Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Të vjetrat pas Vitit të Ri

Shkruar nga: Albin Kurti  
Botuar më: 14 vite më parë

Albin Kurti
Të vjetrat pas Vitit të Ri

Nga viti 2010 Kosova doli ashtu siç pati hyrë në këtë vit. Pa sovranitet, pa zhvillim ekonomik, pa kontroll të kufijve, pa vende pune dhe pa arsim e shëndetësi cilësore për popullatën. Dhe, ashtu si para një viti, edhe tani, Kosova është me varfëri të gjerë e të thellë, me struktura të Serbisë që i toleron Qeveria jonë, me Mitrovicë të ndarë, me sundim ndërkombëtar që nuk na jep llogari, dhe me privatizimin neoliberal që pasuron një grusht njerëzish përmes shitjes së asaj që ishte e të gjithë neve.

Megjithatë, këtë vit që e lamë pas duket që e dallon prej vitit 2009 korrupsioni enorm i politikanëve e zyrtarëve shtetërorë të nivelit të lartë dhe vjedhja e pashembullt e votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit. Në njërën anë, patëm bastisjet në MTPT, akuzat dhe arrestimin e guvernatorit të BQK-së, Hashim Rexhepi dhe, në anën tjetër kishim votimin e shumëfishtë dhe mbushjen e kutive me vota të parapërgatitura më 12 dhjetor, pasi që u kërcënuan e rrahën shumë komisionerë e vëzhgues. Mbase këto janë ngjarjet që qytetarët e Kosovës më së shumti do t’i mbajnë mend nga jeta politike e vitit 2010, edhe pasi u ndërruan motmotet. Demonstrimi i forcës së EULEX-it me njësi speciale të maskuara të policisë gjersa kryejnë bastisje të ministrisë, dhe guvernatori i qeshur Rexhepi që zbret shkallët me duar të lidhura nga prangat e policisë, sigurisht se paraqesin imazhe televizive të vitit 2010 që s’do të harrohen kollaj, as tani që duhet ta ndërrojmë kalendarin. Po ashtu, edhe imazhet e xhiruara me kamera private ose telefona mobil ku shihen manipulimet me vota ose rrëfimet e komisionerëve dhe vëzhguesve për dhunën ndaj tyre më 12 dhjetor, do të mbesin gjatë të ngulitura në kujtesën e qytetarëve të Kosovës.

Ajo që rrezikon të harrohet është se këto që po i kujtojmë si gjëra që nuk do të harrohen, nuk janë aq gjëra të reja. Shumë korrupsion e vjedhje votash ka pasur edhe më herët. Edhe në vitet e mëhershme e në qeveritë e mëparshme kishim shumë zyrtarë që ishin shumë të korruptuar. Edhe në zgjedhjet lokale të nëntorit të vitit 2009, edhe në ato të vitit 2007 e më herët, ka pasur vjedhje votash. Në vitin 2010 nuk kishim dukuri të re, por intensifikim të ri të dukurive të vjetra. Ajo që po ndryshon me kalimin e viteve në Kosovë nuk është lloji i dukurive, por përmasa e tyre. Vjedhje parash dhe vjedhje votash. E këtillë është Kosova tash e shumë vite. Paratë vidhen dhe votat blihen, në mënyrë që mandej të vidhen edhe më shumë para të tjera. Vidhen votat prej atyre që kanë pushtet, në mënyrë që të kenë edhe më gjatë pushtet për të vjedhur edhe më shumë para.

Ashtu sikurse që numri 2010 dallon nga numri 2009 vetëm në njërën shifër në pamje, dhe ashtu sikurse që 2010 është vetëm për një më i madh në përmbajtje sesa numri 2009, ngjashëm ishte ndryshe edhe ky viti 2010 prej vitit 2009. Me dallim sasior për të keq, pa ndryshime cilësore për të mirë për jetën e qytetarit të Kosovës. Fundja, asnjëri prej problemeve të vitit 2010 nuk ka nisur në këtë vit dhe nuk na është shfaqur për herë të parë në këtë vit. Vetëdijesimet mund të kenë qenë të reja, sepse të vonuara, pamjet e zbuluara televizive mund të kenë qenë të reja, sepse gjithashtu të vonuara, por jo edhe këto dukuri si të tilla.

Dekada e parë politike e shekullit XX në Kosovë nisi me luftën çlirimtare të UÇK-së, që u pasua nga intervenimi i NATO-s dhe u mbyll me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Intervenimi i NATO-s ishte me karakter humanitar, dhe jo me karakter politik. Atëbotë nuk u intervenua në Kosovën që konsiderohej vend i okupuar nga Serbia e që duhej çliruar, por në Kosovën ku popullata duhej të shpëtohej nga forcat vrastare të regjimit të Milosheviçit. Nëntë vite më vonë, edhe pavarësia që u shpall nuk ishte pavarësi njëmend politike, por edhe ajo ishte njëfarë pavarësie humanitare. Nga vetë Deklarata e Pavarësisë, ku tetë herë përmendet Ahtisaari e tri herë pavarësia, përfshirë këtu edhe titullin e deklaratës, ishte e qartë se pavarësisë së Kosovës do t’i mungojë sovraniteti, kurse popullit të Kosovës do të vazhdojë t’i mungojë e drejta e vetëvendosjes.

Për këtë arsye, në Kosovë assesi nuk po fillon dekada e dytë politike në shekullin XX. Përkundër shpalljes së pavarësisë para gati tri viteve, politikisht Kosova mbetet në dekadën e parë të shekullit XX. Në vend se pavarësia formale si një hap para të jetë edhe mundësi për hapa të tjerë në ecjen e mëtutjeshme, ajo u bë edhe hap i mbramë. Nuk po mund ta fillojmë vëllimin e dytë. Kemi mbetur te pavarësia formale, që ishte kapitulli i fundit i vëllimit të parë. Vëllimi i dytë nuk niset pa shtetndërtim e zhvillim ekonomik, pa sovranitet e prodhim vendor.

Ecjen përpara, padyshim që nuk na e ndihmojnë ata që janë të (vetë)kënaqur këtu ku jemi e kështu siç jemi. Përkundrazi. E, të atillë janë ish-pushtetarët që nuk mund ta marrin me mend se një ditë mund të mbesin pa pushtet. Apo, ndoshta pikërisht pse e marrin me mend që një ditë mund të mbesin pa pushtet, ata sillen e veprojnë kështu?! Sepse, pa pushtet nuk kanë siguri që do të mbesin në liri, dhe as që s’do të kridhen në varfëri. Prandaj, shesin e vjedhin gjithçka dhe shpejt; dhe, përherë janë të gatshëm për negociata të reja me Serbinë. Që të mbesin në pushtet për veten e tyre, paçka se kjo bëhet gjithnjë në llogari të shtetit e popullit të Kosovës.

Mbase nuk mund të ketë vit të ri me pushtet të vjetër. Viti i ri, herëdokur, do të jetë edhe epokë e re.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama