Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Solomoni yne

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Lame
Solomoni yne

Imazhi i sundimtarit që ulet këmbëkryq poshtë një peme a mbi një gur dhe dëgjon hallet e nënshtetasve, është një nga imazhet më të vjetra politike të botës. Tekstet e lashta flasin për mbretin Solomon që shkonte nga një fshat në tjetrin, dhe dëgjonte qarjet e hallexhinjve. Aq i suksesshëm qe ky model, saqë e gjejmë të përsëritur me qindra herë në histori, me sulltanët e Turqisë. Me perandorët e Kinës, me shahët e Persisë, me mbretërit e mesjetës së hershme europiane.

Çuditërisht mungon ky model në Perandorinë Romake. Roma ishte shtet serioz, me një hierarki të qartë dhe madje edhe me elemente të ndarjes së pushteteve, ndaj nuk kishte vend për imazhin e perandorit që dëgjon hallexhiun e radhës, i cili në fakt mund ta ndiqte hallin e tij në zyrën përkatëse të provincës perandorake.

Por, duke lënë mënjanë Romën, me eficencën administrative të saj, në vendet e tjera imazhi i sundimtarit që dëgjon qarjet e nënshtetasve lidhej me disa zhvillime të rëndësishme të konceptit të shtetit. Me të drejtën e nënshtetasve për t’u ankuar për nivelet e ndërmjetme të piramidës shtetërore dhe, nga ana tjetër, me nevojën e sundimtarit që, në mungesë të hierarkisë administrative, të kontaktonte direkt me nënshtetasit për të marrë vesh se ç’bëhej.

Natyrshëm që Europa u shkëput e para nga këta mekanizma idilikë dhe primitivë të antikitetit. Duke trashëguar konceptet e shtetit romak, shtetet mesjetare të Europës morën një kah zhvillimi të bazuar mbi burokracinë shtetërore të strukturuar vertikalisht, me konceptet e ndarjes së pushteteve, e kështu me radhë. Në këto kushte, veçanërisht pas formatimit të shtetit borgjez, pas shekullit XVII, nëpër Europë nuk kishte më vend për pamje, ku bie fjala Luigji XIV të ulej poshtë një peme në oborrin e Luvrit dhe të mbante shënim hallet e një fshatari nga Bretanja.

Tjetër udhë ndoqi zhvillimi në perandoritë despotike të Lindjes, në Kinë e Persi, në Indi e Mongoli, në kalifatet myslimane apo në Perandorinë Osmane më pas. Kësaj ane të globit me shtete despotike, kryetari i shtetit ishte padron i gjithçkaje, ndarja e pushteteve as që ekzistonte deri shumë vonë, piramida shtetërore ishte shumë e kufizuar dhe të tjera mangësi konceptuale që ngadalësuan modernizimin e shtetit.

Të vijmë këtu ndër viset tona. Meqenëse që prej mesit të shekullit XV, fatet tona u lidhën me ato të osmanëve, edhe këtyre anëve mënyra e funksionimit të shtetit ishte ajo e Perandorisë. Njerëzia kur kishin hall uleshin dhe i bënin letër Padishahut në Stamboll dhe ky pastaj po të vlerësonte se ankesa ishte e drejtë, lëshonte rrufe nga maja e Olimpit ku ishte ulur. Kjo mënyrë të menduari dhe vepruari, kontribuoi në lindjen e legjendës së Sundimtarit të mirë dhe të vartësve të këqij, legjendë që mbijetoi deri në epokën komuniste, me mentalitetin e fortë se nuk i merr vesh shoku Enver këto që ndodhin, se po ta dinte do të bënte hatanë. Apo në shprehjen aq fort të ngulitur, “uji del i pastër në burim, por e turbullojnë rrugës”.

I fundmi sundimtar i periudhës osmane që spekuloi me sa mundi me këtë mënyrë të vepruari, ishte Ali Pashai i Tepelenës. Aliu, që donte ta zhdukte farën e bejlerëve të mesëm për t’u bërë zot absolut, ushqeu me sa mundi kontaktet direkte me njerëzit dhe krijimin e mitit të sundimtarit të mirë që të zgjidh hallin. Këngët dhe legjendat flasin për Aliun që me gjithë shpurën e tij linte Janinën dhe bridhte poshtë e lart Epirit, duke u ndalur fshat më fshat dhe duke dëgjuar e zgjidhur halle. Por, nga ana tjetër, e gjitha kjo mbetej thjesht mit, sepse nuk ka mundësi që sundimtari të dëgjojë një milion hallexhinj dhe të ndajë të mirën nga e keqja me një të dëgjuar. Por Ali Pashës nuk i duhej të zgjidhte hallet, por thjesht të krijonte mitin dhe të zhdukte shtresat e mesme. Natyrisht që shteti nuk bëhej kështu dhe në fakt kjo u pa në përplasjen e parë serioze, kur gjoja-shteti i tij u shkërmoq brenda dy javëve.

Me Ali Pashanë merr fund edhe kjo epokë, pasi Perandoria Osmane zuri rrugën e reformave europianizuese, ku nuk kishte më vend për folklorizma të tilla. Reformat e Tanzimatit synonin të fusnin në Turqi shtetin modern, me barazi të shtetasve, me ndarje pushtetesh, me shkallë administrate, me përgjegjësi sipas shkallëve, me gjykata, e me të tjera marifete perëndimore.

Vitet kaluan, Aliu mbeti vetëm nëpër kujtesën e këngëve të moçme, derisa…

“- Ne kemi hall, zoti Sali, se rruga ka filluar nga fshati, por pastaj kur arrin te depot ndërpritet dhe nuk shkojmë dot në qendër të komunës.

- Nuk është bërë fare, apo është bërë përgjysmë?

- Jo e ka bërë firma deri te depot, por aty ndërpritet.

- Aha, e qartë. Do ta verifikoj dhe do të bëhet, sepse rrugët janë prioriteti ynë.

- Faleminderit. Kemi edhe problemin e transformatorit se është djegur ai që kishim te shtylla filan dhe tani e marrim vetëm me një fazë nga fshati fistek.

- Patjetër, do të ndërhyj, sepse furnizimi me energji është prioriteti ynë”.

Duket si dialog te “Portokallia”, ose si i dalë nga libri i Sabri Godos për Ali Pashanë, por në fakt është pjesë nga një takim i Kryeministrit me fshatarët e një komune diku nga Dumreja a Divjaka, nuk e kapa mirë. Dhe, si për ta bërë edhe më absurde pamjen, ndërsa fliste, Kryeministri në ca fletë të bardha mbante vazhdimisht shënime, apo të paktën kështu dukej: “Rruga te depot, majtas, poshtë … Transformatori te shtylla e tretë, matanë magazinës…”.

Po mirë këta të këtij fshatit i zgjidhën hallet, po ata të fshatrave të tjerë të asaj komune si do t’i zgjidhin, kur do ta takojnë Kryeministrin? Po fshatarët e komunave të tjera të Lushnjës, po ata të rretheve të tjera, po ata të 2600 fshatrave të tjera të Republikës, kur do lënë takim me Saliun për t’i thënë hallet e tyre?

Mirë fshatarët, po qytetarët e 64 qyteteve të Shqipërisë, kur do e kenë radhën që, grup pas grupi, të ndarë me nga 30-40 veta, pra nja 30 000 grupe gjithsej, të kenë takim me Kryeministrin për hallet e tyre?

Po Presidenti i Francës, si i takon 60 milionë fshatarët e Francës për të dëgjuar hallet e tyre. Po David Cameron, si ia bën që nga Irlanda e Veriut e deri në Skoci me fshatarët e atjeshëm? Po Presidenti i Rusisë si ia bën për t’u ulur këmbëkryq në çdo komunë të Rusisë, që nga Baltiku e deri në Vladivostok të Siberisë?

E pra e parë kështu, kuptohet se sa absurde, se sa populisto-folklorike, se sa e pakuptimtë dhe absurde ishte ajo pamja e Kryeministrit të Republikës që pretendon t’i zgjidhë hallet e njerëzve duke i dëgjuar një nga një. Se atëherë pse ekziston e gjithë piramida administrative, pse ekzistojnë ministritë që duhet të planifikojnë, pse ekziston sistemi i buxhetit të shtetit, pse ekzistojnë strukturat zbatuese, e plot të tjera?

Ditën që një shtetar detyrohet t’u drejtohet direkt nënshtetasve të vet, duhet të pranojë fillimisht se ka dështuar në ngritjen e shtetit funksional. Ose përndryshe duhet të pranojmë se jemi ende epirotët e kohës së Ali Pashait, apo të Solomonit, që vetëm kështu gënjehemi apo na pëlqen të gënjejmë veten.

Ditën që një shtetar detyrohet t’u drejtohet direkt nënshtetasve të vet për t’u zgjidhur hallet, duhet të pranojë fillimisht se ka dështuar në ngritjen e shtetit funksional

Si ia bën Presidenti i Rusisë për t’u ulur këmbëkryq me popullin në çdo komunë të Rusisë, që nga Baltiku në Europë e deri në Vladivostok të Siberisë?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama