Vlerat e kësaj trashëgimie janë universale dhe ato nuk mund të futen në regjimet aktuale të çarjeve dhe plasaritjeve politike, etnike dhe fetare. Megjithatë, është për të ardhur keq që gjërat nuk qëndrojnë kështu. Problemi i mbrojtjes së trashëgimisë buron nga një barbarizim i përgjithshëm i raporteve që është fuqizuar në tri dekadat e fundit. Ky barbarizim i raporteve, në trajtën përçmimit dhe mohimit të vlerave të tjetrit, e ka instrumentalizuar edhe trashëgiminë kulturore dhe fetare për nevojat e qëllimeve dhe fushatave aktuale politike, kombëtare dhe fetare. Dhe pikërisht monumentet më me vlerë janë instrumentalizuar më së shumti dhe si pasojë, janë kërcënuar nga barbarizimi, çka nënkupton edhe rrezikun për dëmtimin, e madje edhe për zhdukjen e tyre.
Për ta kuptuar sa më konkretisht problemin, do të marr shembullin e monumenteve më me vlerë që ka Kosova; Manastirin e Deçanit (UNESKO-ja e ka futur në listën e trashëgimisë botërore), Patrikanën e Pejës dhe Manastirin e Graçanicës. Në Kosovë ka edhe trashëgimi kulturore të kategorisë më të lartë, por këtu po kufizohem në këto tre monumente. Nuk ka dyshim se këto tri objekte të kultit, por edhe të arteve, janë një thesar me vlera universale dhe i takojnë njerëzimit, dhe jo ekskluzivisht ndonjë kulture, kombi ose religjioni të veçantë, pa marrë parasysh kush i shfrytëzon ato për nevojat e kultit.
Kuptohet, vlera e tyre universale nuk kundërshton faktin se ato janë ndërtuar në rrethana specifike kulturore dhe historike, dhe se bëjnë pjesë në kulturën e krishterë ortodokse. Mirëpo, në kontekstin e tensioneve të larta kombëtare dhe fetare në ish-Jugosllavi, qarqet nacionaliste serbe kanë bërë gjatë viteve '80 një reduktim radikal të qasjes ndaj kësaj trashëgimie kulmore, duke e nacionalizuar dhe politizuar në tërësi. Këto qarqe shpallën thjesht "serbizimin" e kësaj trashëgimie dhe për më shumë, i konsideronin ato si tapi të sojta historike që dëshmojnë se Kosova duhet t'i takojë Serbisë! Ndërkaq, historiografia objektive dëshmon të kundërtën, se nuk mund të pohohet kurrsesi se këto monumente kanë qenë serbe në kuptimin etnik të fjalës. Në kohën kur janë ngritur, ato kanë qenë tempuj të kultit të krishterë. Serbët në atë kohë nuk kanë qenë të konstituuar si komb në kuptimin modern të fjalës, ndërkaq në popullsinë e Kosovës mesjetare ka pasur edhe numër të konsiderueshëm të popullsisë krishtere që nuk kanë qenë me prejardhje etnike serbe, ose në përgjithësi sllave.
Thjesht, në Mesjetë edhe paraardhësit e shqiptarëve të sotëm kanë qenë po kështu krishterë, dhe vendet e kultit për të cilët po flasim këtu u janë dedikuar edhe atyre. Po kështu, edhe kur bëhet fjalë për krijuesit e këtyre kryeveprave që kanë mbetur anonim, sepse kështu e donte fryma e kohës, ata nuk kanë mundur të jenë artistët dhe mjeshtrit serbë, ose më saktë proto-serbë, por kanë qenë talentet nga një botë bizantine me prejardhje të ndryshme, pra arkitektë, dekoratorë, piktorë dhe ndërtues me prejardhje proto-greke, proto-sllave, proto-armene etj, ku pa dyshim mund të supozohet me shumë siguri se kanë pas edhe artistë dhe mjeshtër proto-shqiptarë, paraardhës të Onufrit, ose p.sh. gdhendësve të famshëm nga Reka e Dibrës.
Trashëgimia
Reduksioni më i rrezikshëm është ai politik kur trashëgimia kulturore me vlera universale shpallet si krye-tapi e "pronësisë" së Serbisë mbi Kosovën. Kjo tezë sa është politikisht e pasaktë (përmendoret e kulturës nuk duhet të shërbejnë kurrsesi si "tapi" kombëtare dhe shtetërore!), po aq edhe implicite raciste. Nacionalistët e sotëm serbë kanë demonstruar hapur superioritetin shtetëror dhe kulturor të serbëve në Kosovë, duke injoruar me këtë të drejtat demokratike dhe realitetin demografik të shumicës jo-serbe të popullsisë së Kosovës. Fakti se objektet më të rëndësishme të kultit janë trajtuar si "serbe", dhe janë përdorur në shkallën e "argumenteve historike" mbi bazat e të cilave shteti serb arsyetonte të drejtën e sovranitetit mbi Kosovën, kundër vullnetit të shumicës së qytetarëve të Kosovës, ka sjellë deri te pasojat dhe konsideratat e gabuara te shqiptarët, se vërtet këto objekte janë "serbe" dhe të kultit "armiqësor". Shqiptarët tradicionalisht kanë pasur respekt ndaj këtyre monumenteve, por "serbizimi" radikal i tyre ka ndikuar në humbjen e këtij respekti.
Madje, është shndërruar në një dis-respekt brengosës. Ku lloj i alienimit të shumicës së popullatës nga pjesa më e rëndësishme trashëgimisë kulturore të Kosovës edhe ka ndikuar në sulmet revanshiste të eksremistëve shqiptarë në mars të vitit 2004 ndaj objekteve të trashëgimisë kombëtare, kulturore dhe fetare të serbëve. Në këtë kohë janë djegur kisha ortodokse dhe Bogoslovia (Teologjiku) në Prizren, kisha ortodokse në Prishtinë etj, por për fat nuk ka pasur dëmtime të monumenteve më me vlerë. Nga ana tjetër, ku alienim nga vlerat dhe resurset e trashëgimisë së Kosovës, që ka ndikuar në trajtimin e një pjesë të saj si vlera armiqësore, të jomirëpritura dhe të huaja, është sforcuar edhe nga politika agresive dhe gllabëruese e shtetit serb dhe qarqeve nacionaliste serbe gjatë viteve '90 të shekullit të kaluar. Kjo pjesërisht vazhdon edhe sot ndaj vlerave arkeologjike, historike, kulturore dhe religjioze që janë klasifikuar si jo-serbe dhe po kështu objekte "armiqësore".
Shkatërrimet
Gjatë luftës, forcat ushtarake dhe paramilitare serbe kanë shkatërruar tempujt e kultit islamik (p.sh xhamitë në Gjakovë dhe Pejë) si dhe trashëgiminë historike dhe kulturore të shqiptarëve (p.sh kompleksin muzeal të Lidhjes së Prizrenit). Imperializmi kulturor serb është shfaqur edhe në aktin e uzurpimit të koleksionit të thesarit të Muzeut të Kosovës, që para luftës janë transportuar në Beograd, dhe ende nuk i janë kthyer pronarit të ligjshëm. Të gjitha këto që përmenda kanë ndikuar në krijimin e klimës së barbarizimit të përgjithshëm dhe të mohimit të ndërsjellë kulturor edhe në Kosovë. Negociatat për statusin e Kosovës e kanë adresuar çështjen e trashëgimisë dhe deri diku kanë arritur që të tejkalojnë qasjen dhe praktikën barbare, duke theksuar faktin se kemi të bëjmë me vlera universale, dhe jo partikulare. Edhe disa përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe kohëve të fundit sikur tregojnë tendencën e depolitizimit të statusit të trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke u kthyer kështu në parimet universale që ka edhe vetë feja ortodokse, dhe duke i ikur teorive reduksioniste se manastiret na qenkan pronë etnike dhe "tapi" të Serbisë dhe argument për vazhdimin e sundimit të saj mbi Kosovën. Në planin e Ahtisarit, që është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, monumenteve historike dhe kulturore me rëndësi të veçantë u garantohet mbrojtja edhe përmes krijimit të zonave nën regjime të veçanta që kanë për qëllim ruajtjen e vlerave arkitektonike dhe hapësinore, por edhe të kultit. Kjo nuk duhet shikuar vetëm si "lëshim" dhe "imponim" që negociatorët e Kosovës e kanë pranuar sa për sy e faqe, ose edhe nga mosdija dhe indolenca. Acarimi dhe barbarizimi i qëndrimeve e ka bërë disi të domosdoshëm një status kalimtar intervenues, të kujdesit të veçantë për këtë trashëgimi kulturore.
Por për statusin e tyre do të jetë vërtet shumë e rrezikshme nëse ato do të bëhen si një mish i egër në trupin e Kosovës, p.sh. si baza për infiltrimin e klerikëve dhe nacionalistëve radikalë serbë që nga një eksterritorialitet uzurpues do të mohonin tërësinë territoriale të Kosovës! Me këtë do të përjetësohej barbarizmi i trashëgimisë, duke i shndërruar manastiret në fjalë në pika nevralgjike të konflikteve në çdo gjendje të tensioneve apo krizës politike. Nga ana tjetër, edhe te pala shqiptare janë bërë përpjekjet që t'i iket kurtheve të barbarizmit të qëndrimit ndaj trashëgimisë kulturore. Nëse vojvodët shqiptarë nga Mesjeta e vonshme e deri në fillim të shekullit XX, pra gjatë sundimit otoman, kanë qenë të angazhuar nga respekti ose edhe me kontratë për mbrojtjen e dy manastireve, atë të Deçanit dhe të Patrikanës në Pejë, nga mujsharët dhe plaçkitësit e ndryshëm, dhe kanë arritur që t'i ruajnë në një gjendje shumë të mirë, këto monumente të trashëgimisë, por edhe e gjitha trashëgimia tjetër duhet dhe mund të mbrohen edhe në ditët e sotme, në mënyrë t'ua përcjellim edhe brezave të ardhshëm të Kosovës pa dëme dhe të pangarkuara me paragjykimet dhe hidhërimet e sotme.
Mbrojtja
Për Kosovën e pavarur mbrojtja e trashëgimisë kulturore do të jetë test i rëndësishëm nivelit të civilizimit. Është e domosdoshme ngritja e vetëdijes për vlerën, por edhe interesin e Kosovës që kjo trashëgimi të mbetet e pacënuar nga politikat dhe pasionet nacionaliste. Në Kosovë duhet të punohet më shumë për çrrënjosjen e paragjykimeve për manastiret ortodokse dhe në përgjithësi për monumentet historike, fetare dhe kulturore. Rrethimi dhe izolimi i manastireve, krijimi i zonave rezervat në afatet më të gjata është një politikë e gabuar, sepse mund të betonojë alienimin edhe paragjykimet e rinisë kosovare që nuk ka krijuar asnjë ide tjetër për këtë trashëgimi, përveç asaj shumë të gabuar dhe të rrezikshme, që e kanë tumirë dhe e propagandojnë edhe ndërkombëtarët, se ato janë monumente dhe trashëgimi serbe. Në programet shkollore dhe në media, posaçërisht në televizione duhet të luftohet ky paragjykim. Këto monumente sa janë serbe, edhe më shumë janë kosovare dhe i takojnë trashëgimisë së njerëzimit. Ky është qëndrim detyrimisht civilizues nëse nuk duam të përfundojmë si militantët islamikë në Afganistan që disa vjet më parë me një trimëri barbare shkatërruar figurat gjigante të Budës të skalitura nëpër shkëmbe.
Shkëlzen Maliqi : Balkanweb.com