Pak ditë më parë festuam përvjetorin e tretë të ngjitjes së z. Berisha në fronin e Kryeministrit të Shqipërisë. Për ata që kanë harruar, le të kujtojmë se pikërisht në 1 shtator 2005, ose dy muaj më vonë nga mbajtja e zgjedhjeve legjislative (3 korrik), parlamenti shqiptar mundi të shfaqë fytyrën e tij të re : partia Demokratike paraqiti 56 deputetë (40% të vendeve të parlamentit) ndërkohë që rivali i saj PS që detyrohej të braktiste pushtetin mund të mbështetej në ata 42 deputetët e saj (30%). Për të realizuar qeverisjen, Berishës ju desh të mbështetej në aleancat natyrore me qendrën e djathtë – ALDM – që grumbullonte 18 vende. Kjo gjë i siguroi shumicën në parlament me 74 vende, ose 53,2%, si edhe krijimin e qeverisë së tij të parë, pas 8 vjetësh në opozitë.
Pra, tashmë tre vjet në pushtet. Tre vjet shumë të suksesshëm, bile të jashtëzakonshëm në arritje dhe rezultate – po të dëgjojmë militantët e PD dhe ithtarët e tij të sotëm të shumtë. Tre vjet të tepërt, të kotë (dhe sidomos të pafund) – sipas mendimit të socialistëve dhe opozitarëve të tjerë që sikundër kuajt, hanë frerin me dhëmbë duke pritur ata muaj që kanë mbetur, deri në zgjedhjet e ardhshme.
Kësaj rradhe, nuk kam ndër mend të bëj bilancin e qeverisë pasi zgjedhjet ende janë disi larg dhe formacionet politike sapo kanë filluar të vihen në rreshtim beteje. Koha ndoshta nuk pret për politikanët, por unë nuk jam i tillë. Pra, këtë analizë e kam lënë për më vonë… Aq më tepër se prognoza për fituesin e ardhshëm nuk ka nevojë për një analizë të thellë. Edhe pa qenë fallxhor për të paraparë të ardhmen në një glob kristali – ose analist për të zhongluar me parametrat makroekonomikë - mund të thuash pa asnjë ngurrim që ai do të jetë njeri prej dy antagonistëve të « përjetshëm » të skenës politike të tranzicionit : ose pozita e sotme ose opozita.
Vetëm se, si PD ashtu edhe PS nuk arrijnë të mbledhin më shumë se 33 – 34% të elektoratit sejcila. Ky elektorat që prej vitesh respekton skemën : 1/3 – 1/3 – 1/3 (një e treta e fundit përfaqson të gjithë të tjerët). Sipas gjasave, në arenë do të zbresin e djathta e bashkuar kundër të majtës së përçarë. Aq më tepër që sipas rregullave të reja elektorale, të dy kampet kanë interes të federojnë brenda familjes së tyre për të paraqitur dy skuadra përfaqsuese në një ndeshje, rezultati i të cilës do të përcaktohet nga sjellja e arbitrit Meta.
Në se fituesja do të jetë skuadra blu, edhe toni edhe akordi bazë i muzikës janë të njohur – për katër vjet të tjera, kapiteni Berisha do të jetë « pjestar » i pandarë, guidë-konferencier i përditshëm i familjeve shqiptare , shumica e të cilave e kqyrin dhe e matin botën rrethuese nëpërmjet ekranit të vogël…
Po sikur të jetë skuadra rozë ? Dy elementë më detyrojnë të moderoj këtë hipotezë :
- periudha e « konsumimit moral » të pozitës. Që nga ai vit i largët 1992 kur Davidi demokrat me tiparet engjëllore të Berishës shtriu në tokë me hobenë e grevave të përgjithshme Goliatin komunist (i cili para se të jepte shpirt lindi foshnjën PS, të quajtur Nano), çdo pushtet në fuqi ka rezistuar dy legjislatura, përpara se t’i lerë dorën tjetrit. Edhe në mos i ka përfunduar, të paktën i ka filluar, pasi është zgjedhur dy herë rresht. Ishte rasti i çiftit demokrat Berisha-Meksi, që për shkaqe që dihen u detyrua të lerë skenën para kohe në vitin 1997. Ishte gjithashtu rasti i trios Nano-Majko-Meta që rezistoi plot tetë vjet, deri në vitin 2005. Jamais deux sans trois – thonë francezët. E adoptuar në rastin tonë, do të përkthehej : derisa bënë vaki dy raste, përse jo edhe i treti ?
Me të vërtetë, ç’farë i mungon Berishës për një legjislaturë bis ? Së pari, vështirë të gjykohen rezultatet e një qeverie gjatë një periudhe të tillë trevjeçare (po cili është ai që arrin të shohë kjartë mes asaj rrumpalle të quajtur ekonomi shqiptare ?) ; Së dyti, përvoja ka treguar se kjo periudhë e konsumit moral përcaktohet nga momenti i mbushjes së kupës së durimit të atyre që vendosin mbi jetëgjatësinë e burrave të shtetit shqiptar. Në rasti tonë, të administratës amerikane. Kështu ndodhi me Presidentin Klinton ndaj kryeneçësisë vrastare të Berishës, në prag të shpërthimit popullor të 1997 ; kështu ndodhi edhe me Presidentin Bush ndaj përmutjes korruptuese të Nanos në vitin 2005. Kësaj rradhe duket se Berishës i prin fati, pasi zgjedhjet e tij të reja do të kalojnë pa u marrë vesh mes gjullurdisë zgjedhore amerikane. Në se një ditë prej ditësh, Presidenti i Ri Obama (po qe se do të zgjidhet) do të fshijë buzëqeshjen e tij simpatike nga fytyra e zezë, për të treguar dhëmbët e tij të bardhë, ndërkohë Kryeministri i ri i Shqipërisë ka përfunduar vitin e tij të parë të legjislaturës së dytë.
- shkalla e « pjekurisë politike » të vetë opozitës, e shprehur me nivelin e agresivitetit të saj ndaj pushtetit në fuqi, dhe e matur me vështirësitë që ajo i krijon këtij të fundit, në prag të çeljes së fushatës së zgjedhjeve. Gjatë periudhës trevjeçare në fjalë, bota socialiste është e dominuar nga fenomeni Rama. Një personalitet sa i spikatur aq edhe i përfolur, në një mjedis thuaj shterpë nga pikpamja e ideve novatore, si ai socialist. Ndoshta egziston një metodë Rama, një dinamikë Rama - bile edhe një konsensus Rama, apo një diktat Rama. Por, personalisht, nuk shoh asnjë gjurmë të politikës Rama, të mendimit përbashkues Rama, sipas filozofisë shoqërore socialiste. Pasi, së pari, socializmi është një përmbajtje e natyrës sociale, përpara se të jetë një praktikë ekonomike – ose një administrim bashkiak. Ndoshta, pasi idili mes vetë Ramës dhe socializmit është një dukuri e vonët dhe rrethanore, një mjet i përshtatshëm për të prekur pushtetin (dhe të tjera sfera që gravitojnë rreth tij). Të qënit në opozitë – qoftë edhe për tre vjet – nuk përmblidhet vetëm me faktin e të paturit dëshirë të vish në pushtet, por para së gjithash, nga të përgatiturit e kushteve të marrjes së këtij pushteti dhe të mobilizimit të mjeteve për të realizuar këtë qëllim. Një opozitë si ajo e socialistëve të Ramës mund të meritojë të gjitha epitetet – e sjellshme, e përmbajtur, konstruktive, bashkëpunuese, kritikuese (me masë), diskutuese – bile edhe karagjoze dhe zbavitëse. Por kurrsesi luftarake, detyruese, shtrënguese, bllokuese, penguese, e bezdisshme… Mjafton të kqyren raste të tilla « të arta » si puna e Gërdecit, e skandaleve politiko-financiare të antarëve të qeverisë Berisha, të tejkalimit të kompetencave dhe të ndërhyrjes të pushtetit egzekutiv në sferat e atij legjislativ dhe gjyqësor….
Marrja e pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare është një moment i rrallë, që vjen një herë në katër vjet, dhe si i tillë nuk mund dhe nuk duhet shpërdoruar. Ajo kryhet dhe vendoset kohë përpara datës së zgjedhjeve dhe nuk i mund t’i lihet as rastësisë as edhe shansit të momentit, bile as edhe kapriçove të « aleatëve ». Ajo duhet të përgatitet qoftë në kokë, qoftë në strukturat e partisë, qoftë në masën e militantëve, qoftë edhe në përfytyrimin e popullsisë. Është një përleshje e përditshme, e përjavshme, e përmuajshme dhe e përvitshme – përgjatë katër vjetësh, e ngritur me durim dhe me shumë kujdes nga njerëz që besojnë në të dhe që arrijnë të transmetojnë besimin e tyre tek të tjerët. Qoftë Rama një i tillë !
Ata që sot aspirojnë pushtetin kanë interes të « zhdërvjellin trakën » - sipas shprehjes së kosovarëve. Atë trakën – filmin e vjetër me aktor kryesor Berishën e sotëm, të luajtur sa në sheshet dhe rrugët e Tiranës, aq edhe në sallën e Parlamentit gjatë periudhës 1997 – 2005. Pasi, duam s’duam, ai mbetet shembulli më i mirë i atij që ëndërron pushtetin dhe arrin t’a rimarrë, edhe kur askush nuk beson më.