U denoncuan si te inkriminuar Rroshi dhe Bushi fitojne zgjedhjet kryebashkike ne Kavaje e Kruje

U denoncuan si te inkriminuar, Rroshi dhe Bushi fitojne zgjedhjet, kryebashkike ne Kavaje e Kruje

Kandidatët e maxhorancës, Elvis Rroshi në Kavajë dhe Artur Bushi në Krujë, pavarësisht denoncimit të ndërkombëtarëve për të kaluarën e tyre kriminale, rezultojnë të jenë në avantazh në bashkitë në të cilat garojnë.

Thirrjet e ambasadorit të SHBA, Donald Lu, një ditë para zhvillimit të zgjedhjeve nuk janë përkthyer në rezultate konkrete në këto qytete. Mbyllja e numerimit flet për një fitore të thellë të dy kandidatëve, emrat e të cilëve u denoncuan edhe nga rrjeti i gazetarisë investigative “Birn”, për të kaluarën e tyre kriminale.

Kryebashkiaku aktual i Kavajës, Elvis Rroshi fitoi me 16. 540 vota, ose 63.61%, përballë rivalit të tij demokrat Engjëll Cara, i cili mori vetem 36,39% te votave.

Triumfues ne keto zgjedhje eshte edhe ish-deputeti socialist Artur Bushi, kreu i Bashkise se Krujes, i cili mori 18.362 vota, ose 54,59%, nderkohe qe rivali i tij i djathte Hamdi Pasha mori 15.274, ose 45,41%.

DENONCIMI


Thirrjet e vazhdueshme të ambasadorëve drejtuar kryetarëve të partive për pastrimin e listave nga kandidatët e inkriminuar u konkretizuan me publikimin e shkrimit nga “Birn” për tre kandidatët me të kaluar kriminale. Rrjeti i gazetarisë investigative, i cili financohet nga SHBA, denoncoi të kaluarën e kandidatëve të maxhroancës në Kavajë e Krujë, Elvis Rroshi dhe Artur Bushi dhe atij të tërhequr nga opozita në Këlcyrë, Gentian Muhametit.

“Birn” denoncoi kandidatin e maxhorancës në Krujë, Artur Bushi, për faktin se para se të bëhej deputet në vitin 2013, është arrestuar si i dyshuar si pjesë e një organizate kriminale, të njohur si banda e “Morriggia”-s. Lidhur me këtë ngjarje, rrjeti investigativ paraqiti edhe prova të cilat vërtetonin qëndrimin e Bushit në burg. Edhe për kandidatin e Kavajës dhe kryebashkiakun aktual, Elvis Rroshi, u paraqitën prova dhe komunikime me institucionet ndërkombëtare të cilat vërtetonin se para se të zgjidhej kryebashkiak ishte dënuar në Zvicër për shpërndarje droge.

Sipas autoriteteve ndërkombëtare, pas akuzave për trafik dhe shpërndarje droge, atij iu dha një dënim i vogël dhe më pas u transferua në Shqipëri. Kandidati i PD në Këlcyrë, Gentian Muhameti, i cili u çregjistrua vetëm një javë përpara zgjedhjeve të 21 qershorit, gjithashtu rezultoi të ishte dënuar më parë në Itali për trafik droge. Ambasadori amerikan, Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, kanë bërë thirrje të vazhdueshme për partitë politike që në fazën fillestare të përzgjedhjes së kandidatëve, që të ofrojnë për votuesit persona pa precedentë penalë.

Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, vetëm një ditë përpara zgjedhjeve doli hapur me një thirrje për qytetarët për të mos votuar dhe për të refuzuar të gjithë kandidatët e inkriminuar që partitë politike ofruan në zgjedhjet e 21 qershorit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama