Studime
nga Abdullah Konushevci
|
|
|
Onomastikë
Kosovo është calque linguistique i emërvendit
Truda
Truda, Tërdevci dhe Tushila janë forma shumë më
të hershme se horonimi Kosovo, që, nga sa duket, është
vetëm një calque linguistique i tyreo Të burimit latin
janë dhe toponimet Vragoli, Smolicë, Smolushë, Slovi, (E)Skivian,
Glogovia, etj.
Abdullah Konushevci
Mendojmë se nga toponimet e para që meriton një trajtim
të denjë është emërvendi i fshatit Vragoli,
i cili, nga sa mund të shihet, pësoi përndërrime nga
më të çuditshmet. Megjithatë, po të vihet në
një kontekst më të gjerë toponimik, mund të vihet
re lehtë se trajtja e tij e kryehershme ka qenë Oracola
me kalimin e o-së nistore të latinishtes në vo-/va-,
si dhe ve- (khs. oleum > voj/vaj, orphanus > i vorfën/i
varfën, orbus > i verbër, opus, -eris > vepër, që
ka prekur edhe sllavizmin ubog> i vobek>i vapek).
Por, derisa në toponiminë shqiptare ai u ruajt në një
formë më konservative tek emërvendi Frakull, në
Kosovë, ai pësoi ndryshime të ndjeshme, duke iu përshtatur
së pari ndjenjës gjuhësore sllave, që e kishte lidhur
atë me fjalën vrag 'djall', kurse më vonë ndjenjës
gjuhësore turke me prapashtesën -li.
Gojëdhënat e ndryshme sllave se aty paska qenë vendi i
djajve janë vetëm gojëdhana, sepse nuk dihet, qoftë
në toponiminë sllave, qoftë në atë botërore
se djalli ka mundur të jetë bazë motivuese e ndonjë
emërvendi, kurse, siç dëshmon toponimi shqiptar Frakull
< Farakull, si dhe realiteti historik, orakujt kanë luajtur
një rol tejet të madh në jetën shpirtërore, madje
dhe ushtarake e politike të popujve antikë. Te kjo bazë
motivuese dyshojmë se do çuar edhe kërkimi i etimonit
të emërvendit tjetër në Shqipëri, Vrakës
< Varaka < Oracullum e jo nga bara 'kënetë'
siç mendojnë studiuesit sllavë. Tekefundit, ekzistenca
e kishave të vjetra në dhe pranë këtyre lokaliteteve
është edhe një dëshmi e fortë e ekzistimit edhe
të tempujve të ndryshëm antikë.
Një toponim, që ka tërhequr që moti vëmendjen
tonë është emërvendi i fshatit Trudë,
i cili, me sa duket, ka qenë bazë motivuese e kalkimit në
gjuhët sllave të horonimit Kosovë.
Në dokumentet osmane përmendet trajta me metatezë Trudna
(Pulaha, 670), sajuar nga shumësi i shqipes në -na (khs.
uj + -na, vaj+ -na, drith + -na), e po këtë e pohojnë
edhe të ashtuquajtur studiues sllav (Urosheviq, 142), që nuk
është kurrfarë baze motivuese për një emërvend.
Ekzistimi i Trudës së Vjetër me mikrotoponimet Arat e Kishës,
Kroi i Kishës dhe fakti se ky vendbanim qe i banuar që prej
kohësh më të lashta me shqiptarë të fisit shalë
dhe se vetëm pas Serbisë së Parë në të u
vendosën dy-tri shtëpi kolonistësh, tregon se kemi të
bëjmë me një jo fshat, por katund të hershëm
mesjetar, i cili, sikundër dhe emri i fshatit, ngjitur me të,
Prugovc < Purg+ -ovac , pësoi metatezën e njohur të
likuideve u - r > r - u. Pra, forma e kryehershme e emërvendit
Trudë qe Turdna. Forma me metatezë është
më e re dhe, falë saj, nuk kemi evoluimin e grupit -rd- >
-rdh-.
Të dokumentuar për herë të parë historikisht
në formën e tij të vërtetë e gjejmë në
letrën e sundimtarit të Vilajetit të Kosovës, Jashar
Pashë Gjinollit, këtij Justiniani të dytë shqiptar,
drejtuar sulltanit më 19 shkurt 1832, në formën TORDINA
(KPV, 138).
Trajta sllave, Trudna, që është një trajtë
me metatezë e Turd + -na, duket të jetë më
e vjetër se trajta Tord + -ina, sepse Turdus është
një fjalë e latinishtes klasike, kurse tordo 'mëllenjë'
dhe tordela 'mëllenjëz' janë fjalë të
leksikut neolatin. Po këtu do kërkuar edhe burimi i kuptimit
të fshatit të Kosovës Tërdevc < Turd + prapashtesën
sllave -evac. Errësimi i zanores u ose o në ë u
krye për shkak të zhvendosjes së theksit në rrokjen
e fundit. Një trajtë gjuhësisht më e lashtë ruhet
tek emërvendi Tushilë < Turdus + prap -ilë,
që është një prapashtesë zvogëluese, përftuar
me gjasë nga ajo latine -ella. Këtë e vërteton
edhe toponimi i kalkuar i fshatit ngjitur me të Tica < Ptica.
Për ekzistimin e kësaj trajte deminutivale dëshmon edhe
italianizmi i cekur më sipër - Tordela. Të gjitha
këto rrënjë latine dhe neolatine na shtyjnë të
përfundojmë se toponimi Kosovë është në
të vërtetë një kalk i toponimeve të shumta krijuar
me apelativa latinë dhe neolatinë. Në traditën toponime
shqiptare ekziston edhe emërvendi Zogaj, që sipas mendimt tim
duhet të ketë dalë nga togfjalëshi Zog i Zi 'turdus
merula' (khs. anglisht blackbird 'zog i zi, turdus merula').
Tekefundit, sikundër pohon edhe Nushiq (f. 10), në dokumentet
latine të shekullit XIV, vendi ku mendohet se u zhvillua Beteja e
Kosovës më 1389, njihet si Campus turdorum dhe Campus
merularum.
Gjuhëtari kroat, P. Skok, emrin Kosovo e sheh si një
emërzim të gjinisë asnjanëse nga forma mbiemërore
në -ov kosov (f. 160). Sipas studiuesit turk Hasan Eren, si
fjala gjermane Amselfeld, si ajo latine Campus Turdorum,
si ajo hungareze Rigomezo janë një calque linguistique
e togfjalëshit sllav Kosova Polje.(www.tdk.tr).
Me këtë rast po theksojmë se në sallnamet (vjetarët)
e ndryshëm osmanë, kryesisht të shekullit XIX, përdoret
togfjalëshi Kosova Ovasë 'Fusha e Kosovës'.
Por, nëse e pranojmë faktin e pamohueshëm historikë
se shumë përpara sllavëve në këto troje ishin
romakët, të cilët, pas një sundimi të gjatë
ia dolën pjesërisht të krijojnë nga popullsia autoktone,
falë ndikimit të fuqishëm edhe të fesë katolike,
elementë latinishtfolës, atëherë vihet re lehtë
se forma shumë më të lashta janë toponimet e krijuara
nga apelativat latinë.
Ky toponim, që mori më vonë karakter horonimi, u politizua
tepër shumë. Për shkallën e politizimit të tij,
po përmendim një citat të profesorit të dëgjuar
të së drejtës ndërkombëtare prof.dr. F. Myncel
nga studimi i tij "Pavarësia e Kosovës sipas së drejtës
ndërkombëtare", që tronditi përfaqësuesit
e propagandaës gjenocidale serbe ndaj Kosovës: "Kështu
psh. Radomir Lukic: "Rëndësia e betejës së Fushëkosovës,
Pravni Zivot [gazetë e fakultetit juridik të universitetit të
Beogradit] 1989/6-7, fq.957. Sipas "Mitit" heronjtë serbë
të rënë në Fushëkosovë janë kthyer
në Mëllenja dhe vajtojnë në këngën e tyre
disfatën. Prej atje na vika edhe emri Fushëkosovë (kos
është fjala serbe për mëllenjë), që nuk
paskësh asgjë shqiptare dhe kjo provokësh se Kosova qënka
tokë serbe.
Sidoqoftë në "fushën e mëllenjave" nuk ka
fare mëllenja, ata deri para ca kohësh nuk kishin ardhur kurrë
kaq në jug sepse janë zogj pyjesh. Kurse "fusha e mëllenjave"
është një tokë e rrafshët pjellore dhe e kultivuar.
Emri Kosovë ka shumë më tepër mundësi të
vijë nga fjala "kosit/kositi", e cila ka pothuaj të
njëjtin kuptim në të dy gjuhët. Në shqip kjo
është fjalë e huazuar nga serbishtja (një provë
tjetër e kontakteve të gjata mes popujve). Historia e mëllenjave
tregon se "Miti" është shpikur nga persona që
nuk i njihnin aspak as zogjtë e Kosovës dhe as vetë Kosovën.
Toponimet latine-romane të Gjakovës
Një bashkësi më vete toponimike të Gjakovës sajojnë
toponimet, që ne i gjejmë të burimit latin e roman.
Një toponim të lashtë e gjejmë te Romaja (forma
e dokumentuar Ramovije, ku gjymtyra e dytë gjan të jetë
via< lat. via 'rrugë'). Forma Romajë
na shtyn të mendojmë se kjo do të ketë qenë ndonjë
rrugë për në Romë, gjurmët e së cilës,
prapëseprapë, duhet të dëshmohen. Se fjala latine
via është e shpeshtë në toponimi, dëshmojnë
edhe toponimet Puka (lat. via publica), Glogovia
(khs. Glogovia Maior, sot Grossglogau, dhe Glogovia Minor,
sot Überglogau në Gjermani) në Gjilan, etj. Kohët
e fundit, jo vetëm për shkak të konfiguracionit dhe pozitës
së fshatit Eskivian/Skivian, mespërmes të cilit
kalon rruga Gjakovë-Pejë, por edhe për shkak të strukturës
së tij fonologjike, kemi shfaqur me të drejtë dyshimin
se edhe ky fshat do lidhur me fjalën latine via 'rrugë',
sikundër dhe fshati tjetër Slovi, forma sllavizuese Slovinje.
Megjithatë, rrokja a gjymtyra e tij e parë (e)ski- kërkon
një shpjegim më të thelluar.
Nga të parat, me siguri, hyn këtu Ripa (< lat. ripa
'breg'), e cila, si kemi theksuar edhe më parë, është
e një gjirie me Postribën (< lat. post ripam 'pas
bregut'), origjinën latine të së cilës e pati vënë
re që herët Jokli, Apripën (<lat. apud ripa 'te
bregu') në Shqipëri dhe Repën, një trajtë kjo
sllavizuese e Ripës, fshat ky i vendosur në breg të lumit
Llap. Me një fjalë, apelativi latin ripa krijon një
nënbashkësi të veçantë toponimike në kuadër
të bashkësisë toponimike latine-romane.
Kjo gjetje jona pati një shpërdorim nga ndonjë historian(e),
të cilët, siç vënë re me të drejtë
gjuhëtarët tanë, si profesori tashmë i ndjerë
Mahir Domi, më shumë se dobi, u kanë sjellë dëm
të konsiderueshëm studimeve tona toponomastike dhe etimologjike.
Smolica, për mendimin tonë, është po ashtu
një ojkonim latin-roman, kuptimin e të cilit ne e gjejmë
te latinizmi zmolje "tokë djerrë", të
cilën Jokli e bën të ardhur nga lat. vulgare e(x)mulgeo
(Lafe, 131). Është të theksohet se ky emërvend pësoi
çzëshmimin a desonorizimin, sikundër dhe Smolusha,
që është e një gjirie me të. Zgjerimi i saj me
prapashtesën zvogëluese sllave -ica, sikundër dhe
i toponimit të dytë me -usha, rrënjën, etimonin
e saj e lë të paprekur.
Ngjan të jetë i burimit latin edhe emri i fshatit Radoniq,
krahas Radikës, Radavcit, Radishevës, Radiqit, Radivojcit, fshatra
e lumenj që shtrihen zakonisht në rrëzë të bjeshkëve.
Prandaj, mendojmë se etimoni i tyre i përbashkët është
rad < lat. radix, -icis 'rrënjë'. Megjithatë,
për fshatrat Radiq dhe Radivojc, që dalin edhe në dokumentet
e para osmane, nuk kemi ndonjë përfytyrim të qartë
për pozitën e tyre gjeografike.
Burimet:
Atanasije Uroevic, Toponimi Kosova, SANU, Beograd, 1975.
Branislav Nuic, Kosovo, Prosveta, Beograd, 1986.
Emil Lafe, Toponimet latine-romane në truall të shqipes në
Studime ilire, II, Prishtinë, Rilindja, 1978.
Kryengritjet popullore në vitet 30 të shekullit XIX, ASH e RPS
të Shqipërisë, Tiranë, 1978.
Petar Skok, Etimologijski rjecnik hrvatskog ili srpskog jezika, JAZU,
Zagreb, 1972.
Selami Pulaha, Popullsia e Kosovës gjatë shek. XV-XVI, ASH e
RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1983.
|
|
|