Gjakmarrja është një dramë shumë tragjike në jetën e popullit shqiptar. Kjo është një dukuri, mund të thuhet madje, një kategori historike e jetës së shqiptarëve. Ajo ka shënuar shekujt dhe, siç po shihet, po e shënon edhe shekullin në të cilin kemi hyrë para 14 vjetësh. Ajo ua ka rënduar shumë jetën politike e shtetërore edhe figurave të mëdha historike të popullit tonë.
Edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Lekë Dukagjini kanë bërë përpjekje ta shpjegojnë dhe ta çrrënjosin, por pa sukses.
Përpjekje të dukshme kur me më pak e kur me më shumë suksese për shpjegimin dhe zhdukjen e saj janë bërë në pjesën e dytë të shekullit të kaluar, sidomos në Shqipëri.
Janë bërë studime dhe janë shkruar vepra shkencore për gjakmarrjen, për historinë dhe për të përtashmen e saj. Në rastet më të shpeshta këto janë studime me veçanti historike dhe juridike. Është vërejtur, thuhet prej vetë studiuesve se, si në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar ashtu edhe sot, shumë më të pakta se veprat historike e juridike për gjakmarrjen janë veprat me karakter sociologjik dhe psikologjik, sado studimet e këtilla janë tepër të rëndësishme për të kuptuar dhe për të shpjeguar rrënjët, shkaqet, rrjedhën dhe pasojat e gjakmarrjes në tërësi. Në veprat shkencore të studiuesve të huaj të traditës e zakoneve shqiptare, të cilët e njohin mirë historinë dhe të cilët i shquan dashamirësia ndaj shqiptarëve, me të drejtë thuhet se mungesa e studimeve sociologjike dhe psikologjike të gjakmarrjes po bën të mundshme që, si shkaqe të gjakmarrjes, edhe më tej të merren e ashtuquajtura gjaknxehtësia karakteristike e shqiptarëve, temperamenti i quajtur sangvinik, mentaliteti agresiv dhe primitivizmi i shqiptarëve! Gjykimet e këtilla për shkaqet e gjakmarrjes përfaqësojnë gjykime të vjetra e të reja që kanë karakter racist ndaj shqiptarëve. Po paragjykimet e këtilla kur e kur janë shprehur edhe në shkrime të disa studiuesve tanë për shkaqet, burimet dhe qenien shumëshekullore të gjakmarrjes në jetën tonë.
Shpjegimet e tilla paragjykuese, thonë studiuesit dashamirë ndaj shqiptarëve, kanë ndikuar në shpërfilljen apo në pakësimin e shpjegimeve të shkaqeve e të burimeve të vërteta të gjakmarrjes, që janë, në radhë të parë, gjendja ekonomike, kulturore dhe politike e mjediseve dhe e popullit ku ruhet aq gjatë gjakmarrja.
Kur flitet e shkruhet për gjakmarrjen pashmangshëm shtrohet pyetja: si të parandalohet, në të vërtetë si të çrrënjoset ajo?
Të dhënat historike dëshmojnë se ligjet, në sajë të të cilave dënohen gjakmarrjet, janë të rëndësishme për pakësimin, por jo edhe për parandalimin apo çrrënjosjen e tyre. Është parë se sado të ashpra të jenë dënimet e gjakmarrësve, prapë gjakmarrjet e kanë vazhduar mbijetesën e tyre tragjike.
Një studiues i huaj thotë:
“Në gjakmarrje dëshmohet e vërteta se njerëzit nuk bëhen bashkëkohorë vetëm se kanë ligje bashkëkohore, por pse kanë kushte bashkëkohore jete. Në qoftë se nuk mund të kenë mënyra të reja të jetës e të sjelljes njerëzit, kuptohet, do t’u përmbahen atyre të vjetrave. Gjakmarrja është një prej atyre mënyrave të “vazhduara” të sjelljes. Ajo nuk është sjellje normale, por as patologjike. Ajo është dukuri sui generis dhe si të tillë duhet ta trajtojmë”.
Përvoja historike e Kosovës, e krijuar në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, dëshmon se ekzistojnë mënyra të sjelljes, se ekzistojnë veprime të organizuara shoqërore ndaj gjakmarrjes, që shumë më tepër se ligjet, për një kohë të caktuar më tepër se edhe zhvillimi ekonomik, kulturor dhe politik e parandalojnë gjakmarrjen. Në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, studentët e Universitetit të Prishtinës, në sajë të nxitjes prej disa ish të burgosurve politikë dhe disa shokëve të tyre të tjerë do të fillojnë aksionin për pajtimin e gjaqeve. Si pjesëmarrës i këtij aksioni me rëndësi historike kombëtare shpejt do të shquhet studiuesi i dalluar i krijimtarisë artistike popullore, Anton Çetta. Gjatë këtij aksioni do të falen edhe gjaqet më të rënda, më tragjike në Kosovë. Ashtu edhe do t’u dhurohet jeta e lirë mijëra vetëve dhe mijëra familjeve.
Nuk ka dyshim se suksesi i këtij aksioni në masë të madhe ishte fryt i rezistencës së popullit ndaj dhunës e terrorit të shtetit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, por shumë më tepër ishte fryt i fjalës së fuqishme, bindëse, morale, çlirimtare, atdhetare, kombëtare të Anton Çettës, të bashkëveprimtarëve të tij dhe studentëve, në përgjithësi të të rinjve, që në numër jashtëzakonisht të madh merrnin pjesë në tubimet në të cilat bëhej pajtimi i gjaqeve.
Rëndësi posaçërisht të madhe për suksesin e këtij aksioni për pajtimin e gjaqeve do të ketë përkrahja individuale dhe kolektive që atij do t’i japin jo vetëm pedagogët e Universitetit të Prishtinës, por intelektualët shqiptarë në përgjithësi. Suksesi i jashtëzakonshëm i aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, i nisur prej disa ish të burgosurve politikë dhe prej studentëve e i përkrahur prej pedagogëve të tyre dhe intelektualëve të tjerë, do të duhej të jetë frymëzim dhe obligim moral edhe për studentët, pedagogët e Universitetit Luigj Gurakuqi, për intelektualët e Shkodrës, madje, për gjithë intelektualët shqiptarë që ta fillojnë e ta çojnë deri në fund aksionin për pajtimin e gjaqeve në Shqipëri – të gjaqeve aq dramatike, aq dhembjesjellëse, aq rënduese në jetën shoqërore në Shkodër e në Shqipërinë e Veriut në përgjithësi.
Të bëjmë ç’është e mundshme që i riu, i cili në pyetjen e Rudina Xhungës se cila është dëshira e tij më e madhe do të përgjigjet: që të mund të ecë i lirë, pa frikë, nëpër qytet – të bëjmë të mundshme, që ky i ri, shumë vjet i mbyllur në shtëpi për shkak të gjakmarrjes, të dalë e të shëtisë i lirë nëpër qytetin e tij, qytetin e Shkodrës. Vetëm kështu këtë të ri tragjik do të mund ta bëjmë të lirë, të lumtur, të dobishëm për familjen e vet dhe për vendin, çka atij i takon si e drejtë e premtuar prej Zotit e prej Shtetit.
Të bëjmë ç’është e mundshme që ta lirojmë popullin prej ankthit të tmerrshëm të gjakmarrjes! Por ta lirojmë popullin shqiptar edhe prej paragjykimeve që për të përhap gjakmarrja në Europë. Ta lirojmë popullin shqiptar prej përfytyrimit komprometues që tani po krijojnë disa media të huaja që përhapin lajme se si gjakmarrja në Veriun e Shqipërisë është bërë industri për disa shoqata të cilat bëjnë falsifikime të ndryshme me shkrim për t’ua siguruar azilin në Europë të rrezikuarve të vërtetë apo të trilluar prej gjakmarrjes!
Përpjekjet për parandalimin dhe çrrënjosjen e gjakmarrjes në të vërtetë janë përpjekje për modernizimin e identitetit kombëtar shqiptar, për lirinë dhe demokracinë e popullit shqiptar, për rritën materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar.