Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Liria si lak funksionues

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 15 vite më parë

Aleksandër Çipa
Liria si lak funksionues

Një simbolikë e re ikjeje prej së vërtetës, duket se po lartohet falë paskrupullsisë së udhëheqësisë së Shqipërisë së sotme. Në kaq raporte vlerësimi apo klasifikimi kontinental e ndërkombëtar, asnjëherë palët nuk pranuan zyrtarisht të gjenin gjuhën e përbashkët të pohimit të rënies apo përparimit të vendit. Kur ka ngritje, pala opozitë e mohon, kur ka rënie, pala qeverisëse e justifikon dhe satanizon palën tjetër. Kjo e vërtetë përdoret në këtë mënyrë, duke mbetur e tillë edhe kur vjen përmes rezolutash apo qoftë edhe në akte maratonike të pabereqet si ai i negocimit prej ambasadorëve të huaj në Tiranë. Qoftë edhe prej përfaqësuesve të Parlamentit Europian, (në mesin e këtij viti që po mbyllet), që erdhën në dy dërgata të njëpasnjëshme. E vërteta mbeti e pazgjidhur për këtë “ngërç” të gangrenizuar politik edhe pas darkave te restorant “Krokodili”, në Bruksel. Në këtë kohëzgjatje pafund, publiku i këtij vendi përballet me krizën dhe udhëton pakthyeshmërisht drejt saj, pa pasur kurajën e pa pasur palë të tretë, për të përcaktuar qartë dhe pa ekuivok, fajtorin me fajin kryesor. Mungesa e palës së tretë, politike jo e jo, por fatkeqësisht as ajo qytetare, është një apoteozë e pranuar tashmë për shoqërinë shqiptare.

Fajtori i tretë përballë kësaj krize nuk është më ai vendas, por është pala tjetër, ajo që gjendet dhe jeton prej vitesh në Shqipëri. Është pala që po zhvat paga dhe financime të majme prej taksapaguesve europianë dhe që zyrtarisht njihet si administratë e BE-së në Shqipëri. Në këtë plan, ndaj të njëjtin opinion me kolegun Andrea Stefani në shkrimin “Shqipëria nga punizmi te putinizmi”, botuar tri ditë më parë në gazetën “Shqip”, kur iu drejtohej ndërkombëtarëve se: “Më në fund PE duhet t’i japë fund diplomacisë me gjuhë magjistricash makbethiane dhe të tregojë me gisht përgjegjësit...”

Por pse nuk flet qartë skota e nëpunësisë europiane dhe ndërkombëtare në Shqipëri? Pse nuk po gjejmë një çast që përgjegjësia për një krizë prej më tepër se dy vjet, po lihet të derivojë kosto të reja, duke mavijosur aktualisht shtrëngesën financiare dhe duke e çuar Shqipërinë dhe shqiptarët drejt ditëve pa kalendar e me të panjohura që shpresë janë vetëm për korruptim dhe abuziëm pengues?!. Kjo mënyrë lejimi dhe kjo mënyrë heshtjeje përballë një ngërçi politik e institucional, është realisht metafora e “lirisë së lakut funksionues”. Denatyrimi i demokracisë në vend, mund të skicohet sikundër dorashkruese në karikaturën e A.Meksit. Vendi ekziston dhe lëviz edhe me demokraci që formësohet si lak-litar apo qoftë edhe në formë plasteline. Por përmbajtja, thelbi i pasojës, është fatal, pasi shërbimi i përgjithshëm i saj, zvogëlohet në shërbim të pjesshëm e individual, duke e shndërruar krejt forcën e krahëve të shoqërisë, në një cung apo në një pirg të madh pakënaqësish e dhimbjesh.

Është pikërisht laku i lirë që nuk po vihet re përballë kësaj gjendjeje ku qytetarët e vendit bashkëjetojnë me dyshimet për zgjedhje të ardhme, por edhe për zgjedhje të prishëshme. Kjo simbolikë në kumtin e vet, mund të ilustrohet edhe më karikaturën shoqëruese të këtij shkrimi të artistit Arben Meksi. Është pikërisht dora shkruese, e pretenduar në liri, që formëson litarin shtrëngues dhe vetëzhbërjen natyrale për shkak të përdorimit dhe jo për arsye të funksionimit. Këtë formë “dore-litar” si në karikaturë, po marrin institucionet e vendit. Në këtë regji ngërçi e krize që po aplikon klasa politike e vendit, të gjitha gjymtyrët e shtetit të së drejtës dhe të shoqërisë së lirë e me konkurrim, kanë nisur të denatyrohen dhe për shkak të këtij procesi në indiferencë, mund ta çojnë normalitetin anormal në anormalitet zhbërës.. Sa gishta të lira, sa liri jashtë lakut të informalitetit dhe ngërçit po i mbeten sot Shqipërisë institucionale? Shumë pak. Të paktë, gjithnjë e më tepër, bëhen ata që besojnë se ky normalitet anormal mund të ketë jetë të mëtejshme. Frika nuk është tek ikja e qytetarëve prej vendit, siç e serviri politika drojën e saj post-liberalizimit të vizave, por tek “ora e shtrëngimit të lakut të kësaj lirie” funksionuese.

Kjo liri e keqe po denatyralizon institucionet dhe sidomos po e mbyll ciklin e saj të dekompozimit moral. Këto po ngjasin nën flamujt e demagogjisë dhe të propagandës “ala tranzicion”. Të gjitha provat e maturitetit, po bien nën hije flamosjeje prej korrupsionit dhe përbaltjes morale. Pas ndërgjegjes dhe kurajës qytetare në një shtet dhe shoqëri ku riciklohet konflikti interesngushtë i politikës, vjen prova e “gungë”-rimit të shtetit dhe ligjit. Prej kohësh këtë provë e shohim të gjithë, prej muajsh apoteoza e besimit ka pamje valëvitëse në sytë dhe përditshmëritë e shqiptarëve. Për këtë arsye, kjo liri reale ka vetëm formën e lakut të gjerë funksionues. Lehtësisht shtrëngohet ai. Pak lojë me kundrapuktin e rënies së lirë dhe... i jep fatin e frymëprerjes...”viktimës”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama