Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Koha për hetim

Shkruar nga: Aranita Brahaj  
Botuar më: 14 vite më parë

Aranita Brahaj
Koha për hetim

Në teorinë e hetimit të një ngjarjeje kriminale (me dëme dhe viktima), faji nuk është asnjëherë jetim. Për shkencën penale, faji është gjithmonë me dashje ose me pakujdesi (neni 14 Kodi penal). Për ligjin penal, fajtor me dashje është ai që parashikon pasojat dhe me ndërgjegje lejon ardhjen e tyre (neni 15 Kodi Penal). Me dashje indirekte vepron ai që megjithëse nuk i dëshiron me ndërgjegje, lejon ardhjen. Me pakujdesi vepron ai që nuk parashikon pasojat, megjithëse  sipas rrethanave duhej dhe kishte mundësi (Neni 16 Kodi Penal).

Me 21 janar, pasojat sipas rrezikshmërisë penale dhe lidhjes shkak-pasojë janë: policë të plagosur në detyrë, territor i selisë së shtetit i shkelur me dhunë, flamur kombëtar i dhunuar, një gazetar i plagosur në krye të detyrës, tre njerëz të vrarë me armë zjarri, dhjetëra efektivë e civilë të plagosur. Këto janë të dëshmuara nga kamera të televizioneve shqiptare e të huaja. Kjo datë duhet hetuar gjatë, pa humbur më kohë, me seriozitet, me shumë këndvështrime e me integritet profesional të burrave dhe grave, që me tagër të Kushtetutës kanë pikërisht këtë detyrë.

Nën hetim duhet të jenë ata që nisën demonstratën e 21 janarit, ndonjëri me thirrje për skenar Tunizie, ndonjë tjetër me bilance publike për dëshmorë të munguar, e të tjerë që ftuan popullin të tejkalonte politikën për të marrë në dorë fatet e tij. Artikulues të këtyre thirrjeve duhet të hetohen nëse kishin parashikuar, dëshiruar, lejuar pasojat e hidhura të 21 janarit, duke dëshmuar pas një jave, më 28 janar, se ekzaktësisht dinin të parashikonin, dëshironin e lejonin një demonstrim human e të qytetëruar.

Nën hetim duhet të jenë edhe ata që për shkak të detyrës hartuan dhe ekzekutuan një plan masash për të mbrojtur selinë e shtetit. Sa të aftë ishin të parashikonin apo të neglizhonin trajektoret e plumbave të Gardës, të mbronin hyrjen kryesore të Kryeministrisë, të shpërndanin me mjete në proporcion me rrezikun turmë dhe të ndalonin elementët agresivë e të inkriminuar.

Të parët me veprimet (edhe mosveprimet) e datave para dhe gjatë 21 janarit kanë vepruar duke konkurruar me figura veprash penale të parashkruara në nenin 221 "Kryengritje" dhe nenin 223 "Thirrje publike për veprime të dhunshme". Të dytët kanë ushtruar ose shpërdoruar detyrën e për pasojë kanë kryer veprime, ku pasojat janë të njëjta me ato të veprimeve të parashikuara në Kodin tonë Penal, nenin 79 pika ë, pra "Vrasje në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave". Kjo jo detyrimisht në përgjegjësi penale. Të parët janë në kushte të veprimit me dashje direkt ose indirekt, pasi njoftuan qytetarët në çdo shtëpi për të qenë në datën 21 janar përpara Kryeministrisë (vendngjarja). Të dytët (efektivë në detyrë) për shkak të kronologjisë së ngjarjeve kanë më shumë shanse të shkarkohen, përjashtohen nga përgjegjësia e çdo vepre penale kryer me dashje të drejtpërdrejtë (neni 79), pasi çdo lloj veprimi i kryer është paraprirë në mënyrë kronologjike nga veprime të të tjerëve si dhe është vendosja e njerëzve përpara Kryeministrisë.

Kryengritja e armatosur në Kodin tonë Penal përkufizohet si  "Pjesëmarrje në veprime masive të dhunshme, si vendosje pengesash apo barrikadash për të ndaluar forcat e rendit, rezistencë me armë apo armatosje e tyre, pushtim me forcë i ndërtesave, kryerje e plaçkitjeve, grumbullim apo vënie në dispozicion e armëve, municioneve dhe njerëzve, krijim i lehtësirave në favor të kryengritësve, të bëra për të përmbysur rendin kushtetues… marrja pjesë si udhëheqës apo organizator në veprimet e mësipërme dënohet me burgim të përjetshëm. Ndërsa neni 223 "Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet".

Të dy palët duhen hetuar. Dhe meqenëse ngjarja ka shumë sensibilitet politik e qytetar, ekspertiza e fakteve është një nga elementët decizivë në zbardhje faji dhe vërtetim ngjarjesh. Prezenca e ekspertizës amerikane në hetim është një fakt pozitiv dhe duhet konsideruar. Ndërkohë, palët në apo nën hetim duhet të tërhiqen nga replika mediatike mbi punën e organit procedues. I rëndësishëm është fakti që çdo akuzë e klasifikuar e çdo përgjegjësi penale e adresuar nga Prokuroria është një vendim i njërës palë kundrejt palës tjetër që është nën procedim. Për shkak të sistemit tonë gjyqësor, sistem akuzator e jo inkuizitor (si sistemi i përpara 90-s), edhe fjalën e fundit për fajësi konkrete do ta thotë gjyqësori me tre nivelet e tij.

Urdhër-ndalimet e gjashtë funksionarëve të Gardës e kanë humbur vlerën e tyre procedurale. Kjo ka ndodhur jo për arsye të mosekzekutimit nga ana e Policisë së Shtetit, por për shkak të faktit se nuk janë dërguar brenda dyzet e tetë orëve për vlerësim pranë gjykatës. Pavlefshmërinë e urdhër-ndalimeve dhe përmbajtjes së tyre e përcakton neni 258, K. Pr. Penale: Kërkesa e vleftësimit të arrestimit ose ndalimit, afat brenda dyzet e tetë orëve. Në këtë mosveprim, të paktën publikisht i paanoncuar, organi i akuzës duket se ka rimarrë në shqyrtim vendimin e tij dhe klasifikimin e veprimit penal të formuluar në orët e para të datës 22 janar në urdhër-ndalime. Kushdo që ka sadopak kulturë juridike dhe njohje nga proceduara penale, analizon lehtësisht se ky veprim dëshmon defekt në fillimin e hetimit të ngjarjes. Në rastin më të mirë, Prokuroria ka rivlerësuar urdhër-ndalimin dhe nuk e ka konsideruar të bazuar teknikisht, e kështu nuk e ka përcjellë pranë gjykatës vlerësimin e saj, duke pranuar një lloj nxitimi profesional. Në rastin më të keq, Prokuroria ka të njëjtin qëndrim profesional për ngjarjen, por është stepur përpara presioneve politike apo të tjera të këtij lloji.

Ky veprim në të dy variantet e mundshme të tij është tepër problematik për cilësinë e hetimit. Tashmë, edhe me përfshirjen e ekspertizës amerikane, duhet seriozitet dhe profesionalitet i palëve për hetim gjyqësor të ngjarjes. Pas protestës qytetare të datës 28 janar, është koha për hetim serioz. Ata që kanë tagrin e hetimit duhet të tregojnë integritet profesional e qytetar, aftësi për të përballuar presionin politik e për të ushtruar vetëkërkesë profesionale maksimale. Një rast i përsëritur vetëtërheqjeje profesionale përkon me kushte të një dorëheqjeje personale nga hetimi ose detyra. Nga ana tjetër, prokurorët e shtetit duhen inkurajuar përtej përkatësisë gjinore e duhen lënë të punojnë në zyrat e hetimit për vendosur zëdhënësen apo këshilltarin përballë publikut dhe retorikës mediatike.


Panorama
31/01/2011

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama