Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dy histori dhe një mocion në mes

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 15 vite më parë

Skënder Minxhozi
Dy histori dhe një mocion në mes

Opozita më në fund e deklaroi publikisht mundësinë për të provokuar mocione mosbesimi në Kuvend, ndaj kryeministrit Sali Berisha dhe kryetares së parlamentit Jozefina Topalli. Kreu i opozitës Edi Rama i tha mediave se ky do të ishte një reflektim dhe një shqyrtim i mundësive konkrete që këto nisma të formalizohen, pa përcaktuar afate kohore dhe pa lënë të kuptohet nëse do të hidhet një hap i tillë ndaj të dy krerëve institucionalë në fjalë.

Ka mjaftuar vetëm kjo deklaratë që debati rreth mocioneve të provokojë hamendje, skenare e variante nga më të ndryshmet. Ky dinamizëm i pazakontë që rrethon këtë temë, ushqehet në një masë të madhe edhe nga sfondi kaotik i zhvillimeve politike, ku kriza elektorale, liberalizimi i vizave, kritikat e ashpra të ndërkombëtarëve dhe afrimi i zgjedhjeve lokale, janë lista kryesore që gjeneron tensionin politik në vend prej më shumë se një viti.

Mocionet e pritshme, ende jo të sigurta, ndaj Berishës dhe Topallit, pritet të formësojnë një skenë politike të ndryshme nga kjo që kemi sot. Jo në funksion të shifrave dhe raportit të forcave, por në funksion të konsolidimit ose në të kundërt, dobësimit, të disa prej figurave politike kryesore të vendit. “Çfarë nuk e vret, e bën më të fortë”, thotë proverbi, i cili duket si i shpikur enkas për këtë rast. Ose më mirë, për këto dy raste, mocionin Berisha dhe mocionin Topalli. Dy ndërmarrje politike me peshë, impakt dhe mundësi të ndryshme zbatimi e suksesi.

Një goditje që vjen nga larg

Kryqëzata kundër Jozefina Topallit, nëse mund ta konsiderojmë të tillë, nuk është në vetvete një etapë themelore e përballjes mes pozitës dhe opozitës. E rëndësishme, por jo themelore. Ajo nuk është pika ndarëse që përcakton çeshtjen e pushtetit në Shqipëri. Dymocione janë konsumuar në pesë vjet kundër saj, ndërsa pritet i treti. Kryetarja e Kuvendit ka krijuar më së shumti armiqësi personale rreth vetes, si në rradhët e pakicës, ashtu edhe tek mjaft deputetë të shumicës, të cilët po e përtypin gjithnjë e më me vështirësi protagonizmin e sforcuar, përzier me ekstremizmin arkaik e servilizmin ndaj Berishës.

Sjellja institucionale e Jozefina Topallit është burimi kryesor i listës së kritikave që ka rreshtuar BE dhe opozita shqiptare. Arrogante në sjelljen publike, jokorrekte në zbatimin e rregullores së Kuvendit dhe jofleksibël në momentet delikate që ka kaluar jeta parlamentare në pesë vjetët e fundit, Topalli është sot njëra ndër dy shënjestrat politike kryesore të popullit opozitar, por së fundi edhe të organizmave europiane. Mund të thuhet se në një masë të konsiderueshme, ajo vetë e ka kërkuar këtë situatë, ndoshta duke besuar se kjo do të ishte dhe është rruga më e mirë e afirmimit, si alternativa e vetme me peshë brenda PD, në pritje për të marrë në dorë frenat e partisë, pas ikjes së Doktor Berishës.

Topalli nuk ka treguar përgjithësisht asnjë shenjë reflektimi apo zbutjeje, pas kritikave që ka marrë nga brenda dhe jashtë vendit. Përkundrazi, ajo ka arritur të krijojë tek një pjesë e publikut përshtypjen (kryesisht teatrale), se ajo beson vërtet se po bën gjënë e drejtë dhe se të tjerët e kanë gabim.

Për shkak të këtij qëndrimi, Kuvendi i Shqipërisë ka sot një drejtimin thellësisht partizan, konservator e pse jo edhe abuziv. Të gjitha këto aspekte negative, kanë gjetur një pasqyrim analitik, si rrallëherë, në raportin e fundit të Komisionit Europian të 9 nëntorit. Në këtë tekst Kuvendi del pa më të voglin dyshim, si institucioni më problematik i sistemit demokratik shqiptar. I manipuluar politikisht, i armiqësuar në mënyrë tendencioze me presidentin dhe abuziv në lidhje me respektimin e procedurave bazë të funksionimit, parlamenti dhe posaçërisht kryetari i tij, shënohet me të kuqe në listën e kritikave të Bashkimit Europian. Nuk ka dyshim se ky protagonizëm negativ mban mbi vete vulën dhe “prekjen” e zonjës Topalli. Prej ku, një moment reflektimi institucional, siç është mocioni i mosbesimit, duket gjëja më e natyrshme në botë.

Por problemi nis e komplikohet tek numrat. Nga dy mocione të mëparshme që janë zhvilluar ndaj zonjë Topalli, vetëm i pari ka qenë me votim të fshehtë. Në një votim të fshehtë, do të ishte surprizë që kryetarja e Kuvendit të mos rrëzohej, duke parë raportin e ngushtë numerik mes palëve, por sidomos edhe armiqtë jo të paktë që ajo ka brenda grupit demokrat, duke nisur nga anëtarë të caktuar të qeverisë.

Por aritmetika parlamentare, e cila siç dihet i bindet taktikës politike e jo rastësive, do të influencohet shumë, edhe në këtë rast, nga roli që do të vendosë të luajë kryeministri. Dhe këtu dalin dy skenare kryesore: i pari, sipas të cilit Topalli mund të shihet nga Berisha si një figurë e cila duhet shkarkuar, për të marrë mbi vete edhe një pjesë të mllefit e urrejtjes popullore, si dhe një skenar i dytë, i cili e sheh këtë hap, si një zhvillim të rrezikshëm, që mund të destabilizojë gjithë maxhorancën. Më shumë gjasë, duke parë marrëdhëniet mes kryeministrit dhe kryeparlamentares, si dhe duke gjykuar mbi stilin politik të Berishës në përgjithësi, do të ishte e pritshme që ai të investohet fort që mocioni eventual ndaj Topallit të dështojë. Sepse, veç të tjerash, vetë Topalli ka sot brenda grupit të deputetëve demokratë, një numër jo të vogël përkrahësish, të cilët në kushtet e balancave të brishta të mandateve, mund të krijonin jo pak probleme për të ardhmen e koalicionit.

Mos prekni Berishën!

Opozita deklaroi, me gojën e kreut të saj Rama, se po reflekton, nisur edhe nga raporti i Komisionit Europian, edhe për një mocion tjetër. I cili do të synojë kreun e maxhorancës, kryeministrin Berisha. Një histori krejt e ndryshme nga ajo e mocionit të parë kundër Jozefina Topallit. Sepse, ndryshe nga i pari, ky hap i dytë guximtar, lidhet drejtpërdrejt me çeshtjen e pushtetit politik në vend. Një kryeministër i rrëzuar me vota në parlament, do të shënonte automatikisht fundin e kësaj legjislature parlamentare, duke e çuar vendin drejt e në zgjedhje të parakohshme.

Socialistët e hodhën idenë në formën e një mundësie, më shumë sesa si një ndërmarrje konkrete. Në ditët që pasuan këtë lajm, nuk u pa (dhe nuk po shihet) ndonjë nismë konkrete për të mbledhur firmat për një mocion kundër kryeministrit. Dhe arsyet janë më shumë se një dhe që të gjitha të kuptueshmë. Së pari, që të rrëzosh Berishën, duhet të sfidosh më parë ndryshimet kushtetuese të një viti më parë, të cilat, siç dihet, e kanë vështirësuar dukshëm procedurën teknike për inicimin e mocionit. Së dyti, tek emri i Berishës gjithçka bëhet më e vështirë, sesa tek skeda me emrin Jozefina Topalli. Të bindësh deputetë të shumicës (të paktën katër të tillë) që të largosh kryeministrin me mocion, duhet një ndërmjetësim gjenial, thuajse i pamundur, brenda grupit të PD.

Ikja e kreut të shumicës do të thoshte me shumë gjasë, ndërprerje e mandatit parlamentar dhe rënie e qeverisë. Diçka e cila, edhe nga pikëpamja personale, do të krijonte tërheqje e tkurrje edhe ndër ata deputetë të djathtë që janë kritikë ndaj kryeministrit (e të tillë ka vërtet pak në PD e sotme). Mund të arrish ujdi dhe kompromise për të rrëzuar ndonjë ligj të caktuar, por vështirë se mund të krijosh konsensuse kaq të gjera, sa për të rrëzuar kreun e maxhorancës.

Asgjë s’do jetë si më parë

Nëse vërtet do të kemi dy mocione në horizont, do të thotë se do të kemi patjetër zhvillime politike. Sepse dy mocione për dy nga tre postet më të larta të shtetit, do të prodhonin në mënyrë të pashmangshme efekte të caktuara brenda spektrit politik, me lëkundjet sizmike që do të shkaktonin. Nëse këto nisma do të ndërmerren dhe nëse Berisha dhe Topalli dalin të padëmtuar nga këto dy votime, atëhere kjo do të shënonte një humbje jo të voglë politike për opozitën. Nëse e majta zgjedh që të sulmojë vetëm kryetaren e Kuvendit dhe ia arrin këtij qëllimi, kjo do të ishte goditja më e keqe për kryeministrin dhe gjithë koalicionin. Një shenjë e parë e sigurtë e rënies graduale të kësaj maxhorance. Gjithsesi, skena politike nuk do të jetë më e njëjtë, nëse socialistët vendosin të shtypin butonin e kuq të mocioneve parlamentare. Shumëçka do të lëvizë nga vendi, pasi zaret të jenë hedhur. Por deri atëhere mesa duket ka ende edhe pak kohë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama