Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rama e kaloi 'klonin', tani radha e Berishes

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Kikia
Rama e kaloi 'klonin', tani radha e Berishes

Zhvillimet politike kanë hyrë në një fazë interesante tashmë. Nga këmbëngulja drastike: “kutitë ose ik”, kreu i opozitës zbuti qëndrimet në mënyrë graduale, për të mbërritur tek oferta e papritur: “vetëm kutitë e materialeve zgjedhore dhe me fletët e votimit bëni ç’të doni”. Nga paralajmërimet ogurzeza për kryengritje noliane, me katundarë e punëtorë, për të rrëzuar me çdo mjet e çmim pushtetin e Berishës vetëm e vetëm për të rinumëruar votat, zoti Rama zbriti tek qëndrimi i “mosdhënies se dakordësisë nëse fletët e votimit digjen, reagimit të ashpër politik”, por vetëm kaq.

Ky qëndrim i zotit Rama mund të duket i papritur për shumë mbështetës fanatikë të opozitës, të cilët shikojnë te Rama njeriun kokëfortë, i vetmi që mund t’i dilte përpara Berishës, që kishte hipotekuar ndërkohë kokëfortësinë si mjet i arritjes dhe mbajtjes së pushtetit. Por, më shumë se për socialistët, pozicioni i ri i Ramës duket i papritur për vetë Berishën. Deri dje kryeministri ishte kapur fort pas zbatimit të Kushtetutës dhe ligjit dhe e kishte gati përgjigjen ndaj opozitës, sa herë nga selia rozë artikulohej kërkesa për hapjen e kutive të votimit.

 “Të zbatohet Kushtetuta”, – përsëriste në mënyrë të vazhduesve zoti Berisha, i bindur se kishte përballë një njeri që nuk do të hiqte dorë kurrë nga kutitë e fletëve të votimit. Berisha ka qenë vërtet komod përballë një opozite agresive dhe më kërkesa që binin ndesh me Kushtetutën, pasi ai në këtë mënyrë kishte argumente për të mbrojtur qëndrimin e tij statik. Madje, ai vetë dhe media pranë tij kanë theksuar me forcë dhe i kanë komentuar si tërheqje, dështime, e madje paburrëri zbutjet e toneve të politikës së Ramës, vetëm e vetëm që ta provokonte atë që të mos lëvizte nga llogorja.


Por, tashmë kemi një realitet krejtësisht tjetër.

Ka disa arsye për të besuar se përse Rama zbehu strategjinë e tij të forcës.

1-    Për afro dy vjet me protesta e mjete të tjera, ai nuk arriti t’i marrë asgjë Berishës.

2-    Në përpjekjet titanike të Brukselit dhe Strasburgut për zgjidhjen e krizës, Rama u identifikua në mënyrë të barabartë përgjegjës, po aq sa edhe Berisha, për moszgjidhjen e krizës. Togfjalëshi “qeveri - opozitë” ishte pjesë e çdo raporti, e çdo deklarate dhe konference në Bruksel dhe Rama nuk mund ta mbante dot deri në zgjedhje këtë bashkëpërgjegjësi.

3-    Disa duan të besojnë se Rama lexoi nga një këndvështrim tjetër progres-raportin e Komisionit Europian, që shoqëroi edhe vendimin për mosdhënien e statusit të vendit kandidat, dhe ky ishte një reflektim prej një politikani perëndimor.

4-    Por, mund të jetë edhe arsyeja që Rama nuk po shikonte dritë në tunelin e paralajmërimeve pa fund për protesta. Ndoshta për këtë arsye, së fundi selia rozë zhvendosi mikrofonin e aleancës në një tjetër zyrë dhe ku lajmëtarët e protestave, edhe me frymën e Dukatit, nuk janë më anëtarë të selisë rozë, por aleatë pa ndonjë peshë publike.

5-    Dueli mes Ramës e Berishës kishte marrë konotacione tërësisht personale dhe ishte shndërruar në një ndeshje deshësh që përplasin brirët derisa njërit t’i thyhen. Në këto kushte, kur Berisha ka fituar statusin e “të fortit”, Rama mund të ketë vendosur të ndryshojë strategji, pasi në fund të fundit, të bësh politikë do të thotë që murit mund t’i biesh edhe nga anët, kur nuk e çan dot me kokë.

Me gjithë arsyet që çuan në këtë realitet, e rëndësishme është se tashmë kemi një hap të madh për të shkuar drejt fundit të kësaj krize, e cila prej më shumë se një vitit e gjysmë na ka ngrënë kohë, energji, vëmendje, para e padyshim, duke prodhuar një kosto të madhe administrative dhe integruese.

Edi Rama reduktoi kërkesat e tij dhe i hoqi Berishës armën e madhe të bërjes së transparencës vetëm në respekt të Kushtetutës. Pikërisht tani duhet të jetë Berisha që duhet të bëjë lëvizjen e radhës, i cili gjithsesi nuk ka shumë alternativa. Rama thuajse ia ka zhveshur atij parzmoren e demagogjisë së veprimit vetëm në emër të Kushtetutës dhe ligjit. Ndaj, dhe Berisha duhet të bëjë një lëvizje të matur dhe të fortë; ai duhet të heqë dorë nga manovrat, sikurse janë edhe shenjat e para dhe të materializojë vullnetin për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe vazhdimin e reformës zgjedhore.

Po t’u referohemi nxitimeve për të kontestuar qëndrime të mëparshme të opozitës, që sipas shumicës cenonin Kushtetutën, konstatimi i parë tregon për një vonesë në reagimin e maxhorancës. Ndërsa, deklarata sporadike paralajmërojnë futjen e debatit në një lojë fjalësh si ato të tipit “e tha me shkrim apo me gojë”. Gjithsesi, çfarëdo qëndrimi që të mbajë maxhoranca dhe personalisht Berisha, kreu i opozitës e kapërceu klonin dhe doli nga dyshja e përgjegjësisë për zgjidhjen e krizës politike. Gjatë gjithë angazhimit të tij, faktori ndërkombëtar nuk mundi asnjëherë të vendosë gishtin se tek kush anonte përgjegjësia me e madhe, duke qëndruar në rolin e një arbitri që i fajëson paralelisht ndërluftuesit.

Gjithmonë ka pasur një zonë gri, ku si mëkatet, të drejtat dhe përgjegjësitë e palëve intervenonin dhe mbivendoseshin, duke prodhuar atë realitet mbi të cilin ne shqiptarët e paangazhuar politikisht akuzonim me gjithë të drejtën e Zotit të dyja palët për kostot që prodhoheshin. Por, tashmë Rama ka dalë nga kjo zonë gri, ai e ka pastruar territorin e tij dhe Berisha është ai që ka radhën. Të zbatojë angazhimet mbi hetimin e materialeve zgjedhore dhe të mbyllë përfundimisht odisenë e një krize historike politike, apo të nisë nga akrobacitë për t’iu shmangur edhe këtij detyrimi. Dhe, nëse ndodh kjo e fundit, atëherë nuk do të ketë më bashkëfajësi, por një dhe vetëm një përgjegjës, dhe ai do të jetë jo maxhoranca, por personalisht zoti Berisha.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama