Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni tavolinash 47

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 17 vite më parë

Artan Lame
Shqipni tavolinash 47

Mbushi bulevardin populli i Tiranës, ca se i ka ardhur në majë të hundës e ca se ia kërkoi opozita. Nuk ndodhi asgjë jashtë radhe, as u thyen xhama e as u dogjën ministrira, siç di të bëjë një që s‘po ia them emrin. Në fund, dy njerëz bënë deklarata publike. Gazmend Oketa, që deklaroi se kjo protestë destabilizon vendin dhe rrezikon çështjen e Kosovës dhe Gerti Bogdani, që deklaroi se opozita kishte dëmtuar paqen fetare në vend, duke prekur ndjenjat e besimtarëve myslimanë. Kësaj i thonë të kesh dy b..., një ta mbash e një ta çash.

Nuk besoj se ka burrë nëne në botë që të besojë se Gazit dhe Gertit u bie në mend për mbarëvajtjen e statusit në Kosovë dhe për terezinë e besnikëve të Muhametit në Tiranë. Demek, Gazi po luante me letra në zyrë (s‘besoj se i ka lënë punë tjetër shefi) dhe papritur dëgjon në lajme për protestën e opozitës. Mos, i thotë bashkëluajtësit, do na marri në qafë ky Rama me këtë protestën, se do na rrezikojë statusin e vëllezërve kosovarë, për të cilët s‘po na zë gjumi. Dhe një të çuar nga karreglla, e t‘ia mësyrë mikrofonit të konferencave të qeverisë. Në të njëjtën orë, Gerti që luante me letra në zyrën e Partisë, tek dëgjon lajmet i thotë bashkëluajtësit të vet: Mos, ky Rama që u bën thirrje njerëzve për protestë, do na rrezikojë bashkëjetesën fetare që mezi e kemi ngritur dhe mund të lëndojë ndjenjat e myslimanëve tanë, që të falin në çdo gjë, veç në fe jo. Dhe një të çuar bën edhe ky dhe ja mësyn mikrofonit të partisë. E trashë apo jo.

Këta dy djemkat me kravata dhe mastera, nuk ia dolën të jenë koherentë as sa Fahri 55-a. Ky të paktën, si komunist i vjetër, nuk doli jashtë bolshevizmës dhe thjesht e lidhi protestën me ditëlindjen e Stalinit, që zor se e dinte ndonjëri prej atyre që protestonin në shesh. Ndërsa djemkat e partisë, Gazi dhe Gerti, moshën e kanë për të qenë mendjehapur, edhe masterat i kanë ngrënë në Evropë, po kur u duhet të flasin, kthehen te historirat e matufëve të qëmotit dhe më nxjerrin mallin e fanatikëve injorantë të Tiranës që, më ‘24-ën, kur Noli po ndërtonte godinën e Parlamentit, për të përçarë miletin, hapën llafe "Çoniu burra, se kaurri po na prek në din e në fe, se po don me na bo kishë për midis Tironës". As sot nuk e kam kuptuar dot nëse e thoshin këtë nga ligësia, nga injoranca, apo nga të dyja bashkë.

Ps. Kur kisha mbaruar këto radhë, më bie në dorë shkrimi i Stefanit, "Mitingu i opozitës dhe reaksioni fashist i pushtetit". Dale mo Andrea, dale një çikë. Ta kuptoj hallin dhe ta di merakun, po nuk më duket aq kollaj t‘i themi "fashizëm" pushtetit të sotëm, se fashizmi të paktën ishte një ideologji e qartë, e përcaktuar, që e dinte nga nisej dhe ku do mbërrinte. Zor të më thuash se është kështu edhe kjo klika që na qeveris neve.

Jo çdo bandë hajdutësh injorantë dhe mendjengushtë, që shtie në dorë një pushtet dhe di të lozë dajakun, është doemos fashizmë. Se edhe fashizma, që të imponohet ka nevojë për një lloj sqime dhe zotnillëku, që unë s‘e shoh gjëkundi mes këtyre honxho-bonxhove që kemi për ministorë. Se ja, më thuaj ti, nëse gjen ndonjë të ngjarë mes çizmeve llustrafinë të Herman Geringut dhe këpucëve të Shabanit e të Jeminit, apo uniformave të ngrira të Wermahtit dhe kostumeve prej atllasi që kanë mbushur sërish ministritë tona. Apo fashizmi, që ish fashizmë në kohë të Duçes, bëri Akademi jo vetëm në Itali, po erdhi ta bënte edhe këtu në Shqipëri, ndërsa këta bashibozukët tanë injorantë, që ti Andrea u jep statusin e fashistit, po mbyllin edhe Akademinë e vendit të tyre, le më pastaj.

Dajaku dhe hajdutllëku nuk janë karakteristika bazë e fashizmës, po e bandave pa ngjyrë në pushtet, që kështu i bën këta tanët t‘u ngjajnë më shumë klikave të Liberisë e të Kongos, sesa fashizmit të Teutonisë a të Kilit në daç.


NATA

U mblodhën të mençmit e Kosovës dhe i bënë kartë Parlamentit tonë. Akademia e Shkencave të Kosovës u ka shkruar letër kuvendarëve të Shqipërisë, që të mos mbyllin Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Thoshin në letër se Akademia e Shqipërisë u kishte kërkuar ndihmë, se nuk bën të mbyllet një Akademi, se duhet ta shohin edhe një herë këtë vendim, e të tjera e të tjera.

Më bëtë me turp o të nderuar Akademikë të Kosovës, më bëtë me turp pikërisht atëherë kur mendoja të ndjehesha krenar. Se kur Kosova përjetoi humbjen e institucioneve të saj nën Serbi, në vitet e ‘80-ta, Akademia e Shqipërisë bënte letra e protesta në Beograd e nëpër Evropë, për të mos lejuar mbylljen e vatrave të kulturës. Bënte detyrën e saj, duke u përpjekur t‘u mbronte qoftë si i kulturuari të kulturuarin, e qoftë si shqiptari shqiptarin, ndaj të huajit zaptues.


Më ngjan se erdhi dita e zezë që të na ktheni reston, o të ditur të Kosovës. Të ngrini ju tani zërin për të shpëtuar kulturën e Shqipërisë. Po mirë se ne ju mbrojtëm nga nata e shkjaut, ndërsa nata që po bie mbi shkencën tonë, për turp të Zotit, është natë që po e ndehin mbi qiell të tyre vetë shqiptarët. Kjo më bën me turp kur lexoj që ju t‘i luteni Kuvendit të shqiptarëve që të mos mbyllë Akademinë e shqiptarëve. Turp e faqe e zezë. Pasi të kalojë kjo puna e protestave me peticione, do vijë radha të na jepni edhe eksperiencën tuaj për mbijetesë nën pushtim. Aso kohe ju ja dolët të ndërtoni institucionet e fshehta, me shkolla nëpër shtëpira, si në kohë të Turqisë. Mos po katandis edhe dija jonë t‘ia hyjë asaj rruge? E mor Sali ç‘na bëre, le turpin e hajdutllëkut që na është ngjitur ngado, po tani po na ngjitet edhe turpi i barbarizmës së kohëve moderne.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama