Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Berisha përçan shoqërinë shqiptare

Shkruar nga: Rexhep Qosja  
Botuar më: 14 vite më parë

Rexhep Qosja
Berisha përçan shoqërinë shqiptare

Shoqëria e përçarë Prej mëngjesit të ditës së sotme e deri në mëngjesin e ditës së nesërme, qytetarët shqiptarë mund ti dëgjojnë në mediat elektronike e mund ti lexojnë edhe në gazeta disa zyrtarë partiakë e shtetërorë duke folur për pluralizmin politik në Shqipëri (në Kosovë dhe në Maqedoni). Mund ti dëgjojnë e mund ti shohin qytetarët këta zyrtarë duke folur e duke u lavdëruar se sa të merituar janë për fillimin, për ndërtimin dhe për rritën cilësore, demokratike të këtij pluralizmi në shoqërinë shqiptare!
Bukur.

Por, a mund të quhet shoqëria shqiptare shoqëri, vërtet, pluraliste sot?

Ata që gjërat, dukuritë, zhvillimet në një shoqëri nuk ngurrojnë ti shohin pa vagëllim, domethënë qartë, drejt, objektivisht, siç janë ato, do të japin këtë përgjigje, të padëshiruar jo vetëm për zyrtarët partiakë e shtetërorë, që aq shumë flasin për pluralizmin në Shqipëri!

Shoqëria shqiptare sot më parë se sa pluraliste mund të quhet shoqëri e përçarë, ngjashëm disa shoqërive të Botës së Tretë dhe të ish vendeve komuniste, që politikologët bashkëkohorë i quajnë shoqëri të përçara.

Pluralizmi në shoqërinë shqiptare - për shkak të konfliktit të pandërprerë midis forcave politike të djathta e të majta - ka degjeneruar në përçarje të kësaj shoqërie.

Është kjo një përgjigje që nuk e dëgjojnë me qejf jo vetëm zyrtarët dhe bashkëmendimtarët e tyre, por as shumë të tjerë, madje, as vetë ata të cilët ato që shohin, ato që dëgjojnë, ato që lexojnë - në përgjithësi njëmendësia e sotme shqiptare, i obligojnë ta japin atë përgjigje.

Mund të thuhet kështu për më shumë arsye.

Mund të thuhet kështu për arsye se fjala përçarje është e mbushur me kuptime të padëshiruara që kanë shtrirje kohore dhe hapësinore.

Mund të thuhet kështu për arsye të bindjes së drejtë se të jesh shoqëri pluraliste është shumë e rëndësishme, shumë e dëshiruar, por të jesh shoqëri e përçarë është shumë e padëshiruar, kur e kur e rrezikshme.

Mund të thuhet kështu për arsye se shoqëria pluraliste është vetvetiu shoqëri demokratike, sado kur më pak e kur më shumë demokratike, ndërsa shoqëria e përçarë, pavarësisht sa e trumbetojnë zyrtarët e ndryshëm demokracinë, nuk mund të jetë shoqëri demokratike.

Mund të thuhet kështu për arsye se shoqërinë pluraliste pashmangshëm e karakterizon kultura politike, ndërsa shoqëria e përçarë,në pjesën më të madhe të kohës, është e privuar prej kulturës politike.

Mund të thuhet kështu për arsye se në shoqërinë pluraliste, domethënë në shoqërinë demokratike, mosmarrëveshjet midis forcave politike pashmangshëm do të zgjidhen me kompromis, ndërsa forcat politike në shoqërinë e përçarë nuk e njohin, nuk e pranojnë kompromisin ose e pranojnë vetëm kur janë të detyruara prej faktorëve ndërkombëtarë të cilëve, për tu mbajtur në pushtet, u thonë siç i tha kryeministri i Shqipërisë të dërguarit të Bashkimit Evropian pas protestave të 21 janarit, Miroslav Lajçak: vetëm më thuaj çka të bëj dhe unë do ta bëj!

Mund të thuhet kështu për arsye se gjithë politikën e forcave politike në shoqërinë pluraliste, domethënë në shoqërinë demokratike, e përcakton e mira e përgjithshme, shoqërore dhe kombëtare, ndërsa politikën e forcave politike në shoqërinë e përçarë, e përcakton interesi material, ideologjik, fetar a krahinor partiak, grupor, klanor, oligarkik i këtyre forcave politike veç e veç!

Mund të thuhet kështu për arsye se në shoqërinë pluraliste, domethënë demokratike, përzgjedhjen e kuadrove politike, të funksionarëve, të deputetëve, e përcaktojnë aftësitë dhe meritat e tyre, kurse në shoqërinë e përçarë, jodemokratike, e përcaktojnë nepotizmi, leverditë vetjake të përzgjedhësve, miqësitë e ndryshme, përkatësitë partiake, fetare, krahinore! E të tjera.

Prej rënies së diktaturës komuniste dhe fillimit të pluralizmit partiak dhe politik, në Shqipëri, faktorët ndërkombëtarë në vazhdimësi i ftojnë forcat politike shqiptare që ta shikojnë dhe ka trajtojnë me sadopak mirëkuptim njëra-tjetrën, që ti zgjidhin mospajtimet për çështje politike, institucionale, ekonomike, kulturore me kompromis, si në gjithë botën demokratike, që të kenë gjithnjë parasysh të mirën e përgjithshme shoqërore dhe kombëtare, si në gjithë botën, vërtet, demokratike. Por, kot! Thirrjet e tyre kanë mbetur thirrje pa jehonë në jetën politike shqiptare, kurse shoqëria shqiptare ka mbetur shoqëri e përçarë tani e njëzet vjet: shoqëri e përçarë me pasoja të mëdha në jetën e qytetarëve të Shqipërisë.

Pasojat e përçarjes së shoqërisë

Përpos të këqijave të lartshënuara, që karakterizojnë shoqërinë e përçarë kudo dhe kurdoqoftë ajo, në shoqërinë e përçarë, domethënë jodemokratike, shqiptare, janë paraqitur edhe një varg të këqijash ndonjëherë, madje, tragjedish, të tjera, që e karakterizojnë në radhë të parë këtë shoqëri: shoqërinë e përçarë shqiptare.

Cilat janë ato?

Dëshmi tragjike , sado jo e para, që tregon se shoqëria shqiptare është shoqëri e përçarë e kjo do të thotë shoqëri jodemokratike, është konflikti i ndodhur në vitin 1997, të cilin disa studiues shqiptarë dhe disa të huaj e quajnë luftë qytetare. Nuk ka dyshim se shkaktari kryesor i kësaj tragjedie në jetën e popullit shqiptar, që do të sjellë numër të madh të vrarësh, numër të madh të plagosurish, jo pak të zhvendosur në botën e huaj dhe shumë shkatërrime materiale dhe kulturore, ishte kryetari i atëhershëm i Shqipërisë dhe kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha. Politika e tij skajshmërisht e potershme e mospajtimit kombëtar, në të vërtetë politika e tij e përçarjes së shoqërisë shqiptare, e motivuar prej përpjekjeve për tu pastruar sa më rrënjësisht nga ideologjia dhe politika staliniste së cilës i kishte shërbyer si sekretar i organizatës themelore të Partisë së Punës së Shqipërisë në institucionin më të madh e më të rëndësishëm të arsimit kombëtar - në Universitetin shtetëror të Tiranës, në njerën anë dhe për ti përvetësuar me atë propagandë vetëpastruese të gjithë ata që e kishin vuajtur diktaturën komuniste, në anën tjetër,duke fyer njerëz të fajshëm si ai vetë dhe të pafajshëm, duke kërcënuar njerëz të fajshëm si ai vetë dhe të pafajshëm, duke burgosur njerëz të fajshëm dhe të pafajshëm dhe duke u kërcënuar për burgosje të reja e më të reja, një politikë e tillë përçarëse, pra, do të sjellë valë të madhe mosdurimi dhe neverie ndaj tij dhe politikës së tij, që do të bëhet baza politike, psikologjike dhe morale e revolucionit paqësor demokratik, në të cilin do të ngrihet populli dhe të cilit ai do ti përgjigjet me dhunë: kryesisht me dhunën e forcave të rendit, por edhe me kërcënim të pashprehur publikisht për përdorimin e "forcave veriore" të mobilizuara e vullnetare! Pasojat politike, materiale dhe shpirtërore të kësaj tragjedie nuk mund të quhen të harruara plotësisht as sot në jetën kombëtare.

Dëshmi tjetër karakterizuese dhe shqetësuese që tregon se shoqëria shqiptarer është shoqëri e përçarë është grushteti i 14 shtatorit të vitit 1998, kryekomandant i të cilit, sado jo në cilësinë e kryetarit të shtetit, si në vitin 1997, do të jetë prapë kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha. Ky grushtshtet, i paramenduar dhe i sendërtuar nga një mendje së cilës iu kishte ndalë koha, prandaj po i kthehej dhunës puçiste afrikane, ndoshta do të merrte fund me suksesin e puçistëve sikur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të mos kishin kërkuar vendosmërisht që ata, puçistët, të lironin institucionet shtetërore që kishin pushtuar dhe të riktheheshin në to funksionarët dhe titullarët e përparshëm të ikur!

Dëshmi tjetër karakterizuese dhe shqetësuese që tregon se shoqëria shqiptare është shoqëri e përçarë janë ndryshimet e shpeshta të kodit zgjedhor rreth të cilit nuk mund të merren vesh forcat e ndryshme politike, sepse të gjitha, sidomos dy kryesoret - PD-ja dhe PS-ja, kërkojnë kod siç u përgjigjet vetëm atyre, mandej, cenimet e rënda të përgatitjes së zgjedhjeve, të procesit të votimeve dhe të mbasvotimeve,për çshkak zgjedhjet në Shqipëri asnjëherë, gjatë njëzet vjetve, nuk janë vlerësuar si zgjedhje, vërtet, të lira, si zgjedhje, vërtet, të ndershme, si zgjedhje, vërtet, demokratike. Shembulli më tregues për shpërdorimin partiak të zgjedhjeve, sigurisht se nuk janë vetëm zgjedhjet e mospranuara nga opozita të 28 qershorit 2009, por ato janë bërë shkak i krizës së thellë e të përgjithshme në të cilën është zhytur Shqipëria sepse janë bërë në një kohë kur ato shpërdorime nuk durohen më siç janë durua në heshtje para, ta themi, tetë, dymbëdhjetë, gjashtëmbëdhjetë, njëzet, pesëdhjetë a shtatëdhjetë vjetësh.

Dëshmi tjetër po ashtu karakterizuese dhe shumë shqetësuese që tregon se shoqëria shqiptare është dhe vazhdon të jetë shoqëri fort e përçarë është gjuha fyese, aq shpesh e privuar prej kulturës elementare politike, e klasës politike, në mënyrë të veçantë gjuha e egër,fyese, poshtëruese, kërcënuese, vrastare, skajshmërisht primitive e kryeministrit të Shqipërisë, kur e kur edhe e kryetares së Kuvendit, me të cilën gjuhë përdhosen vlerat dhe komprometohet rëndë etika e njohur dhe e çmuar e popullit shqiptar, me të cilën thellohet posaçërisht shumë përçarja e shoqërisë shqiptare.

Dëshmi tjetër po ashtu karakterizuese dhe shqetësuese që tregon se shoqëria shqiptare vazhdon të jetë shoqëri e përçarë, janë protestat e 21 janarit, në të vërtetë vrasja e katër protestuese prej gardistëve që po ruanin ndërtesën e kryeministrisë me kryeministrin brenda, plagosjet e dhjetra protestuesve dhe policëve dhe, mandej, përmbledhja e vëllimshme e gënjeshtrave të kryeministrit për vrasjet e ndërsjella të protestuesve, për armët e protestuesve, për organizimin e protestës, për cilësinë prej banditësh e kriminelësh të shumë protestuesve, për rolin e Prokurores së përgjithshme, të Shefit të SHISHT-it dhe, madje, të kryetarit të shtetit në puçin e 21 janarit me të cilat gënjeshtra të shqiptuara histershëm ai, kryeministri, do ta shtojë kontributin e tij madhor në thellimin dhe zgjerimin e përçarjes së shoqërisë shqiptare!

Dëshmi tjetër po ashtu karakterizuese dhe shqetësuese që tregon se shoqëria shqiptare është shoqëri e përçarë është prapangelja e Shqipërisë në procesin integrues në Bashkimin Evropian. Shqipëria, me Bosnjen, është vendi i fundit në Ballkan (po të mos merret parasysh Kosova, që është shtet vetëm trevjeçar) të cilit i liberalizohen vizat. Por, mund të supozohet se Shqipëria do të jetë vendi i fundit ballkanik, i cili do të pranohet në Bashkimin Evropian dhe do të jetë vendi i fundit i pranuar në këtë Bashkim në radhë të parë për shkak të pasojave të shumta që prodhon klasa e përçarë politike shqiptare kundër vetes në të vërtetë kundër shoqërisë së përçarë shqiptare. Për shkak të këtyre pasojave Shqipërisë edhe iu refuzua sivjet njohja e kandidates për integrim në Bashkimin Evropian. Dhe, ky refuzim do të përsëritet në qoftë se shoqëria e përçarë shqiptare nuk tregon më shumë dëshmi politike, institucionale dhe , në përgjithësi, shoqërore për tu bërë shoqëri pluraliste e kjo do të shotë shoqëri, vërtet, demokratike.

Se shoqëria shqiptare është shoqëri e përçarë, kurse shteti shqiptar, që më 2012 mbush një shekull, shtet i përçarë i një shoqërie të përçarë, dëshmojnë më tej: shkeljet e shpeshta të Kushtetutës së shtetit nga ana e qeverisë e, në mënyrë të veçantë, nga ana e kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit; mosnjohja, në të vërtetë cenimi po aq i shpeshtë i pavarësisë së institucioneve të pavarura, siç janë Presidenca, Prokuroria e përgjithshme, në përgjithësi gjyqësori, nga ana e qeverisë, në mënyrë të veçantë nga ana e kryeministrit; papërgjegjshmëria, që në Bashkimin Evropian e quajnë pandëshkueshmëria, e zyrtarëve përkatës për tragjedinë e Gërdecit dhe për vrasjet e protestuesve me 21 janar, por edhe rehabilitimi i tyre i shpejtë, duke i zgjedhur në poste ministrore apo duke i propozuar për poste të tjera të larta; mbulimi politik me gjithfarë arsyetimesh të gënjeshtërta i aferave korruptive në të cilat janë përfshirë zyrtarë të lartë, familjarë dhe miq të tyre; vendimi për rrënimin e monumentit artistik, kulturor historik Piramida, që është njëkohësisht Qendër Ndërkombëtare e Kulturës, pavarësisht mospajtimit me këtë rrënim të ekspertëve dhe pjesës më të madhe të popullit shqiptar. E të tjera. E të tjera.

Po nuk janë këto të gjitha dëshmitë që tregojnë se shoqëria shqiptare në vend se shoqëri pluraliste në të vërtetë është një shoqëri e përçarë , domethënë shoqëri jodemokratike. Janë disa dëshmi të tjera, që tregojnë se çfarë veçantishë krejt e veçojnë shoqërinë e përçarë shqiptare prej shoqërive të tjera të përçara të Botës së tretë dhe prej vendeve të tjera ish komuniste.

Dëshmi e veçantë që tregon se shoqëria shqiptare vazhdon të jetë shoqëri e përçarë janë mospajtimet e shprehura tani e njëzet vjet ndaj gjuhës standarde, në të vërtetë mospranimi i gjuhës standarde prej një numri studiuesish e zyrtarësh politikë, që qëndrimin e tyre ndaj gjuhës së njësuar letrare kombëtare kanë qejf ta quajnë jopolitik! Nuk ka dyshim se frymëzime për këtë mospranim të gjuhës standarde atyre u vijnë prej disa institucioneve politike, shkencore e kulturore. Nuk e di edhe sa do të vazhdojë kjo përçarje e shoqërisë shqiptare për shkak të mospranimit të gjuhës standarde prej një numri studiuesish, zyrtarësh politikë dhe qytetarësh të tjerë, por e di: e para, se një shoqëri nuk mund të jetë e bashkuar në qoftë se është e përçarë rreth gjuhës së njësuar letrare kombëtare dhe, e dyta se të gjithë ata që nuk e pranojnë këtë gjuhë sot do ta humbin betejën, ashtu siç i kanë humbur gjithmonë betejat ata që të mirën e tërësishme kanë dashur ta zëvendësojnë me të mirë të pjesëshme,ata që të mirën kombëtare kanë dashur ta zëvendësojnë me të mirë krahinore,ata që të mirën për të gjithë kanë dashur ta zëvendësojnë me të mirë vetëm për disa. Betejën do ta humbin, por dëmi do të mbetet: shoqëria shqiptare, edhe për shkak të veprimtarisë së tyre, do të vonohet që nga shoqëria e përçarë të ngrihet në shoqëri pluraliste, e kjo domethënë në shoqëri, vërtet, të qytetëruar dhe demokratike.

Pa sistem vlerash

Dëshmi tjetër që tregon se shoqëria shqiptare vazhdon të jetë shoqëri e përçarë janë mospajtimet e ndryshme rreth vlerave dhe ngjarjeve të ndryshme historike dhe të përditësuara. Në të vërtetë shoqëria e sotme shqiptare, për shkak se është shoqëri e përçarë, nuk ka sistem të qëndruar e të përbashkët kombëtar të vlerave.

Vetëm në një shoqëri të përçarë, të pa sistem të qëndruar e të përbashkët vlerash historike, kulturore, shpirtërore, morale, politike, siç është shoqëria e përçarë shqiptare sot, mund të kihen dy data për ditën e çlirimit të vendit prej pushtuesit!

Vetëm në një shoqëri të përçarë, të pa sistem të qëndruar e të përbashkët të vlerave historike, kulturore, shpirtërore, morale, politike, siç është shoqëria shqiptare sot, disa forca politike mund tu bëjnë nderime të përmortshme luftëtarëve kundër pushtimit fashist dhe nazist, kurse disa forca të tjera politike mund tu bëjnë nderime të përmortshme bashkëpunëtorëve të devotshëm të pushtuesve fashistë e, pastaj, edhe nazistë!

Vetëm në një shoqëri të përçarë, të pa sistem të qëndruar, gjithëkombëtar vlerash historike, kulturore, shpirtërore, morale, politike, siç është shoqëria shqiptare sot, shërbëtori i pushtuesit mund të shpallet figurë e madhe historike kombëtare, të bëhen studime të mëdha për të dhe të stoliset me medalje, dekorata e tituj lartësues kombëtarë!

Vetëm në një shoqëri të përçarë, të pa sistem të qëndruar e të përbashkët vlerash historike , kulturore, shpirtërore, morale, politike, siç është shoqëria shqiptare sot mund të dënohet përditë diktatori, kurse të rehabilitohen e të glorifikohen përkrahës të tij, shërbëtorë të tij ideologjikë e politikë, apologjetë të tij; mund të dënohet përditë gruaja e tij, kurse të rehabilitohet e të glorifikohet nënkryetari i saj; mund të dënohet përditë kryetari i Kuvendit popullor komunist, kurse të rehabilitohen e të glorifikohen deputetë të Kuvendit të tij!

Ku në Evropë ndodhin këso marifetesh?

Ku në Ballkan ndodhin këso marifetesh?

Ku, në cilin vend tjetër në kontinentin evropian, me një paparimësi të tillë, me një dyfytyrësi të tillë, me një papërgjegjshmëri të tillë ndaj të drejtës, ndaj të vërtetës, ndaj historisë, ndaj etikës, ndaj përbashkësisë kombëtare, forcat politike dhe institucionet shtetërore përbaltin ashtu fytyrën e shoqërisë? Dhe, përçajnë shoqërinë?

Askund?

Askund përpos në shoqërinë tonë të përçarë!

Deri kur?

Qytetarët shqiptarë kanë arsye që, për shkak të këtyre të vërtetave të hidhura, të paraqitura më sipër, të jenë shumë të brengosur.

Por, të gjitha këto të vërteta të hidhura e obligojnë, në radhë të parë, inteligjencinë shqiptare, mjerisht ende të përgjumur, kurse një pjesë të saj të vënë në shërbim të autoritarizmit të sotëm, për një shqyrtim të gjithanshëm, të madh, të kësaj gjendjeje të shoqërisë shqiptare!

Të gjitha këto të vërteta të hidhura e obligojnë këtë inteligjenci për një shqyrtim të gjithanshëm, qëllimqartë, të madh, kritik, mospajtues, dënues të rolit katastrofal zvetënues të klasës politike, në mënyrë të veçantë të ish sekretarit të organizatës bazë të Partisë së Punës së Shqipërisë në Universitetin Shtetëror të Shqipërisë në Tiranë , Sali Berisha, të kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, të ish kryetarit të Shqipërisë, Sali Berisha, të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe të pretorianëve të tij në përçarjen e shoqërisë shqiptare.

Të gjitha këto të vërteta të hidhura e obligojnë inteligjencinë shqiptare që të bëjë krejt çka varet prej mendjes së saj të përbashkët, prej nderit të saj intelektual dhe prej vetëdijes së saj kombëtare politike dhe historike për shëndoshjen e kësaj shoqërie e kjo do të thotë për pluralizmin e saj, demokratizimin e saj.

Kjo inteligjenci nuk do të duhej të harronte asnjë çast se shoqëria pluraliste, domethënë demokratike, në sajë të pluralizmit gjen dhe miraton zgjidhjet më të mira, më frytdhënëse për problemet e veta, për çështjet e veta, për zhvillimin e vet të përgjithshëm. Përkundër saj, shoqëria e përçarë, domethënë jodemokratike, siç është shoqëria shqiptare sot, për shkak të përçarjes, nuk mund të gjejë dhe të miratojë zgjidhjet më të mira dhe, kështu, bëhet pengesë e vetvetes.

E unë, si pjesëmarrës në këtë shqyrtim të madh, që tani, me përgjegjësi politike, materiale, intelektuale dhe morale, të përtashme dhe historike, shpreh bindjen që do ta shprehja edhe në atë shqyrtim: shoqëria shqiptare do të fillojë të shërohet prej përçarjes së sotme, prej zvetënimit të sotëm dhe do të bëhet shoqëri pluraliste, domethënë demokratike, atë ditë kur Partia Demokratike e Shqipërisë të lirohet prej kryetarisë së Sali Berishës,dhe kur në Qeverinë dhe në Kuvendin e Shqipërisë të mos dëgjohet më Sali Berisha.

Atë ditë të pritshme, gjithnjë e më të afërtë, atë ditë edhe kryetarja e sotme e Kuvendit të Shqipërisë, prej së cilës atë ditë, po ashtu, do të lirohej ky Kuvend, do të fillonte të sillej si grua dhe partiake "normale", atë ditë edhe pretorianet e tjera dhe pretorianët e tjerë të Sali Berishës do të fillonin të sillen si qytetarë normalë dhe si anëtarë normalë, domethënë si shumica e anëtarëve të tjerë, të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Dhe, atë ditë të bekuar Shqipëria jonë do të mund të fillojë të funksionojë si shtet i qytetëruar dhe demokratik, kurse shoqëria shqiptare si shoqëri pluraliste, e qytetëruar dhe demokratike.

Asaj dite i kushtohet puna ime mendore që prej shumë vitesh, prandaj edhe këto shkrime për Gazetën shqiptare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama