Për ata që nuk e dinë: Lumenjtë, e ashtuquajtur të egër, që i kanë mbetur ende kontinentit tonë, rrjedhin nëpër Ballkan. Por, habitatet e kafshëve dhe bimëve të jashtëzakonshme në to, sot po kërcënohen nga ndërtimi i digave. Në veçanti, “Vjosa” ka ngjallur një interesim ndërkombëtar për ta mbrojtur në kushtet në të cilat ndodhet. Një lëvizje ndërkombëtare, e përfaqësuar prej Riverwatch dhe Euronatur në bashkëpunim me EcoAlbania në Shqipëri, kanë nisur fushatën “Të Shpëtojmë Zemrën Blu të Evropës” për këtë qëllim. Sa do t’ia arrijë? Sfida ka nisur, kurse “Miqtë e Vjosës” po shtohen me qëllimin e vetëm që Ajo...të shpallet Park Kombëtar
Ka pak ditë që Vjosa, sëbashku me motrat e veta në Jug të Shqipërisë janë sertuar. Nga një furgon i pajtuar prej “EcoAlbania”-s (gati një javë më parë), ndjekim meandrimin dhe vende-vende pushtimin e egër të saj. Ndanë Novoselës, uji shtriqet i qetë në fusha, kurse përtej lumi rrjedh ende me tërsëllimë. Tre orë më vonë, në një kohë plumbi, mbërrijmë në Tepelenë. Vjosa është qetuar disi, por banorët e shumtë që janë mbledhur për të folur me rastin e një turi-njohës që po realizon EcoAlbania, ndjehen si të frustruar. Fjalosen. Afrohen pak e nga pak në një sallë në qendër të qytetit të bjerrë. Në traditën e zonës, nuk lënë romuzet që ndjekin këdo. Miqve u bëjnë korte. Salla e errët dhe tejet e mërzitshme e shton dramaticitetin e mbledhjes. Patetizmi sundon...Banorët flasin nën zë, por duket se një pjese, fare pak i bën përshtypje “EcoAlbania” dhe partnerët e saj, të Shoqërisë Civile, që kanë marrë përsipër mbrojtjen e lumenjve si Vjosa, me potenciale të mëdha natyrore prej zhvillimit të pakontrolluar të projekteve të hidro-energjisë.
Shpejt mosbesimi dhe bezdia davaritet. Përfaqësuesit e “Eco Albania”-s, të mbërritur prej një dite, i orientojnë në takimin e radhës, ku Prof. Aleko Miho, Dr.Vera Bekteshi dhe aktivisti i njohur gjerman i lumenjve Ulrich Eichelmann, u rrëfejnë në një diskurs shkencor-qytetar rëndësinë e ngritjes së një Parku Kombëtar përgjatë luginës shqiptare të Vjosës. Gjermani, përfaqësues i organizatës “Riverwatch”, në fundin e vitit, ka bërë të njëjtën gjë, duke u folur direkt banorëve të Përmetit, duke ua detajuar rëndësinë e kësaj pasurie të rrallë natyrore. Si ndodh zakonisht me shqiptarët, takimin fillimisht s’e marrin seriozisht, por studiuesit s’duan t’ia dinë. Bekteshi mban një fjalë përmbledhëse duke e lënë me kortezi të flasë Eichelmann-in.
52 vjeçari flet shkurt dhe falë power point i shpalos qartë idetë e veta. Janë gati 600 diga, që do bëhen nga Sllovenia deri në Shqipëri. Nuk pitëtin askush. Ne do të donim, që ju të mos bënit gabimet tona, paçka se evropianët ndihmojnë edhe këta që bëjnë diga, u thotë ai qytetarëve. “Vjosa është një ndër lumenjtë e vetëm të egër të mbetur në Evropë e si i tillë duhet mbrojtur”, thekson. Është një idealist pak i çmendur në variantin shqiptar. Apelin e ka paraqitur në një artikull interesant të ‘Der Spigel’, në versionin anglisht, kurse “Geo Magazine”, pas kësaj, është mrekulluar me Vjosën duke i atribuuar dy faqe. Vendasit heshtin.
Disa gra flasin dhe qesëndisin njëra-tjetrën. Anipse, studiuesit vijojnë: “Nëse Shqipëria do të futet në BE, një nga këndvështrimet do të jetë: po ‘çfarë mund të na ofrojë ne’ dhe kjo nuk do të jetë industria, por natyra. Ta quajmë si shtim të vlerave të BE-së”, dëgjohet burri. Prof. Miho i kthjellon të gjithë, kur u thotë shkurt: “Ne e vrasim Vjosën po u vazhdua kështu dhe për fat ne kemi mundësi ta mbrojmë pikërisht me legjislacionin e BE-së, duke mos i ndërtuar digat e hidrocentraleve”. Me pak fjalim duhet të ndalojmë 8 digat, që planifikohen të ndërtohen shpjegon. “Çertifikimi më i mirë i këtij lloj rajoni është parku kombëtar”, e mbyll gjermani, që me gjuhën e trupit dhe pamjen atletike, u tregon se sfida ka filluar dhe tashmë topin e kanë ata njerëzit e Vjosës.
Intermexo
Prej kohësh Eco Albania ka filluar turin informues, që quhet “Takimet e Vjosës”. Ka qenë në Çarshovë, ishte në Tepelenë dhe do vazhdojë në Selenicë e Novoselë, për t’u përmbyllur në Tiranë me “Ditën e Vjosës”.... Qëllimi kryesor i kësaj fushate është ruajtja dhe mbrojtja e ekosistemeve lumore në gadishullin e Ballkanit, të cilët ndodhen ende në gjendje pothuajse natyrore. Kjo fushatë, që ka përmasë më të madhe, përqendrohet në tri zona kryesore, që bartin vlerat më të larta nga pikëpamja ekologjike: Lumi Vjosa; Parku Kombëtar i Mavrovës në Maqedoni; dhe Lumi Sava në Slloveni, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi.
Pse duhet Park Kombëtar
Banorët fillojnë e diskutojnë, por në mbledhjen e Tepelenës ndjehet pikërisht se zonat ku kalon Vjosa nuk përfaqësohen në masën që kërkohet. Arroganca e Vjosës në terren, në këto ditë, nuk i lë të vinë e të flasin in person në këtë sallë. Ndërkohë që Ulrich Eichelmann dhe Olsi qw drejton EcoAlbania nuk kanë kohë. Pak orë më vonë do jetë në Maqedoni. Lufta vazhdon kudo. Pamjet që paraqet tregojnë realisht rrezikun. Përmend një shifër që i kalon të 570 diga dhe penda, që po ndërtohen nga Sllovenia deri në Jug të Shqipërisë. Konservatori i thekur, që me organizatën e tij Riverwatch prej vitesh lufton, shton: “Vjosën nuk e gjen asgjëkundi në Evropë” dhe sjell atë që u ka thënë të gjithëve: “Vlera më e madhe e saj është gjendja natyrore si një ekosistem në tërësi. Ndërtimi i digave do të shkatërronte këtë ekosistem unik dhe potencialin e tij të lartë për shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore në të ardhmen”. Flet me patos dhe shpesh zëri i humbet, por përkthimi i koleges së tij, Bekteshi, e bën sërish prezent. Ka një fat për Shqipërinë, shton- me sjelljen e tanishme të qeverisë shqiptare dhe disi predispozitën për të ndaluar. Fjala është për hidrocentralin e Kalivaçit, në ndërtim e sipër, punimet e të cilit aktualisht janë ndërprerë. Por, andrallat e Vjosës, s’janë vetëm në Shqipëri: Plani Grek i Menaxhimit, miratuar nga Qeveria Greke, parashikon devijimin e një sasie të ujërave të lumit Vjosa drejt liqenit të Janinës. Projekte të tilla do ta shkatërrojnë këtë ekosistem lumor unik. Edhe pse qeveritë respektive, i kanë mbrojtur projektet, këto bien ndesh me legjislacionin e BE-së si Direktiva Natura 2000 dhe Direktiva e Rrjetit të Ujërave. Ndaj, qëllimi është të formojmë një deklaratë që pellgu i Vjosës të shpallet Park kombëtar, shpjegon Miho. “Projekti sigurisht kushton shumë, por unë jam i bindur se mund të mbledhim para nga ndërkombëtarët për një diçka kaq të madhe, pasi është unik në kontekstin evropian”, thotë ai, teksa u shpjegon se ndërtimi i HEC-eve ofron vërtetë punësim sezonal, por shkatërron turizmin, që sjell shumë më tepër të ardhura, nëse kemi Park Kombëtar.
Organizimi dhe sensibilizimi
Na duhet që t’u shpjegojmë edhe ne pak njerëzve që kemi përreth qëllimin. Shumë duken konfuzë. Ka indiferentë. Problemi është ai që e shikoj që në fillim: Nuk kanë ardhur pikërisht ata, me të cilët përballet Vjosa. Tepelenasit, edhe pse banojnë pak qindra metra lart Vjosës, duken indiferentë. Gratë e administratës duket se e kanë shfrytëzuar t’ia hedhin punës, kurse burrat e ndjejnë si angari. Kjo e bën disi sfidën e këtyre ambientalistëve të lodhshme. Megjithatë, kjo nuk i tërheq. Përpjekja e Riverwatch dhe Euronatur, në bashkëpunim me EcoAlbania në Shqipëri mbetet: mbrojtja e lumenjve me potenciale të mëdha natyrore. Në fakt procesi ka nisur që tre vjet më parë, ku janë kryer studime dhe janë mbledhur të dhëna mbi hidromorfologjinë e lumenjve të Ballkanit. Nga faza studimore e fushatës ka rezultuar se lumenjtë në Gadishullin Ballkanik janë ndër lumenjtë e ruajtur më mirë në tërë Evropën. Këtë mrekulli mundohen të shpjegojnë në takimet e tyre ambientalistët.
“Miqtë e Vjosës”
E gjitha tani po kthehet në një lëvizje, e cila ka filluar me gati 10 organizata mjedisore, që kanë firmosur “Deklaratën për Mbrojtjen e Lumit Vjosa” e që synojnë të ndërgjegjësojnë publikun mbi vlerat ekologjike dhe cënueshmërinë e lumit Vjosa; ndalimin e ndërtimit të digave të planifikuara në lumin Vjosa; koordinimin dhe hartimin e një masterplani me zona të ndaluara për ndërtimin e digave, që duan të kulmohen si qëllim me Shpallja e Vjosës “Park Kombëtar”. Por për këtë duhen ende shumë aktivitete sensibilizuese dhe mbështetje: “që Qeveria Shqiptare të angazhohet në mbrojtjen e këtij lumi duke ndaluar projektet e ndërtimit të digave si dhe duke kërkuar transparencë të plotë nga pala greke për marrëveshjet ndërshtetërore mbi lumenjtë. Vjosa duhet të mbrohet në të gjithë gjatësinë e saj për një bashkëjetesë harmonike mes shoqërisë, natyrës dhe shkencës”, shprehet prof. Miho.
Paradoks
E megjithatë Vjosa s’është vetëm. Edhe rreth 60% e lumenjve të Ballkanit janë në kushtet e saj, ku për hir të së vërtetës puna ka nisur me ndërtimin e shumë objekteve të energjisë. Paradoksalisht, paratë i japin institucione të nderuara ndërkombëtare si Deutsche Bank, vetë Banka Botërore dhe European Bank for Reconstruction and Development (EBRD). Dhe, paradoksi ndjek një tjetër syresh, teksa vendet e Ballkanit, duhet që në procesin e Bashkimit në BE, t’u përmbahen problemeve ekologjike!!! Kolegët gjermanë e kanë nisur protestën e tyre me një letër drejtuar direkt Bankës Botërore dhe EBRD, kur kanë trajtuar rastin e Mavrovo. “Ne jemi të surprizuar sesi institucionet tuaja kanë arritur edhe t’i mbështesin këto projekte. Projektet minojnë idenë e vërtetë të Parqeve Kombëtare dhe dhunojnë Ligjin e BE-së një të tillë si Direktivat e Natura 2000 dhe Direktiva e Rrjetit të Ujërave. Nëse këto do shkatërrohen si tonat më ’70, ato do të bëhen me ndihmën tonë”, ua shpjegon Ulrich Eichelmann, të ftuarve. Tepelenasit lirohen dhe flasin, Shpesh patetikë, por më shumë akuzues, ata i përvishen kujtdo. Disa janë më të kuruar dhe e shikojnë si të mirë përpjekjen. Të tjerët nguten të firmosin. Kur gati një orë e 40 minuta më vonë tubimi është mbyllur, ata, pothuaj e kanë firmosur të gjithë deklaratën, që mëton të mbushet me firma të tjera dhe t’i përcillet qeverisë shqiptare. “Nëse do vinin fshatarët atëherë do të shikoje se çfarë do flisnin për Vjosën. Ata po e përdhunojnë Vjosën. Këta privatët nuk duan t’i dinë fare. Po, këtyre qytetarëve as u dhëmb fare”, më thotë një polic. Paradoksi i BE-së më bashkohet me paradoksin e banorëve dhe me vetë policin. Kjo s’është e re, që ne jemi indiferent për vendin tonë.
...
Shumë nga vendet e Ballkanit s’janë anëtarë të BE-së, por sot janë të zhytur në një të tillë krizë saqë mjedisi është gjëja e fundit, që u shkon ndër mëndje. Për fat, Shqipëria ka dhënë shpresë, me anulimin e shumë lejeve. Hidrocentrali i Kalivaçit, që është afër, është ndalur!Sa do të vazhdojë. Ka ende kohë. Të paktën këtë mendojmë, kur marrin udhën në kthim, në një kohë që po i lë vend ylberit, si shenjë e vullnetit të mirë. A do ta shpëtojnë Vjosën, miqtë e saj? Kjo, sot, është e vështirë, por lufta ka nisur. Ndaj kujt? Ulrich nxiton për në Mavrovo dhe ndahemi, diku në të dalë të Tepelenës. Ambjentalistët përgatiten për betejën e radhës. Dimër 2015.