Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Historianë apo militante?

Shkruar nga: Gëzim Tushi  
Botuar më: 18 vite më parë

Gëzim Tushi
Historianë apo militante?

Ndarja e politikës në kampe, diversiteti i mendimit të tyre deri në kundërshti, është normal të ekzistojë, për shkak të interesave politike e sociale që PD-ja dhe PS-ja përfaqësojnë. Por ajo që nuk është normale dhe tejet shqetësuese në këtë rast, është fakti se dhe historianët, ata që do të realizojnë procesin e rishkrimit objektiv, për fat të keq, kanë rënë në "grackën" e konfliktualitetit të politikës.

Edhe ata duken të ndarë, të pozicionuar jo si historianë të vërtetë, si profesionistë të paanshëm, si shkencëtarë, por më së shumti shfaqen publikisht gati si militantë. Në bisedat paraprake në televizion dhe në shtyp, ende pa filluar procesi, duket se ata në vend të objektivitetit shkencor historik, dallohen një paravendosje politike, për t'i shërbyer me profesionin e shkencëtarit, militantizmit të politikës, parapëlqimeve të saj për vlerësimin, rivlerësimin apo rishkrimin e historisë. Natyrisht, historia jonë është një dhe duhet parë e vlerësuar në mënyrë të paanshme. Ajo duhet riparë duke rivlerësuar shumë ngjarje, fakte historike, figura publike të së kaluarës, të deformuara nga historiografia e vjetër marksiste-leniniste. Por një garanci e tillë për të realizuar këtë proces me objektivitet, ka pak shans të realizohet, derisa pjesa më e madhe e historianëve kanë filluar të shfaqen politikisht, si simpatizantë të politikës së majtë apo politikës së djathtë. Në shumë biseda televizive që kam mundur të ndjek, më është dukur se kam dëgjuar jo historianë profesionistë, të "ftohtë", objektiv e mbushamendës, por njerëz të angazhuar politikisht si të ishin anëtarë të forumeve të PS-së apo të PD-së. Nëse historianët do të bëhen "palë" me politikën, në se e shikojnë historinë jo në mënyrë objektive dhe të paanshëm, por si militantë, që synojnë rolin e shërbëtorit të politikës, atëherë nuk do të kemi ndonjë "gjë të hajrit". Qëndrimet e qarta dikotomike, pozicionet militante të disa historianëve që "ja bëjnë me sy" politikës, tregojnë se ata, për fat të keq, nuk janë ende të pavarur nga partitë politike. Me fjalë të tjera, militantizmi, kjo sëmundje e njohur e demokracisë tonë ka "infektuar" historianët dhe historiografinë tonë. Nuk është rastësi që edhe historianët janë përgjithësisht të ndarë, në të majtë e të djathtë, ose që janë të paravendosur shkencërisht, për të argumentuar qëndrimet politike të partive kundërshtare. Historianët nuk duhet të jenë militantë, ka thënë filozofi modern bashkëkohor, Izaiah Berlin.

Të jesh objektiv, i paanshëm, do të thotë që historianët më së pari të kalojnë "Rubikonin" e ndarjes politike në historianë të majtë apo të djathtë, të ngrihen mbi parapëlqimet dhe orientimet politike personale, që janë të natyrshme. Të jesh objektiv, më në fund, sipas mendimit tim, do të thotë që ata që do të angazhohen në këtë punë me vlerë kombëtare, duhet të jenë të zhveshur nga pasionet deformuese, që pengojnë realizimin e së vërtetës historike. Detyra e historianëve është që të rishikojnë faktet e vërteta, duke bërë dhe interpretimin e drejtë, objektiv dhe të paanshëm të tyre. Kjo është thelbësore, ajo çka njerëzit tanë presin nga ky proces reflektimi historik. Sa më shumë të jetë e mundur, do të ishte i dobishëm një qëndrim shkencor neutral. Nuk thuhet kot se për historianët, neutraliteti është vlera më e madhe shkencore e personalitetit të tyre. Besoj se ata kanë shansin që kësaj here të na japin të vërteta sa më të plota të historisë dhe një vlerë të re për historiografinë tonë. Një sociolog i shquar thotë se "puna e historianit është të shkruajë historinë, çështja që shtrohet para tij në mënyrë të pashmangshme është që të shpjegojë se si jemi bërë këta që jemi". Të mos harrojmë se historia e Shqipërisë ka vlera të mëdha, prandaj edhe historia e shkruar, nuk është "disiplinë ndihmëse". Puna e historianit, nuk është një ajo e një transkriptuesi të thjeshtë.

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama