Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Renia e Tripolit dhe pershendetja e Saliut

Shkruar nga: Edi Rama  
Botuar më: 14 vite më parë

Edi Rama
Renia e Tripolit dhe pershendetja e Saliut

Duke ndjekur me kënaqësi të jashtëzakonshme shembjen e një tjetër fashizmi oriental në botën arabe, përmes bredhjes stacion më stacion për të parë orë pas ore afrimin e fundit të tiranit sa gjakatar aq qesharak të Libisë, nuk pashë as kancelaren gjermane, as kryeministrin britanik, as atë francez, as atë italian apo ndonjë kryeministër tjetër në Europë, përveç Saliut, që të dilte para popullit të vet e të përshëndeste si Saliu rënien e regjimit të Tripolit. Pashë vetëm presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s që, siç kanë dalë vijimësisht para mbarë botës në ndjekje të zhvillimeve dramatike në Libi, dolën e vazhduan të flasin nga lartësia e misionit të tyre për fatet e atij vendi në mbështetje të revoltës çlirimtare të popullit libian, duke rikërkuar largimin e Gadafit. Por, as njëri as tjetri nuk shkuan deri tek shpalosja e gëzimit të fitores ende të paarritur përfundimisht deri në këto momente, siç shkoi Saliu me ngut përpara të gjithëve, duke folur para shqiptarëve si të ishte në rolin e prijësit të të gjithë koalicionit botëror kundër kolonelit Muhamar Al Gadafi, mikut të tij të vjetër, dhe si të kishte përballë kamerat e mbarë planetit.

 Nuk është se kjo përbën në vetvete ndonjë çudi për këtë kryeministër rekordmen, që sipas TVSH-së, u qep shkallëve të murit kinez më lart sesa çdo dinjitar i huaj që ka vizituar Kinën, që sipas zyrës së tij të shtypit, theu edhe këtë vit rekordin në Dhërmi përgjatë një lloj kohëzgjatjeje të pakuptimtë në ujë që Saliu e quan not, apo që akoma më serioze, sipas atij vetë, qeveris ekonominë e dytë më të fortë në Europë pas asaj të Gjermanisë. Madje, të mos harrojmë, parvjet habiti edhe Kinën duke e parakaluar për një moment që kinezët s’po e gjenin çelësin e krizës, kurse Nastradini ynë e kishte gjetur para të gjithëve.

S’ka asgjë për t’u çuditur as në psenë e krekosjes së përsëritur të Saliut para shqiptarëve për arritje globale, ku Shqipëria s’ka si të ketë dot asnjë gisht, po ku kryeministri i saj sa i dhunshëm aq qesharak, me ngjashmërira të lexueshme me kolonelin e Tripolit në qasje, sjellje, fjalor, s’rri dot pa ngritur dorën e prezencës. Arsyeja pse më bëri përshtypje kuturisja e tij për të shfaqur gëzimin e rënies së regjimit në Libi qëndron përtej anës qesharake të provincializmit me të cilin Saliu e bën rolin e kryeministrit në një vend që s’është kërthiza e botës, po ku Saliu sillet si të ishte ai vetë kërthiza e fateve të botës, gjithnjë me prapamendimin djallëzor të krijimit tek ata që e ndjekin pas, të iluzionit të një madhështie të gjithanshme idesh, arritjesh, suksesesh, në realitetin e një krize të thellë ekonomike e sociale. Tamam enverist në metodë, po kjo është një temë tjetër.

Ngutja e Saliut për t’i dhënë popullit shqiptar lajmin e gëzuar të fundit të regjimit të mikut të tij të adhuruar vite me radhë, lidhet në të vërtetë me nevojën e mundimshme që ai ka për të bërë dallimin me gomarin e madh të Tripolit, për të shkëputur veten nga çdo lloj asociacioni me atë satrap delirant, që protestuesit i quante njësoj si Saliu, minj e kokëpalarë dhe pak a shumë si Saliu s’linte rast pa thënë se sa shumë e donte populli e sa gjatë do rrinte akoma në pushtet për t’i shërbyer popullit, nëse Allahu lavdiplotë s’do ta merrte ndonjëherë në qiell. Kështu s’duroi dot pa dalë për t’u rreshtuar me prijësit e luftëtarëve të lirisë, për t’u asociuar mediatikisht me shefat e shteteve më të mëdha të botës së lirë në ekranin e përballjes me regjimin e Gadafit, sepse më mirë se kushdo, Saliu vetë e di që në perceptimin e shumicës së popullit tonë ai ngjan sot me Gadafin më shumë se me këdo tjetër dhe e gjithë pranvera arabe pëlqehet e mbështetet me entuziazëm sot nga shqiptarët, edhe sepse në perceptimin e shumicës së qytetarëve tanë, ata njerëz andej po çlirohen nga halle që në distancë duken shumë më të ngjashme se ç’janë, nga regjime të korruptuara, pa zgjedhje të lira, pa liri e të drejta të garantuara për njerëzit e zakonshëm, me pasuri të mëdha në duart e një kaste dhe papunësi, varfëri të skajshme, rrëmujë e pisllëk rrugëve, që për dreq ngjajnë shumë me rrugët tona. S’ka dyshim që Shqipëria s’është Libia, as Saliu s’është Gadafi.

Po që Shqipëria ngjan më shumë me Libinë sesa me Britaninë e Madhe a me Gjermaninë dhe që Saliu ngjan më shumë me kolonelin e Tripolit sesa me cilindo nga homologët e tij europianë, as kjo s’ka asnjë dyshim. Këtë e dinë të gjithë dhe Saliu e di që të gjithë e dinë. Prandaj u ngut ta përshëndesë para të gjithëve rënien ende të pandodhur plotësisht të atij regjimi gjakatar. Triumfator dhe i trembur njëkohësisht, si me gjumë të prishur sa nga beteja fitimtare për Tripolin, sa nga ca ngjashmëri të padëshiruara. S’ka faj, për një ngjashmëri kësisoj të gjen belaja.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama