Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, do të shkelë të mërkurën tokën shqiptare si lideri i parë serb në një vizitë zyrtare, vizitë që mund të konsiderohet si historike nëse shohim marrëdhëniet e tensionuara të serbëve me shqiptarët përgjatë shekullit të fundit.
Qëllimi i shprehur i vizitës sipas tij është përmirësimi i marrëdhënieve rajonale të trazuara së fundmi nga ngjarjet në Kumanovë.
“E shoh vizitën e kryeministrit Vuçiç në Shqipëri si një hap pozitiv për marrëdhëniet mes dy vendeve. Fqinjësia e mirë do na ndihmojë më tepër për të hyrë në Bashkimin Europian,” tha për BIRN Vasili, një taksist.
Por për disa të tjerë mbërritja e kryeministrit serb mund të mos jetë lajmi më i mirë i ditës.
“Vizita e kryeministrit serb sipas meje është e urdhëruar nga Europa dhe nuk besoj se do t’i sjellë ndonjë ndikim Shqipërisë,” tha për BIRN, Kisida me profesion përkthyese.
“Mendoj se Vuçiç mund të jetë duke na vizituar me një synim dytësor, atë të hakmarrjes për deklaratën provokuese të bërë nga kryeministri Rama në Beograd,” shtoi ajo.
Kryeministri Rama e vizitoi Beogradin më 10 nëntor nën frymën e tensionuar që solli incidenti i ndeshjes së futbollit për kualifikimin në Euro 2016 mes Serbisë dhe Shqipërisë. Rama ishte gjithashtu lideri i parë shqiptar që vizitoi Serbinë që nga vizita e diktatorit Hoxha në vitin 1946.
“Kryeministri serb po e viziton Shqipërinë për qëllimet e vendit të tij dhe për t’u dukur se Serbia po përpiqet për të përmbushur kushtet e aderimit në Bashkimin Europian,” tha për BIRN, Alda, një banore në kryeqytet që është e vetëpunësuar.
Të dyja shtetet kanë synim të përbashkët anëtarësimin në familjen e madhe të Bashkimit Europian, megjithëse se BE-ja i ka ngrirë hyrjet e reja për pesë vitet e ardhshme.
“Nuk më pëlqen kjo vizitë. Për sa kohë Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur, mbajtja e marrëdhënieve në dukje të mira me të është një vrimë në ujë për interesat tona kombëtare,” tha për BIRN, Agimi, pronar i një biznesi të vogël në Tiranë.
Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë kanë qenë të dobëta dhe u përkeqësuan edhe më shumë gjatë konfliktit të fundit të viteve 1990 në Kosovë.
“Sfidat e Shqipërisë me veten duhet të jenë prioritet i qeverisë në këto momente. Për sa kohë populli është i varfër dhe rinia e papunë nuk mendoj se duhet të merremi me ‘qoka’,” tha për BIRN, Monda, një pensioniste.
Vizitat e kryeministrit Vuçiç do të zgjasë dy ditë dhe do të shoqërohet nga masa të rrepta sigurie. Ai do të takohet me kryeministrin Rama, kreun e kuvendit Ilir Meta, presidentin Bujar Nishani dhe kryebashkiakun e Tiranës Lulzim Basha. Vuçiç do të jetë gjithashtu pjesëmarrës në forumin ekonomik të rajonit që do të zhvillohet në Tiranë në 28 maj.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë apo Jugosllavisë kanë qenë gjithmonë të mbushura me mosbesim dhe armiqësi. Në periudhën pas Pavarësisë së Shqipërisë marrëdhëniet qenë të tensionuara për shkak të dëshirës së Serbisë për të siguruar një dalje në Detin Adriatik, përmes Shëngjinit ose Durrësit. Burime të ndryshme historike aludojnë se Serbia dhe shteti pasardhës, Mbretëria e Serbëve Kroatëve dhe Sllovene, qe financuesi i disa kryengritjeve destabilizuese dhe përpjekjeve për të kontrolluar Shqipërinë përmes kukullave të tyre. Përgjatë viteve 1930, Shqipëria u bë strehë e një numri të konsiderueshëm shqiptarësh që u shpërngulën në valë të ndryshme për shkak të persekutimit nga zonat që sot janë Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore komunistët jugosllavë konsiderohen si një faktor kyç në krijimin dhe fuqizimin e Partisë Komuniste Shqiptare, gjë që solli edhe një periudhë të shkurtër marrëdhëniesh miqësore mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, marrëdhënie që zgjatën deri në vitin 1948. Gjatë këtyre katër viteve, Shqipëria u konsiderua si një shtet satelit i Jugosllavisë, ndërkohë që Jugosllavia në shkëmbim shpenzoi shuma të mëdha parash dhe krijoi një numër kompanish të përbashkëta duke e shtyrë Shqipërinë efektivisht drejt rrugës së bashkimit me Jugosllavinë.
Qeveria komuniste shqiptare pati një luftë të brendshme në vitin 1948, e cila përfundoi me ekzekutimin e një pjese të madhe të byrosë politike, e cila u akuzua si pro-jugosllave.
Marrëdhëniet mes dy vendeve mbetën të ngrira pas kësaj për shumë dekada dhe filluan të përmirësohen pas viteve 1970, kur Jugosllavia dha më shumë të drejta për shqiptarët e Kosovës dhe nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë për të siguruar tekste shkollore në Shqip për sistemin shkollor mes popullsisë shqiptare në këtë vend. Pedagogët e Universitetit të Tiranës u angazhuan në një program shkëmbimi me pedagogët e Universitetit të Prishtinës.
Marrëdhëniet u përkeqësuan sërish pas vitit 1978 pas protestave të shqiptarëve në Kosovë. Shqipëria dhe Serbia filluan të rindërtojnë marrëdhëniet politike dhe ekonomike pas rënies së Millosheviçit nga pushteti në fund të vitit 2000.
Vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd vitin e kaluar dhe vizita e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç në Tiranë shihen si pjesë e nxitjes diplomatike Europiane për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
Por për shkak të historisë së pasur me intriga, çdo lloj marrëdhënieje mes dy vendeve vijon të shihet me dyshim.