Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Demi i madh

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Demi i madh

Përgjimi i Ilir Metës ia doli të kthehet në minierë floriri për gazetat dhe për kafenetë. Jo se më parë nuk shkruanin gazetat për korrupsion, apo se ne nuk bënim lloqe Kavaje nëpër tavolinat e kafeneve për gjoba tenderësh, por tani të paktën kemi një rast të filmuar që mund ta analizojmë sa e si të duam. E provokoi apo s’e provokoi, i tha apo e pyeti, ia kërkoi apo ia premtoi, ishin 700 apo 7%, ishte kamera apo celular, ishte furbo përgjuesi apo tuhaf i përgjuari, e të tjera muhabete si këto. Por përtej këtyre regjisurave, ajo çka bëri vaki ishte prova e filmuar e faktit se 3 miliardë dollarët e harxhuar nga viti 1991 për të ngritur shtetin e shqiptarëve, paskan shkuar dëm, po fare dëm ama.

Janë shpenzuar në tym paratë, në lekë e në dollarë, për të ngritur Komisionin e Kontrollit të Pasurive, me gjithë komisionerë e me gjithë ligj të tyre. Se, me ç’pamë në kamera, flitej për pasurira që shkonin e vinin, po nëpër kartat e komisioneve s’u duket as hija.

Doli se paskemi harxhuar kot miliona dollarë për të miratuar ligjin e konfliktit të interesit, qëkurse Ministri ndërhynte te Ministri për ta marrë ky apo ai koncesionin.

Doli se kot e kemi miratuar ligjin e shërbimit civil dhe kot e mbajmë dhe e paguajmë edhe një goxha Komision të Shërbimit Civil, qëkurse me ç’pamë, Ministri i thoshte Ministrit se kush duhej punësuar e ku duhej punësuar.

Doli se kot prishim pará për të paguar gazetat që bëjnë gjoja sikur publikojnë vendet e lira të punës, kur me ç’pamë këto lajmërime shërbejnë vetëm për të gënjyer botën se demek bëjmë konkurse.
Doli se kot e paskemi edhe numrin e celularit që na ka lënë Kavalier Berisha në dispozicion për denoncime, pasi jo me celular, por në dorë ia kishin çuar kavalierit kasetën dhe ky s’paskësh pranuar ta zërë me dorë.

Doli se kot i paskemi krijuar, kot i mbajmë e kot i paguajmë, drejtoritë e auditit nëpër ministrira e kryeministrira, kur asnjëherë asnjë syresh nuk ka bërë vaki të bëjë punën e të thotë se ky apo ai emërim është në kundërshtim me ligjin, apo ky apo ai tender a koncesion qelbet erë që atje tej. Kot e kemi bërë ligjin e koncesioneve, kot e kemi debatuar në Parlament, kot kemi paguar ekspertë të huaj për të bërë ligjin më të mirë, kur gjithçka u katandis tek urdhrat me bllok: këtë tender do ta marrë ky, ndërsa atë koncesion ai.

Kot kemi harxhuar për të ngritur sistemin e prokurorisë me ekspertë e laboratorë, me analiza provash e kontroll indiciesh. Ditën që këta duhet të provonin veten, morën kasetën dhe trokitën në derën e Evropit, duke iu thënë: “Hajde na i kontrolloni një çikë këtë kasetën”. Kështu edhe ne e heqim pataten që po na djeg dorën, edhe përgjegjësia ju mbetet juve, pra si gjithmonë, edhe mishi të piqet edhe helli të mos digjet. Ca më kot akoma e kemi ngritur një kala të tërë në letër për sistemin e drejtësisë, me Gjykata Fakti, Apeli e të Lartë, me sistem vjetërsie e Gjykatë Kushtetuese, me Këshill të Lartë të Drejtësisë e me rregulla, me ekspertë e me sistem verifikimi. Të gjitha bien e i merr lumi me një frazë: Me gjykatësen e mbyll unë se i kam çu gocën në ambasadë.

Dhe meqë doli llafi tek ambasadat, kot e paskemi ngritur edhe sistemin, goxha të komplikuar në dukje, të diplomacisë, me ligj të shërbimit diplomatik e me karrierë shërbimi, me grada diplomatësh si në Europë, ministër fuqiplotë, ambasador, konsull, sekretar, atashe e më the e të thashë. Kaq vjet për këtë gradë, aq vjet për atë tjetrën. Ha, ha, ha, imitojmë tertipet e Evropit dhe na duket se fap u bëmë evropianë, si ata të egjrit e Afrikës që u varte xhingla qelqi Vasko de Gama dhe u dukej vetja të barabartë me Mbretin e Spanjës.

Për të gjitha këto e për shumë të tjera xhingla Evropi, janë harxhuar ato 3 miliardë dollarët që thashë në fillim, për të paguar një ushtri ekspertësh të huaj që kanë ardhur për të na ndihmuar të bëjmë ligjet, për të trajnuar, specializuar e shkolluar taborë të pafund punonjësish të administratës që do të duhej t’i zbatonin, taborë që nuk mbarojnë asnjëherë, se sa kthehen nga specializimi, a sa mbarojnë shkollën, zëvendësohen me të tjerë dhe çdo gjë zë e nis nga fillimi.

Pra, fundi i historisë, të gjithë e dimë se si janë bërë, bëhen, e do të bëhen tenderët, si janë marrë, merren e do të merren koncesionet, si bëhen emërimet dhe sa janë përqindjet, por asgjë, asnjë instrument i shtetit nuk funksionoi. Siç nuk funksionoi asgjë në Gërdec, ku të gjithë dinin gjithçka, por askush nuk bëri detyrën, derisa u bë qameti. Ashtu si në Liqenin e Farkës, ku prapë të gjithë dinin që gjithçka ishte pa leje, po që prapë asnjë levë e shtetit nuk funksionoi, derisa uji u mbush me fëmijë të mbytur. Ashtu si në Gjirokastër, ku prapë të gjithë ishin bërë pjesë e mekanizmit “e di, po s’luaj as gishtin” dhe u desh që prapë të rrënohej fund e krye një pallat i tërë, pa të vraponin të gjithë e të bënin gjoja sikur bënin matje. Siç po zhduken pyjet me gjithë dosjet plot me ligje e plane për t’i mbrojtur, siç po shkatërrohet mjedisi me gjithë ushtrinë e inspektorëve dhe dollapët plot me strategji, siç, siç, siç.

Po meqë punët qenkan kështu, mos na del më mirë hesapi që të mos harxhojmë më para për punë koti e ta shkrijmë shtetin fare? Në mos për tjetër, të paktën s’do harxhojmë për të mbajtur mbi zverk gjithë këtë ushtri rrogëtarësh. Apo qoftë edhe t’ua japim rrogat e të rrinë në shtëpi, se edhe kështu do bëjnë më pak dëm sesa bëjnë duke u kapardisur zyrave.

Në fund, edhe dy fjalë për gjestin. Më të shumtit thonë se është punë e pistë dhe e pandershme kjo puna e përgjimit, ndërsa ca më të paktë thonë të kundërtën. Unë vetë them se Ilir Meta nuk është një politikan i korruptuar, por thjesht një nga shumë politikanët e suksesshëm të këtij vendi (natyrisht sipas kriterit shqiptar të suksesit), i cili bëri vetëm një gabim: atë që i bëri atij paraardhësi, duhej t’ia kish bërë ai paraardhësit. Kaseta e përgjimit po njësoj do ishte mbushur. Po t’ia kish bërë këtë, ai sot do ishte ende ministër. Por ai, një herë të vetme që u tregua i ndershëm, e hëngri.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama