Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ai dhe Ne

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Ai dhe Ne

Në njërin krah, dhjetëra shkrojtës që bëjnë gjithë seriozitet e impenjim shkencor, analiza historike e filozofike, përsiatje letrare dhe etyde artistike, arsyetime urbanistike dhe arkitekturore, për një çështje që na mban ende varur të gjithëve; ndërsa përballë tyre një njeri i vetëm që, si pa gjë të keq, gjithë këto vite vetëm ka gënjyer dhe është tallur me të gjithë ne.

AI:

Sali Berisha: Në historinë 50-vjeçare të diktaturës, u shemb barbarisht Tirana dhe qendra e saj. U gërryen në themele institucionet kulturore shekullore për të ndërtuar katrahura mongoloide dhe këtu mongoloid e kam në sensin biologjik të fjalës.

E vërteta është se aty ka qenë e parashikuar të varrosej i balsamosur diktatori, por balsamimi ishte një proces i komplikuar, cilido që dëshiron mund të shkojë të gjejë shenjat e varrit, sepse u tha më vonë se ky proces nuk mund të përfundonte në atë mënyrë dhe u vendos busti i tij. Pra, nuk kemi të bëjmë këtu me një trashëgimi arkitekturore, e cila duhet parë me një lloj interesi.

100-vjetori i pavarësisë është një datë për shqiptarët dhe çdo njeri që do të ishte në qeveri apo në opozitë kishte detyrim moral madhor të ndërtonte diçka të bukur dhe më të veçantë për këtë 100-vjetor dhe menduam Parlamentin, të cilit prej 100 vjetësh i mungon një ndërtesë funksionale.
NE:

Andrea Stefani: Demokracia e mposht komunizmin jo me shkatërrime piramidash, por me më shumë demokraci, pikërisht me atë që Berisha ka 20 vjet që përpiqet ta shndërrojë në një sistem fals, ku ligji s’është ligj dhe drejtësia është padrejtësi. Berisha kërkon të fshijë çdo gjurmë të diktaturës, sepse kërkon të ruajë thelbin e saj.

Ardian Klosi: Zhvendosja e këtyre deputetëve, m‘u në anë të rrugës kryesore të Shqipërisë, bulevardit tonë, më duket fyerje ndaj qetësisë dhe kulturës, për të cilat kemi kaq shumë nevojë. Po pse, ky Parlament do të na vijë tani te bulevardi, te Piramida? Mos, mos o Zot, po ky s’është Kuvend kjo është fole grerëzash. Pornografi e gjallë. A s’ka mundësi t’i çojnë në Allias, në Bathore, në Babrru, në Zallher, në Bërzhitë, në Shpal? Larg, larg sa më larg, se na u tmerrua fëmija!

Adri Nurellari: Kur pushtetarët nuk janë të aftë të mbjellin, nxisin e marrin konsensus edhe për një gjë kaq teknike dhe që na përket të gjithëve, siç është ndërtesa e Parlamentit të ri, ç’mund të presim pastaj nga realizimi i të tjerave nismave që kërkojnë konsensus të gjerë, siç janë për shembull reformat drastike që nevojiten për gjyqësorin në kuadër të integrimit europian!?

Aleksandër Çipa: Shembjet e pallogaritura dhe sidomos ato që mbartin pasion politik, janë fatura që duhen ekspozuar dhe tundur para syve të zotëruesve të vendimmarrjes. Pësimtari popull, nuk ka kurrë një aksion llogarikërkimi për faturat që lënë apo marrin vendimet autoritariste.

Andi Bushati: Dëshira për prishjen e Piramidës ngërthen më shumë kontradikta sesa thjesht kosto financiare dhe përplasje për ndarjen e pushteteve. Sepse, përpos të parave, ajo mban mbi vete edhe një përplasje historike, kulturore dhe qytetare.

Artan Lame: Shembje pas shembjeje, në një kohë që, i vetmi shans që ka një sistem për t’u treguar më i avancuar se paraardhësi, është jo ta tejkalojë në shembje, por në ndërtim.

Artan Shkreli: E gjithë kjo është një furi marrie, pasi nuk besoj se në situata normale, sot në Europën e shekullit XXI, ndokush ndërton apo prish për motive ideologjike. Piramida veç të tjerash është produkt i arkitektëve dhe inxhinierëve shqiptarë, të cilët në një përpjekje mbi mundësitë e tyre që i përcaktonte koha kur jetuan, ia dolën që në të mbramë të atij regjimi të rrëzonin soliditetin e murit vertikal dhe të dritareve të njëmbinjëshme, e mundën të ofronin hapësirën më të madhe unike në interier të ndërtuar ndonjëherë në një objekt laik te ne.

Anila Basha: Një burrë e një grua kanë marrë vendimin për të prishur një vepër në qendër të kryeqytetit, me një veprim dhe vendim tërësisht arbitrar. Do të ishte mirë që, sikurse thotë kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, zëri i çdo qytetari të dëgjohet. Por duke qenë se në Shqipëri dystandardet tanimë nuk janë një përjashtim, por janë një rregull i pranuar gjerësisht nga politikanët tanë, ashtu sikurse janë kthyer në standard për demokracinë shqiptare, edhe ky zë i qytetarëve tani nuk po dëgjohet.

Blendi Kajsiu: Ndërtimi i Parlamentit shqiptar, aty ku sot është Piramida, do të eliminojë një hapësirë publike në zemër të Tiranës, që sot përdoret nga qytetarët e thjeshtë. Ai rrezikon të krijojë një hapësirë më shumë të rrethuar me ushtarë e badigardë, që qytetarët mund ta shikojnë, por jo ta shijojnë. Ndaj ka rrezik që Piramida e Enverit të zëvendësohet me një piramidë të re, vetëm se kjo e fundit do të jetë e mbyllur për qytetarët, edhe pse ndërtohet në emër të tyre.

Edi Hila: Historinë e Piramidës: do të prishet, nuk do të prishet… e kam lidhur me historinë e ndërtesës së ish-bashkisë së Tiranës, e cila i përket një periudhe tjetër, por për të njëjtën arsye, për të ngritur në vend të saj Muzeun Kombëtar, u prish. Ajo ishte pjesë e arkitekturës, një dëshmi shumë e vyer e arkitekturës moderne në Shqipëri. Fatkeqësisht vazhdon të jetë i njëjti mentalitet. Të prishim Piramidën për të ndërtuar Parlamentin. Unë nuk jam dakord për këtë, pasi më duket një mënyrë e dhunshme mohimi.

Emin Riza: Jam dakord që Parlamenti të shkojë tek ish-piramida ose Qendra Ndërkombëtare e Kulturës "Arbnori".

Engelbert Ruos (drejtor i Zyrës Rajonale të UNESCO-s): Nëse ne i shembim një nga një të gjitha objektet, skulpturat dhe veprat e artit a të arkitekturës që na kujtojnë diktaturën, atëherë me siguri gjithçka që na lidhte me to, e mirë a e ligë, do të zhdukej në harresë. Dhe kostoja e harresës është e shumëfishtë.

Enver Faja: Piramida ka vlera pozitive, ajo është një formë interesante krejtësisht e çngurtësuar e, në këtë vështrim, historike. Ajo është një formë që ndryshon krejtësisht nga objektet e tjera, që të pëlqen, të tërheq, e harmonizuar bukur me gjelbërimin rrotull, e që ka krijuar një hapësirë urbane aktive, ku koha ka treguar se njerëzit shkojnë me kënaqësi.

Erion Tase: Sot po vendoset me urgjencë dhe pa konsensus të ndërtohet mbi Piramidën, me argumentin se ky mauzole është një çmenduri e diktaturës, duke krijuar kështu premisat që pas disa vitesh të ekzistojë rreziku që edhe kjo ndërtesë e Parlamentit të ri të paragjykohet si një aventurë e papjekur e drejtuesve të sotëm. Para se të jetë vonë, duhet të themi pa frikë publikisht fjalën tonë, në mënyrë që të mos ndihemi nesër bashkëfajtorë të një krize ekonomike, urbanistike dhe mbi të gjitha morale. Për fat të keq, nuk e kemi luksin e amatorizmit me pushtetin dhe parlamentarizmin e atyre pionierëve të shtetit shqiptar të mbledhur në Vlorë 100 vite më parë.

Ermal Hasimja: Çdo shqiptar, por sidomos ata që vuajnë për një çati sipër kokës, ka të drejtë të ndihet i fyer kur dëgjon se deputetët tanë të nderuar meritokan një ndërtesë të re madhështore në zemër të Tiranës. Kjo tingëllon e hidhur. Ndoshta deputetët nuk e kanë shumë të qartë se cili është opinioni i publikut për shumicën dërrmuese të tyre.

Fatos Lubonja: Ideja ime është që Piramida të bëhet “Qendra kombëtare e psikoterapisë politike”. Gjykoj se prirja e politikanëve tanë për të shkatërruar edhe fizikisht gjithçka që kanë bërë të tjerët përpara tyre, ka brenda edhe elemente të paranojës hoxhiste të njeriut që mendon se ekziston vetëm ai në këtë botë.

Fatos Baxhaku: Kur u ndërtua, u ndërtua si simbol i Enver Hoxhës. Kur shembet, mënyra e të menduarit është po e njëjta, vetëm se e kthyer në kahe të kundërta. Thelbi është një dhe vetëm një: marrëzia e madhështisë.

Fatmir Toçi: Çfarë do t’u thuhet shqiptarëve për mungesën dhe gjendjen skandaloze të institucioneve të kulturës në Tiranë, kur në kryeqytet nuk ka Teatër Kombëtar të përshtatshëm, Bibliotekë Kombëtare me hapësirat e nevojshme të mjaftueshme; madje, nuk ka asnjë qendër tjetër të mirëfilltë kulturore, siç ishte dhe siç mund të jetë Piramida në qendër të kryeqytetit, me funksionet dhe me imazhin e duhur?!

Gjergj Erebara: Çfarë bëhet aktualisht në Parlament? Qeveria dërgon dy kategori shkresurinash: 1) Ligje që i ka kërkuar BE-ja, që përkthehen, miratohen dhe harrohen ashtu siç janë; dhe 2) Ligje që bëjnë të mundur vjedhjen e pronave publike e prapësi të këtij lloji. Nuk është realisht e nevojshme një ndërtesë madhështore, për të përjetësuar turpin e një epoke.

Hamdi Jupe: Meqë politika aktuale në pushtet nuk ka se çfarë t’u ofrojë tjetër shqiptarëve, po u riofron luftën kundër komunizmit, në formën e shkatërrimit të veprave të ndërtuara në atë kohë.

Klejdi Eski: Nuk ka student arkitekture që nuk e ka vizatuar së paku njëherë Piramidën. Sepse është një objekt me një volumetri të veçantë, sfiduese, me perspektiva të larmishme, me materializim të qartë, me linja të pastra, i perceptueshëm si nga afër, ashtu edhe nga larg dhe, mbi të gjitha, është një objekt "me arkitekturë"! Në shkollën time nuk njoh asnjë koleg që të jete pro shembjes, sepse të gjithë e kanë në shtëpi një Piramidë të vizatuar në bardhë e zi. Pas pak mund të filloj të kërkoj nëpër sirtarë për vizatimin tim të Piramidës. Sepse do të shembet përpara se unë të kem kohë të shkoj ta vizatoj sërish. E çfarë tjetër mund ta frymëzojë një student arkitekture në këtë qytet?

Klement Kolaneci: Gjëja më e thjeshtë është ta prishësh. Është kollaj të prishësh dhe vështirë të ndërtosh. Unë nuk i trembem interpretimit të karakterit politik, por s’më takon mua ta gjykoj atë. Unë nisem me logjikën e thjeshtë që nuk janë njerëzit që gjykojnë kohën, është koha që i gjykon njerëzit.

Karsten Ankjaer Jensen: Piramidën nuk e ndërtoi Enver Hoxha apo e bija. Punëtorët shqiptarë të palodhur dhe të shtypur e ndërtuan. Ata edhe paguan për të. Ashtu siç është rasti i piramidave në Egjipt. Besoj fort se do të ishte një gabim i rëndë të rrafshohet një pjesë e rëndësishme e historisë shqiptare. Dikush mund të mos e pëlqejë të kaluarën, por duhet ta respektojë atë, apo të paktën ta pranojë atë.

Leart Kola: Piramida është institucioni më pak domethënës i diktaturës shqiptare. E ndërtuar pa aprovimin e Enverit (meqenëse ai kishte vdekur), ajo ndërtesë më shumë ishte tregues i perëndimit të atij sistemi, sesa i forcës së tij. Historia e Piramidës është historia e post ’90-s, e grupeve rock, e rinfesteve, e puthjes së parë të shumë të rinjve, e shumë rebelëve e për shumë dekadentë. Piramida më shumë se gogoli autokrat ishte parku i lojërave të një Tirane të kioskëzuar, ku 30-vjeçarët e sotëm, më shumë se sa për forcën ideologjike, e mbajnë mend për grisjen e pantallonave gjatë rrëshqitjeve në kohë të adoleshencës.

Lorenc Bejko: Nuk ka kuptim pse të shuhet nga ndërgjegjja çdo gjurmë materiale e së kaluarës sonë. Ne jemi këta që jemi sot, pikërisht për shkak të rrethanave në të cilat kemi kaluar. Fshirja e një simboli ose e një mbetjeje materiale të shoqërisë socialiste, nuk do thotë që na bën ne me shumë ose më pak të lidhur me atë periudhë.

Maks Velo: Piramida nuk është pronë e familjes së Enver Hoxhës. Kjo ka shumë rëndësi. Nëse ajo do të ishte pronë e Hoxhajve, atëherë do të kishin të drejtë ta prishnin. Por prona publike nuk mund të prishet në emër të Enver Hoxhës. Për këtë pronë kam punuar edhe unë në Spaç, duke nxjerrë vagonë, ashtu si ka punuar i gjithë populli. Këtu po thuhet shpesh e shumë se, duke prishur Piramidën, prishim imazhin e Enver Hoxhës. Unë po bëj një krahasim. Nëse në kohën e luftës prishej shtëpia e një beu, atëherë ajo ishte pronë e tij dhe prishej prona e atij beut, kurse kjo nuk është prona e familjes Hoxha.

Mentor Kikia: Ajo ndërtesë bri bulevardit “Dëshmorët e Kombit” zor se i bën hije për së keqi ndonjë njeriu, qoftë edhe atyre që kanë vuajtur në burgje. Kjo, për faktin e thjeshtë se ajo është vetëm një ndërtesë, e cila nuk ka asnjë risk, qoftë edhe teorik, që të ndikojë në rilindjen e ideologjisë komuniste. Ideologjitë e mbrapshta dhe diktaturat nuk i pjellin ndërtesat, por njerëzit.

Mirush Kabashi: Unë gjykoj që, nëse vendoset Parlamenti në sallën e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës "Pjetër Arbnori", së pari vendoset në një vend që ka një formë krejtësisht të veçantë, pra një formë simbolike shumë të bukur dhe arkitektonike; së dyti, është në një vend urbanistik shumë të evidentuar dhe do të ishte edhe një shprehje e dukshme e faktit që kemi të bëjmë me institucionin më të lartë të shprehjes së vullnetit të popullit, që është Parlamenti me të zgjedhurit e tij.

Pedro (pseudonim): Është koha për të reflektuar se çfarë shoqërie kemi ndërtuar dhe se në çfarë shoqërie kërkojmë të jetojmë. Ajo lloj arkitekture e imponuar nga komitete dhe racionim kohe, besoj se është një tregues i mirëfilltë për atë që tjetër gjë menduam para njëzet vjetësh dhe tjetër gjë kemi arritur të ndërtojmë.

Rexhep Qosja: Shumë i madh është numri i atyre që në kohën e komunizmit as nuk ishin të përndjekur, as nuk ishin të burgosur, por që nuk ngurrojnë që, duke u ngritur tash vonë, pas rënies së komunizmit, kundër komunizmit dhe kundër Faraonit dhe kundër Piramidës, shpresojnë të përfitojnë sa mund të përfitohet prej servilizmit të sotëm. Nuk ka gjë më të rrezikshme, sesa megalomania e të vegjëlve.

Skënder Minxhozi: Me shkatërrimin e Piramidës do të kemi rastin të shohim sesi fondet që mund të ishin përdorur për të gjitha ato objekte që realisht i duhen një kryeqyteti, do të shkojnë për të ndërtuar godinën e atyre që shpesh na bëjnë që të marrim telekomandën e televizorit, e të arratisemi nëpër stacionet e huaja, për shkak të sherreve e mynxyrave që dalin nga goja e deputetëve tanë.

Sokol Balla: Piramida nuk mund të krahasohet në simbolikë me statujat e Budës në Afganistan, por as Berisha nuk është burrë për Historinë. Në histori nuk hyhet me dinamit. Të paktën jo në pavijonin e demokracisë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama