Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rënia e Sfinksit

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 14 vite më parë

Skënder Minxhozi
Rënia e Sfinksit

Hosni Mubarak nuk është më President i Egjiptit, që nga mbrëmja e djeshme. Zëvendësi i tij, Omar Sulejman, ka dhënë dje pasdite lajmin që priste një pjesë e mirë e 83 milionë banorëve të këtij vendi arab, prej dekadash nën një gjysmë diktaturë familjare. Pas 18 ditëve protestash në sheshin Tahrir në Kajro dhe në të gjitha qytetet kryesore të vendit, Sfinksi modern i Egjiptit ra.

Si rrallëherë, bota e ka ndjekur direkt në televizione e internet, atë që tashmë njihet si “revolucioni egjiptian”. Madje edhe titujt në bursën e Nju-Jorkut kanë kërcyer përpjetë, si për të provuar se në “fshatin” e sotëm global, gjithçka është përherë e më e lidhur.

Ikja e Mubarak-ut i jep fund njërës prej presidencave më jetëgjata në botën arabe. I vendosur në krye të vendit prej vitit 1981, Hosni Mubarak ndërtoi një shtet të kontrolluar dhe shtypës, ku të drejtat themelore ishin thuajse të anuluara. Lider i padiskutueshëm i një popullsie të varfër e gjysmë rurale, ai diti në këto tri dekada, që të ndërtojë një rrjet aleancash të vyera, për mbijetesën e tij personale, por edhe për ruajtjen e interesave të një numri faktorësh të rëndësishëm ndërkombëtarë. Në shumë raste, këto ditë, në rrugët e Kajros janë parë parulla që dënojnë afërsinë e Mubarak-ut me Izraelin apo Shtetet e Bashkuara. Në fakt, ishin këto dy fuqi, njëra rajonale e tjetra globale, të cilat patën hezitimet më të zgjatura rreth asaj që ndodh këto orë në një vend kaq të rëndësishëm si Egjipti.

Ushtria egjiptiane, një faktor deri më sot i paprekur nga kriza e besimit të popullsisë, ka marrë përsipër tranzicionin e vështirë drejt zgjedhjeve të lira. Një skenar intrigues, por me plot të panjohura. Është ende e paqartë se cila do të jetë rruga drejt procesit të demokratizimit. Rikthimi në atdhe i nobelistit El Baradei e ka afishuar atë si pasardhësin e mundshëm të faraonit Mubarak. Ndërkaq edhe figura të tjera të opozitës historike, si Ajman Nur dhe sigurisht Vëllazëria Islamike, janë faktorë që pritet të luajnë një rol të spikatur në erën e re demokratike të Egjiptit. Prej dje vendi drejtohet nga Këshilli Ushtarak Suprem, i cili do të shpërndajë Parlamentin dhe do të përgatisë zgjedhjet. Një fazë e turbullt, e cila në fund të saj do të kurorëzojë fituesin e vërtetë të kësaj rënieje të bujshme. Megjithatë, admirimi i përzier me shqetësim i Perëndimorëve, si dhe frika e lexueshme e Izraelit, arrijnë ta fshehin me zor preokupimin për drejtimin që mund të marrë Egjipti pas Mubarak-ut. Një rrëshqitje drejt një regjimi islamik apo një junte ushtarake hibride, janë risqe konkrete për të ardhmen e afërt.

Rënia graduale e Mubarak-ut ka qenë Vaterloja e vërtetë e diplomacisë ndërkombëtare. Askush nuk e parashikoi vërtet në Perëndim, se stuhia e nisur në Tunizi do të përhapej në Egjipt dhe do të rrëzonte njërin prej regjimeve ku dukej se koha kishte ngrirë. Përtej faktit që kryeministri francez Fijon pushoi në Egjipt tri javë para protestave, duke përdorur edhe avionin personal të Mubarak-ut, përtej intransigjencës amerikane për të mbrojtur liderin e fortë, përtej pasivitetit të diplomacisë europiane (i cili po i kushton kritika të forta baroneshës Eshton), diplomacia ndërkombëtare këqyr sot sesi realiteti në terren e kaloi dukshëm fuqinë parashikuese dhe përpunuese të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Procesi i rënies së Mubarak-ut nuk qe më i gjatë se tri javë. Megjithatë ai zgjoi, siç pritej, hipoteza, ide e qëndrime të cilat shihnin jo rrallë lidhje mes asaj që ndodhte në Egjipt, Magreb dhe përgjithësisht në botën arabe, me atë që po ndodh këto orë në vendin tonë. Nuk ka pasur nevojë që për t’i dhënë një përgjigje negative kësaj paraleleje, të sikletosesh Departamenti i Shtetit apo përfaqësues të tjerë diplomatikë nga Europa. Shqipëria nuk ka qenë dhe nuk është as si Egjipti, as si Tunizia. Ajo ka ndjekur korsinë e saj në histori, ndodhet në një zonë gjeopolitike mjaft të ndryshme nga Afrika Veriore dhe, për pasojë, prodhon një dinamikë krejt të ndryshme zhvillimesh. Na mjaftojnë krizat tona, që të shohim e kopjojmë edhe problemet e një bote me të cilën vërtet na bashkon baseni i madh i Mesdheut, por që ka qenë dhe mbetet përherë e largët dhe e ndryshme nga Europa ku bëjmë pjesë.a

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama