“Nëse kjo ka qenë pamja e qytetit antik të Albanopolit dikur, sot është e vështirë t’i prekësh edhe muret. Ne rikthehemi pas katër vitesh, por për fat të keq, siç ndodh shpesh në realitetin shqiptar, asgjë nuk ka ndryshuar. Qyteti antik i Albanopolit dergjet si një objekt pa vlerë”.
Ky qytet ka qenë kryeqendra e fisit ilir të Albanëve dhe është përmendur për herë të parë gjatë shekullit të dytë. Por, përveç ndonjë studiuesi, shkrimtari apo kërkuesi të pasionuar, si Alban Guri, askush tjetër nuk është kujtuar të shpluhurosë dhe të shkruajë mbi historinë e lavdishme të këtij qyteti, i cili tashmë është lënë plotësisht në harresë, aty në gjysmën e rrugës mes Fushë Krujës dhe Krujës.
“Dikur portat e qytetit ishin të mëdha dhe prej guri, ndërsa sot, për ta vizituar, duhen çarë ferrat”.
Rrënojat e qytetit antik të Zgërdheshit, që shumë dijetarë i kanë lidhur pashmangmërisht me Albanopolin e vjetër të përmendur nga gjeografi, astronomi dhe matematicieni Ptolemeu, shtrihen në jugperëndim të qytetit të Krujës. Qyteti antik zinte një sipërfaqe prej rreth 10 hektarësh dhe nga të gjitha anët ka qenë i rrethuar me mure të lartë e të fortë. Në cepa kanë qenë të vendosura kulla të larta, që kanë shërbyer si pika vrojtimi që përforconin më tej mbrojtjen e qytetit. Brenda mureve rrethuese mendohet të ketë pasur godina të rëndsishme.
Gjatë gërmimeve të shumta që janë bërë, sidomos para viteve ’90, në qytet është gjetur edhe një varrezë e vogël, ku varret me tjegulla paraqiten në disa variante. Gjatë fushatave të gërmimeve kanë dalë në dritë stoli të shumta bronxi; monedha të prera në Dyrrah, Apoloni, Lisus e Korkyrë; objekte hekuri dhe enë balte, nga të cilat 6 të plota.
Sipas studimeve të profesor Selim Islamit, qyteti ka lulëzuar nga mesi i shekullit të katërt deri në shekullin e parë para erës së re. Gjatë kësaj periudhe, Albanopoli ishte një ndër qytetet më të rëndësishme të Ilirisë dhe kishte marrëdhënie të fuqishme tregtare me qytete dhe treva të tjera.
Nga studimet e ndryshme mendohet se qyteti antik ka filluar rënien e tij diku pas pushtimit romak. Në këtë kohë ka filluar braktisja nga banorët, të cilët janë drejtuar drejt një vendbanimi tjetër, që mendohet të ketë qenë Kruja. Por, ky qytet antik, historia e të cilit për t’u rrëfyer do të donte orë të gjata e ndoshta ditë, sot dergjet i zaptuar nga ferrat, bagëtitë dhe gardhet e banorëve të zonës.
“Dëmtimet dallohen përgjatë të gjithë mureve të qytetit antik të Albanopolit. Katër vite më parë, kur kemi qenë për herë të fundit, kjo pjesë e murit ka qenë ende në këmbë. Ndërsa sot, siç mund të duket, është rrëzuar. Dhe jo vetëm kaq, por edhe pjesa tjetër e masivit të murit duket që ka marrë dëmtime të shumta dhe fatin, nëse nuk ndërhyet, nuk do ta ketë të gjatë”.
Në të gjithë zonën arkeologjike nuk ka asnjë njeri, që të kryejë funksionin e rojës, gjithçka duket e lënë në mëshirë të fatit. Shpesh para viteve ’90, në këtë vend vinin grupe pune, siç tregojnë banorët, të cilët jo vetëm merreshin me gërmime arkeologjike, por edhe kryenin pastrime dhe ndërhyrje restauruese dhe mirëmbajtëse në pjesët e mureve. Ndryshe nga sot, ku gjithçka po zhduket.
“Ja dhe një mur tjetër me gurë të mëdhenj, apo çiklopike siç quhen ndryshe, erozioni ka shkaktuar dëme të shumta përgjatë të gjithë trupit të tij, të cilat mund të dallohen lehtësisht. Një pjesë e mirë e gurëve, siç mund të duket, janë rrëzuar. Ndërkohë që më parë ky mur, edhe para katër vitesh kur kemi qenë për herë të fundit, qëndronte ende në këmbë. Sot pjesa më e madhe e tij është rrëzuar mbi vete, duke dhënë një mesazh të qarte se, nëse nuk do të ketë një ndërhyrje, edhe kjo pjesë e mbetur do të rrafshohet krejtësisht”.
Qyteti po zhduket ngadalë, duke marrë me vete historinë e lashtë të tij. Gurët janë shpërndarë kudo, një pjesë e mirë kanë rënë poshtë në greminat përreth. Dëmtime kanë edhe muret, godinat private apo ato publike, që kanë qenë të shumta në qytet, ashtu siç sot janë bërë më pak të dallueshme edhe duart e ndryshme të ndërtimit, që dikur dalloheshin lehtësisht. Qyteti, që duhet të ishte një destinacion i rëndësishëm turistik për vlerat që mbart në faqet e historisë, më së shumti nuk njihet, vizitohet nga pak të huaj dhe kaq. Asgjë tjetër nuk duket në horizont.
“Imagjinoni se si do të ruheshin në bote vende të tilla arkeologjike, e më pas bëni krahasimin me këto pamje, me mënyrën se si trajtohen ato në Shqipëri. Krahasimi duket vërtetë i dhimbshëm”.
Nga larg, rrënojat e qytetit nuk dallohen thuajse fare, e duket sikur shpejt edhe ato pak të mbetura do të përpihen nga dheu e mali, duke mbyllur në këtë mënyrë kapitullin e këtij vendi, i cili i mbijetoi mijëra shekujve, luftrave, historisë; por jo dorës së njeriut, e mbi te gjitha neglizhencës së shtetit.
Në çdo cep të botës, vende të tilla ruhen me fanatizëm si krenari kombëtare. Ndërsa për ne, ky qytet i lashtë ilir, nga i cili kemi marrë edhe emrin, është thjesht radhë të shkruara në enciklopedi apo fjalore. Albanopoli sot pret që dikush të kthejë kokën e të kujtohet, se ky qytet sot i braktisur nuk është thjesht një grumbull gurësh pa vlerë, por një pjesë e rëndësishme e identitetit tonë kombëtar. Të thuash jemi shqiptarë është e lehtë, por për të ruajtur rrënjët nuk mjaftojnë veç fjalët.