Studime
nga Abdullah Konushevci
|
|
|
Fjalori fetar i shqipes
dhe feja e shqiptarëve
• Disa mendime rreth fjalëve “di”,
“ditë’, “Diell”, “Enji’, “i
lum”, “perendi”, “zot” në dritën
e gjuhësisë krahasimtare
Abdullah Konushevci
Moti jemi munduar t’i vijmë rreth problemit të
besimit të parakërshterë të shqiptarëve, por,
si të thuash, në literaturë ky problem, sigurisht nga më
të rëndësishmit, nuk është trajtuar sa duhet,
me gjithë përpjekjet e mëdha të alabanologëve
të ndryshëm.
Nga të parët që janë marrë pak a shumë me
këtë problem janë gjuhëtarët G. Majer, N. Jokl,
H. Pedersen, K. Trajmer, H. Bariq, Milan Budimir, i cili në Arkivin
e Bariqit boton gjermanisht shkrimin Alb. Zot und griech. Bazileus, i
cili shpreh një mendim të kundërt me atë të Pedersenit,
të Bariqit, të Trajmerit, si dhe të Majerit për rrënjën
a etimonin e fjalës shqipe zot.
Mendimi ynë është se fjala zo (forma e prapashtesuar zot),
janë të gjitha gjasat, të jetë një prapaformim
i fjalës zonjë < *gwhe:na me kalimin e rregullt
të buzoprapaqiellzores gw(h) > z (khs. zjarr < <gwhermos),
si dhe refleksin e e-së së gjatë në o (posh < .*pes-,
hell < *sko:los, mo < *me).
Mendoj se është i drejtë mendimi i Trajmerit se pandan
i Jupiterit, ku përpiqen ta gjejnë shpjegmin disa nga gjuhëtarët
e përmendur, në gjuhën shqipe është Enji, që
ruhet edhe te dita e javës e enjte, që besojmë se e kemi
përforcuar edhe në shkrimin për ditët e javës.
Megjithatë, vështirësi jo të paka shtron bashkëtingëllorja
–t, që, nga sa duket, është e vonë për
t’u rrjedhura nga prapashtesa i.e. –to e mbiemrave foljorë.
Ne mendojmë se është mbaresë e rasës emërore,
që shfaqet edhe të fjala mot (khs. akuz. monë, i barasvlershëm
me akuz. zonë, si dhe rrënjën e tyre *me:ns- > mon >
muej/muaj, po dhe moshë, khs. mish < *mensa). Kjo pajtohet me
kategorinë e emrave i.e. me mbaresë në konsonante.
Panteoni i perëndive shqiptare, po morëm parasysh
vetëm Enjin, pandan i Jupiterit dhe Zeusit, del shumë i varfër.
Megjithatë, po morëm parasysh gjuhët indo-iranike dhe italike,
atëherë ky panteon vjen e rritet.
Dihet se te popujt italikë, me të cilët kultura
shqiptare tregon disa përkime shumë të hershme, si te fjala
bredh, që është një shumës i singularizuar (lat.
brada, ruajtur edhe te njëjsi primitiv i shqipes brada), pjesëza
mohues nuk (lat. nec), fjala perëndi dhe perëndeshë është
e lidhur ngushtë me fjalën ditë (lat. dies). Kjo pse forma
bazë e krijimit të këtyre emrave është *dyeu-
‘ndrit’ me derivatet “qiell, zot”, kurse shkallët
zero të kësaj baze janë *div- ‘dhe *dyu- ‘zot,
fat’ (Watkins). Nga ana tjetër, tek Avesta, kryehyjnia është
Ahura Mazda ‘Zoti i Dijes’. Me një fjalë, kryehunia
e shqiptarëve ishte Dielli ‘dritë, dije’, formë
e prapashtesuar e foljes di dhe, njëkohësisht, e emrit ditë
(khs. nyjë, por nyell, kërci, por kërcyell, f(r)yj, por
fyell). Me sa duket, këto rrjedhoja të shqipes burimin duhet
ta kenë te forma e shkallës zero *d(y)u- ‘dije, ditë,fat’,
e cila, si formë e kontraktuar, e rrudhur, është e natyrshme
ta ketë rritur kuantitetin e vet në *du:-, kurse dihet se u-ja
e gjatë në shqipen dha rregullisht i (khs. thi < *su:-; mi
<*mu:s, etj.). Për më tepër, kjo rrënjë ndeshet
edhe në Avesta si den/din ‘fe, besim, religjion’. Se
folja “di” ka një fushë shumë më të
gjerë kuptimore, këtë e pohojnë edhe shprehjet ‘e
di zotin’ me kutpimin “e njoh, e pranoj, e besoj zotin’.
Por, veç Diellit, sikundër latinishtja (deus ‘hyjni’
dhe dea ‘hyneshë’) dhe greqishtja (ho theos ‘hyjni’
dhe he thea ‘hyjneshë’) zhvilloi pandanin e saj, Diellë
(khs. romanin omonim të M. Camajt “Diella”), nga u rrjedhua
edhe forma diminutivale Dilë. Po ashtu, kjo rrënjë, si
në latinishten, ashtu edhe në shqipen, ruajti kuptimin e fjalës
“fat”, sikundër shihet të kompozitat ditëbardhë,
sin. fatbardhë dhe ditëzi, sin. fatzi (khs. lat. Dis, Dives
nga di:ves., i pasur (<”fatlum, ditëbardhë”,
Watkins). Derisa jemi te ky problem, po theksojmë se, siç
tregon shumësi dit, i fjalës ditë, ky emër, që
më vonë kaloi në kategorinë e emrave i.e. në
–a, fillimisht qe një emër me temë konsonantike,
si zot, mot, mendim ky i përkrahur edhe nga Çabej (SGJ I,
126-127).
Edhe një krijim tjetër i shqipez dëshmon
se fjala “perëndi, zot” lidhet me dritën. Është
kjo fjala i Lumi dhe shumësi të lumet, që nuk mund të
shkëputet as kuptimish, as fonologjikisht nga rrënja indoevropiane:
forma bazë *leuk- dhe forma e shkallës zero *luk- ‘dritë,
shkëlqim’. Në të vërtetë, është
kjo një formë e prapashtesuar, zgjeruar me sufiksin shumë
aktiv të shqipes –m. Siç dihet, guturalet e thjeshta
të shqipes, sidomos në togje të ndryshme konsonantike,
kanë rënë (khs. lat. nox, -ctis, shq. natë), prandaj,
meqenëse kemi të bëjmë me një krijim shumë
të hershëm, sipas gjasash para evoluimit të grykoreve të
thjeshta në ndërdhëmbore, k-ja e rrënjës ka rënë.
Pra, kjo trajtë pati një evoluim të shkallëshkallshëm
lum < *lukm < *luk.
Kjo fjalë, nga të rrallat, e fjalorit fetar të shqipes
(Çabej, SGJ, I, 126-127) haset që nga autorët më
të hershëm të shqipes, Buzuku, Budi, etj., madje si pjesë
e togfjalëshit i lumi Zot me kuptimin i bekuari Zot. Ne po shtojmë
se ky togfjalësh është i zakonshëm në formulat
e ndryshme epike: Lum për ty e për të lumin Zot / Qi s’jem
kanë e Zoti na ka dhanë (falë). Madje, duke qenë pjesë
specifike e këtij togfjalëshi, ajo përdoret shpesh edhe
në vend të fjalës “zot” në formën
i Lumi. Rrjedhoja e saj janë të shumta: optativi të lumtë,
mbiemri lumëri (gegërisht lumni, sajuar nga shumësi lum(ë)n
dhe prapashtesa e krijimit të emrave abstraktë në shqipen
–i), mbiemri i lumtur, por haset edhe në forma të ngurosura:
lum si unë me kuptimin “fatbardhi unë”, etj. Mendoj
se të lumet janë engjëj ndihmës të njeriut në
rreziqe.
Se
Dielli qe nga perënditë më të adhuruar edhe tek ilirët,
këtë e dëshmojnë edhe studimet më të reja
për Konstandinin e Madh të Hans A. Pohlsander dhe SUNY Albany:
“When Diocletian and Maximian announced their retirement in 305,
the problem posed by the Christians was unresolved and the persecution
in progress. Upon coming to power Constantine unilaterally ended all persecution
in his territories, even providing for restitution. His personal devotions,
however, he offered first to Mars and then increasingly to Apollo, reverenced
as Sol Invictus.”
Nga kjo, vetiu, shtrohet problemi i fjalës “perendi”,
e cila, sipas X. Delamarre e ka burimin te fjala i.e. *perkwus ‘dru
i shenjtë, zot i stuhisë’, e cila e ka kognatin e saj
te lituanishtja Perkunas dhe te sllavishtja e vjetër Perunu (171).
Fjala “perendi” (Çabej, SGJ, II, f. 19-20), sipas albanologëve
të ndryshëm, nuk mund të trajtohet ndaras nga folja “perëndoj”,
rreth së cilës pati mendime nga më të ndryshmet.
Ne kujtojmë se kjo fjalë nuk mund të shpjegohet ndryshe,
pos nga rrënja indoevropiane *per-2 (Watkins), që është
rrënjë e foljes ‘prij, kaloj’, zgjeruar me prapashtesën
i.e. të mbiemrave foljorë –ent. Kështu, derisa te
folja e krijuar nga kjo temë (perent) u ruajt si kuptimi ‘prij,
kaloj’, te fjala perendi, që mendoj se është një
prapaformim nga kjo folje, u ruajt kuptimi ‘ai që prin’.
Si mbiemër të emërzuar ne e gjejmë këtë
temë te antroponimi Prend < *Perend, si dhe te dita e javës
e Premte < Peremte. Ruajtja e këtij kuptim u vu re edhe te greqizmi
i huajtur nga shqipja ho Helios basileuei ‘dielli mbretëron’,
që haset edhe në të folmet e ndryshme shqiptare, si: zotëron
dielli, dielli zotëron me kuptimin ‘perendon, praron’
(Çabej, idem). Sipas Çabejt, Budi fjalën “Perendi”
e përdor me kuptimet “regnum, mbretëri, zotërim”.
Kjo rrënjë i.e. u ruajt në shkallë zero edhe te folja
e prapashtesuar shqipe “prij” < *pr- + -i, që dha
rrjedhoja të shumta, si: pris, prijetar, kurse e hasim edhe te numërori
rendorë i parë.
Lidhur me fjalën hyj, hyu, sh. hyjn, siç e vërteton
abstrakti hyjni dhe krijimet më të reja hyjnor, hyjneshë
kujtojmë se origjina e tij do kërkuar te emri i greqishtes ho
yios ‘bir’ (në botimet e shkruara edhe si ho hyos, si
dhe në krijimet epike), meqenëse në besimin e kërshterë
“biri” fitoi kuptimin “perendi”, falë trinisë
Ati-Biri-Shpirti i Shenjtë, kurse shqipja, me sa dimë, është
e vetmja gjuhë, meqenëse shqiptarët nga të parët
e përqafuan kërshterimin, që zhvilloi një kuptim të
tillë. Kjo fjalë, sikundër dhe kora dhe nama, tregojnë
se shqiptarët e përqafuan fenë e kërshterë që
në formën e tij burimore, shumë para përkthimit të
Dhjatës së Re në latinishten nga Shën Jeronimi.
Burimet:
Arhiv za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju, knjiga IV, sv. I, Prishtinë,
1969.
Clavert Watkins, “Ido-Europian and Indo-Europeans” në
http://www.bartleby.com/61/IEroots.html
Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, I, II, Prishtinë, Rilindja,
1976
Hans A. Pohlsander, SUNY Albany, Constantine I (306 - 337 A.D.) në
http://www.roman-emperors.org/conniei.htm
X. Delamarre, “Le vocabulaire indo-européen, Lexique étymologique
thématique”, Paris, 1984.
|
|
|