Ura Vajgurore nga Qelbesire ne Dimal!

Ura Vajgurore, nga 'Qelbesire' ne Dimal!

Reforma e re Territoriale e ka vendosur këtë qytetth, si një zonë pilot, që në bashkim me disa komuna do të krijojë një njësi funksionale, shumë më efektive sesa më parë. Për kryetarin e bashkisë së Urës Vajgurore, Syrja Ormënaj, kjo është e mundshme prej kapaciteteve, që posedojnë. Por, nga e thëna në të bërë ka një rrjedhë të madhe para dhe e ardhmja s’është aq e lehtë. Një nga qytetet më të reja të Shqipërisë e ka filluar jetën e vet nga fshati me emrin Qelbësirë, sot lagjja “Guri i Bardhë” në qytet, ndërsa mëton në të ardhmen emrin antik Dimal...

 

 

“Po se është vend i begatë dhe mban njerëz të mirë”, i përgjigjet pyetjeve tona të njëpasnjëshme 80 vjeçari, Foni Qyli. Ka një dorë të fortë, që me zakonin e punëtorëve të dikurshëm, do t’na e shtrëngojë fort. Nuk ka nevojë për kompliment, sepse sheh fytyrën përballë të ngërdheshur nga dhimbja. Burri me emrin e çuditshëm, sigurisht s’është nga më të vjetrit këtu, por është nga më aktivët e brezit të tretë dhe një nga pikat fokale të artit burimor vendas. Është gati të tregojë një histori të tërë për Urën Vajgurore edhe pse ngutet në këtë mëngjez të freskët nëntori. Ka qenë dikur shofer, ashtu si të gjithë banorët-punëtorë në këtë vend. Kjo shpjegon edhe faktin se qyteti prej zhvillimit të madh dhe vëllimit frenetik të punës s’pati kurrë kohë të merrej me imazhin e vet. Ende sot, Ura Vajgurore është kaotike sa i përket konceptit urban. Ajo që ka të plazmuar më shumë kujtesën e njerëzve për imazhin e saj, është viti 1997, kur u bë një nga betejat më pakuptim të kohës së demokracisë, që mori jetën e disa efektivëve të policisë sonë. Mu teksa mbante fjalën në nderim të tyre, kryetari i bashkisë Syrja Ormënaj projektonte dhe udhën e re, që u mundësua falë një investim pre 197 milionë lekë të reja dhe që po e ndryshon qytetin. Udha, sot, ka marrë disi formë dhe vazhdon të përmirësohet, pasi në një farë mënyre është porta e Beratit. Imagjinata e njerëzve këtu është pak e habitshme. Dhe, burri i vjetër, kalon disa gjëra, por me një zë të shtruar që të bën pjesë. Kuptohet, kur t’i mundohesh e do ta ndërpresësh, s’ka ndalesë. Për të, Dimali, qyteti antik pranë, ka qenë port dhe këtë e dinë të gjithë! Mundohem t’i them që ka pak evidenca për qytetin, por ai këmbëngul. Kur biseda kap mitet, duhet të shmangesh. Anipse burri është tejet i edukuar në gjithçka që thotë dhe bëhet tejet interesant kur flet për historinë e zonës. Ymeri, një nga koordinatorët e projektit të Reformës Territoriale, ndërhyn me shumë kujdes. Bir i kësaj zone, njeh pothuaj gjithçka që lidhet me etnografinë, urbanistikën dhe mbi të gjitha mentalitetin e banorëve. Relacionet e tij ka të ngjarë të kenë ndikuar për kthimin e Urës Vajgurore me një status tjetër. Nga përballë, kryetari i Bashkisë qëndron nonstop në kontakt me vartësit dhe thjesht ndjek i lirë bisedën. “Ai di shumë më tepër se unë për zonën”, përgjigjet me modesti. Biseda shkon te përkujtimi i fiseve t’vjetra të zonës, vllehët, zakonet, kohën e Italisë dhe shkëlqimin në kohën e socializmit. 

Për të ardhur keq, sot, Ura Vajgurore, nuk të lë përshtypje për asgjë dhe të mendosh është pasqyra hyrëse e Beratit. Rikonstruksioni i udhës me një investim bashkëkohor, parashikon një strukturë të tërë ndërtimore me trotuaret, ndriçimin dhe gjelbërimin, që mblidhet e gjitha në qendër të qytezës. Por, ende sot, qyteti është i paformë si shumë nga qytetet tona dhe mbase me reformën e re, do të fillojë të mendohet shumë më tepër...Kjo është arsyeja sepse Foni e mbyll bisedën dhe pyetjet i shkojnë koordinatorit të Reformës Territoriale.

 

Kthim pas

“Ka një fillim”, thotë ai. “Nëse do të funksionojë, atëherë Ura Vajgurore do të jetë realisht një bashki model”. Qytetthi, i ndërtuar në të dy anët e Osumit, daton pothuaj gati dy shekuj më parë, por në formën e një vendi banimi aneks të Konizbaltës, që dekada më vonë do njihej si Ura e Hasan Beut. Para kësaj kohe, e njihnin si  fshati “Qelbësirë”. Emër që i shkonte dhe i mbeti prej erës së rëndë të burimeve ujore me përmbajtje të lartë squfuri buzë lumit Osum. Arumunët, që ndërkohë e kishin pikasur vendin si të përshtatshëm për tranzitimet e tyre sezonale, ngritën kasollet dhe ngulmimin e tyre e pagëzuan me këtë emër, që në gjuhën e tyre do të thoshte pisllëk. Në fakt, plaku me kopetencë më sqaron se emri ka mbërritur nga një pemë e njohur me këtë emër të çuditshëm, por që na e kanë zhdukur italianët! Gjithsesi, burimet e squfurit, që lëshonin këtë erë katrahurë, e kishin një vlerë. Ato janë përdorur nga vendasit si burime kurative për shërimin e problemeve të lëkurës dhe gurëve. Derisa, një ditë, ai, vetë beu i Poshnjes, Hasan Beu, vendosi të bënte diçka për fshatarët e vet. “Ore, kur të vini herë tjetër, do merrni vesh se çdo bëj për Ju. Po të mos ishim ne s’kishte Urë Vajgurore”, na thotë pak orë më vonë, Meleq Lila, kreu aktual i komunës së Poshnjes. Ka një fare të drejte, pasi emrin Ura e Hasan beut e mori falë donacionit, që bëri një bej i Poshnjes në nder të banorëve të tij, që robtoheshin me varka... Vendi mori formë dhe filloi të kuptohej ndryshe nga rezervuaret e mëdhenj të vajgurit dhe një vendi guroreje, që u hap atypari. Ka të ngjarë që bashkimi i këtyre emrave të jepte kompozitën e njohur të qytetit: Ura Vajgurore. Foni fillon e bëhet shumë nostalgjik. Nostalgjia e tij është e të gjithë brezit të tretë e lidhet me formën që morën në socializëm. Burri bën të heqë kapelën tipike të punëtorit të socializmit, një si biçim berete. Pastaj numëron: SMT-ja mbante mbi 1000 punëtorë, kurse dy parqe të stërmëdha: i karburantit dhe transportit punësonin dhe 3000 të tjerë. Kishte edhe një Ndërmarrje prodhimi të materialeve të ndertimit, që kishte sërish qindra punëtorë dhe në këtë vend kishte edhe një ndërmarrje që merrej me furnizimin e Beratit. “E kupton se çfarë është Ura Vajgurore?!”-ma pret. Mundohem të marr pak ndihmë nga Ymeri dhe kryetari i bashkisë që e ndjekin të qeshur plakun. Ngritja u bë pak e nga pak.”Ju na kujtoni neve sikur nuk kemi bërë asgjë”, më thotë plaku, që tashmë drejton një grup popullor foklorikë nga më autentikët në vend. Jo, ia pres. Vendbanimi do të merrte pak jetë në vitet ’20 kur me një vendim të autoriteteve të kohës u bë një han, që të pushonin njerëzit që vinin prej Mallakastre. Si Ura e Hasan Beut, ajo funksionoi deri më 1948, kur mori emrin e ri. Gjatë kësaj kohe, ishte bërë qendër komune dhe kishte ndërtuar godinën e komune, godinën e xhandarmarisë dhe burgut, kur prej gurores, kishin filluar të bëheshin edhe shtëpitë e para me gurë.

Transformimi i vërtetë i vendit ndodhi pas Çlirimit të vendit. Në këtë vend u ndërtuan gati 25 vaska që rezervonin sasinë e vajgurit që dilte nga përpunimi i naftës në Uzinën e Përpunimit në Kuçovë. Autoritetet komuniste, duke përdorur dhe statusin e ri të banorëve, si punëtorë të vajgurit kërkuan të kishin një emër, që u përshtatej...

 

Intermexo

Por, ndërsa luftonin për status emëror, një emër i madh fshihej mes maleve. Këtë ma thotë me pathos kryetari i Bashkisë, që i jep legjendës se ky vend ka qenë port. “Po, janë gjetur dhe vende ku ankoroheshin anijet”, më sqaron teksa ngjitemi drejt Cukalatit. Syrja Ormënaj del se është edhe një mikpritës i madh, por i dashur me vendin e tij. Udhëtimin tonë e shfrytëzon të jetë direkt në zonën e vet dhe të prek gati çdo cep të saj. E paske emrin e bashkisë, i them. “Jam përpjekur, por do një procedurë të gjatë dhe pak përkushtim. Por emri Dimal, ia vlen”, më thotë. “Dhe për më tepër të gjithë e duan si emër të ri, pasi është shumë përfaqësues”.

...

Arkeologu oficer nga Vjena, dr. Praschniker erdhi në Dimal gjatë Luftës së Parë Botërore, por zbulimi i tij dhe kryesisht gjetjet në nekropolin e Dimalit u bënë nga e nderuara prof. dr. Aleksandra Mano dhe bashkëshorti i saj, Buhran Dautaj. Dy bashkëshortët arkeologë mbërritën në qytetin antik të Dimalit në vitin 1963-1964, pak para se znj. Mano të zbulonte pjesën më të madhe të teatrit antik të Apolonisë. Praschniker me saktësinë e ushtarakut kishte lenë gjurmën, që arkeologët e kohës së regjimit, falë mundësive e shfrytëzuan shumë mirë. Ne e kundrojmë nga sipër, tek një rrugë që shpesh ngushtohet dhe bëhet tepër e rrezikshme. E njohur si vendbanimi antik i kalasë së Krotinës ajo është pjesë e komunës së Cukalatit dhe një aset i mrekullueshëm turistik për Urën Vajgurore. Por, kur kryetarin e kap patosi mundohem ta ul me këmbët në tokë. “Nuk ke rrugë dhe nuk ke zbuluar end asgjë”, i them. Kalaja e mban emrin nga fshati me të njëjtin emër , në pjesën jugperëndimore të kodrës. Ne e përshkojmë në anën e kundërt kodrën që fshihet në një nga faqet e Shpiragut. Fshatrat Bistrovicë e Allambres i qëndrojnë përpara, teksa kodra ulet këndshëm me një varg tarracash që arrijnë deri në luginën e përroit të Cukalatit. Në evidencat historike, në shekullin e III para Krishtit, Demeter Fari, mbreti i Ardianëve, ish-komandanti i ushtrisë së mbretëreshës Teuta, vendosi një garnizon në Dimal, falë fortifikimeve gjigande, që sot mungojnë dhe e zbresin legjendën e banorëve deri në një thashethem të këndshëm. Gjurmët e pakta nuk mjaftojnë për të identifikuar kalanë, e cila ngrihet mbi një kodër me dy kreshta, por shqetësuese është edhe mungesa e mundësive për të gërrmuar dhe më shumë harresa e këtij vendi. Shteti post demokraci e ka gjithnjë e më të vështirë të gjejë paratë, që të financojë gërmimet. Megjithatë, zbulimet arkeologjike në kalanë e Krotinës përshfaqin zhvillimin e prodhimtarisë së qeramikës, prodhimet artistike në gurë dhe qeramikë, si dhe ato të zejtarisë.

 

Fshati dhe reforma

Ndoshta këtë mund ta bëj reforma, që në ndarjen e re, të parashikoj dhe potencialet që do lindin për zhvillim. Këtë bisedë bëjmë teksa ngjitemi në Cukalat. Por, fshati është gati në një gjendje emergjente. Një masë e madhe dheu ka rrëshqitur dhe ka dëmtuar shumë banesa. Arsyeja është e thjeshtë na thotë një punonjës i komunës: Asnjëherë pleqtë nuk ndërtonin në këtë vend, por në vitet e fundit u ndërtua pikërisht këtu. Dhe, shiko ç’bëhet. Janë prishur godina dhe shkolla dhe rrezikojnë shumë e shumë shtëpi. Larg këtyre: Ka një frymë, që nuk e gjen askund, dhe që ti e has në këtë vend të Shpiragut. Ajo që njerëzit duan të jetojnë mirë dhe punojnë ta bëjnë realitet. Dhe i janë dhënë shumë bujqësisë, sidomos ullirit, por nuk mbetet pas dhe blegtoria për të përmbushur të ardhurat dhe me emigracionin. Mbjellin gjërat kryesore, që nga drithërat dhe perimet, por edhe shumë foragjere. Shpesh, mundohen t’i gjejnë punë vetes. Pak minuta më vonë, këtë e shikon dhe në Allambres, ku një drejtor shkolle, jo vetëm ka krijuar mjedis të këndshëm, por përpiqet që njerëzit ta ndjejnë mirë veten në shkollën e tij. Probleme? Ka shumë, thotë drejtori, po kalojnë po të kesh pak vullnet. Ormënaj e di se sfida është e vështirë, po ndryshe nuk ia vlente, shprehet, duke nisur rrëfimin e tij.

...

Bashkia e Urës Vajgurore do ketë qendër Urën Vajgurore dhe do përfshijë veç bashkisë së qytetit edhe komunat e Poshnjes, Kutallisë, Cukalatit. Të 39,551 banorët, që jetojnë në hapësirën e re 200 km² duhet të tregojnë sesi funksionojnë. Është nga të pakët vende në Shqipëri që s’kundërshton, por që po pret ligjin të marrë udhë. Kam shumë plane, por edhe njerëz që duan t’i realizojnë, më shpjegon kryetari, që habitet kur i them se ka të ngjarë që plani i vjetër rregullues i qytetit të jetë bërë nga italianët. E beson?- i themi Ymerit. Patjetër, sqaron, njeriu që e ka propozuar atë dhe i lë fjalën kryetarit që sqaron se projekti funksionon ngaqë “Kanë një eksperiencë pune të gjatë si njësi të qeverisjes vendore. Shërbimet publike banorët e zonave përreth i kryejnë përgjithësisht në qendrën e bashkisë Ura Vajgurore. Nuk mungojnë  kapacitetet intelektuale për të krijuar stafe shume të afta në drejtimin dhe menaxhimin e njësisë. Nuk humbet identiteti i origjinës së banorit dhe ruhet tërësia territoriale e kësaj zone si një e tërë. Zvogëlohen distancat e qendrave të banuara të largëta nga qendra e njësisë, duke ulur shpenzimet. Por, shpenzime relativisht të vogla do ketë për mbajtjen e stafit drejtues. Hapen mundësi shumë të mira të menaxhimit të hapësirës urbane. Njësia e re vendore, që do të krijohet pas përfundimit të Reformës, është dhe do të mbetet porta hyrëse për në Berat, Skrapar dhe Kuçovë dhe do shërbejë si pasqyra e prezantimit të qarkut Berat. Resurset natyrore të kësaj zone si dhe rritja dhe fuqizimi i biznesit sidomos atij të përpunimit të inerteve të gurit dhe të lumenjve, fuqizimi i fermave private, përpunimit agro-industrial, plantacioneve me ullinj, dru frutorë, vreshta, perimeve të të gjitha stinëve, blegtorisë dhe përpunimit të produkteve të qumështit dhe mishit do ta bëjnë zonën më të begatë dhe me një jetesë shumë më të mirë se deri më sot”.

...

Është kaq e thjeshtë? Aspak, na thotë teksa kthehemi në muzg, koordinatori i Reformës por këta njerëz e dinë çfarë bëjnë. Ndërsa jemi ndarë me vendasit dhe rruga fillon e bëhet pak e vështirë në kthim, nga diku, plaku Fon po i shpjegon me duar e këmbë një banori diçka. A do kthehet dot Dimali i ardhshëm, një pikë e vërtetë ndryshimi? Këtë se themi dot sot. Në vjeshtën ’14.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama