Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pa përgjegjësi nuk ka solidaritet

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 15 vite më parë

Fatos Lubonja
Pa përgjegjësi nuk ka solidaritet

Gjatë këtyre ditëve të përmbytjes, mazhoranca në pushtet, kryesisht PD, por me një rol mjaft aktiv të LSI-së, i ka mëshuar shumë, nëpërmjet zëdhënësve të ndryshëm, një retorike sipas së cilës duhet të ndjehet fajtor cilido, që në vend se të ndiejë keqardhje të sinqertë për të përmbyturit e të solidarizohet me të gjithë ata, që me në krye qeverinë po merren me aksionin e ndihmës ndaj tyre, gëzohen thellë- thellë për këtë që ndodhi, pasi kështu mund të bëjnë namin kundër qeverisë, duke theksuar përgjegjësitë e saj. “Politizim i fatkeqësisë” e quajnë. Kryesisht këto akuza i drejtohen opozitës, por nuk mund të mos ndihet presioni edhe ndaj zërave të tjerë, tek të cilët fus edhe veten.

Mirëpo le të imagjinojmë për një çast se çfarë do të ndodhte sikur në gjithë këtë “fatkeqësi” - të stërparalajmëruar sipas meje -  të mos dëgjonim asnjë fjalë nga aktorët politikë e mediatikë, për përgjegjësitë e maxhorancës. A nuk tingëllonte si shumë komuniste kjo: të gjithë nën udhëheqjen e partisë të mobilizuar për kapërcimin e fatkeqësisë. Jam i bindur se kësisoj do të mbetej e papërfaqësuar ajo pjesë e madhe e popullsisë, që e shikon me ndjenjë revoltimi ndaj politikës këtë përmbytje. Maxhoranca duhet ta dijë se njerëzit janë të revoltuar, shumë të revoltuar. Dhe jo thjesht e vetëm për atë që nuk është bërë në Shkodër, por sepse tek ajo që nuk është bërë në Shkodër njerëzit shohin edhe atë që nuk është bërë ndaj pritshmërisë së tyre.

 Dhe këtë revoltë e bën edhe më të fortë fakti se, më anë tjetër, shohin politikanët tanë të tunden e shkunden nëpër televizore duke folur për suksese, ndërkohë që thjesht pasurohen e majmen duke projektuar buxhete për t’u pasuruar e majmur edhe më tej. A kanë ata të drejtë të na flasin për solidaritet, kur me tërë sjelljen e tyre morale dhe politike kanë treguar se nuk e njohin këtë fjalë? Në këtë kuptim ndihen të përmbytur shumica e shqiptarëve: edhe pensionistët që jetojmë nën kufirin e varfërisë, edhe ish të persekutuarit, të cilëve nuk u është dhënë dëmshpërblimi i premtuar, edhe pedagogët e universitetit që nuk kanë marrë ende rrogat që u takojnë, edhe ata që e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë punë pa qenë militantë partiakë, edhe ata që vazhdojnë të paguajnë ryshfete të majme nëpër administratë për të zgjidhur punët e tyre, edhe ata që po u falimentojnë bizneset për shkak të klientelizmit të pushtetarëve, edhe ata që duhet të paguajnë nën dorë nëpër spitalet që janë në gjendje mizerabël, e me radhë e me radhë...

Pra, ndjenja e revoltës, ndjenja e nevojës për të ndëshkuar përgjegjësit njerëzorë të përmbytjes është shumë e fortë këto ditë dhe të kërkosh të mos shprehet ajo në emër të solidaritetit, është të refuzosh çdo lloj përgjegjësie, madje do ta quaja edhe një formë dhune verbale. Janë të gjalla si sot imazhet e  Gërdecit. Edhe shpërthimi i tij vrastar u tentua të shitet si fatkeqësi, si pakujdesi e ndonjë individi, madje atje pamë edhe solidaritetin e Edi Ramës me Sali Berishën.

Por shumë shpejt doli se përgjegjësitë ishin të mëdha dhe se solidariteti paskësh qenë me baza kriminale, pasi autorët e shpërthimit ishin bashkëshokë të maxhorancës dhe të opozitës bashkë. Prandaj, ata që mendojnë apo kanë menduar se mund t’u krijojnë njerëzve një realitet tjetër virtual, nëpërmjet një imazhi solidariteti, krejt pa lidhje me atë që jetojnë, duhet të dinë se pikërisht në ditë të tilla, kjo perde bie për ta nxjerrë krejt lakuriqësinë e mbretit dhe të oborrtarëve të tij.

Sigurisht, duke pasur parasysh edhe Gërdecin, nuk mund të mos ngresh pyetjen: a ka ndonjë dallim midis atyre që ndihen të revoltuar, sepse kërkojnë ndryshim, sepse kërkojnë të dalin përgjegjësitë, në mënyrë që tragjedi të tilla të mos përsëriten dhe atyre që kërkojnë ta instrumentalizojnë këtë revoltë për qëllime pushteti, e që pastaj, sapo hipin në karrige harrojnë ndryshimet e premtuara, harrojnë edhe emrat e atyre që kanë akuzuar (apo thonë se i kanë akuzuar thjesht e vetëm për qëllime elektorale)? 

Pa dyshim ka. Dallimi kryesor është se shumica e të revoltuarve të kësaj përmbytjeje, që mban mbi kurriz një mori mashtrimesh nga të dy palët, nuk bën ndonjë dallim të madh midis maxhorancës dhe opozitës, si përgjegjës kryesorë për fatkeqësitë e vazhdueshme. Shumica janë të vetëdijshëm se opozita lufton thjesht e vetëm për të ndryshuar shoferin e të njëjtës makinë, që do të vazhdojë të njëjtën rrugë drejt përmbytjes së radhës.

E megjithatë, kjo s’do të thotë se maxhoranca në pushtet s’paska nevojë të dëgjojë të flasë njeri për përgjegjësitë e saj, në emër të solidaritetit. Po ashtu, kjo s’do të thotë se ajo s’ka nevojë të dëgjojë, qoftë edhe nga zëri i opozitës, propozime se çfarë duhet bërë, si ato që ajo artikuloi këto ditë: se duhet riparë buxheti i vitit 2011, se duhen adresuar disa fonde për parandalimin e përmbytjeve, se duhet miratuar një moratorium minimalisht tre vjeçar për mosshfrytëzimin e shtretërve të lumenjve dhe të pyjeve, se duhen bërë ndryshime në Kodin Penal për veprat e dënueshme lidhur me cenimin e pyjeve, të lumenjve dhe mjedisit; se duhen ngritur struktura shkencore që do të studiojnë çfarë duhet bërë për të parandaluar kthimin e mëtejshëm të vendit në kënetë.

E vërteta që vonon por s’harron, e që shpesh e gjen mënyrën për të dalë në dritë edhe nëpërmjet punësh të mbrapshta, është e mira të mos vonojë aq shumë, pasi sa më të mëdha vonesat, aq më të mëdha dëmet.

E këtu duhen thënë dy fjalë për dy mungues të mëdhenj në këtë sistemin tonë politik, që vetëm demokraci s’më bën zemra ta quaj. Mund ta quajmë edhe përmbytjekraci. E kam fjalën për pushtetin mediatik dhe pushtetin gjyqësor. Sikur të funksiononin ata, siç duhet të funksionojnë në një demokraci dhe jo siç funksionojnë në këtë përmbytjekraci, ne nuk do të kishim përmbytje të tilla si ajo e Shkodrës dhe as si ato të tjerat që përmenda.

Sepse, tek e fundit, problemi ynë nuk është se nuk e dimë se cilët janë përgjegjësit e përmbytjes, madje këtë e dinë edhe vetë përgjegjësit, problemi ynë është se nuk i kemi këta dy instrumente për t’i vënë përpara përgjegjësisë ata, pasi ai i medias që s’ka kredibilitet, sepse konsiderohet në shërbim të njërës apo tjetrës parti politike dhe ai i gjyqësorit ia ka harruar emrin politikanëve në pushtet. Sikur këta të kishin njohur e gjykuar përgjegjësitë, atëherë do të kishim edhe më shumë solidaritet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama