Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Të mos vetëshkatërrojmë të ardhmen

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 14 vite më parë

Arben Malaj
Të mos vetëshkatërrojmë të ardhmen

Ngjarjet e fundit në vend, pasojat tragjike të vrasjes së tre demonstruesve, plagosja e punonjësve të rendit publik dhe   protestuesve, po rrisin risqet dhe shqetësimin për të ardhmen tonë. Ekspertët e huaj po i klasifikojnë zhvillimet tona politike si vetëshkatërrim. Mosndalja e urrejtjes mund të ushqejë për një kohë të gjatë krizat, risqet dhe parashikimet për pasojat do të jenë të trishtueshme. Rrezikohet vonesa e integrimit europian, rrezikojmë të humbasim lirinë e lëvizjes së lirë, kemi dëmtuar rëndë kredibilitetin si vend anëtar i NATO-s, kemi bërë hapa pas në të ardhmen tonë europiane. Besueshmëria e publikut ndaj klasës politike ka mbërritur në pikat më të ulëta.

Shqetësimi i të gjithëve për të ardhmen e tyre ka arritur në pikat më të larta. Ngjarjet e 21 janarit nuk duhet të konsiderohen si një zhvillim spontan për shkak të mosmenaxhimit të protestës apo për shkak të disa huliganëve, dhe aq më pak si faza e parë e një grushti shteti. Deformimi i analizës së shkaqeve për  rritjen e agresivitetit politik e fsheh krizën reale, vonon përgjegjshmërinë dhe angazhimin për zgjidhjen e saj, duke i bërë më të rënda dhe më të vështira kostot. Kohët e fundit, jo vetëm në Shqipëri është rritur shqetësimi i “retorikës zjarrvënëse” të politikanëve në jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Personalitetet amerikane reaguan fort kundër klimës së urrejtjes që mbizotëronte për rreth 2 vjet ambientin politik amerikan.

Toksike-vrastare u konsideruan prej tyre debatet e ashpra partiake.   “Shkrepe armën, mos e tërhiq” ishte një nga sloganet vrastare të Tea Parti, në kundërshtimin e reformës shëndetësore të Presidentit Obama.  U vranë 6 vetë, u vra një gjykatës federal, u godit për vdekje një anëtare demokrate e Kongresit amerikan. Vetëm pas këtij momenti duket se politikanët amerikanë u rizgjuan dhe u ndërgjegjësuan për pasojat vrastare të retorikës toksike në një klimë politike ku po tentonte të mbizotëronte urrejtja. Por vetëm pak ditë më vonë, ndryshe nga tradita ku kongresmenë dhe senatorë qëndronin në sallë në pozicione dhe reagime emocionale strikte partiake, mbështetës apo mohues ndaj fjalimit të presidentit drejtuar kombit, ata ndien përgjegjësinë për një mesazh të ri politike. Fjalimin e presidentit Obama e dëgjuan së bashku dhe e mbështetën së bashku me përgjegjshmërinë për të dërguar tek çdo amerikan mesazhin e paqes përballë urrejtjes, mesazhin e shpresës përballë dështimit, mesazhin e të ardhmes plot shpresë përballë të shkuarës së mbingarkuar nga urrejtja politike. Fjalët nuk mjaftonin, ndaj jo rastësisht, dy senatorët simbol të partive të tyre politike, dy ish-kandidatë për president të Amerikës, senatori demokrat John Kerry dhe senatori republikan John McCain, u ulën në krah të njëri-tjetrit. Jo thjesht u ulën, por u bashkuan në përgjegjshmërinë për të ndalur rritjen e urrejtjes.

 Çfarë po ndodh në vendin tonë pas 21 janarit? U vranë 3 protestues, u plagosën disa dhjetëra pjesëtarë të forcave të rendit, u plagosën dhjetëra protestues. Besoj janë shumë për të rikthyer përgjegjshmërinë për të ardhmen e vendit tonë. Nuk duhet të goditet mbi politikanë që vetëm atëherë të kuptojmë se kemi kaluar çdo kufi të papërgjegjshmërisë në nxitjen e urrejtjes. Boll kemi pasur zhvillime tragjike në këtë tranzicion të vështirë. Asnjë sfidë kombëtare, asnjë sfidë personale nuk mund të përballohet në një klimë urrejtje. Asnjë alibi nuk mund të justifikojë dështimin e përsëritur dhe për më tepër vazhdimin e dështimeve tragjike.

Si ka mundësi që pasi ndodhi kjo tragjedi njerëzore me disa të vrarë dhe qindra të plagosur, të vazhdojë gjuha e urrejtjes ndaj institucioneve kushtetuese dhe ndaj opozitës së vendit? Si ka mundësi të ndihen kaq shumë të rrezikuara liritë themelore të  çdo shqiptari, nën alibinë e grushtit të shtetit dhe “sakrificave” të rikthimit të rendit publik? Si ka mundësi që edhe në këtë situatë kaq të brishtë politike dhe sociale, të investohet kaq shumë vullnet negativ dhe të keqpërdoret kaq shumë prezenca parlamentare dhe mediatike për të goditur opozitën e vendit, për të goditur drejtuesit e institucioneve kushtetuese të vendit tënd? Sa shumë urrejtje, sa shumë tensione politike e sociale do të duhet të përballohen deri sa të shtypen të gjitha fazat e grushtit të shtetit? Sa gjatë do të vazhdojë terrori psikologjik i grushtit të shtetit me disa faza?

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo situatë e rënduar e urrejtjes, i shtohet kësaj edhe qëndrimi strikt i opozitës për të mos dëgjuar dhe bashkëpunuar edhe me diplomacinë ndërkombëtare, lidhur me domosdoshmërinë e uljes së tensioneve politike? Si ka mundësi që nuk vlerësohen dhe nuk respektohen këshillat dhe kërkesat e drejtpërdrejta dhe të përsëritura të SHBA-së dhe BE-së për të qetësuar sa më parë ambientin e tensionuar politik? Ulja e tensioneve politike nuk do të thotë ulje e kërkesave për standarde sa më të plota për demokracinë, nuk do të thotë ndalje e luftës kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit, nuk do të thotë kapitullim përballë maxhorancës. Bashkëpunimi në momente kritike rrit kredibilitetin e objektivave dhe angazhimit politik të opozitës. Edhe unë besoj se protesta nesër do të jetë paqësore, por mesazhi i saj i ardhur nga një qëndrim kategorik mosbashkëpunues edhe me partnerët ndërkombëtarë, do të jetë jo i plotë dhe pse jo i cenuar. Kjo protestë mund të shërbejë nesër si alibia e radhës e maxhorancës për të bërë edhe ajo mitingun e mbështetësve të saj. Gara e mitingjeve paqësore, aq më pak pas tragjedisë së ndodhur në 21 janar, vështirë se mund të qetësojë këtë ambient të mbingarkuar me shpifje dhe urrejtje politike.

Nuk është dështim të bashkëpunosh, nuk është turp të tërhiqesh, nuk është fitore të qëndrosh strikt në qëndrime kategorike. Vendi pas ngjarjeve të 21 janarit ka një risk akoma më të madh, akoma më konkret, të bëjë hapa pas, të cenojë akoma më shumë demokracinë e tij hibride. Kjo do të ishte pasoja më madhe dhe më konkrete që ngjarjet e 21 janarit mund t’i sjellin të ardhmes sonë. E ardhmja jonë nuk do të vijë nga fitoret reciproke mbi bazë krizash të përsëritura. E ardhmja jonë nuk mund të arrihet dhe as të garantohet nëse do t‘ua besojmë individëve dhe jo institucioneve. Fitoret që vijnë nga krizat vetëm i mbajnë gjallë dhe i riciklojnë  krizat. Psikologjia e krizave i ushqen dhe i përsërit ato. Pasojat e krizave ciklike rriten frikshëm. Është e trishtueshme që nesër të jemi viktima të fenomenit politik, që jo vetëm sipas analistëve të huaj, që jo vetëm për shkak të ngjarjeve të ditëve të fundit, por edhe për shkak të tyre, të jemi shqiptarët përgjegjës apo bashkëpërgjegjës që mund të vetëshkatërrojnë Shqipërinë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama