Për një kategori shkeljesh të rregullave të qëndrimit, shtetet anëtarë të BE-së aplikojnë masa administrative gjobe, të cilat shkojnë deri në 3000 euro. Në rast se këto shuma nuk paguhen, atëherë personi i gjobitur nuk do lejohet të hyjë në atë vend, që i ka vendosur gjobën, deri sa ta paguajë atë me gjithë kamatë vonesën.
Me rëndësi është të dihet se cilat janë këto rregulla që shtetasit shqiptarë nuk duhet të shkelin:
Së pari, nuk duhet të shkelin afatin e lejuar të qëndrimit që është 90 ditë për 180 ditë.
Së dyti, nuk duhet të shkelin legjislacionin vendas, kryesisht atë mbi punësimin. Pra, nëse kapen duke punuar, ata bëhen subjekt i largimit dhe ndalimit të hyrjes.
Së treti, nuk duhet të bëhen problem për sigurinë publike, apo të përfshihen në aktivitete kriminale.
Së katërti, nuk duhet të bëhen barrë publike. Barrë publike janë personat të cilët nuk kanë të siguruar strehimin, ushqimin apo nevojat e tjera jetësore.
E thënë në mënyrë të përmbledhur, nëse shtetasit shqiptarë do të shkelin kushtet e lejuara për hyrjen dhe qëndrimin në një nga vendet e BE-së, atëherë ata do të penalizohen individualisht, - do t’u ndalohet hyrja në të gjitha vendet e BE-së për një periudhë deri në 5 vjet.
Të gjitha kushtet që u përmendën më lart që kanë të bëjnë me hyrjen dhe qëndrimin në zonën Shengen janë kushte që aplikohen për të gjithë të huajt në BE.