë tunelin e të vendoset aty në mënyrë permanente.
Relativizimi i vlerave dhe konvencioneve ka bërë që tanimë të konsiderohen të pranueshme dhe të gëlltitshme gjëra që dikujt, në një vend të zhvilluar, do t’i dukeshin tronditëse. Nuk kishte si ndodhte ndryshe në rastin kur kapërcehen konvencionet apo parimet, atëherë bëhet e pamundur që të përcaktohen mandej nivelet e pranueshmërisë apo tepricës. Kush mund të thotë se deri në cilin nivel mund të kapërdihet korrupsioni, abuzimi, nepotizmi apo paaftësia. Niveli i përmasës kritike është krejt subjektiv, ndërsa parimi apo konvencioni është universal dhe kategorik e prandaj është më mirë dhe e sigurt t’i përmbahemi pranimeve sesa niveleve relative të tolerancës së shkeljes së këtyre parimeve.
Një ndër ilustrimet më tipike të konformitetit që ka pllakosur lidhur me pranimin e heshtur të këtyre shkeljeve apo normave së prapthi, është situata që u krijua në opinion publik, gjatë pjesës së fundit të qëndrimit në Shqipëri të ambasadorit amerikan Withers. Aq rëndë është situata, sa edhe Perëndimin kemi rifilluar ta shohim vetëm nëpërmjet lenteve shtrembëruese të konvencioneve tona të shtrembra dhe shumica kujtoi se ambasadori i shtetit më dashamirës ndaj Shqipërisë, vepronte kryekëput me kokën e vetë dhe gjithçka në veprimet e tij i kishte personale dhe arbitrare, sepse fundja kështu funksionojnë gjërat në Shqipëri. Harrojnë që në SHBA mbizotëron vazhdimësia institucionale dhe mes institucioneve të ndryshme qendrore, Departamenti i Shtetit njihet si më konservatori. Në këtë këndvështrim shumëkush në Shqipëri nisej nga përvoja jonë, ku titullari është ai që përcakton në mënyrë supreme funksionalitetin, marrëdhënien me ligjin, politikën e kuadrit, përmbushjen e detyrave apo strategjitë e institucionit. Në rastin e reformës ligjore të lustrimit, nuk ishte se Withers-i, në mënyrë personale e tekanjoze, iu kundërvu kësaj nisme, por vetë ligji në vetvete shkelte në mbi dhjetë pika Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që kemi nënshkruar, duke diskredituar e denigruar tërësisht qëllimin fisnik për të cilin edhe duhet krijuar një ligj ndryshe i lustrimit. Pra jo më kot, këtij ligji iu kundërvunë Gjykata Kushtetuese, Komisioni i Venecias, përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit, OSBE-së, Këshillit të Europës e BE-së, ambasadorë të akredituar në Shqipëri e mbarë shoqëria civile. Mirëpo e gjithë kjo valë kundërshtimesh nuk mjaftoi për të shkulur nga bindja në Shqipëri se Withers e kishte personalisht dhe oborrtarët mediatikë e lakej të ndryshëm kinse ekspertë me integritet iu vërsulën personalisht përfaqësuesit të shtetit tonë kryesor aleat. Ndërkohë që pas ikjes së Withers të gjithë diskutonin se me ikjen e tij, padyshim pritet që ambasadori i ri Arvizu do ndryshonte kursin e politikës.
Në këtë gjendje izolimi, si të ishim ishull i rrethuar nga të tjera realitete europiane, duket qartë që zgjidhja e vetme është rikthimi te parimet më themelore. Është shndërruar në domosdoshmëri ripërsëritja e atyre fushatave edukuese dhe promovuese që u nisën në fillim të viteve ‘90 për vlerat dhe parimet universale që bëjnë të mundur ndërtimin e një sistemi solid liberal demokrat. Rruga negative që po ndjekim thjesht ka për të instaluar e çimentuar në Shqipëri një sistem politik amerikano-latin, ka për të ulur pritshmëritë dhe aspiratat e shoqërisë dhe ka kultivuar dorëzimin, rrjedhjen e mëtejshme të trurit, plogështinë politike dhe cinizmin ndaj realitetit. Në kushtet ku është katandisur vendi, është bërë më e nevojshme se kurrë që të rikujtohen ato frymëzime që shtynë mijëra të rinj që të kërkonin që Shqipëria të bëhej si e gjithë Europa.