Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A nuk dëmtohet kështu imazhi i Shqipërisë!?

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 14 vite më parë

Rexhep Meidani
A nuk dëmtohet kështu imazhi i Shqipërisë!?

Që prej gati një muaji, politika e analiza, por dhe institucionet shqiptare, u përplasën me ditë dhe javë për të “ndërtuar” argumente pro e kundër për “një farë puçi” apo “grushti shteti”, më 21 janar. Për këtë u sajua dhe një komision hetimor, bile me urgjencë nate dhe pa pjesëmarrje të opozitës. Dhe e gjitha kjo, edhe pse realiteti objektiv, jo vetëm i brendshëm por dhe i jashtëm, dëshmonte tërësisht të kundërt! Pra, e gjitha kjo, e “klasifikuar” si gjoja puç me përfshirje segmentesh tepër të rëndësishme brenda shtetit, është thjesht një tentativë për të hedhur sadopak tym mbi ngjarjen tragjike të vrasjes së katër qytetarëve apo të plagosurve të tjerë me armë zjarri!  Ndërkohë, qëllimi i këtyre rreshtave është për të ndërgjegjësuar ata që duhet të ndërgjegjësohen, mbi të gjitha, për të hedhur poshtë - bëhet fjalë për dukurinë e paranojës!- që qarkullohet diku me zë, diku pa zë midis ndërkombëtarëve. Kjo edhe pse, ka shumë gjasa, që ai “realitet puçist” të mos gjendet as në qelizat e hirta që e kanë prodhuar apo mbrojtur atë. Ndoshta, me përjashtim të ndonjë të “zjarrti”, brenda apo jashtë komisionit hetimor, që flet për grusht shteti pa e ditur fare ç’është ai!...

Por, ç’është puçi apo grushti i shtetit?

Sipas përcaktimit, puçi (putsch) apo grushti i shtetit (coup d’état) është një komplot apo përpjekje sekrete e ekzekutuar me shpejtësi. Qëllimi kryesor është largimi ekstra-legal i qeverisë, zakonisht nga një grup i vogël brenda ndërtesës shtetërore ekzistuese. Të tillë janë zakonisht ushtarakë, që synojnë të zëvendësojnë qeverinë nga një trupë tjetër: civile ose ushtarake. Një grusht shteti quhet i arrirë kur “kolpistët”, pas marrjes së kontrollit politik në të gjithë vendin, e rindërtojnë pa vonesë legjitimitetin, ose nëpërmjet strukturës legjislative ekzistuese, ose nëpërmjet një procesi të ri zgjedhor. Sidoqoftë, një grusht shteti nuk lidhet patjetër me lëvizje, manifestime e ndërhyrje masive, ose akoma me një forcë të konsiderueshme të tipit ushtarak.

Në fakt, prania e këtyre shfaqjeve të forcës së drejtpërdrejtë, e bën më të lehtë marrjen e pushtetit. Po në mungesë të tyre? Në këto raste, pa dyshim, fuqia e goditjes vjen nga vetë shteti. Prandaj, me të drejtë, një teoricien i njohur i grushtit të shtetit, Lutvak (Edward Luttwak), thekson se: “një grusht shteti përbën një infiltrim të një segmenti të vogël, por kritik të aparatit shtetëror, që përdoret për të zëvendësuar qeverinë prej kontrollit ekzistues”. Duke e përmbledhur, grushti i shtetit, në pikëpamje terminologjike, është: “një marrje e shpejtë pushteti jo me mjete legjitime nga një grup relativisht i vogël i mirë-organizuar drejtuesish politikë ose ushtarakë, i shoqëruar shpesh me arrestime të papritura ose vrasjen e shefit ekzekutiv dhe të mbështetësve të tij kryesorë brenda qeverisë. Që grushti i shtetit të jetë i suksesshëm, duhet që policia e ushtria të pranojnë dhe të ekzekutojnë urdhrat e drejtuesve të rinj pas përfundimit të grushtit të shtetit. Kjo nënkupton se organizatorët e grushtit të shtetit duhet të rekrutojnë në realizimin e projektit të tyre komandantë të rëndësishëm të ushtrisë dhe policisë, përpara se të nisin grushtin e shtetit. Bile, më shpesh, vetë grushtet e shtetit iniciohen e drejtohen nga ushtarakë të rangut më të lartë. Në mënyrë të veçantë, grushtet e shtetit janë të suksesshëm në vende ku dedikimi ideologjik i popullsisë dhe i burokracisë shtetërore, për të ruajtur e mbrojtur procedurat kushtetuese, është relativisht i dobët dhe si pasojë shfaqet një rrezikshmëri e ulët e rezistencës masive civile apo e jo kooperimit në nivelet e poshtme të ushtrisë (përfshi ushtarët) apo në nëpunësit e tjerë të kësaj shtrese”...

Kjo “stërzgjatje teorike”, shpresoj se e bën shumë më të lehtë mbajtjen e pozicionit objektiv në gjoja “debatin dy polar” të deritanishëm.

Shembuj grushti shteti

Janë të shumta rastet kur ushtarakët sulmojnë qeverinë dhe marrin kontrollin mbi vendin. Po kështu, kur një qeverisje është e diskredituar prej veprimeve të saj, atëherë ajo detyrohet të dorëzojë pushtetin, duke parë që askush nuk i bindet më asaj. P.sh., në histori, një grusht shteti është rasti kur Napoloni, me kthimin triumfues në Francë, më 1799, mori kontrollin e qeverisë me të dy drejtuesit e tjerë të direktoratit (të quajtur përkohësisht dhe konsuj). Në Bashkimin Sovjetik, për të mos lejuar shpërbërjen e këtij bashkimi, në gusht 1991, u organizua një grusht shteti i udhëhequr prej disa anëtarësh të qeverisë sovjetike. Ai nisi me një arrest shtëpie të Mikail Gorbaçovit (në atë kohë President i BRSS-së dhe Sekretar i Parë), në vilën e tij në Krime. Në këtë kohë, Boris Jelcini, si President i Republikës Ruse; sapo u kthye në Moskë, si kundërvënie ndaj grushtit të  shtetit, mobilizoi popullin e Moskës në anën e tij dhe i kërkoi ushtrisë që të mos u bindej urdhrave për shpërndarje të qytetarëve. Po kështu, pas dy ditëve izolim, me rivendosjen e lidhjeve telefonike, Gorbaçovi i deklaroi të pavlefshme të gjithë vendimet e Komitetit për Gjendjen e Jashtëzakonshme dhe urdhëroi largimin nga detyrat shtetërore të gjithë anëtarëve të këtij komiteti. Edhe Prokurori i Përgjithshëm i BRSS-së filloi menjëherë hetimin mbi grushtin e shtetit.

Një rast tipik grushti vetjak shteti është ai i Lui - Napolon Bonapartit (Louis-Napoléon Bonaparte). Ai, i zgjedhur më 1848 me votim popullor në detyrën e presidentit të Republikës së Dytë Franceze, nxiti, më 1851, një grusht shteti që i mundësoi atij kurorëzimin në fronin e perandorit si Napolon III, në Perandorinë e Dytë Franceze, më 1852. 

Ia vlen të përmenden dhe 4 grushtet e shtetit në Turqi me specifikat e tyre. Kështu, grushti i vitit 1960 konsiderohet si grusht ushtarak i një grupi oficerësh kundër qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike, më 27 maj 1960. Pas disa gjyqeve të paragjykuara të disa qeveritarëve dhe ekzekutimeve përkatëse, qeverisja u mbajt në duar të ushtarakëve për 17 muaj, për t’iu kaluar përsëri civilëve. Grushti tjetër i shtetit i takon vitit 1971. Ai konsiderohet dhe si “grusht shteti me memorandum” sepse komanda e ushtrisë dërgoi një memorandum në trajtë ultimatumi tek presidenti turk për ndryshim qeverisjeje, në vend të përdorimit të tankeve si më parë.

Nën trysninë e ushtarakëve, më 12 mars 1971, Demireli dhe qeveria e tij dha dorëheqjen, për t’i hapur rrugë një qeverie të re “të fortë dhe të aftë” për të administruar situatën anarkike në vend. Në rast refuzimi të kësaj kërkese, ushtria paralajmëronte marrjen prej saj të administrimit të plotë të vendit. Grushti i tretë i takon vitit 1980. Ai drejtohej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm si kundërvënie ndaj konflikteve të armatosura midis dy krahëve ekstreme të politikës. Nëpërmjet tij me shpejtësi u stabilizua rendi dhe qetësia. Për 3 vitet pasuese, Forcat e Armatosura e drejtuan vendin me anë të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, para se të rivendosej demokracia.

Memorandumi ushtarak i vitit 1997 u referohet vendimeve të marra nga komanda ushtarake në Këshillin e Sigurimit Kombëtar, që çoi në dorëheqjen e Erbakanit të Partisë së Mirëqenies dhe fundin e qeverisë së tij të koalicionit. Kjo dorëheqje qeverie e detyruar pa shpërndarje parlamenti, duke pezulluar përkohësisht rrugën kushtetuese, konsiderohet dhe si “grusht postmodern shteti”.

Së fundi, me mosarritjen e qëllimit, grushti i shtetit quhet i dështuar. Kështu, një grusht shteti i dështuar është ai i 23 shkurtit të vitit 1981 në Spanjë. Gjatë tij, një grup prej 200 oficerësh të armatosur të Rojës Civile sulmuan Dhomën e Deputetëve në kohën e zgjedhjes së kryeministrit të ri. Mbreti, në fjalën e tij të drejtuar kombit, e dënoi grushtin e shtetit, urdhëroi kthimin e ushtrisë në kazermë. Pas 18 orësh mbajtje peng të parlamentit dhe kabinetit, peng-mbajtësit u dorëzuan pa bërë dëmtimin më të vogël. Prandaj një grusht i tillë klasifikohet si një grusht shteti i dështuar, pa gjakderdhje. I ngjashëm, mund të konsiderohet dhe tentativa e grushtit të shtetit më 14 shtator 1998, në Shqipëri. Po ashtu, brenda llojit “paqësor”, por nën një trysni popullore e masive, janë dhe grushtet e shtetit për përmirësim apo ndryshim rrënjësor të vetë sistemit politik apo përmbajtjes së qeverisjes. P.sh., më 1889, Brazili u shpall republikë nëpërmjet një grushti të tillë shteti, kurse më 1999 presidenti pakistanez Musharaf (Pervez Musharraf) e dorëzoi pushtetin në mënyrë paqësore (edhe nën trysninë politike amerikane). Deri diku, pavarësisht humbjeve të jetëve njerëzore gjatë protestave popullore, të tillë kanë qenë ditët e fundit dhe largimet e detyrueshme nga pushteti i Ben Alisë në Tunizi apo Mubarakut në Egjipt.

Kategorizimi i Hantingtonit

Sipas Hantingtonit, mund të identifikohen 3 lloje grushtesh shteti. Konkretisht kemi:

Grusht shteti me përmbysje të gjithanshme: një ushtri revolucionare rrëzon një qeveri tradicionale dhe krijon një elitë të re burokratike. Në këtë rast, një grusht i tillë udhëhiqet nga oficerë të rinj apo të rangut të mesëm. Shembuj të këtij lloji janë p.sh. grushti i shtetit në Kinë më 1911, Bullgari më 1944, Egjipt më 1952, Turqi më 1960, Greqi më 1967, Libi më 1969, Portugali më 1974 apo Liberi më 1980.

Grusht shteti me ruajtje të strukturës së fuqisë: me të cilin synohet (zakonisht pa gjakderdhje) përmirësimi i rendit publik, i efektivitetit qeverisës dhe një luftë pa kompromis kundër korrupsionit. Në thelb, nuk pretendohen ndryshime thelbësore në strukturën e pushteteve. Vetë drejtuesit e grushtit të shtetit e portretizojnë aksionin e tyre si një domosdoshmëri të përkohshme dhe të pakëndshme. I tillë, njihet në histori, grushti i shtetit, në vitin 88 p.e.s., i konsullit Sula kundër mbështetësve të Mariusit (Gaius Marius i Ri) në Romë, kur ky i fundit synoi t’i merrte Sulës komandën ushtarake. Shumë më i afërt në kohë është ai i rrëzimit të kryeministrit pakistanez Buto, nën drejtimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, më 1977, që u justifikua me cenimin serioz të rendit publik, dhe, mbi të gjitha, për mos lejimin e luftës civile. Në vitin 1999, me të njëjtat pretendime, edhe gjenerali Musharaf rrëzoi qeverinë e Kryeministrit Sharif. Zakonisht, në vendet ku ndodhin grushte të tillë shteti, qeverisja kalon nga civilët tek ushtarakët dhe anasjelltas.

Grusht shteti me ushtrim force (i tipit të “vetos”): ky lloj grushti shteti është ai ku ushtria vendos “veton” mbi pjesëmarrjen popullore e mobilizimin social, duke u konfrontuar me kundërshtarët në mënyrë të dhunshme, me arrestime e vrasje. I tillë ka qenë rasti i grushtit të shtetit të kryer nga ushtarakët, të udhëhequr nga gjenerali Pinoshe (Augusto Pinochet), në Kili, më 1973, kundër presidentit Alende (Salvador Allende), që aplikoi politika tipike marksiste si nacionalizimi i industrisë dhe kolektivizimi. Ai, i rrethuar nga ushtria në pallatin presidencial, për të shmangur përplasjen dhe luftën civile, vrau veten. Kurse, komploti i një pjese të ushtarakëve kundër qeverisë naziste, në 20 qershor 1944, është një shembull i një grushti shteti të tillë.

Edhe nga shembujt e shumtë, të komentuar më sipër, bëhet po aq i pakuptimtë, për më tepër tejet pretencioz e “vetë-demaskues”, çdo sulm i mëtejshëm, sidomos i dyshes kryeministër- kryetar kuvendi ndaj presidentit të republikës në rolin e kryetarit të shtetit. Kjo nënkuptohet dhe nga radhët e mësipërme, qoftë prej “stërzgjatjes” teorike, qoftë dhe prej shembujve të veçantë. Megjithatë, për çdo rast, po ia lëmë lexuesit të bëjë vlerësimin e tij. Natyrisht, nuk bëhet fjalë për ndonjë pozicionim militant sepse për atë të fundit çdo mbusha-mendje bëhet e kotë; me përjashtim të rastit kur vetë “embrioni” ndryshon mendje! Sidoqoftë, edhe pa atë ndryshim, duke pasur parasysh kompleksin e inferioritetit politik (pra dhe militant) ndaj gjykimit të huaj, problemi bëhet akoma më i thjeshtë, po të radhiten të gjitha titullimet, vlerësimet apo referencat ndërkombëtare për ngjarjet e 21 janarit!...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama