Në kuadrin e Javës Teatrore të të Rinjve në datën 1 dhjetor, ora 19:00, në Sallën e Re të Teatrit Kombëtar në Tiranë do të shfaqet premiera e komedisë “Nusja dhe vjehrra” të Carlo Goldoni me regji të Alma Hotit. Në qendër të kësaj komedie është një familje, babai, nëna, djali dhe një nuse, por ajo nuk është e preferuar e vjehrrës, sepse vinte nga një familje aristokrate.
Vjehrri i nuses merret me gjëra të vjetra, si antikuarë, krijon një muze dhe i harruar me këto ai nuk kupton që shtëpia po i shembet nga problemet mes nuses dhe vjehrrës, të cilat grinden pa fund. Djali vihet në udhëkryqe, sepse ai nuk di se kujt t’ia prishë apo t’ia ndreqë mes nënës dhe nuses. Carlo Osvaldo Goldoni (25 shkurt 1707 – 6 shkurt 1793) ka qene një dramaturg dhe libretist italian nga Republika e Venedikut. Në veprën e tij bëjnë pjesë disa nga dramat më të famshme italiane të dashurisë. Spektatorët i pëlqenin dramat e Goldonit se përbënin një miks të natyrshëm ndërmjet mendjemprehtësisë dhe sinqeritetit.
Pjesët e shkruara prej tij janë një pasqyrë e kohës duke dramatizuar shpesh jetën, vlerat dhe konfliktet e klasës së mesme që po lindte. Pjesë të tjera teatrale që do të shfaqen gjatë javës teatrore të të rinjve janë “Përse nuk rri për mëngjes” të autorëve Ray Cooney dhe Gene Stone me regji te Rozina Kostanit, “Për mua, atë dhe të tretin” me autor Aqif Mulliqin dhe regji të Sonila Kapidani dhe “Andi dhe Norman” e Neil Simon me regji të Andia Xhungës.