Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gaxhinj e Arixhinj

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Gaxhinj e Arixhinj

Ne të letrave, shkruajmë e shkruajmë dhe ndonjëherë harrojmë se nuk duhet vetëm të flasim, por edhe të dëgjojmë. Sefte dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që me mesazhet e tyre më mbështetën për punë të shkrimit tim të javës që shkoi: “Nuk jam viking”. Nga mesazhet e dashamirëve, kuptova se sa më shumë se për të kthyer mëndje, ai shkrim shërbente për të mbështetur mendjet e qarta të shumicës së shqiptarëve, për punë të punës së mbrapshtë të kësaj qeverie me censusin.

Mirëpo, pos kësaj, mora edhe telefonatën e një veprimtari të një shoqate për mbrojtjen e të drejtave të romëve. Arsyetimi i tij ishte shumë i qartë. Duke mbetur tërësisht dakord me mua në çështjen e vetëdeklarimit, ai më tha se mbështetja financiare për pakicat rome, qoftë nga ana e qeverive shqiptare, e qoftë nga ana e donatorëve të huaj, deri më sot ka pasur një handikap të madh: mungesën e regjistrimit të besueshëm të këtyre pakicave. Një regjistrim i tillë duhet të prodhojë një numër pak a shumë të saktë të kësaj popullsie në vend dhe pastaj, mbi bazën e këtij numri, ngrihen të gjitha politikat jo vetëm të brendshme, por edhe kërkesat tek donatorët. Nisur nga kjo nevojë jetike, veprimtarët e kësaj shtrese e kishin pritur me pozitivitet censusin, dhe madje duke e parë edhe disi me frikë “sabotimin” e tij. Nëse ky census nuk do të prodhojë një shifër të besueshme të kësaj shtrese, atyre do t’u duhet të presin regjistrimin e radhës, që dreqi e di se kur i bie të jetë, dhjetë a njëzet vjet më pas, sepse mirë keq, ky që po bëjmë e që për të cilin po harxhohen 14 milionë euro, numërohet për regjistrim dhe vitin që vjen nuk themi dot që qeveria ja futi kot dhe hajt harxhojmë edhe 14 të tjera që të bëjmë një tjetër nga fillimi. Nga kjo pikë, ky veprimtári kish të drejtë, pasi zor se gjendet në Shqipëri shtresë më e përvuajtur dhe e përbuzur sesa ciganët a arixhinjtë.

Kombet e shprehin dinjitetin dhe shkallën e tyre të qytetarisë në një pikë të vetme, se si sillen me ata që nuk mbrohen dot, a që janë më të dobët. Ndaj thuhet shpesh se shkalla e qytetërimit shihet tek varrezat (pasi të vdekurit nuk mbrohen dot dhe na i lënë ne të gjallëve barrën të tregojmë veten). Në këtë pikë, mjaft të shohësh varrezat tona poshtë e përpjetë vendit dhe nuk është se dalim shumë të nderuar.

Pa shihet edhe tek sjellja ndaj kafshëve, se edhe ato nuk mbrohen dot vetë, ndaj bota po miraton konventa për mbrojtjen e kafshëve, për mospërdorimin e tyre për eksperimente etj. Edhe në këtë pikë, shkoni të shihni Aushvicin zoologjik përtej Liqenit të Tiranës dhe do t’u mbushet mendja se edhe në këtë pikë nuk dalim të nderuar.

Pa shihet shkalla e qytetarisë edhe tek sjellja ndaj grupeve etnike tradicionalisht të përbuzura; ndaj dhe bota po përpiqet t’u kthejë një pjesë të dinjitetit të mohuar romëve. Të paktën në këtë pikë, mund të vlejë diçka edhe ky shejtan-census, me qëllim që çështja jonë kombëtare e cenuar fort prej tij, të mos dëmtojë çështjen jetike të këtij grupi etnik. Dy ditë më parë, në studion e Rudina Xhungës, një tjetër veprimtare në mbrojtje të të drejtave të romëve bënte thirrje në të njëjtën linjë veprimi.

Besoj se e vutë re më sipër, që përdora termat “ciganë a arixhinj”. I përdora këta dy terma jo në shenjë përbuzjeje “alla shqiptarçe”, por sepse këta janë termat historikë dhe realisht do të dëshiroja që ato të rimarrin dinjitet, pasi i kemi pasur midis nesh prej të paktën nja 5 shekujsh e do të vazhdojmë të bashkëjetojmë edhe kushedi sa shekuj të tjerë. Në fund të fundit, ne i quajmë “arixhinj” e ata na i marrin hakën duke na quajtur “gaxhinj”, barazim një me një dalim. Le të shfaqemi të barabartë edhe në trajtimin që ju bëjmë, se fitim do kemi, në fund bota do na thonë “komb i qytetëruar”.

FORCA QË NA MUNGON

Më në fund edhe Ramiz Alia ndërroi jetë. Politika shqiptare rrezikoi me këtë rast të bënte një gjest sjelljeje normale. Me verbërinë që e karakterizon, ja doli të na shpëtonte nga një rrezik i tillë dhe të humbte shansin e radhës. Humbi shansin jo për t’u dhënë një shembull qytetarie shqiptarëve, por për veten e saj. Shqiptarët vetë u treguan shumë më dinjitozë sesa politikanët që i qeverisin e i përfaqësojnë.

Ka një mënyrë që fitimtarët të tregohen më të avancuar dhe zhvilluar sesa të mundurit të cilëve u kanë zënë vendin; dhe kjo është të tregohen të mëshirshëm me ta. Komunistët që erdhën në fuqi më ‘44-ën, duke pretenduar të ishin mbartës të sistemit fitimtar të së ardhmes, e humbën shpejt këtë sharm, kur u zhytën fillimisht në hakmarrjen ndaj të mundurve e më pas edhe ndaj të vetëve. Justifikimi i përdorur prej tyre për dekada me radhë, se do t’ua bëjmë siç na i bënë, përveçse si justifikim, nuk mund të vlente për të ngritur një shoqëri që pretendonte të ishte e drejtë. Ashtu sikundër sot nuk mund të vlejë pretendimi i të lënit pa varr siç na lanë pa varr, nëse realisht duam të ngremë një shoqëri më të vërtetë të qytetëruar dhe që të tejkalojë padrejtësitë e asaj që lamë pas.

Traditat, zakonet e rregullat, veç të tjerash, krijohen e mbahen për të na bërë ti’ respektojmë edhe kur nuk jemi dakord me to. Nëse kanuni kërkon që babai i vrasësit të shkojë për ngushëllim në shtëpinë e të vrarit, kjo prandaj është traditë që ta zbatosh, je a s’je dakord. Zakonit nuk i intereson qe ti mund të mos kesh asnjë konsideratë për të vrarin (se prandaj edhe e  vrave), ai të detyron t’i shkosh, e madje të turpëron po nuk vajte. Tek tradita nuk ka rëndësi vullneti a dëshira personale, por detyrimi për ta tejkaluar atë në emër të një vazhdimësie shumë më të rëndësishme. Ndaj janë aq të rëndësishme zakonet e traditat dhe janë aq të vështira për t’u krijuar në kohë.

Politika shqiptare, pas njëqind vjetësh që asgjëson veten, duhet të fillojë të krijojë traditën e respektit për kundërshtarin, pavarësisht se çfarë mendon për të. E mandej të krijojë edhe traditën aq të konsoliduar perëndimore, që kundërshtarit i nderohet trupi e pastaj i gjykohet vepra. Vdekja e Ramiz Alisë ishte një shans për ta filluar këtë udhë. Pjesëmarrja në këtë vakí vetëm e përfaqësuesve të së majtës nuk mjafton, madje edhe u përdor nga e djathta për të bërë politikë edhe ditën e vdekjes dhe me xhenazen ende nëpër rrugët e Tiranës. Dhe kështu e ashtuquajtura e djathtë humbi një mundësi për t’i dhënë një shpullë morale diktaturës së shkuar, përmes sjelljes dinjitoze me përfaqësuesin e fundit të asaj diktature, që njëkohësisht kish qenë edhe përfaqësuesi i parë zyrtar i sistemit të ri.

Në politikë vdekja ka një rol të madh, ato gjëra që për sa je gjallë merren prokurorët, një ditë pas vdekjes u kalojnë historianëve; gjyqi i të gjallëve i kalon gjyqit të historisë. Ky është hapi i madh i zhvillimit që ne shqiptarët nuk e kemi bërë ende. Ende duhet të vijë dita që të dimë të ndajmë historinë nga jeta. Ende duhet të vijë dita që historinë ta përdorim si libër mësimesh dhe jo si mundësi për të nxjerrë inatet tona të ditës. Që të merremi vesh, kur them “historia” e kam fjalën për studiuesit dhe historianët, se po mbeti puna ta gjykojë Mesila Doda, ashtu sikundër bënte dy net më parë në televizor, aha, ku ishe, asgjëkundi.

Italo Balbo, marshalli italian i aviacionit, ishte kundërshtari kryesor i anglezëve në Afrikë përgjatë Luftës II Botërore, strategu që po të mos kish qenë ndihma amerikane, ndoshta do t’i kishte përzënë përfundimisht anglezët nga Afrika, me pasoja të pallogaritshme për të gjithë konfliktin. Më në fund, avioni i Balbos u qëllua dhe u rrëzua, duke mbetur i vrarë edhe vetë marshalli. Një ditë më pas, një avion anglez fluturoi mbi vijat italiane të frontit dhe, ndërsa manovronte midis të shtënave të artilerisë kundërajrore italiane, hodhi që së larti diçka. Kur italianët u afruan, panë që ishte një kurorë lulesh, në fjongon e së cilës ishte shkruar: “Në nderim të një kundërshtari të denjë, që fati ma kishte vënë përballë si armik”.

Marrëzia ime qëndron në faktin që shkoj e marr shembuj anglezësh, për të bërë krahasime me bëmat e Mesila Dodës me shokë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama