Filmi ne Institutin Italian te Kultures
- Botuar: 15 vite më parë
- Shkruar nga:
Në kuadrin e festimeve me rastin e 150 vjetorit të bashkimit të Italisë, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, krahas aktiviteteve të tjera, organizon edhe shfaqjen e disa filmave italianë në ambientet e tij.
Të hënën, më 15 nëntor, ora 16:00, në ambientet e katit të parë të Institutit do të shfaqet filmi “Kuptimi” i regjisorit Luchino Visconti dhe me aktorët Alida Vali dhe Farley Granger. Ngjarjet zhvillohen në Venecia, në vigjiljen e betejës së Custozë-s. Një patricë venedikase, kontesha Livia Serpieri, është e dashuruar marrëzisht me oficerin austriak, Franz Mahler. Livia e verbuar nga pasioni i jep paratë e destinuara për patriotët italianë njeriut që pretendon se e dashuron. Pasi zbulon mashtrimin dhe tradhtinë, fisnikja kërkon hakmarrjen.
Të mërkurën, më 17 nëntor, ora 16:00, shfaqet filmi “Në emër të Papës mbret” me aktorin Nino Manfredi dhe regji të Luigi Magnit. Në sfondin e mocioneve romake të 1867, gjykatësi kishtar Monsinjor Kolombo da Priverno, i kritikuar tashmë për pushtetin e përkohshëm të Kishës, zbulon se ka një djalë 20 vjeç. Djaloshi i akuzuar për atentat në një kazermë është në burg, por prelati arrin t’i sigurojë lirinë.
Të premten, në 19 nëntor, ora 16:00, “Në vitin e zotit” me Claudia Cardinale, Britt Ekland e Nino Manfredi. Regjisor është Luigi Magni. Roma e 1825-s: dy karbunarë, Leonida Montanari dhe Angelo Targhini janë dënuar me vdekje sepse kanë tentuar t’i bëjnë atentat një spiuni, fisnikut Don Filippo Spada, i cili kishte tradhtuar kauzën. Dy të dënuarit vizitohen në qeli nga një frat, i cili u kërkon të pendohen për veprat e tyre. Por çdo përpjekje është e kotë. Dy revolucionarët të pandjeshëm ndaj thirrjeve të fesë tallen me fratin e mirë që nuk dorëzohet.