Filmi Shok nuk ben propagande rrefen histori njerezore

Filmi 'Shok' nuk ben propagande, rrefen histori njerezore

Petriti (Lum Veseli) dhe Oki (Andi Bajgora) janë dy shokë të ngushtë, të cilët kalojnë peripeci gjatë luftës në Kosovë. Historia e tyre rrëfehet në filmin “Shok”. Rikthimi te këto përjetime tragjike, kësaj here është realizuar nga një regjisor anglez, Jamie Donoghue, i cili para pesë vitesh gjatë qëndrimit në Kosovë, krejt rastësisht mësoi tri histori tragjike, që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Pas kësaj, ai vendosi që t’i rrëfejë ato në mbarë botën, me dëshirën që të vërtetat e asaj periudhe të mos tjetërsohen.

Këto histori jetësohen edhe më shumë pas nominimit të filmit, “Shok”, në kategorinë e filmave më të mirë të shkurtër për Oskar. Subjekti i filmit është mbështetur në tri histori të vërteta, rrëqethëse, të cilat vijnë nga gjenocidi serb, që ndodhi në Kosovë në vitet 1998-‘99. Madje, njëra prej historive i përket producentit, i cili njëkohësisht dhe aktor në film, Eshref Durmishi. Ai rrëfen kësaj here, por jo në rolin e viktimës., sikurse ishte asokohe, kur ushtarët serb e dhunuan teksa shkonte në shkollë. Në film ai luan rolin e një agresori për të përcjellë më së miri ata që ka ndodhur vite më parë, në fëmijërinë e tij. Tri historitë, që e kanë detyruar regjisorin anglez Jamie Donoghue që të xhirojë filmin e tij “Shok” në Kosovë do të prezantohen gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve. “Oskar”. në datë 28 shkurt krahas filmave: “Ave Maria”, “Day One”, “Stuterer” dhe “Everything ëill be okay”. Filmi është xhiruar në Mitrovicë dhe është koproduksion mes Kosovës dhe Anglisë.

Eshref, filmi “Shok”, është nominuar për Oskar. Por si lindi ky film?

Puna për realizimin e këtij filmi ka filluar para pesë viteve. Unë me regjisorin dhe skenaristin e filmit, Jamie Donoughue, jemi takuar dhe kemi biseduar për shumë gjëra kur ai vinte në Kosovë. Ai është prekur nga historitë që kanë përjetuar njerëzit gjatë luftës në Kosovë. Regjisori para se të vinte në Kosovë, atë që kishte ndodhur e shihte thjesht si luftë, sepse nuk ka pasur shumë informacione. Kur erdhi më pas u informua se aty kishin ndodhur krime të rënda, prandaj ai vendosi që të shkruajë skenarin e një filmi, nëpërmjet të cilit t’i tregojë gjithë botës, që nuk e di se çfarë ka ndodhur në Kosovë, të vërtetën, nëpërmjet historive njerëzore.

Për këtë arsye ai ndalet në tri histori reale, njëra prej tyre ju ka ndodhur juve?

E vërtetë janë të trija histori reale, një prej tyre më ka ndodhur mua në moshën 14-vjeçare. Një paramilitari serb më ka rrahur teksa isha duke shkuar në shkollë, vetëm sepse nuk dija serbisht.

Ndërkohë duhet të jetë sfiduese, që në film luani rolin e një paramilitari serb?

Ka qenë interesante që regjisori më la mua rolin e një paramlitari serb, sepse faktikisht mua më ka ndodhur e kundërta. Ka qenë sfiduese në fillim që ta luaja atë rol, por më pas u ktheva në kujtesën emocionale, sepse e shihja si një film, atë ç’ka më kishte ndodhur. E dija sesa i fuqishëm mund të ishte ai paramilitar serb, që rrahu një fëmijë të pambrojtur.

Por realisht cili është mesazhi që ju doni të përcillni nëpërmjet këtij filmi?

Unë personalisht duhet të them se ne nuk duhet që ta harrojmë asnjëherë luftën. Madje duhet ta kujtojmë edhe të bëhemi më të fortë, të marrim forcë për të mos u ndalur përballë asgjëje. Unë e kujtoj përherë këtë gjë në jetën time.

Tashmë jeni fitues i 16 çmimeve...

Deri më tani janë gjithsej 16 çmime dhe pretendent për Oskar.

Çfarë e bëri këtë filmi pretendent për Oskar?

Ne në prill kemi pasur premierën botërore në Kolorado, ku filmi është shpërblyer me 3 çmime. Njëri prej tyre ka qenë çmimi “Filmi më i mirë”, ky festival i kategorisë A i ka dhënë të drejtën që të konkurronte filmit “Shok” dhe për Oskar. Besoj se është puna e palodhshme, dashuria dhe përkushtimi që i jep filmit, gjëra të suksesshme.

Është kjo një “shuplak” dhe për Serbinë, që u përpoq që të mos futej Kosova në UNESCO?

Pas lajmit që Kosova është dominuar në Oskar mediet serbe janë munduar që t’i prishin shumë punë, imazhit të filmit dhe Kosovës, duke thënë se:“Diaspora, mafia shqiptare kanë bërë një film për propagandë dhe kanë paguar që të shkojnë në Oskar”. Realisht këtu nuk ka asnjë gjë propagandë, sepse ne kemi dërguar për Oskar një film me ngjarje të përjetuara. Ndërkohë filmi që serbët konkurruan ka qenë plotësisht propagandë kundër Kosovës.

Së fundmi, cila është pritshmëria juaj nga ky Oskar?

Ne kemi arritur kaq larg. Por për ne si artistë dhe për kinematografinë e Kosovës mund të them se tashmë e kemi fituar Oskarin, sepse ne do të jemi pjesë e kësaj feste kur të ndahen çmimet. Kjo është një fitore shumë e madhe. Presim që të marrim dhe më shumë nga kjo, jo vetëm nominimin dhe vlerësimin nga disa media të rëndësishme, sepse kjo gjë mund të ndryshojë nga dita në ditë. Ne nuk ndalim para kësaj, por jemi duke bërë lobimin për këtë gjë.

Është një film kosovar, në të gjitha drejtimet

Producenti tjetër i filmit “Shok”, Harvey Ascot, rrëfen se para pesë vitesh, bashkë me regjisorin, Kosova u është dukur një vend i këndshëm dhe me njerëz interesantë. Nga kurioziteti për të zbuluar edhe për shumë për njerëzit atje, ata e zgjatën qëndrimin e tyre në Kosovë. Çdo gjë u dukej mbresëlënëse, njerëzit dhe historitë e tyre. “Këto ishin arsyet që ne vendosëm të prodhonim një film për Kosovën”. Teksa shprehet se ky film është kosovar në të gjitha drejtimet, shton se është realizuar me ndihmën e anglezëve. “Është një film në gjuhën shqipe dhe me kast shqiptar. Me pak fjalë është krijuar një film kosovar nëpërmjet ndihmës angleze”. Sipas producentit, ky film është i mirë, për shkak të skenarit të mbështetur në histori të vërteta.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama