Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Drejtësia, kazerma ku krimi kërkon strehim politik

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Kikia
Drejtësia, kazerma ku krimi kërkon strehim politik

Ndër dokumentarët që tregojnë fillesat e shtetit modern në tokat e pafundme të Perëndimit të “egër” amerikan, njëri prej tyre tregon për një qytet me shtëpi druri të pluhurosura, ku gjallojnë lloj-lloj hajdutësh, grabitësish dhe pijanecësh. Një gjykatës po mbikëqyrte varjen e një krimineli, ndërsa prifti lexonte lutjen e fundit.

 Nga larg dëgjoheshin jehonat e një bande kaçakësh që po vinte për të batërdisur qytetin. Banorët ju lutën gjykatësit t’ia falte jetën kriminelit dhe të merrte arratinë bashkë me ta, për t’u shpëtuar plumbave, por ai i kërkoi priftit të vazhdonte të lexonte lutjen. Njerëzit kishin marrë arratinë kur banditët u futën në qytet duke qëlluar. Gjykatësi urdhëroi heqjen e karriges të të varurit dhe pas pak një plumb e la të vdekur në vend. Ndërsa njerëzia mori dhenë nga frika e grabitësve, i fundit që mbeti për të çuar në vend drejtësinë dhe për të mbetur vetë viktimë e krimit, ishte pikërisht gjykatësi.

Kjo ishte koha kur po bëhej Amerika, kur njerëz të mençur e guximtarë po punonin për ndërtimin e shtetit ku drejtësia është më e fortë se çdokush dhe e barabartë për të gjithë. Dhe, e drejta nuk zbriti nga qielli, por u kultivua dhe u rrit mes një lufte vërtet të përgjakshme, dhe kur forcën e diktonte harbutëria e kusaria dhe jo ligji. Dhe Amerika u bë e tillë, sepse kishte dhe ka në themel pikërisht drejtësinë.

Këto episode historike të ndodhura dyqind e ca vite të shkuara, na bëjnë të shikojmë tërë neveri drejtësinë tonë. Në kulmin e një tollovie politiko-institucionale, gjykatësit tanë ua zgjidhën prangat disa njerëzve që akuzohen për vrasjen e 26 personave dhe plagosjen e nja 300 të tjerëve. Vetëm falë medias, ky dështim i turpshëm i procesit për “Tragjedinë e Gërdecit” për të mos bërë drejtësi për tre vjet rresht, e mori vëmendjen e duhur publike, për të mbërritur deri tek Presidenti i Republikës, që është edhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ne e dëgjuam të gjithë se çfarë tha kryetari i KLD-së: Fajin e kanë avokatët, ne kemi apeluar shumë herë dhe drejtësia duhet të reflektojë.

D.m.th., KLD-ja ka apeluar!

Po cila është në fakt është detyra e KLD-së?! Të apelojë apo t’i bjerë çekiçit të drejtësisë brenda drejtësisë?

Sa për apelim, atë e bëjmë ne, ne njerëzit që jemi jashtë strukturave të shtetit, gazetarët, OJF-të, qytetarët e thjeshtë që nuk marrin e gjejnë dot drejtësi. Ndërsa detyra e organeve përgjegjëse është që të frenojnë padrejtësinë, jo duke apeluar, por duke vepruar. Dhoma e Avokatisë e pasoi këtë qëndrim të Presidentit me një deklaratë të fortë akuzash për gjykatën dhe prokurorinë, që sipas saj janë bërë palë në këtë çështje dhe se nuk ishin avokatët që e zvarritën procesin.

Ndërsa ka në dorë sot çështjet eksplozive të 21 janarit, të gjithë, brenda dhe jashtë vendit, bërtasin: Lëreni drejtësinë të veprojë!

“Sot duhet të flasë drejtësia, të tjerët të heshtin”, - tha edhe Presidenti.

Por, unë dua sot të flas me zërin e atyre nënave që nuk e gjetën dot drejtësinë për vrasjen e fëmijëve të tyre, të cilët në fund të fundit nuk ishin duke qëlluar me gurë selinë e qeverisë, por duke fjetur në dhomën e tyre të gjumit, duke luajtur me lodra apo duke punuar si skllevër për të mbajtur shtëpinë. Dhe dua të pyes me zë të lartë: Përse kjo drejtësia, e cila (me të drejtë) sot duhet lënë e qetë për të hetuar, nuk e bëri drejtësinë për 26 viktima, tërësisht pa asnjë faj? Çfarë e pengoi, që për 3 vjet rresht të mos japë një verdikt? Nëse avokatët e zvarritën procesin, siç pretendon gjykata, mirë e bënë, sepse kjo është detyra e tyre, të fitojnë betejën ligjore me gjykatën dhe prokurorinë.

Po çfarë bëri prokuroria për t’i penalizuar ata avokatë? Çfarë bëri gjykata për të mos lejuar degradimin e procesit? Kur sot si opozita ashtu edhe qeveria, sipas stilit të tyre, akuzojnë njëra-tjetrën për minim të procesit, cila parti politike, cila strukturë qeveritare apo shtetërore i ndërhyri prokurorisë dhe gjykatës për të mos e bërë drejtësinë? Për këtë duhet japë shpjegime prokuroria dhe KLD-ja. E derisa edhe kreu i shtetit thotë se ne kemi bërë punën tone duke apeluar, unë jam tërësisht i bindur se ajo drejtësi nuk do të vijë kurrë. Dhe, është pikërisht ky shkaku që një tufë njerëzish me pushtet politik, zyrtar e ekzekutiv, ndërsa kapen në flagrancë duke vjedhur, akuzohen publikisht për hajdutëri masive, bërtasin: “Ja ku jam, çojini provat në prokurori. Të thotë drejtësia fjalën e saj”. Po, ata kanë të drejtë të “dorëzohen” tek drejtësia, sepse drejtësia nuk po e thotë fjalën e saj ashtu siç duhet. Drejtësia është bërë sot kazerma ku kërkojnë strehim politik të gjithë hajdutët dhe kriminelët me mandat politik apo të lidhur me politikën dhe pushtetin, të bindur se aty do të dalin pa u lagur.

Të mosbërit drejtësi, është shkaku kryesor i kësaj situate që ne po përjetojmë, është ajo përgjegjësja e gjithë kaosit institucional, e gjithë lëngimit nga korrupsioni të shtetit, qeverisë, bashkive dhe deri kryepleqësitë e fshatrave. Por, për fat të keq, drejtësia, nga truri i vogël i një shteti është shndërruar në shpk-në fitimprurëse, por që nuk ka kasë fiskale dhe nuk paguan taksa.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama