Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Transformimi i listave

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Transformimi i listave

Gjysmë ore pasi kishte skaduar ultimatumi, në të gdhirën e 28 tetorit 1940, trupat italiane sulmuan Greqinë. Ky ritual i pritjes së minutës së fundit, i përsëritur me qindra herë në histori, ka kuptim për luftëra e përleshje mes shteteve, por jo për të dorëzuar lista kandidatësh mes shqiptarësh.

Gjysmë ore pasi ishte mbyllur afati ligjor i dorëzimit të listave të kandidatëve për zgjedhjet e vitit 2009, PS-ja ia doli t’i dorëzojë ato lista. PD-ja i kishte dorëzuar diçka më herët, por edhe ajo për punë minutash. I njëjti fenomen u përsërit sërish me shpalljen e kandidatëve për zgjedhjet vendore që kemi në prag. PD-ja i çoi listat një a dy ditë para skadimit, PS-ja mezi ia doli t’i çonte në orët e fundit.

Ç’po ndodh me këto partitë tona? Kaq të vështirë e paskan të gjejnë kandidatë? Kështu duket në vështrim të parë, se kur shkon të pyesësh pastaj, sheh se është e kundërta. Në njësinë bashkiake ku banoj unë vetë për shembull, vetëm nga e majta ishin 11 kandidatë, ndërsa në një bashki tjetër doli se ishin 17 të tillë, gjithmonë nga i njëjti krah politik. Pra e thënë me terma ekonomikë, se biznes është kthyer kjo punë, paskemi inflacion kandidatësh.

Ju kujtohen zgjedhjet e dikurshme, ato të bëra deri diku rreth vitit 2000, kur partitë mezi gjenin njerëz për t’i kandiduar qoftë për deputetë e qoftë për kryebashkiakë e kryekomunarë? Përpiqeshin partitë të gjenin figura me emër, intelektualë, ekonomistë, inxhinierë, studiues dhe, veçanërisht, doktorë. Doktorët ishin goxha të parapëlqyer, me arsyetimin se kanë shumë njohje në komunitet. Madje, politika jonë - që ka aftësinë të degjenerojë e bastardojë çdo gjë që zë me dorë - ia doli ta degjeneronte edhe këtë proces dinjitoz përzgjedhjeje, pasi puna arriti deri aty, sa të preferoheshin mjekë, mundësisht gjinekologë, se me demek të paktën gjysma e trupës zgjedhore duhej të kishte kaluar nëpër duart e këtij lloj doktori. Pa le pastaj kur përpiqeshin të gjenin ndonjë kandidat nga shtresa e të persekutuarve, ndonjë intelektual që për ndonjë fjalë të lëshuar pa u menduar mirë kishte rënë në burg, apo ndonjë djalë a nip beu, ballisti a agai që kishte vuajtur burgjeve e internimeve marrëzinë e Komandantit. Ju kujtohen apo jo, ato kohëra kur shkrimtarëve dhe studiuesve, u kërkohej të kontribuonin në politikë, kur PD-ja ftonte në Kuvend Robert Ndrenikën, apo PS-ja ftonte në Këshill të Bashkisë Sali Shijakun? Bëhen nja njëqind e njëzet vjet që kujtesa të tilla i përfundojmë me vargun e Vaso Pashës “Po sot Shqipni, pa m’thuej si je”.

Procesi më i keq, që po kalb dhe degradon partitë tona, është ai që studiuesit e huaj e kanë përcaktuar si procesi i përzgjedhjes negative. Sipas tyre, në vendet që u integruan në botën komuniste, klasa politike fillestare, në mungesë të meritokracisë, përzgjodhi të rrethohej me njerëz të nivelit të saj ose edhe më poshtë se vetja, si e vetmja mënyrë për t’u imponuar dhe për t’u dukur e mençur. Pastaj, kur koha erdhi që brezat të këmbeheshin, kjo shtresë e dytë vazhdoi të njëjtin proces, duke përzgjedhur njerëz me nivel edhe më të ulët dhe kështu në vazhdim, duke bërë kështu që, në momentin e rënies së Murit të Berlinit, klasa politike lindore të ishte një masë njerëzish injorante, mendjengushtë dhe e paaftë.

I njëjti proces po ngjet brenda partive tona, veçanërisht dhjetëvjetëshin e fundit dhe, ca më shumë në mënyrë kalëruese këto 3-4 vjetët e fundit. Politikanë gjithnjë e më pa individualitet, që përzgjedhin rreth dhe pas vetes apo shkëmbehen me të tjerë edhe më pa individualitet se ata. Shtesa të korruptuara, që përzgjedhin të rrethohen dhe të trashëgohen nga figura edhe më të korruptuara. Partitë nuk po kanë më nevojë, jo më për intelektualizëm real, por as për fasadë intelektuale. Për atë fasadën intelektuale që përpiqej ta kishte, apo të paktën ta vinte, çdo parti e jona në fillimet e garës politike të viteve ’90. Ju kujtohen vitet e para, ata të parët fare, kur PD-ja përpiqej të numëronte sa më shumë shkencëtarë e profesorë për t’ia shitur miletit. Apo PR-ja, që e filloi startin në vitin ‘91 duke iu referuar portretit e citateve të Fan Nolit, e kështu me radhë.

Më e qarta në këtë shpëlarje ka qenë Partia Demokratike, që i ka larë duart nga të urtit e të mençmit, me kohë e me vakt dhe s’besoj se do kishte njeri nerva të lexonte këtu shpjegime mbi këtë pikë. Dhe sa më tepër që partia është spastruar nga të dijshmit, aq më shumë kënga e çiftelisë ka shërbyer si muzikë që ka shoqëruar kompaktësimin e radhëve të asaj partie. Edhe PR-ja, pasi erdhi vërdallë andej-këndej, hoqi dorë nga xhinglat rilindëse e republikane, duke u marrë me çështje dhe përfitime më tokësore.

E keqja është se ky fenomen, pra fenomeni i panevojshmërisë së maskës intelektuale dhe i këmbimit të saj me struktura biznesi, ka kapluar e mbërthyer tashmë edhe të majtën. Kujtoni spastrimin e para do kohëve në radhët e LSI-së. Më të shumtit e të spastruarve ishin profesorë e studionjës, njerëz që sidoqoftë e në çdo rrethanë, partive jo vetëm që ua zbukurojnë maskën intelektuale, por edhe realisht mund t’u thonë gjëra me mend. Me kohë, shenjat e kësaj epidemie, javash-javash iu afruan dhe infektuan edhe Partinë Socialiste. Tradicionalisht ka pas ekzistuar një sens orientimi drejt Partisë Socialiste, të një pjese të madhe të mendimit intelektual shqiptar. Arsyet janë padiskutim të lidhura edhe me gjysmëshekullin e kaluar, por këtu nuk dua të zgjatem me të shkuarën, por me ç’po ndodh. Dhe ajo që po ndodh, është se ka ca vjet që edhe kësaj partie po i largohen intelektualët. Ka vite që shtresa më e lartë e inteligjencës së vendit, edhe në dashtë nuk i afrohet dot më partisë, ose ajo që është pranë saj po i largohet, ca e përzënë e ca e vetëneveritur, ose në raste të tjera po kalon në një pozicion të stepur e pritës.

Rezultantja e gjithë këtij procesi degradues, janë listat e kandidatëve vendorë të dorëzuara në minutën e fundit dhe të mbushura me biznesmenë e me të fortë; me njerëz që nuk kanë asnjë lloj projekti vendor, por që janë në gjendje të bëjnë namin për të kapur vendin e parë; me llogaritarë makinacionesh elektorale dhe mjeshtër trukesh zgjedhore; me biznesmenë që kanë konflikte ulëritëse interesi me karrigen që duan të zënë; me tregtarë flamurësh, që i kanë shkëmbyer, po i shkëmbejnë, e do t’i shkëmbejnë flamurët, sa herë që do t’u interesojë për llogaritë e tyre ngushtësisht personale; me pseudo-kundërshtarë elektoralë, por që kanë të njëjtët klientë ndërtimi, të njëjtët njohje klubesh, të njëjtat burime financimi mes tyre dhe me lloj-lloj kokoroçësh të tjerë, që të vetmen CV publike kanë atë që as zverdhen e as skuqen kur dalin faqe njerëzisë.

Në këta 10 vjet ndodhi transformimi i funksioneve qeverisëse të qytetit a të shtetit, kryebashkiak a ministër qoftë, nga barrë e përgjegjësi në biznes e përfitim. Rezultanten e pamë sërish para tri ditësh: Partitë, që dikur u luteshin intelektualëve për të hyrë në listën e kandidatëve, tani i kanë mbushur listat me muskuj, bërryla e të fortë, që nuk shkulen nga listat deri në minutën e fundit. Është një varg i gjatë i vendeve të Lindjes që po e vuan këtë proces, megjithëse besoj se askund kaq rëndë sa këtu ndër ne. Por edhe ky nuk është aspak ngushëllim, ashtu sikurse nuk është ngushëllim fakti që në plehun ku të ka shkarë këmba e je zhytur, mund të jenë zhytur edhe të tjerë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama