Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Identiteti evropian.

Shkruar nga: Gjergj Xexo  
Botuar më: 18 vite më parë

Gjergj Xexo
Identiteti evropian.

Në të vërtetë, çfarë përfaqson identiteti evropian ? Duke qëndruar larg çdo pretendimi madhështor, le të përpiqemi të ndriçojmë të paktën disa aspekte të këtij subjekti që është kthyer në temë debati dhe polemikash, që ndez pasionet gjithandej në Evropë ; në mos, të mundohemi t’i rrumbullojmë qoshet.
Çdokush pajtohet me idenë se ky identitet duhet të jetë një cilësi esenciale e të gjithë banorëve të Evropës (Çfarë përfaqson Evropa, të paktën nga pikpamja gjeografike ? Deri ku shtrihet ajo ?) E thënë ndryshe, bëhet fjalë për një identitet ku sejcili gjen shprehjen e vet ndërkohë që grupi sheh pasqyrimin e interesave të veta, pra një identitet kolektiv bile edhe social (cilët janë kufijtë minimale të grupit për të krijuar këtë kolektiv – familja, fshati ose lagja, qyteti, krahina apo shteti ?). Sidoqoftë, për të qenë konkret, ky identitet ka nevojë të nyjëzohet në elementët e tij, ose më mirë të themi në fusha të përbashkëta : një bashkësi fati ose jetese solidare, një bashkësi e zgjedhur që lejon përmbushjen e idealeve shpresëndjellëse, një bashkësi vlerash abstrakte – pluralizëm, tolerancë, barazi, drejtësi, jo-diskriminim (i) - që në fund të fundit përbëjnë bazën e një shoqërie civile, një bashkësi ligji ose ligjshmërie (veç dy-tri shprehje mungojnë – bashkësi “bashkësish”, bashkësi interesash dhe bashkësi aksionesh – që identiteti evropian të shëndrrohet në Bashkim evropian) (ii). Përballë konfuzionit, mbetet të thuhet se nëqoftëse identiteti evropian ende nuk është përcaktuar si koncept, të paktën ndjehet nevoja për t’a përcaktuar si të tillë :
« .. ndoshta detyra më e rëndësishme që vihet sot përballë Bashkimit evropian është t’i vihet një refleksioni të ri dhe mjaftueshmërisht të qartë lidhur me atë çka quhet identiteti Evropian, një nyjëzim i ri i përgjegjesive evropiane, një interes i shumëfishuar ndaj thelbit të integrimit evropian në të gjitha implikimet e saj lidhur me botën bashkëkohore, si edhe rikrijimi i etosit (karakterit të përveçëm) të tij, ose në qoftë se preferoni, karizmës së tij » (iii).
Dilema, përballë të cilës ndodhemi, i ngjan asaj të shën Agustinit, i cili në « Rrëfimet » e tij shprehej lidhur me kohën : « Çfarë është pra koha ? Nëqoftë se asnjeri nuk më pyet, e di shumë mirë ; në qoftë se më pyesin dhe kur dua t’a shpjegoj, nuk mundem ». Ja pra, përse është më e thjeshtë që identiteti evropian të krahasohet me kaleidoskopin
që ndryshon në mënyrë të vazhdueshme, nëpërmjet përzierjes së perceptimeve të të kaluarës me kërkimin e një të ardhme koherente.. si një bashkësi shumëformëshe dhe e ndërlikuar që para së gjithash përmban një kuptim të përkatësisë ndaj një hapësire të përbashkët të ligjshme. (iv)
Nëqoftëse, sikundër dhe duket, të gjitha rrugët të shpien drejt asaj trashëgimie të përbashkët shpirtërore dhe morale, që konkretizohet nëpërmjet “hapësirës së përbashkët”, elementët më të qënësishëm duhen kërkuar në « kulturën evropiane ».
Po sikur, ky identitet evropian të ishte amalgamë e larmive që popujt e ndryshëm përfaqsojnë në vetvehte dhe që ata sjellin në gjirin e Bashkimit ? Po sikur, identiteti evropian të mund të konceptohet si një shkritore e kulturave, të bartura nëpërmjet qytetërimeve të ndryshme që kontinenti ka parë ? E kqyrur si një « dinamikë e bashkësisë që lidh të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen », kultura evropiane i ngjan atij shkëmbit konglomerat, të shtypur nga pesha e kohës, por që lejon të shihet ndërthurja e shtresave të ndryshme kronologjike : bota matriarkale e bujqve-kafshërritës neolitikë që zbuluan « civilizimin e Evropës së Vjetër » ; shoqëria mashkullore dhe luftarake e « popujve të Kurganeve » që shtyp të parën për t’i dhënë jetë indoevropianëve ; invazioni i Keltëve me ritet e mistershme të varrimit ; qytetërimi helen me Qytet-shtetet e saj, me filozofët dhe artistët e saj gjenialë ; bota romake dhe përsosjet e saj të Ligjit, të administratës, të politikës dhe të arkitekturës ; makrokozmosi gjermanik dhe got si dhe pushteti i tij regjenerues mbi një Romë në agoni ; universi bizantin me burimet e tij fetare judeo-kristiane, me mistikën e tij sllave dhe kodet e pakrahasueshme ligjore ; suvala gjigande arabo-myslimane dhe frymëzimet e saj shkencore dhe teologjike ; mërgata çifute me kapacitetet e saj intelektuale, ekonomike dhe artistike ; bashkësia latine me hierarqitë e saj mbretërore, me mjeshtërinë e saj teknologjike dhe ushtarake …
Sidoqoftë, identiteti evropian mund të konceptohet veçse në kryqëzimin e një vargu lëvizjesh të gjera ndërkulturore të natyrës morale, politike dhe ideologjike, të cilat kanë mundur të realizojnë këtë amalgamë të të gjitha kontributeve të veçanta. Feja e krishtere, kjo « çimento e Evropës së parë » (v), është nga elementët kryesorë të këtij vargu. Duke njohur barazinë e të gjithëve përpara Zotit, dinjitetin e personit njerëzor në kërkim të të mirës së përbashkët, ajo ndërton dhe vendos bazamentin e mendimit dhe shëndrrohet në faktor të njësimit të besimeve, të organizimeve sociale dhe të mjeteve të të shprehurit. Të këtij vargu janë edhe praktikat politike si dhe përvojat administrative sikundër Principatat, Mbretëritë dhe Perandoritë. Në këtë mënyrë vendoset rendi dhe formohet trupi social, ndërtohen aleancat dhe krijohen familjet, kështu diferencohen elitat. Paralelisht çfaqen një varg rrjetash njerëzore : zejtarët dhe korporatat, murgjit dhe pelegrinët, kalorësit dhe kryqtarët, fisnikët dhe eruditët, tregëtarët dhe udhëtarët.
Cili nga këto elementë i mungon hapësirës fillestare shqiptare ? Praktikisht asnjë. Ajo ka bërë pjesë me mish e me shpirt në këtë botë, duke u shkrirë në të nëpërmjet zakoneve dhe sjelljeve, dokeve dhe ligjeve, duke ndarë me të peripecitë dhe fatkeqsitë. Vetëm se aventura e vërtetë evropiane fillon në shekullin e XV dhe të XVI, në atë moment kur viset shqiptare shëndrrohen në pjesë përbërëse të Perandorisë otomane. Dhe përsa i përket aventurës, otomanët nuk kanë ndarë të njejtën me Evropën, nuk kanë pjesëmarrë në të njejtat dinamika sikundër dhe evropianët e krishterë. Evropa autentike përmbledh Rilindjen, Ngadhënjimin (e Botës së Re), Inkuizicionin, Reformën, Dritëzat (les Lumières), Romantizmin dhe të tjera si puna e tyre.
Megjithatë, kapitali i gjerë i përbashkët i kulturës si dhe udha e përbashkët e popujve, shkurt historia, nuk janë gjë tjetër veçse një emërues i përbashkët as i mjaftueshëm dhe as ngushëllues. Duhet menduar njëkohësisht për elementë të tjerë sikundër etika politike, qytetaria, arsimimi – pa harruar gjithashtu edhe ato « ngjashmeri mënyrash » që karakterizojnë praktikën shoqërore, sikundër dhe normat dhe rregullat e përbashkëta që racionalizojnë sistemin ekonomik. Në dorë të fundit, evropianët kanë të përbashkëta edhe projektet institucionale dhe afishojnë një vullnet përkatësie. Dhe pikërisht, janë konceptet e mënyrës së trajtimit të përbashkët si dhe të shpirtit të bashkëpunimit që përcaktojnë identitetin evropian pasi nuk mungojnë as principet që i veçojnë as edhe praktikat kundërshtuese : mjafton të përmenden identitetet kombëtare të jashtëqendërzuara, nacionalizmat agresivë, ideologjitë konkurrente, pushtetet diktatoriale ose autoritare. Këtij kapitulli të fundit i përkasin luftrat e Mëdha Botërore, shfarosja e çifutëve si dhe episode të tjera po aq të lavdishme për t’u harruar një herë e mirë.
Në çfarë distance, identiteti shqiptar qëndron përkundrejt identitetit evropian ? Nga një pikpamje historike, shqiptarët nuk ishin të vetmit që ju bashkëngjitën peripecisë otomane. I parë nga Evropa, gjithë Ballkani ose pothuaj i gjithi s’është gjë tjetër veçse « një rajon i ndërmjetëm, i gjendur mes Perëndimit, Lindjes dhe Afrikës, i qëndërzuar mbi Mesdheun (vi) », i përthithur në një dinamikë post-bizantine dhe ish-otomane, ku identitetet lokale kanë qenë ndërtuar sipas shembullit të disa modeleve njëkohësisht perëndimore dhe lindore, sipas një « alkimie të integrimeve dhe të flakjes që ka krijuar popujt e Evropës juglindore të sotme ». Në këtë plan, ballkanikët përbashkojnë më tepër vlera se sa veçohen nga diferencat, duke frymëzuar Cvijiç dhe të tjerë antropogjeografë për të përpunuar modele të llojit homo balkanicus, të frymëzuar nga një mentalitet ballkanik i veçantë.
Elementët e parë të një diferencimi rajonal çfaqen në planin socio-politik, nga momenti i vendosjes së kufijve dhe të institucioneve të pushtetit. Në këtë mënyrë, identiteti rajonal, bile dhe kombëtar, paraqitet i pajisur me funksione të reja – individ dhe pushtet, shoqëri dhe elita, gjë e cila implikon një diskriminim të njohurive, të principeve dhe të vlerave, qëllimi i të cilave është prodhimi i stereotipeve që ushqejnë të sotmen. E kaluara shëndrrohet në këtë mënyrë në një fushë të gjerë gërmimesh dhe historia përbën atë lëndë të përpunueshme sipas dëshirës, e domosdoshme për të ngritur kufij të rinj imagjinarë mes Vetvehtes dhe Tjetrit. Ndaj kësaj prespektive, nuk mjafton më të ngrihet pyetja se ç’përfaqson identiteti kombëtar por në rradhë të parë në favor të kujt dhe kundër kujt ai është ndërtuar (vii).
Nga momenti që instalohet dikotomia mes Vetvehtes dhe Tjetrit, bota ndrron fytyrë. Ajo ndahet ndërmjet qendrës dhe periferisë, ndërmjet progresit dhe regresit, ndërmjet modernizmit dhe arkaizmit. Pa asnjë dyshim, Perëndimi përfaqson modelin që duhet ndjekur dhe kopjuar ndërkohë që Ballkani mbetet shembulli që duhet harruar. Për evropianët, ballkanikët s’janë gjë tjetër veçse të tjerët nderkohë që për të dytët, të parët përbëjnë atë pjesë të idealizuar të vetvehtes, këtë pjesë të paprekshme që çdokush dëshiron të jetë. Le të bëhemi përfundimisht shpirtgjerë ! Evropianët e civilizuar arrijnë të pranojnë gjithashtu se edhe ballkanikët e prapambetur përfaqsojnë një pjesë të vetvehtes ; vetëm se, bëhet fjalë për atë pjesë të turpshme që çdokush dëshiron t’a fshehë, përpara se t’a fshijë përfundimisht nga kujtimi – intolerancën, pastrimin etnik, shfarosjen, barbarinë… Megjithatë, evropianët nuk mund të neglizhojnë faktin që konstruksionet identitare funksionojnë gjithandej në mënyrë analoge : në hapësirën perëndimore evropiane, në hapësirën qëndrore Mitteleuropa – bile edhe në atë ballkanike. Evropa e parë – ajo e kombeve dhe e shteteve - deri në pragun e luftës së dytë botërore, ja la vendin Evropës së dytë – thuajse të padukshme, pasi ish ndarë nga Perdja e Hekurt dhe ish tretur brenda dy blloqeve antagoniste. I vetmi zë në shkretëtirë që guxonte të përmendtte realitetin evropian si një bashkësi vlerash nga Atlantiku në Ural ishte ai i Sharl de Golit në fillim të viteve 60’. Nën frymëzimin socialist lindi një vizion i ri – Evropa si një forcë të tretë, mes kapitalizmit dhe komunizmit, e cila pas shëmbjes së Murit të Berlinit u konkretizua në Evropën e tretë : forcë e re e integruar politike, ekonomike dhe përfundimisht kulturore në sferën perëndimore, konkurrente e denjë në tregun liberal botëror. Në këtë stad të zhvillimit, Evropa « e Re » e shtyrë nga pragmatizmi, i bëri besim intuitës dhe në rradhë të parë arsyes. Ajo ndërkohë e kish kapërcyer barrierën e « përplasjes mes qytetërimeve » të konfirmuar nga Huntingtoni (viii), duke pranuar në gjirin e vet fillimisht një Greqi që i përkiste jo vetëm botës ballkanike po edhe asaj ortodokse ; ajo e përforcoi gjestin e saj nëpërmjet pranimit të një varg vendeve të « botës sllave » - Poloni, Çeki, Slloveni ose Sllovaki, ndoshta e nxitur nga referencat e tyre katolike. Përfundimisht, ajo recidivoi me rastin bullgar duke shtrirë këtë besim edhe mbi sferën ballkaniko-sllavo-ortodokse. I vetmi hap që ende heziton të hedhë është ai i pranimit në gjirin e vet të vendeve ballkaniko-myslimanë, natyrisht nëpërmjet argumentit të një demokracie ende të dobët. Cilëtdo qofshin argumentat dhe logjika e ndjekur, aktualisht Bashkimi evropian ka prekur pothuaj ekstremet e hapësirës së tij « natyrore » : kufijtë e botës ortodokse « të mirëfilltë » - me Rusinë në qendër, dhe ato të botës myslimane – me Turqinë në rolin e përfaqsuesit të denjë.
Projekti i institucionalizimit të identitetit evropian ka lindur nën shenjën e bashkimit. Ky bashkim i konceptuar dhe i realizuar fillimisht si një bashkim ekonomik – qymyri dhe çeliku – u shtri gradualisht edhe në fusha të tjera : kulturore, politike, ushtarake… Por para së gjithash, ideja qëndrore e këtij bashkimi ishte të ndryshonte raportet mes Vetvehtes dhe Tjetrit, në brendësi të hapësirës perëndimore, me qëllim që të tentohej t’i jepej fund mohimit fizik të Tjetrit, luftës. « Kurrë më » - don të thotë t’i bëhet thirrje kujtesës për të kuptuar se mënyra më e mirë për të tejkaluar një farë të kaluare ishte federimi rreth një ideje post-kombëtare. Bërja besim ndaj shtetit ligjor, një substance të zbrazur nga përmbajtja e saj historike për t’a shëndrruar në një normë, një institucion – ja edhe kapitali i mendimit të një Ulrik Bek kur përcakton kozmopolitizmin proceduror si esencë të evropianizmës. Pavarësisht kësaj, asnjë kozmopolitizëm i këtij lloji nuk eshtë në gjendje të absorbojë pushtetin e imagjinarit kolektiv. Fakti vetë i të dhënit vetvehtes të të drejtës për të përcaktuar një « standard » të qytetarisë evropiane nënkupton që tashmë, egziston mundësia e të përcaktuarit të këtij kufiri imagjinar në një mënyrë të ndërgjegjshme, të qënit të aftë për t’a shvendosur, për të ridimensionuar hapësirën evropiane në termat e perëndimit-Oksident dhe të lindjes-Orient.
Cila prej këtyre ideve frymëzon Kadarenë dhe të tjerë shqiptarë kur shpallin identitetin e tyre të ri evropian ? Sipas të gjitha gjasave, asnjëra prej tyre – në qoftë se lemë mënjanë vizionin e tyre historik. Në nivelin e tyre, ata ndërhyjnë vetëm mbi klishetë e Vetvehtes dhe të Tjetrit : mjafton në këtë mënyrë të mohohet e kaluara për t’u shëndrruar në « evropianë të vërtetë ». Të tjerë, ata që na kqyrin nga larg, mendojnë ndryshe :
Të pretendosh të hedhësh poshtë këtë traditë myslimane, të imagjinosh që pjesa dërrmuese e popullsisë mund të heqë dorë nga feja e saj, është një iluzion i rrezikshëm. Po aq e rrezikshme është edhe dëshira për të t’ju vjedhur trashëgimisë otomane e cila, mër të mirë ose për të keq, ka formuar identitetin e sotëm të popullit shqiptar, sikundër ka bërë edhe për popujt e tjerë të rajonit. Të duash të heqësh qafe këtë trashëgimi është e njejta gjë sikundër braktisja e kulturës dhe e identitetit të vetvehtes. (ix)
Pa mundur të kuptohet deri në fund mekanizmi i saj i brendshëm si dhe principet e saj themeluese, është krijuar mendimi se përfundimisht Evropa paskësh qenë e lidhur me Shqipërinë me anë të një detyrimi hipotetik të transmetimit të qytetërimit dhe të dhënies së ndihmës. Në të vërtetë, qëkur ky kontinent tashmë shumëracor paskish shprehur dëshirën për të përmirësuar imazhin e tij nëpërmjet integrimit të tre milionë e gjysëm njerëzish lëkurëbardhë ose me gjak-blu ? Me ç’rast, Evropa shumëfe paskish shpallur një ndjenjë mospranimi ndaj atyre dy milionë myslimanësh agnostikë, nga frika e rrënimit të pejzazhit të saj fetar ?
 
---------- 
 
(i) Armin von BOGDANDY - The European Constitution and European Identity: A Critical Analysis of the Convention's Draft Preamble, në Weiler and Eisgruber, eds., Altneuland: The EU Constitution in a Contextual Perspective, Jean Monnet Working Paper 5/04.
(ii) Në lidhje me bazën e përbashkët si dhe mbi vlerat mbi të cilat ngrihet Bashkimi evropian, shih : SZAZADVEG – European values & Identity : A reflection for an indispensable discussion, Szazadveg Foundation, Austrian Institute for European Security Policy.. 2005.
(iii) Vaclav HAVEL - fjalim në Parlamentin evropian, 8 mars 1994.
(iv) Council of Europe – European identity : a kaleidoscope undergoing constant development, « The notion of Identity », Discussions, April 17-18, 2001
(v) Shih : Dominique HAMON & Yvan Serge KELLER - Fondements et étapes de la construction européenne, PUF, 1997.
(vi) Albert DOJA - Formation nationale et nationalisme dans l'aire de peuplement albanais, Europa, Volume 3, No 2 – 2000.
(vii) Dimitar BECHEV – Constructing South-East Europe : the Politics of Regional Identity in the Balkans, Europe and the Mediterranean Convergence, Conficts and Crisis (Working Paper Series), European Studies Centre University of Oxford, Ramses 2 paper 1/06, march 2006.
(viii) Shih : Samuel HUNTINGTON – Le clash des civilisations, Ed Odile Jacob, Paris 2000.
 (ix) Shih : Jean – Arnault DERENS – Christianisme et identité albanaise, Religioscope, Études et analyses nr. 12, mai 2007. në : http://religion.info.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama