I lodhur, bile i tejmunduar, nga kjo ditë e stërgjatë fillimkorriku, e verbuar nga drita gjithëdepërtuese dhe e pjekur nga dielli i pamëshirshëm - pasi i ngeshëm - që lëngëzon kalldrëmet e qytetit dhe avullon fasadat, çlirova një « uf » të zhurmshëm kur, më së fundi, u zhyta në gjysmëerrësirën e freskët dhe të heshtur të shtëpisë. Fizikisht i lodhur por ama i lumtur. Pasi kisha ngadhënjyer mbi vapën, mbi zhurmën, mbi stresin, mbi turmën… mbi djersën, mbi rrugën, mbi diellin, mbi vetë qiellin !
Lumturi efemere, pasi mbi tryezë më priste një tufë reklamash dhe faturash për t’u paguar, pasi edhe televizori i shurdhër shpërndante imazhe të Irakianëve të masakruar, të francezëve në grevë… Edhe i freskët, i nginjur dhe i ngeshëm, nuk i shpëton dot agresionit mediatik, mjedisit shoqëror, administratës së pamëshirshme. Vendosa t’i vidhem realitetit nëpërmjet « xhiros » së zakonshme në internet. Dhe gryka e zezë e pusit befas u hap përpara këmbëve. Përpara se të kumbisesha në të, munda të lexoj titullin: « Shqiptarët, më pak të lumtur se Irakianët ». Merde! Edhe në ferr, nuk na u ndanë Irakianët..
* * *
Ishte thjesht një moment dobësie, pasoja e goditjes së diellit. Për fat, gjendesha gjithmonë mbi karrike, me sytë e përhumbur në ekran. Përse Shqiptarët janë më pak të lumtur se Irakianët ? Mes rreshtave, shkencëtari Inglehart i universitetit të Miçiganit, më shpjegonte se « arsyet e Irakut janë shumë të qarta » ndërkohë që « Shqipëria [është] vendi më i varfër në Evropë ». Pra atëhere, lumturia qënka proporcionale me pasurinë : sa më i pasur, aq më i lumtur, sa më i varfër aq më pak i lumtur ? Si shpjegohet atëhere që Bullgarët (PIB/banor 9800 $ në 2005) që janë dy herë më të pasur se Shqiptarët (5000 $/banor) gjenden gjithashtu në fund të listës, ndërkohë që Kolumbianët (8000 $/banor) janë nga më të lumturit e botës ? Mos ndoshta për shkak të kokainës ëndërrsjellëse ? Po Salvadorjanët përse janë më të lumtur se Finlandezët? Po Guatemaltekët përse gjenden përpara Norvegjezëve ? Përfundimisht, si e ka « matur » lumturinë ky Institut për Kërkime Sociale nga Miçigani ?
Gjithmonë, teksti më mëson se bëhet fjalë për një sondazh që ka filluar 26 vjet më parë ku « janë përfshirë më shumë se 350.000 njerëz që janë pyetur sa të lumtur janë, duke përdorur dy pyetje të njëjta : “Duke marrë parasysh të gjithë gjërat, a mund të na thoni, nëse jeni shumë i lumtur, pak i lumtur, jo shumë i lumtur dhe aspak i lumtur?” Si dhe, “Duke i marrë të gjitha parasysh, sa i lumtur jeni me jetën tuaj?”…. Nga kombinimi i përgjigjeve për këto dy pyetje, është ngritur një indeks të mirëqenies subjektive që reflekton lumturinë dhe gëzimin e jetës së përgjithshme… të cilët ndikohen nga faktorë të tillë si rritja ekonomike, demokratizimi dhe rritja e tolerancës sociale … ». Në se është kështu – dhe në se ky sondazh zgjat që prej vitit 1981 - përse atëhere Shqiptarët mbeten gjithmonë të palumtur ? Cili nga këto elementë – rritje ekonomike, demokratizim apo rritje e tolerancës sociale – i mungon aktualisht psikes krahasimore shqiptare që ajo të ndihet e lumtur ? Apo, të paktën diçka më e lumtur se në vitet 80 të komunizmit hoxhian ? Duke lënë mënjanë Inglehartin e Miçiganit, u mundova të kërkoj një përgjigje me të tjera mjete. Fillimisht, duke ngritur pyetjen : çfarë është lumturia?
Fjalorët më tregojnë se fillimisht, lumturia diku lidhet me fatin : për të qenë i lumtur duhet të jesh i zgjedhur i fatit. Ndoshta prandaj edhe lumturia është kaq e rrallë ! Së dyti, lumturia përfaqson një gjendje kënaqësie të thellë dhe të plotë të të gjitha tendencave jetësore njerëzore. Pikërisht kjo gjë e dallon lumturinë nga kënaqësia – gjithmonë jo e plotë, e çastit. Aq më tepër që kjo e fundit nuk është atribut i papërjashtueshëm i qënies njerëzore – pasi edhe kafshët ndjejnë kënaqësi, pa qenë të lumtura. Thjesht, të jesh i lumtur, duhet të « ndjehesh » mirë, të përfitosh nga kënaqësitë e jetës, të kesh mundësinë të provosh këto kënaqësi… Për ç’kënaqësi të jetës bëhet fjalë : për ato materiale apo për ato shpirtërore ? pasi këto të dytat, në një masë të madhe varen nga vetë njeriu. Liria në vetvehte, a nuk është një fuqi e mjaftueshme për t’u bërë i lumtur ? A nuk jemi ne vetë zotër të « fatit » tonë pra, të lumturisë tonë ? Dhe si padashur në mendje më vjen ai Taipi i Ypit, me traktora, me kombajna, me vetura dhe motora, me kuaj dhe me gomerë... Një dragua i punës dhe një nënështrues i fatit. Një Shqiptar. Megjithatë, edhe hyjnori Taip mbetet një « kafshë shoqërore », bile edhe një « kafshë politike ». Këtë nuk e them unë por vetë Aristoteli i madh. Dhe si i tillë, ai gjendet i zhytur deri në palcë në shoqërinë shqiptare, në këtë « domosdoshmëri të trishtuar » sipas Shopenhauerit.
Është pikërisht kjo shoqëri shqiptare që ka mbushur formularët e Miçiganit dhe e quan vehten të palumtur. Ndoshta pasi Taipët e Ypit janë një pakicë mes shumicës të Dilaverëve të Spiropalit, lumturia e të cilëve përmblidhet në një palë këpucë. Përse atëhere kjo shoqëri shqiptare është goditur nga fataliteti i Dilaverëve dhe jo nga lumturia e Taipëve ? për të gjetur përgjigjen m’u desh të kqyr një tjetër shoqëri, dikur po aq në mos edhe më fatkeqe, ajo e Islandezëve. Sot më e lumtura në botë.
* * *
I humbur në mes të Atlantikut, i zhytur në natën polare dhe i mbuluar nga akujt e përjeshëm, Islanda është vendi ku, sipas OKB, njerëzit janë më të lumturit mbi dhe. Pasi, Islandezët janë të parët e klasifikimit që ndërthur elementët e pasurisë materiale, shëndetin publik, moshën mesatare të banorëve, arsimin, mirëqenien shtëpiake dhe familjare – thjesht lumturinë. Një vend që s’ka as ushtri, as kriminalitet, ku asnjë familjeje nuk i mungon as ngrohja, as uji i ngrohtë, as energjia elektrike ; ku 99% e fëmijëve ndjekin shkollat publike, ku niveli i alfabetizimit të banorëve është 100%, ku 64 fëmijë në 100 bëhen jashtë martesës, ku 8% e PIB shkon për arsimin dhe kulturën… E pra, një shekull më parë Islandezët ishin ndoshta populli më i varfër i Evropës, ndoshta i botës. Një tokë barbarësh dhe paganësh, peshkatarësh dhe emigrantësh, porta e Ferrit. Si ka mundësi një gjë e tillë ?
Një përgjigje vjen nga ish-Kryetari i Bashkisë të Rejkiavikut : « Megjithëse ne ishim kombi më i varfër, të gjithë dinin të lexonin dhe të shkruanin, dhe gratë tona ishin të fuqishme. Duke u nisur nga kjo, ne kemi ditur të zhvillojmë politika të forta. Për mendimin tim, disa gjëra janë më të rëndësishme për shëndetin e një kombi se sa të pirët apo jo e duhanit, si dhe të ngrënët mirë. Ne vemë theksi mbi barazinë, mbi paqen, demokracinë, pastërtinë e ajrit dhe të ujit, arsimin, energjinë e përtëritshme, të drejtat e grave ». Kryeministri i vendit shprehet se « mendoj se ne kemi ditur të kombinojmë çka është më e mirë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Me fjalë të tjera, sistemin social nordik dhe shpirtin e iniciativës të ndërmarrjes amerikane… shumë prej nesh kanë jetuar dhe studiuar në Amerikë dhe aty kemi përvehtësuar – si edhe zbuluar atë çka gjendej brenda nesh – sjelljen pozitive, idenë që me punë, gjithçka është e mundshme ».
Puna si bazë e çdo suksesi, rrënja e lumturisë, e kombinuar me një solidaritet të gjithëgjendur – ai i individit ndaj të ngjashmit, sejcili i papërfillshëm përballë natyrës së përbindshme. Ky është edhe çelësi i mrekullisë islandeze që shfrytëzon energjinë gjeotermale për t’ju larguar naftës, që investon në farmaceutikën e gjenerikëve për të dominuar tregun botëror, që zhvillon një sistem financiar të habitshëm që ngjall zili deri në Angli, që eksporton dijen dhe mjeshtërinë e saj deri në Australi.
* * *
Përse Shqiptarët që importojnë absolutisht të gjitha mallrat, që nga perimet e Maqedonisë dhe deri në pllakat majolike të Spanjës, nuk arrijnë të importojnë modelin islandez të zhvillimit ? Çështje politikash dhe politikanësh që më shpejt shtrijnë dorën për të lypur se ta shtrëngojnë atë rreth një bishti kazme, çështje prioritetesh zhvillimi që më kollaj strukturohen rreth trafiqeve se sa rreth shfrytëzimit të burimeve të brendshme, çështje besimesh të verbëra që më përpara shpresojnë në bujarinë e qiellit se sa besojnë në forcën e tokësorit, çështje mentalitetesh që më lehtë ushqehen nga lakmia e pronave se sa nga solidariteti ndërnjerëzor, së fundi çështje sistemi traditash që pret lumturinë si dhuratë, nga një qënie e plotfuqishme, qoftë ai babai, kryetari apo vetë Zoti. Sipas Fishtes, një sistem idolatrie po aq i lashtë sa edhe korruptimi njerëzor, të cilin zhvillimi dhe koha i kanë ndryshuar vetëm formën e jashtme.
Fundja fundit, në atë varfërinë e tyre kampjone të Evropës, Shqiptarët mund ta konsiderojnë vehten të lumtur, pasi askush nuk mund t’i druhet një gjendjeje më të keqe se sa e tyrja.
(www.albanie-albanais.com)