Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dy teqete

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Dy teqete

Nuk e kam marrë vesh asnjëherë, nëse njerëzia qëmoti shkonin në Teqe kur kishin hall, apo sefte provonin ta zgjidhnin hallin me qeveri dhe, në fund kur s’gjenin shpëtim, shkonin në teqe.

Sot për sot, vëndi i parë ku zgjidhen hallet e miletit është teqja e FIKS FARE-s, ku shërben i varfri baba Filipi me dy dervishlerë, dervish Sajmirin dhe dervish Doktorin, jo Doktori i Viçidolit, se ai është që i krijon hallet. Kush ka hall shkon e qan te baba Filipi dhe kur të shohë se halli i zgjidhet sa hap e mbyll sytë. Qëmoti, kush kish hall se s’i mbarsej lopa, s’i vinte uji në mulli, e kish xhelepen të lartë, e plot halle të këtilla, tak ngrihej e shkonte në Kus baba, në teqen e Qesarakës, në Shemishi baba, a në teqenë e Haxhi babajt dhe, sakaq ndërsa kthente për në shtëpi, halli i zgjidhësh. Kështu zgjidhen edhe sot hallet, megjithëse janë modernizuar ca.

Kush ka hall qeverie, s’i japin pensionin, i kanë ikur dritat, e kanë hequr nga puna, i kanë ndërruar vëndin në listën konkursit të shkollës, tak, mjafton të ngrihet e të vijë në Tiranë, të pjekë baba Filipin dhe pastaj të rrijë e të presë, se halli i tij do marrë udhë. Pa pastaj, në qoftë halli i tij më i madh se kaq, sa e kalon edhe kabahatin e baba Filipit, do s’do duhet të marrë udhën e të shkojë në Teqenë e Strasburgut.

Kjo teqe, që ka marrë nam të madh ndër shqiptarët, zgjidh halle më të mëdha, kush ka gjyq me qeverinë, kush nuk merr dot pronat, e të tjera dava të mëdha, ku tagri i baba Filipit nuk mjafton. S’ka ditë që të mos dëgjojmë njerëz me derte që, pasi dalin nga gjykata të zhgënjyer, të thonë se do ta ndjekin çështjen deri në Gjykatë të Strasburgut. Njësoj si qëmoti, kur kish një sërë hallesh që nuk u bënin dot derman baballarët e këtushmë dhe hallexhiu duhej të ngrihësh e të merrte udhën deri në Haxhi Bektash të Anadollit, se teqeja e atjeshme kish nam të madh në mbarë Perandorinë e Osmanëve.

Të jap shembuj se sa e vërtetë është kjo puna e Fiks Fare-s, nuk ja vlen, se të gjithë jemi dëshmitarë përditë në orën 8 të darkës, por pa kujtuar këtu një shëmbull të hazërtë fare, të ca ditëve më parë, nuk e le dot. Ish një qyqar që kish hall pensioni që s’ja jepnin e që kish një vit ditë që bënte varavingo sa në një zyrë në tjetrën dhe e sillnin vërdallë si dijnë të të vërdallisin mehmurët e zyrave tona. Pastaj një ditë, u ngre e erdhi t’ja qajë hallin baba Filipit. Aman baba, t’u bëfsha kurban e të marça tabanë, kështu e kështu po heq e vuaj, s’më japin pensionin e babait që e kam ulok në shtrat se më thonë shko këtu e shko atje, merr një vulë këtu e hidh një firmë atje, duhet të vijë babai ta marrë vetë, po babai është ulok, atëhere duhet karta e identitetit, po babai s’e bën dot se është në krevat, atëhere s’kemi ç’bëjmë ma presin.

Meqë ra llafi, zyrat e shtetit egzistojnë për të zgjidhur problemet që nuk zgjidhim dot vetë, se po të qe ndryshe, as na duhej shteti fare. Të vjetrit e krijuan shtetin mijëra vjet më parë, pikërisht për të vënë në lëvizje ato momente të shoqërisë njerëzore, ku krijoheshin probleme e fërkime e ngecje dhe për të mos i lënë të përfundojnë me përplasje. Shekull pas shekulli e ndreqën dhe i përmirësuan funksionet e tij, deri te shteti modern, i cili rri e vigjëlon mbi komunitet dhe ndërhyn sapo sheh probleme për t’i zgjidhur. Zaten për këtë punë e paguajmë piramidën e administratës publike dhe i themi: ne po punojmë e po prodhojmë edhe për ju, ju rrini e vigjëloni dhe sapo të dalloni që ndonjë hallkë e shoqërisë ngec apo ka problem, fap ndërhyni ta zgjidhni. Ndërsa ky dreq shteti ynë, megjithëse me moshë po i afrohet qindit, s’u bë që s’u bë dot i tillë.

Kur nuk na duhet e kemi gjithmonë nëpër këmbë, një herë me taksa, një herë me ç’themi e ç’bëjmë, ndërsa ditën që na duhet, zhduket e fshihet e si gjen dot as erën. Duke i lënë mënjanë të tjerat, mjafton të kujtojmë këtu ‘97, se si gëzonin e lumturoheshin të mëdhenj e të vegjël nëpër rrugë kur, pasi shteti u shkri në një ditë, pastaj sapo njerëzia u qetuan vetë, filluan të dalin nga vrimat ku ishin futur dhe të zinin prapë zyrat e kolltukët.

Po nejse, t’i kthehemi hallit të atij hallexhiut që thamë. E dëgjoj baba Filipi dhe dërgoi njerëz e kamera t’a ndjekin hallin e tij e t’i gjejnë fillin. Edhe kjo është një çudi e këtij shtetit e shtetarëve tanë. Sa kapadainj e arrogantë janë me njerëzit e thjeshtë, aq squllen e u bien brekët, kur gjenden përpara kamerës e mikrofonit. Dhe çudia ndodhi edhe kësaj rradhe. Halli që nuk ish zgjidhur për një vit, u zgjidh për një ditë. Në televizor pamë atë hallexhinë që tashmë i ndriste fytyra dhe nja dy mehmurë zyrash që thonin se s’kishte më asnjë problem dhe se kish qenë e kotë që ishte bërë problem se ata e kishin pasur merak vetë atë punë e do i dhënkëshin udhë pikërisht atë ditë. Opingën e Sherros! Po të mos kish qënë për kamerat e Fiksit, ai hallexhiu do ishte akoma duke u lutur dyerve të zyrave.

Duke e parë se sa ngjit tek njerëzit zgjidhja e halleve me një tak-fak, edhe Kryeministri ynë u përpoq ta imitojë baba Filipin. Shpalli faqe botës numrin e tij të celularit, ku kushdo që kish hall mund ta qante dhe kryetari qeverisë premtonte se do t’ja zgjidhte. Kjo nuk ishte ndonjë gjë e re. Shumë mbretër e sulltanë në histori e kanë praktikuar një gjë të tillë. E ka pas bërë edhe Ali Pasha në kohë të vet. Dilte fshatrave pashai i Tepelenës, ulej në bythë të rrapit dhe priste njerëzit t’i qanin hallet, që pastaj ai u jepte drejtim me një të rënë të satërit.

Mirëpo të dashur lexonjës, nga ajo kohë ka rrjedhur shumë ujë dhe s’mund të përdorim metodën e bythës së rrapit në shekullin XXI. Këtë shqiptarët e kishin kuptuar, ndërsa kryeministri i tyre, ende jo. Shqiptarët e kanë kuptuar se në shtetin modern, detyra e kryeministrit është të ngrejë një sistem qeverisjeje që zgjidh hallet e tyre dhe jo t’i zgjidhë ai vetë me telefon. Se, Zoti na ndjeftë, kur të na lerë kryeministri, telefonin kujt do t’ja lërë?

S’ka dy ditë, që edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, që si ndozot është si i dërguari i Sulltanit qëmoti, u ngre, la rehatin e rrugës së Elbasanit dhe shkoi të marrë dorë në Teqenë e baba Filipit. Me ç’duket edhe ai e ka kuptuar se hallet e këtij vëndi krijohen gjysma në godinën e njërës parti e gjysma në godinën e tjetrës, por për t’u zgjidhur ama, duhet të mendojnë shqiptarët vetë.

Në këta dyqind vjet ndryshuan baballarët e teqetë, ndryshuan edhe shqiptarët, vetëm shtetin s’e ndryshuam dot, se na mbeti po aq halldup si qëmoti dhe sulltani që kemi ka mbetur po aq xhahil sa sulltani i Turqisë. Shtetin e kemi, paratë na i merr një më një, nëpunësit, funksionarët, policët, inspektorët, ministrat, deputetët, zyrtarët, kryetarët, drejtorët, gjykatësit, prokurorët, të gjithë i kemi e i paguajmë, por kur kemi hall, prapë te teqja e Fiks Fare-s e kërkojmë dermanin. S’kemi shpëtim veç që, në udhën e stërgjyshërve që i zgjidhnin hallet me Kus Babanë këtu ose me teqenë e Haxhi Bektashit në Anadoll, edhe ne të përpiqemi hallet që na zënë t’i zgjidhim me baba Filipin këtu ose në Teqenë e Strasburgut në Belgjikë. E paçin ymrin të gjatë që të dy, për të mirën e shqiptarëve!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama