Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur vdes Njeriu te politikanët

Shkruar nga: Shpëtim Idrizi  
Botuar më: 15 vite më parë

Shpëtim Idrizi
Kur vdes Njeriu te politikanët

E ndiej të udhës që, t’ju drejtohem në lidhje me një çështje që të paktën politikisht duket sikur po kalon pa vëmendje: e kam fjalën për dhunimin e profanimin e varreve shumëvjeçare të Boboshticës.


Në fakt, nëse te ne politikanët dhe parlamentarët, do të ishte më i fortë njeriu se politikani, atëherë ne do të kishim reaguar me forcë përpara akteve të tilla të përsëritura dhe me siguri do të kishim dekurajuar recidivistët...Kush prek një varr ka dhunuar shpirtërisht kujtimin e të vdekurve. Ka dhunuar fizikisht kujtimin e tyre. Çdo njeri do të duhej të reagonte para këtij dhunimi, që tashmë është vërtetuar dhe zyrtarisht: Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet. Por, mesa duket, te ne politikanët e parlamentarët, njeriu ose ka vdekur, ose është në gjumë. Apo mos vallë frika nga ata që duhet ta kenë iniciuar dhunimin e varreve, është shumë e madhe?!

Ndryshe nuk ka si shpjegohet që, askush nuk ka folur për këtë dhunim. Kjo heshtje jo vetëm që na fajëson të gjithëve, por indirekt na tregon se kush është pas këtij dhunimi: frika dhe intimidimi ynë, që inkurajon recidivistët.

Nuk është fajtor muratori i shkretë i Boboshticës, që për para, për pensionin e të afërmve, apo për vizë, pranoi të dhunonte varret e të parëve të vet, për të ngritur një bazament të një kryqi të ngritur gjithashtu pa leje.

Por Greqia fqinje apo qarqet ultranacionaliste të saj, të cilët duke dashur të nderojnë ushtarët e tyre, që ranë për Greqinë, i ngatërrojnë dhe ata me kauzën e humbur të Vorio–Epirit, e aq më shumë me dhunime të varreve qindravjeçare të shqiptarëve, në mënyrën më makabre të denjë për filmat horror.

Ka shumë arsye për të mos heshtur. Po iu them vetëm njërën: Ne këto ditë, pamë të konfirmuar një shqetësim të hershëm tonin. Ne kishim paralajmëruar që, ngritja pa leje dhe legalizimi në Shqipërinë e Jugut, i varrezave të një ushtrie të huaj, që nuk e ka të sqaruar statusin e vet, do të krijonte mundësinë e do të shfrytëzohej për pelegrinazhe nga vendi fqinj. Por, Ne, nuk pamë vetëm pelegrinazhe dhe kurora mbi varre imagjinare, që dhunuan varret e të parëve tanë, por dëgjuam dhe diplomatët grekë që thanë në prani të autoriteteve tona se Korça është Greqi. Dëgjuam dhe se Boboshtica është Greqi. Këtyre autoriteteve, e në veçanti prefektin e Korçës, do të doja ta pyesja: A e imagjinon ai ndopak se ç’do të bënte homologu i tij i Janinës, apo i Selanikut nëse do të ndodhnin gjëra të tilla të ngjashme në territorin në juridiksion të tyre?

Statusi i Korçës, statusi i Boboshticës është i vulosur historikisht dhe ndërkombëtarisht. Korça dhe trevat përreth, janë vatrat kryesore të shqiptarizmës. Korçarët kanë dëftuar me gjak e penë se sa janë shqiptarë. Boboshtica veçanërisht, është një nga fshatrat më të kulturuar të Shqipërisë, prej nga vijnë rilindës të shquar?

• A do lejojmë ne të nderuar zotërinj, që ky status i Korçës dhe i Boboshticës të ndryshojë sot me dhunim varresh, me pensione e me viza?!
• Deri kur do të lejojmë që në truallin tonë të dhunohen varret e të parëve?!
• A jemi ne të nderuar zotërinj, më pak patriotë se kolegët tanë parlamentarë të viteve ‘20, të cilët edhe në këtë sallë mbrojtën dinjitetin e Shqipërisë?!
• Apo Greqia e sotme nuk është ajo e djeshmja?
Unë jam përfaqësues i një komuniteti, që ka histori gjenocidi në vendin fqinj, e kam fjalën për shqiptarët e Çamërisë.

Jemi një brez që po shohim, se si gjyshërit tanë kanë vdekur dhe nuk po i tret dheu, duke na lënë një amanet: Të kemi mundësi të vendosim një tufë me lule, te të afërmit tanë, fëmijë, gra dhe pleq, që u vranë në fund të Luftës së Dytë Botërore, vetëm pse ishin shqiptarë. A mund të tolerojmë ne, a duhet të toleroni që prej këtij vendi, të frymëzohen dhunime të tilla?

Pritëm që organet kompetente të nisnin hetimet rreth këtij akti të rëndë dhe çnjerëzor, një akt as fetar, as laik, por të dënueshëm prej çdo lloj shoqërie njerëzore dhe në të gjitha kohërat. Sot kur prokurorët kanë vërtetuar dhunimin e varreve, kur ky dhunim na erdhi në sytë tanë prej kamerave të mediave të lira, do t’u kërkoja autoriteteve të na sqaronin më shumë rreth këtij akti. Do t’i kërkoja Greqisë fqinje, anëtare e BE-së, që të heqë dorë nga aktualizimi i axhendës historike, të qarqeve më të egra nacionaliste të shoqërisë së vet. Le të shohim nga e ardhmja, nga zhvillimi i marrëdhënieve të partneritetit në të gjitha fushat dhe të nderojmë njëlloj të vdekurit, pavarësisht kombësisë së tyre, e territorit ku prehen.

Ndoshta ne nuk kemi mundësi t’u afrojmë shumë gjëra shqiptarëve. Nuk mund t’i ofrojmë një detante të madhe midis dy forcave të mëdha politike për të çuar përpara me shpejtësi proceset integruese. Ndoshta ne nuk mundemi t’u ofrojmë shqiptarëve një jetë më të mirë, shërbime më të mira shëndetësore, punësim. Por ne s’mund të bëjmë më sehir kur cenohet dinjiteti i tyre. Minimalisht të reagojmë e t’u mbrojmë dinjitetin shqiptarëve. Të reagojmë, të gjithë, në mbrojtje të dinjitetit, e në këtë mënyrë të inkurajojmë institucionet e shtetit të bëjnë punën e tyre.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama