Rrjedha e historisë kur merr për keq, mëton t’i shkojë së keqes keq e më keq deri në fund. Këto ditë vape, kur njerëzia mbi rërë koten ndën diell, gazetat ditë pas dite kanë botuar pjesë nga libri i Kastriot Dervishit për gjyqin e Kadri Hazbiut. Edhe kjo puna e të lexuarit të tragjedive të të tjerëve ndërsa pi koka-kolë në hije të çadrës është pjesë e absurdit, por s’e kam aty hallin. Në faqet e atij libri, mes detit të dhunës ku krokodilët shqyejnë viktimat dhe pastaj edhe njëri-tjetrin, shfaqen për herë të parë edhe nja dy a tri faqe me dëshminë e një prej krimeve më të tmerrshme, tashmë them jo thjesht të Shqipërisë komuniste, por ndoshta të gjithë Lindjes Komuniste: gjyqi dhe vrasja e Teme Sejkos. Po prapë, s’jam ulur të shkruaj e t’i bëj analizë këtij krimi.
Dëshmia makabre e kësaj vrasjeje të stërzgjatur, përmban çudira që edhe veç e veç të ngjethin mishtë, lëre pastaj të mbledhura bashkë mbi lëkurë të një njeriu të vetëm. Përmban ky krim mbylljen e të dënuarit me pranga ndër duar në arkivol brenda në qeli; përmban torturat e gjithfarllojshme; përmban dënimin me vdekje të tij; përmban çuarjen fshehurazi në një shtëpi të vetmuar në pyll për ta ekzekutuar; pastaj e rrahin për gjithë ditën me “shkopinj shkoze tre gisht të trashë” (origjinal në dëshmi) para se ta vrasin; pastaj ashtu të bërë copë e thelë e gjysmë të vdekur e mbledhin në batanije dhe e hedhin në makinë; pastaj brenda në makinë duke ecur i hedhin litarin në qafë dhe e mbysin duke e tërhequr nga të dy anët; pastaj e çojnë në kodrat e Linzës për ta varrosur nëpër natë; pastaj përpara se ta varrosin “me një kazmë i prishëm kokën” (origjinal nga dëshmia); pastaj dikush tha “sa të fortë e paska kokën”; pastaj e shtynë në gropë i hodhën gurë të mëdhej sipër dhe në fund e mbuluan duke zhdukur çdo gjurmë të gropës.
Po prapë, qëllimi i këtij shkrimi, nuk është analiza e krimit. Duke lexuar si i mpirë dëshminë e ftohtë, po mendoja me vete, ore po këta njerëz që kanë bërë këtë qamet, a ndienin ndonjë farë pendese brenda, ose të paktën me vete a tmerroheshin me ç’po bënin. Por jo, edhe këtë minimum dyshimi se sidoqoftë edhe e fshehur ka ekzistuar një farë pendese, ta heq vetë dëshmia. Në të thuhet: “Përpara se ta hidhnim në gropë, filani i hoqi pantallonat kufomës dhe i mori për vete”.
Nuk ndodhte për herë të parë. Dymijë vjet të shkuara, në një kodër të Palestinës, teksa Krishti jepte shpirt në kryq, “Ushtarët pastaj pasi kryqëzuan Jezunë, i morën robat e tij dhe i ndanë në katër pjesë, një për secilin ushtar. Dhe ushtarët bënë pikërisht kështu” (Ungjilli sipas Gjonit, 19). Thosh vite më parë, i ndjeri patër Zef Pllumi: “Ata legjionart qi kryqzuen Krishtin kan ken ilir, se vetëm bij t’shqypes mund të hypin n’kryq birin e Zotit e manej t’i marrin edhe pelerinën për me e nda mes vedit”. Kështu fliste kaherë patër Zefi, në një mënyrë që nuk iu merrte vesh asnjëherë se ku i mbaronte fakti historik e ku i fillonte fryma e historisë.
Filozofët e historianët, gjestin e marrjes së rrobave të të dënuarit e shpjegojnë me varfërinë e tejskajshme. Në mes mizerjes, edhe një copë rrobë e ngjyer në gjak, ishte një send i vlerë që nuk mund të shkonte dëm bashkë me trupin e të dënuarit. Por ta hajë dreqi, kjo ndodhte njëzet shekuj më parë, e ndërkaq në këta njëzet shekuj njerëzimi bëri goxha rrugë drejt dritës së qytetërisë sa për të mos bërë të njëjtat akte edhe në shekullin XX. E ndërkaq, kur sheh të përsëritet i njëjti gjest, jo më në kodrat e Galilesë së Perandorisë së Romës, por në kodrat e Tiranës së Perandorisë Komuniste, ku të vdekurit i merren edhe pantallonat e ngjyera me gjak e baltë, sheh se ata njëzet shekuj këtyre anëve kanë rrjedhur më kot. Dëshmi e trishtë kjo, që e sheqerosur me humor të zi, përmblidhet në anekdodën sipas së cilës Perëndia zbriti në Tokë dhe zgjodhi Shqipërinë për të ndenjur, se iu duk i vetmi vend që kish mbetur siç e kish krijuar.
Para ca kohësh, kam parë edhe një dokumentar ku Fatos Lubonja kujtonte vuajtjet e Spaçit, duke ecur e duke u penguar përmes rrënojave të mbuluara me ferra të kampit. Fliste Lubonja për fjetoret, për mensën, për dhomat e izolimit, për galeritë, për sheshin e apelit, për varret pa varr, por më të shumtën e kohës krahu i tij rrotullohej në boshllëk, pasi pako gjë kish mbetur nga vendi i martirizimit. Barangat ishin zhdukur me kohë, godinave u kish mbetur vetëm skeleti, ndërsa tullat silikate u ishin shkulur, gardhet me tela me gjemba s’ishin, kullat e rojeve gjithashtu. Psherëtinte i pafuqi Fatosi, mes kësaj zhdukjeje të kujtesës vizive që përpiqej ta zëvendësonte pa shpresë me kujtesë audive.
Nëpër fshatrat përreth Kampit të Spaçit, fjala bie Koshaj, Gurth-Spaç apo Mesul, ka plot shtëpi me tulla silikate. Janë shtëpi të ngritura prej jo shumë kohe e të ndërtuara edhe keq. Shumica e gardheve të tyre janë prej teli me gjemba. Një sy i kujdesshëm mund të shohë se edhe shumë materiale të tjera, janë me origjinë nga kampi i tmerreve. Asnjë gjurmë respekti për tmerret e kampit, ashtu sikundër legjionarët e kodrave të Palestinës, edhe policët e kodrave të Linzës, ashtu edhe të varfërit e kodrave Spaçit, bëjnë të njëjtin veprim, me mbeturinat e vdekjes përpiqen të mbijetojnë.
Ka shumë gjynahe në kurriz kjo tokë, që ia kanë lënë në shpinë njerëzit që kanë jetuar mbi të. Është gjë e bukur kujtesa dhe ndjesa ndaj krimeve të së shkuarës, por kjo ka kuptim dhe realizohet vetëm kur brezave që u bie barra e kujtesës të kenë avancuar aq në rrugën e qytetërimit e mirëqenies sa të kenë mundësi e dinjitet për një lluks të tillë. Përndryshe, nëse brezat zvarriten mes të njëjtit nivel barbarie e varfërie mbijetese, është e kotë të kërkosh prej tyre pendesë e nderim. Ata do përsërisin deri në pafundësi të njëjtën vepër, ndoshta jo për faj të tyre, por të atyre që i lënë midis kohërave të zhytur në luftë mbijetese. Megjithatë, analiza e fajit pak vlerë ka, sepse historia rregjistron faktet e jo analizat.