Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Burimi i klientokracisë shqiptare

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 14 vite më parë

Blendi Kajsiu
Burimi i klientokracisë shqiptare

Sistemi klientokratik shqiptar nuk mund të kuptohet i shkëputur nga vetë struktura e shoqërisë shqiptare. Ai jo vetëm e riprodhon këtë strukturë, por është edhe një pasqyrim i drejtpërdrejtë i saj. Thelbi i strukturës sociale shqiptare sot është fragmentizimi. Sot nuk kemi ndarje mes shtresave të ndryshme sociale, por përplasje mes grupimeve, që nga pikëpamja sociologjike i përkasin të njëjtës shtresë. Prandaj, për të kuptuar se nga buron sistemi klientokratik, duhet të kuptojmë më parë procesin e fragmentarizimit të shoqërisë shqiptare sot.  Gjatë njëzet viteve të tranzicionit, shoqëria shqiptare ka kaluar në një proces të vazhdueshëm fragmentizimi.  Komunitetet dhe grupimet shoqërore, të organizuara horizontalisht dhe me një identitet të qartë politik e social, u shpërbënë duke u zëvendësuar me grupe të përbëra nga individë të izoluar nga njëri-tjetri. Me rënien e komunizmit, u zhdukën shtresa sociale si klasa punëtore, kooperativistët dhe komunitetet lokale. Me fundin e tranzicionit po zhduken edhe shtresat e ish-të persekutuarve politikë dhe të ish-pronarëve.

Ky fragmentizim social erdhi si pasojë e kombinimit të paktën të tre faktorëve; ekonomik, kulturor dhe demografik.  Reforma ekonomike shqiptare, në thelb prodhoi një proces de-industrializmi dhe një ekonomi që bazohet kryesisht tek bujqësia, shërbimet dhe vetëpunësimi, duke eleminuar kështu kolektivitetet që janë tipike për prodhimin. “Revolucioni kulturor” i viteve 1990 e vuri interesin personal në piedestal, duke e kthyer individualizmin në fenë e kohëve tona. Së fundi, lëvizjet e mëdha demografike, si brenda edhe jashtë vendit, shkatërruan komunitetet ekzistuese, si në fshat, edhe në qytet.

Ndërveprimi i këtyre tre faktorëve e ka kthyer shoqërinë shqiptare nga një organizëm kolektiv, në një grumbull individësh në konkurrencë më shumë sesa në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Por ndërsa për faktorët kulturorë dhe demografikë që e kanë prodhuar këtë fenomen është folur mjaft, aspekti ekonomik pothuajse është injoruar. Ndaj, në këtë analizë ne do fokusohemi te fragmentizimi social, si pasojë e reformës dhe modelit tonë ekonomik të zhvillimit.

Modeli aktual i zhvillimit që është përqafuar në Shqipëri nga të gjitha partitë kryesore politike, ka prodhuar dy fenomene të ndërlidhura. Së pari, ekonomia shqiptare është transformuar nga një ekonomi e industrializuar rëndë dhe në mënyrë ineficente në një ekonomi të de-industrializuar, ku bujqësia primitive dhe shërbimet janë dy sektorët kryesorë të saj. Së dyti, ekonomia shqiptare është transformuar nga një ekonomi që rritej nëpërmjet prodhimit, në një ekonomi që rritet nëpërmjet konsumit. Sot shqiptarët, më shumë sesa prodhues janë transformuar në konsumatorë.

Ndaj, theksi sot vendoset tek tregtia e lirë që presupozohet të ofrojë çmimin më të ulët për konsumatorin dhe jo tek mbrojta e prodhimit vendas. Kështu, theksi është tek lufta ndaj inflacionit që dëmton konsumatorin (si dhe sektorin e shërbimit financiar) dhe jo tek nxitja e prodhimit nëpërmjet nxitjes së kërkesës. Ndaj, sot monumentet e reja të ekonomisë shqiptare janë qendrat tregtare dhe jo fabrikat (madje edhe ndonjë fabrikë shumë shpejt zëvendësohet me qendër tregtare).

De-industrializimi dhe theksi tek konsumi kanë thelluar fragmentizimin e shoqërisë shqiptare. Së pari, transformimi i qytetarëve nga prodhues në konsumatorë ka theksuar izolimin e tyre social, në raport me njëri-tjetrin. Teksa procesi i prodhimit nxit formimin e grupimeve sociale të organizuara, procesi i konsumit stimulon individualitetin dhe fragmentizimin. Së dyti, shumica dërrmuese e të punësuarve në ekonominë shqiptare (mbi 70%) punojnë në biznese familjare, me një ose dy punëtorë. Si të tillë, ata nuk formojnë një shtresë të ndërgjegjësuar dhe të organizuar sociale.

Një situatë e ngjashme është edhe në sektorin bujqësor. Për nga pesha që zë në GDP, bujqësia është sektori më i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare sot. Ama, në zonat rurale si pasojë e fragmentizimit të tokës, si pasojë e mungesës së kreditimit dhe si pasojë e konkurrencës së prodhimeve nga jashtë, bujqësia është ende në gjendje primitive dhe përqendrohet kryesisht tek përmbushja e nevojave jetike të fermerëve. Për pasojë, nuk kemi ende një sektor të organizuar fermerësh, çka kërkon transforimin e bujkut në fermer, që prodhon me shumicë për tregun. Përkundrazi, kemi një numër të madh bujqish individualë, që prioritet kanë mbijetesën vetjake.

Në kushtet e një fragmentarizimi të tillë social, është tejet e vështirë për partitë politike t’i drejtohen grupimeve sociale in-ekzistente. Fragmentarizimi social do të thotë se politikanët përballen me kërkesa individuale dhe jo sektoriale (si p.sh., fermerët, punëtorët, mësuesit, pensionistët, etj).  Pra, çdo individ kërkon një përfitim imediat personal dhe jo një politikë nga e cila do përfitonte e gjithë shtresa e tij.  Dhe kjo për faktin e thjeshtë, se si pasojë e fragmentizimit social, individët nuk ndjehen pjesë e një shtrese të caktuar. Për pasojë, qeverisja në Shqipëri nuk i përgjigjet interesave të shtresave të caktuara sociale, por synon të kënaqë klientela të caktuara. Përfituesit imediatë të politikave qeverisëse janë individë, apo kompani dhe jo sektorë të caktuar.

Diçka e tillë vjen si pasojë e faktit që modeli aktual neoliberal i qeverisjes, (që si askund tjetër në Europë është zbatuar i plotë në Shqipëri) i redukton shumë hapësirat politik-bërëse, nëpërmjet të cilave shteti mund t’u përgjigjet nevojave të shtresave të caktuara sociale dhe për pasojë, duke i artikuluar këto shtresa edhe politikisht. Në këtë model, shteti tërhiqet nga shoqëria duke hequr dorë nga çdo pasuri dhe aset kombëtar, duke ia shitur ato kryesisht kapitalit të huaj.
Aktualisht, shteti shqiptar ka pranuar të heqë dorë nga mbrojtja e prodhimit vendas, duke e hapur tërësisht tregun lokal ndaj prodhimeve të huaja. Është hequr dorë nga kontrolli mbi kursimet e shqiptarëve duke e privatizuar tërësisht sektorin bankar, kryesisht në dobi të kapitalit të huaj.  Është hequr tërësisht dorë nga pasuritë minerare, duke e privatizuar tërësisht këtë sektor. Është hequr dorë nga sektori i telekomunikacionit, duke e privatizuar atë tërësisht në dobi të kapitalit të huaj. Po hiqet dorë edhe nga sektori i energjetikës, siç tregoi privatizimi i dështuar i KESH. Në kuadrin e fushatës “Shqipëria një euro”, qeveria filloi të hiqte dorë edhe nga territori, duke ia dhuruar pjesë të tij kompanive të huaja.

Në mungesë të prodhimit dhe në mungesë të aseteve kombëtare që prodhojnë të ardhura, shteti shqiptar, për të siguruar të ardhura, shet vazhdimisht vetveten. Aq sa mund të themi se shteti shqiptar tashmë është shndërruar në një Agjencinë Qendrore Shitjesh, ku qeverisja reduktohet tek tenderat, licencat dhe koncensionet. Nëpërmjet privatizimit ofrohen asetet kombëtare si telefonia, energjetika, apo lumenjtë. Tek investimet e huaja ofrohet Karaburuni, importi i plehrave, apo Shqipëria një euro, e kështu me radhë.

Ky proces shitjesh krijon automatikisht edhe klientelat blerëse, që formohen rreth aseteve shtetërore dhe kombëtare, të cilat vazhdimisht dalin në shitje. Këto janë klientela që ndajnë me qeveritarët dhe partitë e tyre politike fitimin e blerjes, por që prioritet nuk kanë prodhimin, por vjeljen e këtyre aseteve. Partitë politike dhe politikanët nga ana tjetër, e përdorin pushtetin jo vetëm për të kënaqur klientelat ekonomike dhe mediatike që përftojnë nga pushteti i tyre, por edhe për të kënaqur anëtarësinë partiake, që punësohet në shtet. Në kushtet e një ekonomie të fragmentizuar, me pak prodhim dhe për pasojë me papunësi të lartë, shteti, pavarësisht reduktimit të vazhdueshëm, mbetet punëdhënësi më i madh në ekonomi.

Nëse politikën e përkufizojmë si sistemin e shpërndarjes së të mirave materiale (dhe jo materiale), ndërsa ekonominë si sistemin e prodhimit të tyre, mund të themi se Shqipëria ka shumë politikë, por pak ekonomi. Jo rastësisht kur flitet për demokratizimin shqiptar, ekonomia mungon tërësisht. Flitet për mungesën e kulturës demokratike, për mungesën e zbatimit e ligjit dhe për mungesën e institucioneve të forta, por jo për strukturën tonë ekonomike, që është jo vetëm produkt, por edhe burim i këtyre mungesave. Diskutimi ekonomik në sferën tonë publike kufizohet një herë në vit tek debati rreth buxhetit, që në fakt është një debat mbi shpërndarjen dhe jo prodhimin e të mirave materiale.

Këtu duhet kërkuar burimi i një pjese të mirë të klientokracisë shqiptare. Klientokracia është produkt i përpjekjes sonë për të ndërtuar një demokraci pa ekonomi.  Klientokracia është një sistem qeverisjeje, që përqendrohet tërësisht tek shpërndarja e të mirave materiale dhe pak ose aspak tek prodhimi i tyre. Jo rastësisht rritja jonë ekonomike buron jashtë nesh, si p.sh nga remitancat. Jo rastësisht kjo rritje kërkohet po jashtë nesh, nëpërmjet investimeve të huaja.
Në këtë sistem, Shqipëria ngjason me një tepsi byreku, të cilës i sulen klientela të ndryshme politike, mediatike dhe biznesi, shqiptare dhe të huaja, secila duke synuar të marrë një copë sa më të madhe. Dikush e zgjat dorën vetë, direkt tek tepsia, ndërsa të tjerë marrin diçka nëpërmjet përfaqësuesve të tyre politikë. Përqendrimi ekskluziv tek konkurrenca për të marrë një copë sa më të madhe nga byreku ekzistues, në vend të bashkëpunimit për të bërë më shumë byrek, shkakton edhe përplasje të forta mes klientelave të ndryshme, si dhe debate politike, se kush e ka radhën të vihet në krye të tepsisë.

Kemi të bëjmë me një rreth vicioz, në të cilin struktura ekonomike prodhon një strukturë politike klienteliste, e cila më pas riprodhon strukturën ekonomike nga buron edhe vetë.  Përveç faktorëve kulturorë dhe demografikë, pikënisja e këtij qerthulli vicioz është politika ekonomike, që është përqafuar sot si nga PD, edhe nga PS. Thelbi i kësaj politike është theksimi i tregtisë dhe konsumit në kurriz të prodhimit, si dhe reduktimi i rolit të shtetit në shitës dhe jo shtues të pasurive kombëtare. Një politikë tjetër ekonomike është një nga hapat e parë që duhet hedhur për të dalë nga sistemi aktual klientokratik. Pikërisht, këtë do të trajtojmë në artikullin në vijim; Drejt një tjetër modeli zhvillimi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama