Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Heqja e imunitetit, si cektesi dhe hipokrizi

Shkruar nga: Preç Zogaj  
Botuar më: 14 vite më parë

Preç Zogaj
Heqja e imunitetit, si cektesi dhe hipokrizi

Tema e heqjes së imunitetit në Shqipëri është rikthyer. Bashkë me dëshirën e mirë në një anë dhe me cektësinë, hipokrizinë dhe keqkuptimet që e shoqërojnë në anën tjetër. Dëshira e mirë është e ndërkombëtarëve. Ata po risugjerojnë heqjen e imuniteteve si një zgjidhje që shkurajon korrupsionin në sferat e larta dhe mundëson goditjen efikase të tij nga ana e organeve të drejtësisë. Kështu shpresojnë, ndoshta edhe besojnë. Në vlerësimin e tyre të përsëritur, në Shqipërinë e sotme është vendosur kultura e pandëshkueshmërisë.

Kjo është një sentencë e tmerrshme, nga ato që errësojnë pamjen e së ardhmes. Ligji nuk i zë të mëdhenjtë, qeveritarët dhe bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë. Edhe kur niset të zërë ndonjërin për ndonjë bëmë të bujshme, ligji kthehet duarbosh sepse, ose e trembin me fushata linçuese, ose ia punojnë me lloj-lloj marifetesh, që janë “shkenca” e pushtetarëve të Shqipërisë. Historia i lë të rrjedhin detajet, duke mbajtur thelbet. Në qeverinë e socialistëve (1997-2005) korrupsioni u ngrit në sistem.

Në qeverinë “Berisha”, pas vitit 2005 e këndej, korrupsioni është ngritur në pandëshkueshmëri. Nga shiu në breshër! Në këto kushte, duke vrarë mendjen “ç’të bëjmë, ç’të bëjmë”, ndërkombëtarët kanë mbërritur si Magelani në pikën e nisjes. Dhe ja ku vështrimi i tyre është ndalur sërish të parzmorja e imunitetit parlamentar, që mbajnë me kushtetutë deputetët, ministrat dhe një kategori zyrtarësh të lartë të këtij vendi. Heqja e kësaj mbrojtjeje është mendimi i parë konkret dhe i aplikueshëm që u shkon në mendje për të shpresuar vënien në lëvizje të ndëshkueshmërinë. Pra, heqja e imuniteteve konceptohet si përgjigje, si zgjidhje.

Po sa e bazuar është kjo? A është vërtetë imuniteti një pengesë për të luftuar korrupsionin? A do të ndryshojë gjendja, nëse mbrojtja imunitare e zyrtarëve hiqet nga Kushtetuta? Nuk dua të futem në trajtimin teorik të problemit. Veshja e deputetëve me imunitet nuk është shpikje shqiptare. Sikurse edhe zhveshja e tyre nga imuniteti nuk është shpikje shqiptare. Në parlamentet e zgjedhura me votë të lirë të dyja janë demokratike, të dyja janë të mira në kushte të caktuara dhe të dyja mund të jenë të papërshtatshme në kushte të tjera.

Për rrjedhim, nuk mund të themi aposteri se kanë bërë gabim ata që e kanë venë në kushtetutë, sikurse nuk mund të themi apriori se do të gabojnë ata që mund ta heqin nga kushtetuta. Mendoj se imuniteti është i vlefshëm në vendet me tradita të pakonsoliduara demokratike. Në parim, imuniteti inkurajon më shumë lirinë se sa shpërdorimin e lirisë. Arsyeja është e thjeshtë: ata që e përdorin për mirë janë gjithnjë me shumë se ata që e përdorin për keq. Megjithatë, mbajtja apo heqja është si puna e sistemeve zgjedhore: secili sistem është demokratik, por zgjidhet ai që mendohet se i shkon më shumë veçorive të vendit përkatës.

Nuk mund të them a ka ardhur apo jo koha për heqjen e imunitetit në Shqipëri. (Në parantezë, lënia deklarative e imunitetit, siç ka bërë Berisha me deputetët e tij është një akt pa asnjë vlerë nga pikëpamja juridike, rrjedhimisht një hipokrizi). Por unë dhe të gjithë ata që kanë ndjekur zhvillimet shqiptare këto njëzet vjetet e fundit mund të pohojnë një fakt domethënës për temën që po trajtojmë: Kuvendi i Shqipërisë i ka miratuar shumicën dërmuese të kërkesave që ka paraqitur Prokurori i Përgjithshëm për heqje imunitetesh të deputetëve të ndryshëm. Kjo është e vërteta. Kanë thënë ç’kanë thënë, por kur ka ardhur puna për të votuar, partitë parlamentare shqiptare, me përjashtime shumë të rralla, i kanë hapur rrugë hetimit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë nga Prokuroria. Ky fakt e relativizon shumë, për të mos thënë e rrëzon si të pathemeltë pikëpamjen se imuniteti parlamentar pengon luftën kundër korrupsionit. Po të ishte Kuvendi i Shqipërisë një institucion që nuk dorëzon asnjë të akuzuar, heqja e imunitetetit do të ishte padyshim një emergjencë. Por nuk rezulton të jetë kështu historia jonë. Prandaj, më duket se ka njëfarë lehtësie dhe cektësie në pritshmërinë që shoqëron sugjerimin për heqjen e imunitetit. Zgjidhjet populiste sipërfaqësore janë të rrezikshme, sepse ushqejnë iluzionin sikur tani i erdhi fundi korrupsionit, ndërkohë që realisht i japin kohë të keqes të maskohet më mirë dhe të marrë një vrull të ri.

Shqiptarët e dinë dhe ndërkombëtarët nuk kanë përse të mos e dinë: ka vetëm një “imunitet” që pengon drejtësinë dhe ndëshkueshmërinë në Shqipëri. Është mbrojtja politike që kryeministrit i vendit zoti Berisha dhe një sistem i terë politik, ekonomik dhe mediatik u bëjnë të gjithë atyre zyrtarëve që nuk duhet të preken, nuk duhet të hetohen, nuk duhet të gjykohen dhe ca më pak të dënohen ngaqë pandëshkueshëria e tyre është dega ku mbahet qeveria. Kemi shkruar shpesh për tragjedinë e Gërdecit, për shkeljet dhe shpërdorimet në autostradën Rrëshen-Kalimash dhe në tunelin e Kaliamashit, për korrupsionin me naftën “Virgjinia” që ka krijuar hije misteri në mënyrën si po trajtohet, e tjerë. Shembulli i shembujve që i vë kapak sistemit shqiptar të korracimit më “imunitet” politik të zyrtarëve të inkriminuar janë vrasjet e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga Garda e Republikës.

Atë mbrëmje, të nesërmen dhe në ditët në vijim shteti politik nxori dhëmbët si asnjëherë tjetër kundër shtetit të së drejtës, me një qëllim të qartë: të pengonte zbardhjen e vrasjeve, të shpëtonte nga ndëshkimi personat përgjegjës që ideuan dhe realizuan vrasjet e qytetarëve të pafajshëm. Fati i hetimeve për 21 janarin vuan sot e kësaj dite pasojat e atij kafshimi të panjohur në tokën e sotme të Europës. Njëzet e një janari dhe shembujt e korrupsionit të pandëshkuar tregojnë qartë një gjë: Në daç mbaje, në daç hiqe imunitetin kushtetues të deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë. Nuk ndryshon asgjë.

Duhet hequr ky “imuniteti” tjetër pikësëpari. Ky politiku, ky që mban ligjin larg ministrit të korruptuar, ky që tremb prokurorin dhe gjykatësin, duke i bërë dora-dorës ortakë në të keqe. Sepse drejtësia që nuk godet korruptohet. Ja kjo është një sfidë jetike, për këtë na duhet ndihma urgjente e SHBA-ve dhe Europës. Duke filluar me vrasjet e 21 janarit, që janë ndërgjegjja e vrarë e mbarë botës demokratike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama