As kësaj radhe nuk mendoj se ka për të ndodhur ky proces, që i duhet shoqërisë dhe politikës, për të qenë e qetë, e lirë nga “ganxhat” që e mbajnë të lidhur me të kaluarën. Sapo u hodh ideja e “hapjes së dosjeve”, filluan të lëvizin idetë “pro dhe kundra”. Me sa duket dosjet janë “kutia e Pandorës” e politikës sonë, e politikanëve “të demokracisë” që erdhën në politikën e “majtë dhe të djathtë”, pa kaluar në “skanerin” e verifikimit të së kaluarës së tyre, të lidhjeve “vullnetare apo të detyruara” me “ancieme regime” (regjimin e vjetër).
Edhe në raste të tjera, kam qenë i mendimit dhe kamë sjellë argumente që “dosjet e bashkëpunëtorëve”, për kategoritë e njerëzve që luajnë, apo që dëshirojnë të luajnë “role të rëndësishme” në politikë dhe administratën e lartë publike, duhet të hapen pa asnjë mëdyshje. Nuk ka të drejtë politika të lërë shoqërinë në “dilemën” e pafundme të skepticizmit, për ata që e drejtojnë politikën shqiptare. Por edhe vetë klasa politike nuk ka pse mbetet në rrjetën emocionale, të “fundit të tmerrshëm apo të tmerrit pa fund”. Mirëpo, për fat të keq e kemi të vështirë të ndahemi me dinjitet dhe individualisht nga e “kaluara e përbashkët”, nga “pjesa e keqe” e secilit.
Prandaj ndodhi që sapo u hodh në “eterin politik” ideja e një mundësie të tillë, menjëherë filluan të dalin ca njerëz politikanë e “profesionistë të fushës”, që u përpoqën të përdorin të njëjtat argumente, në favor të “tezës kundër”, duke e argumentuar mos hapjen e dosjeve me argumente “kohore” dhe “morale”. Sipas tyre, hapja e dosjeve dhe zbulimi i ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit komunist nuk ka më kuptim, nuk ka më vlerë, se spiunët e kohës së komunizmit tashmë janë purifikuar, janë bërë të parrezikshëm, janë moshuar, kanë vdekur, etj., etj. Personalisht, pa qenë profesionist dosjesh, gjithnjë më ka shqetësuar fakti që shoqëria shqiptare ecën me parimin e “lëvizjes spontane”, duke e lënë “lojën të zhvillohet vetë”. Deri tani, nuk ka pasur tentativa serioze për të ndarë “shapin nga sheqeri”, për të dalluar ata që i rezistuan “kënetës së komunizmit”, nga ata që u “spërkatën prej saj”, nga të tjerët që u “zhytën” tërësisht në të. Kjo nuk është çështje e thjeshtë me karakter social dhe moral. Sipas mendimit tim, ajo është një nga “nyjat e mosbesimit” qytetar, që vërteton se ende nuk jemi ndarë përfundimisht me të kaluarën.
Një nga lojërat e shëmtuara që bëhet dhe që përdoret si argument kundër hapjes së dosjeve, është përpjekja për të impersonalizuar përgjegjësitë individuale, për t’i fshehur ato pas sloganit të “përgjegjësisë historike” si faj i përbashkët, për të cilin “kemi përgjegjësi të gjithë” e askush i marrë veç e veç.
Ndoshta do të jemi me siguri vendi i vetëm i “botës postkomuniste”, që nuk kemi mundur të bëjmë këtë ndarje midis “përgjegjësisë së përgjithshme”, historike, për të cilën jemi “të gjithë bashkëfajtorë”, nga “përgjegjësitë individuale”, të cilat duhen personalizuar, të paktën për aktorët kryesorë të jetës politike e publike. Nuk mund të jemi të qetë, derisa ende nuk janë ndarë qartë “përgjegjësitë historike”, me natyrë deterministe, nga ato “individuale”, me natyrë subjektive. Ky është një “operacion”, i cili sado i dhimbshëm që të jetë, sado kosto sociale që të ketë, duhet përballuar nga të gjithë si politikë, si shtet dhe shoqëri, por dhe nga gjithkush individualisht.
Nuk mund më të tolerohet ideja e ndonjë politikani, që qëndron në politikë “ballëlartë” megjithëqë “mizën e ka nën kësulë”, që përpiqet t’i bëjë dredha “imperativit të dosjeve”, duke nxjerrë “argumente banale”, se shoqëria jonë tashmë është e purifikuar dhe nuk ia vlen të merret me të kaluarën e saj. Në të vërtetë “përgjegjësia historike” nuk është “jorgan” që mund të na mbulojë të gjithëve, që askujt të mos i “duken këmbët jashtë”.
Ta lëmë tautologjinë e “përgjegjësisë historike” dhe të dalim në betejën e purifikimit të politikës secili me “lëkurën e vet”, duke mbajtur përgjegjësi personale për të kaluarën, e cila minimalisht duhet të përbëjë përgjegjësi, “kosto morale”, personale, për këdo që ka dëshirë të jetë në skakierën e politikës profesioniste, që dëshiron të luajë “rol publik”.
Nuk është normale që shoqëria jonë të jetojë me “sindromën ciklike”, e përhershme, të dyshimit dhe mosbesimit për klasën politike që drejton këtë vend, ngaqë kemi frikë se mund të largohen prej saj disa vetë, që kanë komplikacione me sistemin e kaluar. Nëse nuk e bëjmë këtë, nëse nuk e ndajmë “fajin objektiv, historik” nga “përgjegjësitë subjektive, individuale”, sidomos për politikanët dhe nëpunësit e lartë të shtetit, do të jemi përgjegjës për kredibilitetin në rënie, kaosin social dhe autoritetin e cenuar të politikës profesioniste.
“Spiunët e djeshëm” padyshim nuk duhen trajtuar aspak si “armiq” të sistemit të sotëm, as të privohen nga ca të drejta, që edhe ata i meritojnë demokratikisht. Por ama, as nuk duhet pranuar në heshtje apo me “marifete”, që ata të jenë ende në krye të politikës profesioniste, në administratën e lartë të shtetit, duke fshehur apo mbuluar “indikacionet korruptive” me sistemin e kaluar.
Nuk e kanë për gjë ca politikanë që, për të mbrojtur veten, “shpirtin mëkatar” nga ndëshkimi moral, besoj i pashmangshëm kësaj here, të përdorin edhe teza me ngjyrë marksiste, “se individi është i lidhur me rrethanat” që e determinojnë atë. Padyshim, që ato janë të pamjaftueshme për të “larë mëkatet” deri në fund. Unë nuk mund të them se ata që kanë pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit, me dëshirë apo me imponim, sot nuk kanë reflektuar dhe ndjerë përgjegjësinë.
Por koha është e pamjaftueshme për të “fshirë gjurmët”. E kaluara personale për disa duhet të bëhet pengesë për karrierë politike apo administrative. Fundja kjo është jeta, çdo njeri në të ka “fatin e tij”, qoftë kur atë e “bën vetë” apo kur e “gatuajnë të tjerët”. Nuk mund të ekskludohet kaq shpejt, kaq lehtë e kaluara personale e çdo “njeriu politik”, sido që të ketë qenë ajo. Ajo është një përgjegjësi që duhet mbajtur dhe duhet përballuar me karakter të fortë, sepse kushdo që vetë e ka prishur të “ardhmen” me të “kaluarën” politike të tij, tani nuk i mbetet gjë, veçse “t’i përballojë me krenari pasojat morale”.
Nëse ata do të këmbëngulin në argumentin “pa bojë”, duke ngushëlluar veten se ajo që “kanë bërë dikur” është përgjegjësi e sistemit dhe jo përgjegjësi e tyre individuale, atëherë i takon shoqërisë dhe shtetit, t’i japë fund kësaj “balloje me maska” të njerëzve të politikës dhe jetës publike. Kjo gjë duhet ndarë, për të “rivendosur” moralin politik dhe individual, në vendin e duhur. As naiviteti i moshës, as budallallëku i së kaluarës nuk janë argument, për të “anuluar” përgjegjësitë individuale të së kaluarës. Çdo politikan ka “historinë e vet”. Atë e dinë vetë ata që, duke u larguar nga “avanskena” e politikës dhe jetës publike, do të gjejnë “kohën e duhur”, për të rifituar kohën për të bërë “katharsisin” e domosdoshëm me jetën private. Në politikë dhe në histori “paguhen” edhe naiviteti, edhe “budallallëku i moshës”…