Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rrugë shqiptare

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Lame
Rrugë shqiptare

KË GËNJEN?  Berisha deklaron se kanë bërë 10.400 km rrugë dhe se deri në qershor do të arrijë 10.800 km. Ne kemi përllogaritur dhe publikuar se gjithsej në këta 8 vjet janë bërë 1515 km. Në çdo vend normal të botës, diskutohet për cilësinë apo se si mund të ndërtoheshin, ndërsa këtu debatohet për shifrat. Thjesht sepse askush nuk u zë besë letrave të shtetit.

Të enjten qeshë në debat me z. Olldashi për këtë punë: 10800 kundër 1515. Nuk dua të merrem me debatin në vetvete. Kam tjetër hall. Z. Olldashi filloi të numëronte një listë të gjatë rrugësh – që natyrisht nuk mund t’i verifikoja një për një aty në vend – dhe t’i deklaronte si rrugë të mbaruara. Ndërsa ai fliste, celulari filloi të vlonte nga SMS-të që më mbërrinin nga çdo cep i vendit. Ja një pjesë e tyre:

“Rreeen. Memaliaj-Tepelenë sapo kanë filluar vetëm 4 km e para”.

“Nga burime zyrtare, rruga Ushtelencë-Peshkopi akoma nuk është tenderuar, ndërsa Olldashi po e raporton të mbaruar. Është goooopë e tëraaaa.”

“Rruga Dajç-Dragushe, Qarku Shkodër, nuk është asfaltuar, por thjesht i ka kalu një fadromë për ta nivelu.”

“Gënjen, unaza e Kavajës është lënë përgjysmë dhe braktisur që para 4 vjetësh.”

“Peshkopi Librazhd 105 km, janë asfaltuar vetëm 13 km e parë, ai thotë ka mbaru.”

“Hyrja e Durrësit është bërë që në kohën e qeverisë socialiste”.

“Ja fut kot. Rruga e Kurjanit nuk ka mbaruar akoma.”

“Thuaj Olldashit që rruga Ura Vajgurore–Bistrovicë sapo ka filluar, ai thotë që është mbaruar.”

“Burim i sigurt nga FZHSH-ja: rruga Prekal-Kir nuk ka fillue akoma.”

“Rruga e Drishtit është e pafilluar akoma.”

“Rruga Pezë e Madhe–Pezë e Vogël nuk ka mbaruar akoma.”

“Rruga Nishovë-Novaj është gënjeshtër, nuk është bërë kurrë!”

“By pass-i i Tepelenës nuk është bërë as si projekt.”

Imagjinoni një shikues të thjeshtë që, i lodhur nga dita e punës dhe nga rruga e pashtruar ku kalon çdo ditë, është ulur para ekranit dhe ndjek debatin. Papritur dëgjon ministrin e Rrugëve të deklarojë të mbaruar rrugën e gropanisur ku ai, qytetari, kalon çdo ditë. Natyrisht që është për të lojtur nga mëntë. Po kë gënjen z. Olldashi? Atë qytetarin që plas nga marazi se s’i përgjigjet dot përmes ekranit? Apo mua që më kishte përballë në studio, apo Fevziun që përpiqej të drejtonte emisionin? Apo e kanë gënjyer vartësit me të dhëna false dhe ai na gënjen neve pastaj? Zor ta besojë njeri këtë mundësinë e fundit.

Atëherë kë po gënjente? Qytetarët, mua apo Fevziun. Asnjërin prej nesh. Thjesht po fliste se duhej folur, meqë ishte në debat. Votat as që pretendon t’i shtojë apo t’i humbasë përmes debateve. Votat do vazhdojë t’i marrë me forcë e dhunë siç janë mësuar, ku të mundet dhe po mundi. Ndërkaq analistët do të vazhdojnë të bëjnë analiza se ku ndryshon programi i së majtës nga ai i së djathtës.

RRUGA E ARBRIT

Statistikë: Rruga e Arbrit është 64 km e gjatë. Deri tani janë hapur ose shtruar me asfalt vetëm 17 km. Edhe këto në pjesët e saj fushore ose thjesht pjesët e zgjerimit të rrugës ekzistuese. Kanë mbetur 47 km që është pjesa malore dhe me vepra arti midis të cilave mund të rreshtoj:

-Tuneli i Murrizit, 2,5 km i gjatë. Ende nuk ka filluar as ngritja e kantierit e jo më të kenë filluar punimet.

-Tuneli i Qafë-Buallit, 860 m i gjatë. Tenderi iu dha një firme që nuk kishte bërë asnjëherë punime tunelesh. Aktualisht firma ka hequr dorë.

-Tuneli i Murrizit, 500 m i gjatë. Ende nuk është bërë as tenderi i punimeve.

-Ura e Vashës, 290 m e gjatë. Ende nuk ka filluar punimet.

Asnjë prej projekteve të mësipërme nuk u është paguar ende firmave projektuese. Sa për kuriozitet, vetëm segmenti Ura e Vashës-Hyrja e Tunelit, kushton 130 milionë euro. Edhe shumica e punimeve të kryera deri tani për këtë rrugë janë punime të papaguara nga qeveria, ndërsa firmat vazhdojnë të punojnë me shpirt ndër dhëmbë me shpresën se një ditë do t’i marrin paratë.

Ndërkaq Berisha nga Dibra deklaroi se rruga do të mbarojë, por u vonua se kishte një problem teknik te shtresat e tunelit. Unë u përpoqa të ndjek justifikimet e tij, ndërsa ata që ishin në mitingun e tij ulërinin pa dëgjuar e pa kuptuar asgjë.

Si t’ua shpjegoj atyre që ulërinin, se si është e vërteta?

EMRI I SAKTË

Në rrugën e Arbrit, nga veprat e artit deri tani është shpuar vetëm tuneli i Shkallës së Tujanit, gjithsej 80 m i gjatë. Punimet kanë shkatërruar gjithë traktin mesjetar të rrugës që kalonte në atë zonë; kanë masakruar gjithë parkun dhe zonën e mbrojtur të atyre anëve; kanë mbushur me inerte gjithë kanionin e përroit që kalonte aty, duke zhdukur në një javë gjithë faunën e tij që mbijetonte prej miliona vjetësh; kanë shkatërruar edhe kishën mesjetare të Brarit ku janë varrosur zotërit mesjetarë të Tiranës. Kishte një mori mundësisht të tjera se si mund të shmangej shkatërrimi i pashpirt i asaj trashëgimie natyrore dhe kulturore të asaj zone. Në fund si gjithmonë u zgjodh më e keqja.

Protesta e fundit publike e të ndjerit Ardian Klosi u bë pikërisht për shkatërrimin mjedisor që solli hapja barbare e asaj cope rruge. Bëri Klosi disa shkrime për këtë çështje, doli në televizor, shkroi disa herë në Forumin për Trashëgiminë. Në fund vajti si vajti ajo punë. Ajo rrugë quhet rruga e Arbrit. Për si po ndërtohet, ndoshta e meriton emrin që i kemi vënë. Është tamam mënyra sesi janë sjellë jetë e mot arbrit me atdheun e tyre.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama