Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kush ka te drejte?

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Kush ka te drejte?

“- O Tan, a më thua dot kush ka të drejtë në këtë debatin Bojaxhi-Peleshi?”. Kjo ishte pyetja që më bëri Anila Basha mua, si njeri të zanatit, në telefon më 10 të natës, teksa dëgjonte në televizor debatin midis Gjergj Bojaxhiut, drejtor i Inspektoratit të Ndërtimit dhe Niko Peleshit, kryetar i Bashkisë së Korçës.

- Nuk ta them dot me një fjalë, - ja ktheva. Bindja ime është se në vende si Shqipëria, ku gjërat janë të paqarta e të papërcaktuara, të nisura e të pabitisura, të thëna e të pashkruara, të shkruara e të pazbatuara, në çdo lloj konflikti, i madh a i vogël qoftë, askush nuk ka as tërësisht të drejtë, dhe as tërësisht gabim. S’proftasa të mbaroj fjalën, se në krahun tjetër të telefonit u dëgjua një: “Ou ja ke ngenë ti, natën e mirë” dhe, piiiiiip.

Për ju të ngeshmit, po sqaroj diçka si fillim. Bashkia e Korçës ka hartuar një studim për qendrën e qytetit, dhe kjo është e drejtë e saj. Nga komuniteti i arkitektëve të Korçës ka pasur shumë ankesa (gjë e rrallë kjo) për këtë studim, për sa i përket ndërhyrjeve me ndërtime të larta në disa zona të qytetit, dhe për këtë edhe ata kanë të drejtë. Në këtë situatë, Bashkia fillon të zbatojë një element të këtij studimi, që ka të bëjë me riformulimin e sheshit përpara kinema “Moravës”. Me këtë mënyrë, edhe bënte fakt të kryer Studimin, por edhe duke sistemuar sheshin, në një farë mënyrë tërhiqte opinionin pozitiv të qytetit.

Pas kësaj, Gjergj ndërhyn dhe i bllokon punimet. Natyrisht që kushdo do të përfitonte politikisht për të bllokuar veprimin e kundërshtarit politik dhe, për më tepër, duke qenë edhe brenda ligjit. Të nesërmen, kryetari i Bashkisë doli në rrugë dhe i ra Gjergjit, duke i thënë se po shkatërronte qytetin. Edhe në këtë rast kushdo do të përfitonte nga rasti i shkëlqyer, duke bërë politikë me dikë që po ju shkatërronte qytetin. Pasi vazhduan debatet publike, të dyja palët përfunduan tek studioja e televizorit dhe vazhduan debatin që filloi në zyrat e shtetit, vazhdoi nëpër rrugët e Korçës dhe u mbyll në studiot e Tiranës.

Duke pasur parasysh problemet që kishte Studimi, çdo qytetar i Korçës thotë me vete; shyqyr që u bllokua, se do bënte dëm. Por nga ana tjetër, gjithashtu çdo qytetar mund të thotë se: me mijëra ndërtimet pa leje që vazhdojnë të lulëzojnë anekënd Shqipërisë, bordurën e ‘Mazhestikut’ gjeti Bojaxhiu të bllokojë?! E shihni pra, sa e vështirë është të gjesh të drejtën e drejtë fare!

Të dyja palët kishin shkuar në debat me nga një dosje bajagi të trashë, nga e cila kohe pas kohe nxirrnin letra dhe i lexonin. Edhe unë që jam i zanatit, do më duhej të paktën gjysmë ore që të kuptoja secilën prej atyre shkresave, lëre pastaj mileti në shtëpi, që dëgjon shkarazi e sheh vetëm copa letre me stemë e vulë që i tunden e shkunden para syve. Kjo puna e letrave që nxirren në kamera, vjen se të gjitha këto gjëra, në fakt, duhet t’i zgjidhë gjykata. Dhe, meqë as njerëzit e as institucionet s’kanë më besim te gjykata, letrat që duhej t’i maste, peshonte e ndante gjykata, hallexhinjtë vrapojnë të gjejnë një kamera për t’i shpalosur aty, duke na ftuar neve që rrimë të shastisur para televizorit, që të bëhemi gjykatës të hallit të tyre. Aq është bërë e modës kjo puna e tele-shkresave, sa e kanë kopjuar edhe politikëxhinjtë, të cilët jo vetëm nga studiot, por edhe nga foltoret e partive i nxjerrin njëri-tjetrit lloj-lloj shkresash, të cilat populli ka të drejtën demokratike që t’i besojë ose jo pa i parë fare, thjesht sipas tifozllëkut partiak. Ky virusi i tele-shkresave ka edhe antivirusin e vet, që është shumë i thjeshtë dhe efikas. Kur njëri nxjerr një shkresë nga foltorja e partisë së vet, tjetri mjafton të dalë te foltorja përballë dhe t’i thotë: çoji shkresat në gjykatë. Arsyetimi i thjeshtë i gjykatës për Parlamentin është ky: kur nuk duan ta zgjidhin lëmshin ata që edhe janë votuar, edhe paguhen për ta zgjidhur, pse duhet ta zgjidhim ne që vetëm paguhemi për këtë punë.

Por, ja ta zëmë se shkuan në gjykatë dhe kjo mori vendim “tak-fak”, brenda dy a tri a katër vjetëve. E ç’vlerë ka vendimi i gjykatës në Shqipëri? Vetëm një orë para se të ndiqja debatin e Gjergjit me Nikon, te “Fiks Fare”, Doktori me Sajmirin kishin tundur e shkundur dy vendime gjykate që dënonin për falsifikim dy persona dhe këta të dy, pa ja vërshëllyer fare vendimeve, ishin bërë anëtarë të Këshillit Bashkiak të një qyteti. Kur ka ardhur puna t’u pimë lëngun në televizor vendimeve të gjykatës, merre me mend pastaj se sa vlerë ka të shkojmë në gjykatë për të prodhuar vendime të tjera, që do përfundojnë prapë te Doktori dhe Sajmiri.

Anila s’ka faj, nuk ka nge të bëjë filozofira, se i duhet të përgatisë gazetën për nesër dhe i duhet shpejt e shpejt një fajtor. Edhe unë s’kam faj që s’ia gjej dot fajtorin me një të rënë të lapsit. Gjithë ata që lëvrijnë poshtë e përpjetë këtij vendi pa rregulla, edhe ata s’kanë faj, se vend pa rregulla hesapi. Apo ndoshta pikërisht këtu është fajtori, tek vendi pa rregulla?

Sapo po filloja ta gjeja fajtorin pikërisht këtu, pra tek vendi pa rregulla e ligje, më sjell në vete zëri i telefonuesit nga Hamallaj, i cili po ndërhynte në debatin Bojaxhi-Peleshi, jo për punë të trotuareve të Korçës, por për punë të ndërtimeve pa leje të fshatit të vet: “Nuk ka rëndësi se çfarë thotë ligji. E rëndësishme është që ne jemi faktorë”. Shkoi për dhjamë qeni edhe ligja, thashë me vete, duke kuptuar se njësoj nuk e gjetëm fajtorin, as Anila që e donte atë menjëherë, e as unë që vrava mendjen dy orë rresht.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama